A shihna n’Krajë?

Rina Kovaçi-Lika

Bukuritë e Krajës më kanë tërhequr në vazhdimësi, në mënyrë që këto bukuri të bëhen të njohura dhe Kraja të jetë sa më shumë në vëmendjen tonë, më 14 janar, u jetësua ideja e nismës “A shihna n’Krajë?”, e cila ishte si rezultat e dëshirës që më shumë njerëz ta vizitojnë dhe ta njohin Krajën , që është një nga trevat tona të rrezikuara si rezultat i plagës së migrimit më të cilën ballafaqohemi vazhdimisht të gjithë, e që më së tepërmi ndihet në Krajë, si rezultat i rrethanave që dihen dhe i mungesës së ujësjellësit. Këtë ide e përqafuan me shumë dëshirë Korabi dhe Artani, me të cilët ndajmë të njëjtën dashuri dhe shqetësim për këtë vend.
Së bashku e shtjelluam më gjerësisht se çfarë mund të bëjmë dhe arritëm në përfundim që t’i mbledhim dashamirësit e vendit tonë në një grup në rrjetin social “Facebook”, nën titullin “A shihna n’Krajë?”, në mënyrë që të promovojmë vazhdimisht vlerat natyrore dhe kulturore të Krajës, traditë, poezi e shkrime të inspiruara nga Kraja. Qëllimi i këtij aktiviteti është që të gjithëve t’u ofrohet mundësia t’i njohin bukuritë dhe potencialet që ofron Kraja, për të cilën çdo ditë e më pak po dëgjojmë, po ashtu të shoqërohemi e të ndajmë vizionet dhe njohuritë tona me njëri-tjetrin.
Një ide e tillë do të jetë inspirim që të realizohet për të gjithë hapësirën e vendit tonë që tani për tani do të jetë e kufizuar në trevën e mrekullueshme, e cila shtrihet nga bregu i Liqenit të Shkodrës e deri në bregun e Detit Adriatik.
Duke e parë Krajën si një tërësi të pandarë nga Ana e Malit dhe Ulqini, morëm hapin e radhës, të shihemi në Krajë. Lajmëruam në të gjitha rrjetet sociale organizimin tonë me sloganin “Eja në një vizitë të ngrohtë në Krajë”, si pjesë e nismës “A shihna n’Krajë?”.
Duke paraqitur edhe qëllimin parësor të këtij organizimi vullnetarë ishte ringjallja e traditës së vizitës të miqve tonë krajanë dhe në këtë mënyrë të japim kontributin tonë atje.
Agjenda ishte e atillë, që pasi ndaluam te bukurshkrimi në Shtegvashë dhe shijuam pamjet panoramike, ku shihen në pëllëmbë të dorës hapësira në mes të detit Adriatik dhe Liqenit të Shkodrës, rrjedha e lumit Bunë me Adën e saj, bjeshka e Rumisë deri në Tarabosh, Liqeni i Shasit, Liqeni i Shkodrës me Krajë dhe ishujt e bregut krajan të liqenit, Molja e Krajës në vaun e Skjes, Alpet Shqiptare, Deti Adriatik, Kepi i Rodonit, sistemi i vargmaleve të Lezhës dhe Krujës, Parku natyror i Kripores së Ulqinit me kënetat dhe Liqenin e Zogajve, qyteti i Shkodrës, plazhi i madh i Ulqinit dhe plazhi i madh i Shkodrës me lagunën e Vilunit, fusha e Anës së Malit, Zogajve, Shkodrës si dhe fusha e Gentës me zonën e fushës së Tuzit.
Kështu disa nga anëtarët morën fjalën të ndanin njohuritë e veta duke u inspiruar nga ky peizazh mbresëlënës.
Më pas u ndalëm te lokalet e Krajës, ku shërbimi dhe mikpritja është gjithmonë aty.
Te “Kafeneja Jonë”, lokal ky në qendër të Ostrosit me një dizajn të brendshëm shumë të bukur me motive tradicionale, pimë dikush çaj e dikush kafe, diskutuam rreth potencialeve dhe kërcënimeve që i shfaqen rajonit tonë. Pronarët e lokalit na ofruan “nga shtëpia” lëng shege dhe thane, me fjalë mikpritëse dhe mirënjohjeje që kishim ardhur në vizitë.
Më la përshtypje një thënie nga një vendas, i cili e vlerësoi organizimin dhe me një buzëqeshje dhe shikim mirënjohës na tha: “Mos na harroni Krajën”.
Vazhduam ditën duke vizituar ublat në Bolaj, ku gjenden 12 ubla në një lëndinë piktoreske të mëhallës Bolaj, rrethuar me trungje gështenjash mijëvjeçare. Pikërisht këto ubla gjenden në fundmalin pranë rrugës kalldrëme shumë të njohur, që të shpinte përmes malit të Ostrosit për në Millë, ku ishte qendra e madhe e bluarjes së drithrave për gjithë trevën e Krajës dhe më gjerë.
Vizituam fillimin e kësaj rruge e cila fillon me mure të thatë, të cilët i kishte mbuluar myshku ngaqë shumë rrallë i bie dielli, vazhduam deri sa pamë edhe shkallët e lashta nga guri të cilat e bëjnë këtë udhë edhe më magjike. Kjo vizitë kaq bukur u shndërrua në një vizitë shumë edukative, ku të gjithë shkëmbyem njohuritë tona për këtë zonë duke e bërë shëtitjen më produktive dhe më interesante.
Pas kësaj vizite morëm ushqimin tek restorant “Votra” dhe vendosëm që piknikun ta bëjmë afër bregut të parkut natyror të Liqenit të Shkodrës, pikërisht në afërsi të Vaut të Shitarit, në pikëvrojtimin përgjatë rrugës për te ai va. Aty na priti një pamje e mrekullueshme e liqenit dhe alpeve shqiptare, që qëndrojnë shumë krenare, duke i dhënë peizazhit një madhështi të pakufishme. Gjatë qëndrimit tonë lëshuam këngë të lehta e të vjetra arbëreshe, të cilat bënë që pikniku të shndërrohej në një atmosferë më të ngrohtë dhe të marrë një nivel dhe dimension tjetër, duke plotësuar qetësinë meditative të Liqenit të Shkodrës.
Të gjithë pjesëmarrësit u falënderuan për mundësinë dhe u shprehën që organizime të tilla duhet të përsëritën më shpesh dhe që një ditë e dimrit nuk mund të jetë më e bukur se kaq. Ishim të kënaqur që kjo ëndërr na u bë realitet dhe na dha më shumë besim që mund të arrijmë vizionin tonë dhe Krajës t’i kthehet përsëri vëmendja nga njerëzit e vet anamalas e ulqinakë, e pse jo edhe shkodranë dhe mysafirë që gravitojnë në këto rajone.
Kraja qëndron atje nën Rumi dhe mbi Liqenin e Shkodrës, krenare dhe e mallëngjyer për të rrëfyer përmes shumë monumenteve që dëshmojnë të kaluarën dhe gjendjen e së tashmes, atje “shohim” duart, djersën dhe vullnetin e përkushtimin e pakufishëm të të parëve tanë, atje shohim bukuri që Zoti ia dhuroi, atje edhe unë e ti e shohim njëri-tjetrin më shpirtërorë, njëjtë si në çdo pëllëmbë të tokës tonë.
Të gjitha këto na thërrasin të shihemi në Krajë.
Eja edhe ti, të kontribuojmë dhe ta zbulojmë atë, me të cilën na lidh shumëçka.
A shihna n’Krajë?
Përsëri…

Të fundit

më të lexuarat