Mësues i thjeshtë me autoritet të madh

Xhemali ishte njeri modest, por i dashuruar në profesionin e tij, një mësues i cili ka punuar me zemër. Ai i takonte atij grupi të pishtarëve të arsimit të cilët me shumë dashuri dhe vullnet kanë arsimuar shumë gjenerata të kombit tonë

Ismet Karamanaga

Xhemal Milla është një nga pishtarët e arsimit në gjuhën shqipe te ne, një mësues i cili ka punuar me zemër për edukimin e fëmijëve, një njeri pa dyshim me autoritet të rrallë dhe të veçantë. Ai i takon atij grupi të pishtarëve të arsimit tonë, të cilët me shumë dashuri dhe vullnet kanë arsimuar shumë gjenerata të qytetit tonë të bukur.
Ai ka lindur në Ulqin, në vitin 1933 dhe ka qenë nxënës i gjeneratës së parë të maturantëve të Shkollës Normale në Prishtinë. Në shkollën fillore në Ulqin është regjistruar në vitin shkollor 1944/1945, ku kreu shkollën tetëvjeçare në gjuhën malazeze, pastaj Shkollën Normale në Prishtinë e përfundoi në vitin 1959. Ka qenë ky një rrugëtim plot sfida, por i suksesshëm për një entuziast si Xhemal Milla. Duke qenë një mësues i lindur dhe i talentuar, ai u bë mësues model që profesionit të tij i ka mbetur besnik deri në fund të jetës.
Xhemali ishte njeri modest, por i dashuruar në profesionin e tij, një mësues i cili ka punuar me zemër. Ai i takonte atij grupi të pishtarëve të arsimit të cilët me shumë dashuri dhe vullnet kanë arsimuar shumë gjenerata të kombit tonë. Shumë nxënës të tij, sot të diplomuar në profesione të të ndryshme, nuk e kanë harruar mësuesin e tyre të parë.
Karrierën e mësuesit e ka filluar në fshatin Darzë, ku ka punuar në kushte të vështira dhe në paralele të kombinuara – me nxënës në gjuhën shqipe dhe serbokroate, për ta mbyllur në vitin 1999 në shkollën fillore “Marshall Tito”. Fshati Darzë, ndonëse me popullatë të përzier, e ka vlerësuar jashtëzakonisht mësuesin e parë nga Ulqini. Megjithëse i është dashur të udhëtojë 12 kilometra, ky mësues pedant dhe me plot ideale punoi me një vullnet të paparë. Nga inspektorët republikanë është vlerësuar gjithmonë me notën “posaçërisht dallohet”.

Xhemal Milla dhe shumë pishtarë të tjerë të arsimit shqip meritojnë një vend të veçantë në trashëgiminë tonë arsimore. Kujtimi i tyre përmes shkrimeve apo formave të tjera është obligim i yni moral dhe kombëtar, dhe një lloj vërejtjeje për të gjithë ata që mendojnë se bota fillon dhe mbaron me ta.


Pas disa vitesh filloi të punojë në shkollën fillore “Boshko Strugar” e pastaj në vitin 1968 në shkollën fillore “Marshall Tito” në Ulqin. Si punonjës i arsimit, gjithmonë është dalluar me punën dhe qëndrimin e tij. Në këto shkolla me kushte më të mira sesa në paralelet e ndara të tyre, ky pishtar i arsimit dëshmon edhe më tepër aftësitë e tij si një organizator i mrekullueshëm në procesin mësimor dhe aktivitetet e lira.
Të shkruash për të e sidomos të përshkruash personalitetin e tij është tejet e vështirë, sepse të rrallë kanë qenë ata mësues që e kanë dashur aq shumë arsimin dhe edukimin e fëmijëve siç ka qenë Xhemal Milla. Edhe pse ka ndërruar jetë në vitin 2011, figura e tij markante, të ecurit dhe zëri i tij më kujtohen si sot. Si i tillë, ai ka gëzuar autoritet dhe ka qenë i dashur jo vetëm te fëmijët, por edhe te qytetarët e Ulqinit.
Pas pensionimit ka dalë shumë në natyrë për të ecur. Shpesh ka shëtitur deri në ullishtë apo edhe te pishat deri te Hoteli “Albatros”. Nuk e kam njohur shumë, por kam dëgjuar për aftësitë dhe autoritetin e tij si mësues. Kjo edhe më ka nxitur që të shkruaj këtë portret.
Xhemal Milla dhe shumë pishtarë të tjerë të arsimit shqip meritojnë një vend të veçantë në trashëgiminë tonë arsimore. Kujtimi i tyre përmes shkrimeve apo formave të tjera është obligim i yni moral dhe kombëtar dhe një lloj vërejtjeje për të gjithë ata që mendojnë se bota fillon dhe mbaron me ta.
Se sa shumë e donte ai arsimin, i cili ishte rrënjosur thellë në qenien e tij, tregon edhe një detaj personal. Me rastin e kremtimit të Ditës së Mësuesit, shumë vite më parë, në një bisedë të shkurtër me të, më tha: “Arsimi i popullit është hyjnesha më e lartë e të gjitha besimeve dhe të gjithë popujve në botë. Mësuesit patën gjithmonë një detyrë të shenjtë – të zhdukin errësirën, të sjellin dritë për gjenerata të tëra”.
Edhe unë them se mësuesit tanë me përkushtim dhe sakrifica të mëdha e zhvilluan shkollën shqipe në trevat ku jetonin shqiptarët. Në këtë plan, gjithmonë ka pasur pengesa nga pushteti, por me punë dhe mençuri ata kanë ditur si të përballojnë çdo lloj ndëshkimi. Pa këta heronj si Xhemali, arsimi ynë nuk kishte arritur nivele të tilla ku është sot. Mirëpo ne nuk duhet të jemi të kënaqur me këtë, por duhet të punojmë që fëmijët tanë të mësojnë sipas programeve mësimore me theks kombëtar. Ne që kemi punuar në arsim i kemi ditur të gjitha problemet me të cilat janë ballafaquar mësuesit dhe në përgjithësi punonjësit e arsimit te ne. Për këtë arsye duhet të punojmë akoma më shumë sot sepse këtë ua kemi borxh të parëve, pishtarëve të arsimit, por edhe gjeneratave të sotme.
Mënyra e shpjegimit të lëndës nga mësuesit e parë, vullneti i tyre dhe aftësia për t’u transmetuar të rinjve dije, edukim dhe disiplinë të rrallë, është dhe duhet të jetë shembull për shumë mësues dhe edukatorë të rinj sot. Xhemal Milla si dhe shumë arsimtarë, pedagogë dhe mësues të tjerë, në fillim të arsimit në gjuhën shqipe kanë punuar me pasion dhe dashuri të madhe për arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në Ulqin dhe rrethinën e tij, sepse, siç thoshte ai, “arsimi ka pasur një rol të veçantë në edukimin e popullatës sonë shqiptare, kurse ne të parët, arsimin dhe punën në arsim e kemi dashur me zemër dhe kemi pasur përgjegjësi të madhe”.
“Ishte ajo kohë pa telefona, kompjuterë, koha kur kemi pasur vetëm tabelën e zezë, hartat, shkumësin dhe librin. Unë nuk jam kundër risive dhe përparimit, mirëpo më duket që tash është tepruar në këtë lëmi. Unë kam dhënë mësim dhe edukim me vullnet dhe dashuri të madhe dhe gjithmonë jam munduar që ta interpretoj dhe t’ua shpjegoj fëmijëve sa më mirë dhe më qartë”, thoshte i ndjeri Xhemal Milla.
Me pak mjete – vetëm me shkumësin, dërrasën e zezë dhe abetaren, sistemi dhe vullneti i edukimit të këtyre edukatorëve të parë në gjuhën shqipe te ne ishte një shembull se si mund të mbetet i përjetshëm te shumë prej tyre që ende nuk mund ta harrojnë mësuesin e parë.
Edhe më vonë si pensionist, Xhemal Milla ka mbetur njësoj – i vyeshëm, modest, i qeshur, gojëmbël dhe i veshur elegant.
Ai ka pasur mall të madh për djemtë Arbenin dhe Agronin, të cilët jetojnë dhe punojnë në Amerikë. Bashkëshortja Skenderija, e lindur Ishmi, ka kohë që ka ndërruar jetë, mirëpo një kujdes të veçantë i ka kushtuar e bija e tij Adriana, e martuar për tashmë të ndjerin Luan Mollabeqiri. Koha kalon, mirëpo ne nuk guxojmë t’i harrojmë pishtarët e parë të arsimit, kulturës dhe edukimit në gjuhën shqipe te ne, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për përparimin e popullit tonë. Në këtë kuadër, edhe Xhemal Milla ka vepruar dhe punuar në kohët më të vështira për emancipimin e popullit tonë. Ai, pa dyshim, meriton një vend të posaçëm në majën e piramidës së arsimit te ne në gjuhën shqipe.
Xhemal Milla ka lënë gjurmë të pashlyera në arsimin dhe kulturën tonë. Në librat e mi nga cikli “Ulqini florini – Portrete, In memoriam” florinjtë janë të gjithë ata personazhe të cilët janë pjesë e tyre. Njëri nga ato florinj është pa dyshim edhe mësuesi i dalluar Xhemal Milla.

Të fundit

më të lexuarat