Ulqini si Monte Karlo

Petrit Llunji

“Jeta është më e çuditshme se imagjinata” – pak ka raste kur kjo thënje tingëllon më e vërtetë se në rastin e milionerit francez, Zhak Lebudi. I lindur ne Paris në vitin 1868, si djali i magnatit francez të sheqerit, Lebudi do të bëjë një jetë e cila më shumë i përngjan filmave holivudian se sa realitetit.
Në këtë rrugëtim të tij ai do të kalojë edhe nëpër Ulqin, që kësaj historie i jep dimension edhe më interesant dhe të afërt.
Në vitin 1903, duke qenë trashigimtar i një pasurie marramendëse, vjen në idenë e formimit të një perandorie në Afrikën e Veriut (në brigjet e Marokos të sotëm). Ishte kjo, sipas tij “tokë në shkretirë e cila nuk i takonte askujt” dhe të cilën ai, me prirjen e tij për biznes, do ta shndërronte në një shtet të prosperitetit të lartë.
Do ta quante – Perandoria e Saharës.
Veten e kishte paramenduar si Perandor dhe për një kohë të shkurtër ai definon oborrin perandorak me të gjitha organet e veta. Në verën e të njëjtit vit, me tri anije dhe stafin (në mesin e të cilëve kishte marinerë të armatosur mirë) niset për në brigjet e Afrikës.
Zbarkon tek Kepi Jubi (sot në jug të Marokos) dhe cakton vendet për kryeqytetin dhe portin kryesor. Mirëpo planet nuk shkojnë siç e mendoi. Fiset arabe i kundërvehen dhe marrin peng pesë nga marinerët e ekspedicionit. Në anën tjetër, autoritetet spanjolle të cilat kishin kolonitë e veta në afërsi, alarmohen dhe e vendosin Lebudin dhe anijet e tij nën vëzhgim dhe kontroll. Duke e parë se tentativa po haset me më shumë vështërsi se kishte paraparë, ai kthehet në Londër (ku e kishte vendosur administratën) dhe planifikon hapat e ardhshëm. Me të mbërritur në Londër pëngesat shumëfishohen pasi që Anglia dhe Franca kishin kuptuar për planet ekstravagante të cilat nuk i përkrahnin në asnjë mënyrë. Fillon përqeshja e Lebudi-t në mediat angleze si dhe presioni nga ana e shtetit francez tek bizneset e Lebudi në Francë. Si formë shtesë presioni, atë e thërrasin edhe për shërbim të detyrueshëm ushtarak.
Lebudi e kupton se mënyra që kishte zgjedhur për formimin e Perandorisë së Saharas ishte e gabuar dhe se duhej strategji tjetër. Në vend që të themeloi Perandorinë e Saharas, dikush i propozon që do të ishte më e mençur sikur të blinte një principatë apo mbretëri egzistuese, të cilën e njohin Fuqitë e Mëdha dhe në emër të saj të bentë pushtimin e brigjeve të Afrikës. Në këtë mënyrë, ky do të ishte kolonozim dhe jo pirateri ndërkombëtare, siç e akuzonin për përpjekjen e tij të parë. Si shembull, ia përmendin Principatën e Monakos, e cila edhe pse e vogël dhe siç thotë edhe vetë Lebudi “mund të përshkohet në këmbë për gjysëm dite”, është e njohur dhe e respektuar nga të gjitha shtetet evropiane dhe më gjërë.
Zhak nuk ishte vetëm trashigimtar i pasurisë së të atit, por ishte edhe vetë një biznesmen me emër në Francë. Me përpikmërinë dhe këmbëngulësinë me të cilën ishte i njohur në biznes ai i qaset edhe analizës së Principatës së Monakos. Menjëherë niset për në Monte Karlo dhe qëndron atje një kohë duke analizuar se si kjo principatë e vogël funksionon, përfiton dhe paguan shpenzimet. Vjen në përfundim që Princi i Monakos nuk po i shfrytëzon të gjitha mundësitë që kjo principatë e vogël ka. Ky fakt i jep Lebudi edhe më tepër vullnet dhe bindje që ai vetë do të ishte i sukseshmëm në formimin e një principate e cila do të ishte rival i Monte Karlos në Evropë.
Duke kërkuar për një vend të tillë, vëmendjen ia tërhjek Ballkani dhe Mali i Zi. Ai ishte mik me Princ Nikollën e Malit të Zi, me të cilin njiheshin nga koha kur Nikolla jetonte në Francë. Lebudi kishte dëgjuar për Ulqinin dhe shumë shpejt organizon një udhëtim për në Cetinë ku do të qëndronte disa javë tek miku i tij Princ Nikolla.
Rruga ishte e planifikuar nëpër Durrës, me ndalim në Ulqin dhe destinacion përfundimtar Cetinën (megjithëse nuk egziston data e saktë e udhëtimit, në bazë të burimeve të tjera besohet se ndodhi në vjeshtën e vitit 1904).
Lebudi mbërrin në Durrës dhe aty dëgjon për një skllave nga Stambolli për të cilën fliste i gjithë Durrësi. Ai që nga fillimi i projektit për krijimin e Perandorisë së Saharas ishte në kërkim të partneres së vet dhe Perandoreshës së Saharas kështu që e gjithë kjo zhurmë për këtë bukuri të paparë e intrigoi pa masë. Shumë shpejt e gjeti pronarin e saj dhe caktoi takim.
Vajza skllave quhej Amneh. Lebudi në Paris kishte miqësi me femrat më të bukura të kohës, por bukuria e Amneh ishte diçka që nuk kishte parë ndonjëherë. Edhe pse ende e re, rreth 17 vjeç, Lebudi ishte i vendosur që të mos niset për në Ulqin pa Amneh. Vijojnë bisedimet e vështira me pronarin e saj i cili thoshte se “është mëkat të shitet ajo bukuri” dhe rezistonte ofertave të Lebudi. Por Zhak kishte prerë mendjen dhe nuk kursente shpenzim. Dikur oferta u bë aq e madhe sa që pronari ndërroi mendje dhe çoi dorë nga Amneh. Të nesërmen e sollen vajzën ne hotelin e Lebudi dhe pas disa ditësh ata nisen për në Ulqin.
Ulqini e la të fascinuar!
Pamjet piktoreske, arkitektura, historia, pozita i bënë atij aq përshtypje sa që egzalltimi i tij nuk kishte të ndalur.
“Dulcigno!” thoshte, “çfarë emri i bukur për desinacion botëror të qefit! Emër që sygjeron bukuri, kënaqësi dhe sharm’’.
Sipas Lebudi, Ulqini ia kalonte Monte Karlos me mundësitë që kishte. Njejtë si në Monte Karlo edhe Ulqini ishte në detë dhe me male në prapavijë. Edhe Ulqini kishte Kalanë mijëvjeçare që ngrihej nga deti. Principata e Monakos kishte 20.000 banorë dhe Zhak ishte i bindur që me zhvillimin që ai paramendonte, këtë numër shumë shpejt do ta arrinte edhe Ulqini (i cili në atë kohë numëronte 8.000 banorë). Por Ulqini kishte shumë gjëra që Monte Karlo nuk i kishte. Arsyeja e vetme e egzistimit të Monte Karlos ishte si resort i qefit kurse Ulqini kishte një rrethinë me tokë pjellore, kishte aktivitet tregtar dhe sadopak anijendërtim. Të gjitha këto industri Lebudi kishte plan t’i zhvillonte me talentin e tij sipërmarrës.
(Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)
Gjithashtu Kalaja e Ulqinit ështe më e lashtë se ajo e Monte Karlos. Kur mësoi pak më shumë për historinë dhe se Ulqini ishte më se dy mileniume i vjetër, gjurmë në të cilin kishin lënë ilirët dhe romakët, turqit dhe venedikasit, ngazëllimii i tij nuk kishte fund. Duke u njohur më mirë me të kaluarën dhe piraterinë e Ulqinit, logjikonte se Ulqinakët duhet të ishin trima dhe se do të mund të rekrutonte një numër të konsiderueshëm të djemve të Ulqinit për ekspeditat afrikane.
U bind se Ulqini ishte vendi ideal për realizimin e aspiratave të tij. I dërgon mesazh dhe i lutet Princ Nikollës që të takohen në Ulqin me qëllim që të diskutojnë planet që kishte.
Ata takohen në nje atmosferë miqësore dhe Lebudi pa humbur kohë shpalos planin. Mirëpo, Princ Nikolla nuk ishte shumë i entuziazmuar dhe kishte dyshimet e tij. Së pari, i spjegon Lebudi-t, se dyshon që Qeveria e Malit të Zi do të pranonte një gjë të kësaj natyre. Së dyti, i thotë, populli nuk do të lejonte shitjen dhe egzistion mundësia e shpërthimit të revoltit popullor pasi që bëhet fjalë për një qytet me shumë rëndësi për Malin e Zi. I propozon të konsiderojë ndonjë lokacion tjetër, por Lebudi ishte i vendosur. Vetëm Ulqini, thoshte, “i ka të gjitha”.
Lebudi me gjithë argumentet dhe energjinë që kishte provonte t’ia mbushte mendjen sundimtarit të Malit të Zi. Thuhet se shumat të cilat i ofroi për Ulqinin ishin sikurse rrugët e qytetit të ishin të shtruara me ar, por Nikolla ishte i vendosur. Ulqini nuk ishte për shitje.
I dëshpëruar, Lebudi nuk e viziton Cetinën dhe vendos të qëndrojë në Ulqin. Duke e parë vendosmërinë e tij, autoritetet malazeze u urdhëruan të përcillnin çdo aktivitet të këtij francezi ekscentrik.
Edhe pse tentativa e parë për blerjen e Ulqinit dështoi, Zhaku nuk u lëkund. Në ditët në vijim sajonte skema të reja për realizimin e planit të vet. Si kalonin ditët, Ulqini i dukej edhe më i bukur. Pasi që i ezauroj të gjitha mundësitë, vendosi ta blejë Ulqinin copë-copë, nga qytetarët. Logjikonte që nëse bëhet pronari i pjesës më të madhe të qytetit, Qeveria e Malit të Zi do ta merrte më seriozisht.
Kështu filloi, ndoshta i pari, bum i patundshmërive në Ulqin. Për një kohë të shkurtër ai bleu 6 shtëpi të mëdha, disa toka në periferi, 3 dyqane dhe një pjesë buzë detit për lidhjen e anijeve. Si pasojë, çmimet e patundshmërive u rritën disa herë dhe shumë prona u vendosën për shitje. Zhak nuk e kishte në mend të ndalej po të mos ishte një ngjarje që ndodhi në Shkodër (dhe Francë)!
Amneh, vajza të cilën Lebudi e kishte blerë në Durrës, i tregon se motrën e saj, Zubeide, e kanë shitur në Shkodër dhe se do të ishte shumë mirënjohëse sikur Zhak ta blinte edhe atë. Lebudi pranon ta ndihmojë mirëpo me të mbërritur në Shkodër arrestohet. Ca ditë më parë një nëpunës banke në Vjenë, me emrin Franz Gebhart, kishte vjedhur një shumë të madhe parash dhe besohej se ishte arratisur dhe fshihej në tokat shqiptare. Autoritetet në Shkodër ishin alarmuar dhe pasi që shpërblimi për kapjen e tij ishte i madh, autoritetet ishin vigjilente. Fatkeqësisht, Zhak i përngjante grabitësit dhe ajo qe arsyeja e arrestimit. Kot ai provonte të spjegonte se kanë kapur njeriun e gabuar. Njerëzit e tij në Ulqin, më në fund, ranë në kontakt me një diplomat austriak i cili pranon t’i ndihmojë. Për fatin e Zhak, diplomati mëson se grabitësi është kapur në Austri dhe intervenon tek autoritetet turke për lirimin e Lebudi. Lirohet pas 10 ditësh por duke qenë se kushtet në burgun e Shkodrës ishin mizore dhe se kishte refuzuar ushqimin gjatë tërë kohës, ai kthehet në Ulqin në gjendje shumë të rënduar shëndetësore.
Rekuperimi në Ulqin shkonte ngadalë. Gjatë kësaj periudhe njofton një amerikan i cili ishte në kërkim të burimeve të naftës. Me të mësuar për planet e Lebudi, ai i sygjeron që blerja e Ulqinit do të jetë projekt shumë i shtrenjtë. Amerikani, duke qenë i njoftuar mirë me korrupsionin politik të Nju Jorkut, i thotë se do të ishte shumë më lirë sikur të blinte votat në një shtet të vogël dhe bëhet president atje. I propozon principatën e San Marinos, nëpër të cilën kishte kaluar para disa muajsh dhe për të cilën besonte se do të ishte pre e lehtë për milionat e Lebudi. Mirëpo, derisa sa po vlerësonte propozimin e amerikanit , vjen lajmi nga Franca se interesat e Lebudi atje ishin të rrezikuara dhe se duhet menjëherë të niset për në Francë. Së shpejti niset dhe lë Amneh pas, me qëllim që të kthehet.
Lebudi pa dyshim se kishte aftësi për biznes, sepse me të kthyer në Paris, për një kohë relativisht të shkurtër, i bë ballë konkurrencës e cila ishte nisur për t’ia marrë bizneset dhe bile arrin që disa prej tyre t’i çojë në falimentim. Por qëndrimi në Francë u zgjat. Problemet me nënën dhe vëllëzërit, dyshimet që kishte për suksesin e blerjes së Ulqinit si dhe njoftimi me Augustine Delier, bashkëshorten e tij të ardhshme, gjithnjë e më tepër e shtynin kthimin në Ulqin.
Fatkeqësisht, Zhaku nuk do t’a shihte më kurrë Ulqinin dhe mbetet e panjohur se çka është bërë me Amneh si dhe me pronat që kishte blerë.
Lebaudi do të provonte edhe njëherë të realizonte ëndrrën. Në konferencën ndërkombëtare që mbahej në Algjeri në lidhje me çështjen e Marokos, vendosi të prezantonte planin e vet. Edhe kësaj herë nuk gjeti përkrahjen e shtetit amë, Francës. I zhgënjyer vendos të emigrojë ne SHBA (1908).
Deri në fund nuk çoi dorë nga ëndrra e Perandorisë së Saharas por Zhaku nuk ia doli. Jeta e Lebudi përfundon në mënyrë tragjike. Vritet nga bashkëshortja në Long Ajlënd të Nju Jorkut në janar të vitit 1919.

*Bazuar në fejtonin për jetën dhe veprën e Zhak Lebudi të botuar në “The San Francisco Examiner” (në 16 pjesë) nga shkurti deri në qershor të vitit 1919. Të gjithë numrat e fejtonit mund të shkarkohen tek faqja ARKIVA.ME (http://pdf.arkiva.me/Artikuj/1919-A-Lebaudy.zip).
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat