Intervistë me poeten Valbona Mulaj Lluka

Koha Javore: Çfarë është poezia për Valbonën?
V.M: Dikur thjesht “rimë fjalësh” ku unë përpiqesha që t’i rimoja rreshtat që të kishin një rrjedhshmëri e kuptim. Më pas “rrëfim të pathënash” si çdo vajzë që s’mund të thotë gjithçka më fjalë. E sot frymë shpirti, që e lëshoj e liroj vend për t’u rimbushur përsëri më të.

Koha Javore: Sa orë në ditë shkruani si dhe në cilën periudhë të jetës suaj mendoni se keni shkruar më shpesh?
V.M: Shkruaj kryesisht natën, ose natën ngrihem shkruaj atë “dyvargëshin” (kështu i them një metafore që më vjen, e nëse nuk e shkruaj do ta harroj) e të nesërmen apo në vazhdim i vesh asaj metafore gjithë atë çfarë më ndjen shpirti, për ta hedhur në letër. Mendoj se më shumë shkruaj sot. Njeriu shkruan kur është në rebelizëm, në luftë me veten e fenomenet, në dilemë me atë që ndjen e jeton.

Koha Javore: Cila është pjesa më e vështirë e procesit tuaj artistik?
V.M: Të kuptuarit e vetes dhe të servirurit tek te tjerët pa u trembur se do të të duan ashtu siç ti je apo jo (në planin e formimit them). Të dish se jo të gjithë ata që të thonë “bravo” janë vlerësimi kundrejt teje si poete, apo shkruese vargjesh. Të kuptosh e të marrësh atë koncentratin që ty të duhet për të kuptuar ku je, e të mundohesh të tejkalosh veten. Njeriu arrin të marrë aq sa do në këtë jetë, e nëse jo aq, të paktën përpiqet të shkojë drejt saj.

Koha Javore: Ju jeni autore e librit poetik “A ke mall për pranverën? “Ku mund ta gjejnë librin lexuesit që duan ta lexojnë?
V.M: Libri u prit mirë e është marrë nga lexuesit brenda pak muajsh, por do të ketë një ribotim në një numër të konsiderueshëm, pasi ka kërkesë nga ata që nuk munden ta kishin në kohën e botimit. Pas botimit patjetër do njoftohen lexuesit për libraritë ku do ndodhet.

Koha Javore: A përpiqeni më shumë të shkruani origjinal apo të shkruani sipas trendeve që lexuesit duan të lexojnë?
V.M: Të shkruarit është shpirt që hidhet në vargje e rreshta. Nuk kam menduar kurrë as nuk do ta mendoj të “vesh” shpirtin tim me çfarë nuk i shkon, për të qenë e pranueshme në një ballo me njëmijë ngjyra. Dua të jem ngjyra që i shkon Bonës. Preferoj të thonë – këtu duhet venë dorë për të rregulluar diçka, por jo të ndërroj veshjen. Besoj çdo kohë do ketë lexues që do ta duan origjinalitetit.

Koha Javore: A mendoni se dikush mund të jetë poet, nëse nuk i ndjen emocionet fort?
V.M: Nuk kam shkruar kurrë diçka, pa ndjerë diçka nga një shikim, ndjesi, ngacmim, fenomen, person etj.. Pra, ka qenë ajo ndjesi që më ka dhënë gjëja për të hedhur shkronja në letër. Poezia është diçka shpirtërore, nuk shkruhet nëse nuk e ndjen dhe nuk shkruhet bukur nëse nuk të ka përfshirë të tërën që në brendi.

Koha Javore: Me cilët autorë jeni miq dhe a mbështesni punën e të tjerëve si artiste?
V.M: Kam pasur e kam fatin të jetoj afër poetëve e artistëve të fjalës shkodranë. Një qytet i mbushur me njerëz që e duan dhe e shkruajnë poezinë e prozën. Fati im që në librin e parë të kisha në kopertinën mbyllëse reagimin e artistit Çun Lajçi. E lumtur që jam motra e një shkrimtari të ri por që tashmë është konfirmuar suksesshëm në rang kombëtar e më tej, Liridon Mulajt. Mikeshë e dhjetëra autorëve nga Shkodra, Lezha, Puka, Tirana, Prishtina, Prizreni e mbarë trojet shqiptare, mendoj se kemi marrë pjesë në aq shumë aktivitete ku fryma e vlerësimit e bashkëpunimit ka pasur sukseset e veta. Nuk zgjodha të përmend emra pasi janë aq shumë.

Koha Javore: Nëse do të mund t’i thoshit diçka vetes tuaj më të re, çfarë do t’i thoshit?
V.M:
Unë i them vetes shumëçka edhe sot, por besoj në atë që gjithçka vjen për një arsye në jetën tonë, e unë në situata të njëjta do veproja njëjtë, siç kam vepruar. Besoj se kam bërë atë që është dashur të bëj, në kushtet që tjetërkush t’i ka përcaktuar. Për sa i përket shkrimit, do shmangia shkëputjen gati 10 vjeçare, që nëse s’do të ndodhte, në duar të lexuesit sot do të ishte një Bonë që pak kush e ka njohur.

Koha Javore: Cilët autorë nuk ju pëlqyen në fillim, por më pas i pëlqyet?
V.M:
Në përgjithësi zgjedh të mos jem e dashuruar me autorë, dashuroj copëza autorësh. Dhe ato copëza që kam dashur ditën e parë që i kam lexuar, vazhdoj t’i dua dhe sot.

Koha Javore: A e shihni shkrimin si një lloj praktike shpirtërore?
V.M:
Sigurisht që po. Shpesh kam menduar me vete, si mund ta durojnë brenda vetes dhimbjen disa njerëz që nuk e kanë dhuntinë e të shkruarit e të shfryrit të asaj çka i mundon. E njëjta gjë dhe për gjërat e bukura, që nuk kanë mundësi t’i ndajnë për të mahnitur botën e bërë pjesë të lumturisë së tyre. Ndjehem me fat që kam mundur ta bëj, ndryshe do të isha thyer qindra herë.

Koha Javore: A do ta shohim Valbonën në rolin e romancieres?
V.M:
E kam menduar duke parë reagimet kur kam tentuar të shkruaj tregime, apo copëza prozash në formë rrëfimesh. Nuk jam ulur akoma, por nuk kam thënë kurrë që një ditë s’do të vij edhe ashtu.

Koha Javore: Kur mund të presim librin tuaj të dytë?
V.M:
Tashmë poezitë janë gati, po i mbledh për redaktim e besoj në fundpranverë do të jenë dërguar për botim. Se di pse kam zgjedhur dhe të parin ta sjell në fundpranverë.

Bisedoi: Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat