Investim 2.2 milionë euro

“Ky projekt nuk është vetëm një objekt ndërtimi, por simbol i kujdesit, përfshirjes dhe humanizmit për fëmijë dhe të rritur me nevoja të veçanta. Pas shumë dekadash, ky është objekti i parë i këtij lloji që po realizohet, duke sjellë shpresë dhe mundësi të reja për shumë familje. Kjo Qendër është një nevojë e domosdoshme për komunitetin tonë”, ka thënë kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu

Në kuadër të aktiviteteve të shënimit të Ditës së Komunës së Ulqinit dhe Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, të enjten, më 2 prill 2026, në Kollomzë të komunës së Ulqinit është hedhur një hap domethënës drejt ndërtimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të të gjithëve, me vendosjen e gurthemelit për Qendrën Ditore për fëmijë dhe të rritur me nevoja të veçanta “Sirena”.
Në një atmosferë me optimizëm dhe solidaritet, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë fjalët e përfaqësuesve institucionalë dhe drejtuesve të këtij projekti të rëndësishëm, të cilët ndanë vizionin dhe përkushtimin e tyre për realizimin e objektit të ri të kësaj qendre.
Fillimisht, të pranishmëve iu drejtua drejtoresha e Qendrës Ditore “Sirena”, Salije Meqikukiq, e cila tha se ndihet shumë e lumtur dhe e emocionuar për këtë ditë dhe për këtë nismë.
“Çdokush që ka nevojë për shërbime, të cilat do t’i ofrojë kjo Qendër ditore apo rehabilituese, do t’i marrë ato në mënyrën më bashkëkohore të mundshme. Unë personalisht jam falënderuese nga zemra për Komunën e Ulqinit, si në emrin tim, ashtu edhe në emër të personave që kanë nevojë për këto shërbime, si dhe veçanërisht prindërve të tyre”, theksoi ajo.
Sekretari për Veprimtari Komunale në Komunën e Ulqinit, Leart Taipi, vuri në dukje përkushtimin e institucioneve lokale për të investuar në projekte që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Sot, në një datë të veçantë – Ditën Botërore të Autizmit – dhe me rëndësi të veçantë për Komunën e Ulqinit dhe shoqërinë tonë, jemi mbledhur për të vendosur gurthemelin e një Qendre ditore për fëmijë dhe të rritur me nevoja të veçanta, një qendër e cila do të shtrihet në një hapësirë prej 1400 metra katrore dhe do t’i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e domosdoshme për funksionimin e saj. Ajo do të ofrojë hapësira të nevojshme për fëmijë dhe të rritur, si dhe mbështetje për familjarët e tyre, që të mos ndihen të vetmuar”, tha ai.
Në vijim, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, theksoi rëndësinë strategjike të këtij investimi prej 2.2 milionë eurosh, i financuar nga buxheti komunal.
“Ky projekt nuk është vetëm një objekt ndërtimi, por simbol i kujdesit, përfshirjes dhe humanizmit për fëmijë dhe të rritur me nevoja të veçanta. Pas shumë dekadash, ky është objekti i parë i këtij lloji që po realizohet, duke sjellë shpresë dhe mundësi të reja për shumë familje. Kjo Qendër është një nevojë e domosdoshme për komunitetin tonë. Për shumë vite, familjet e personave me nevoja të veçanta janë përballur me mungesë të hapësirave dhe shërbimeve të dedikuara. Sot ne po japim një përgjigje konkrete dhe dinjitoze për këto nevoja”, ka thënë ai.
Sipas Nimanbegut, risia e kësaj qendre qëndron në qasjen gjithëpërfshirëse, duke mos u kufizuar vetëm te fëmijët, por duke ofruar mbështetje edhe për të rriturit mbi moshën 27 vjeç, gjatë gjithë ciklit të jetës së tyre.
Faza e parë e projektit, që sipas kontratës pritet të përfundojë deri në muajin qershor të këtij viti, përfshin ndërtimin e objektit dhe krijimin e bazës funksionale të Qendrës.
“Në fazat e ardhshme synojmë ta pajisim Qendrën me të gjitha mjetet dhe programet e nevojshme profesionale, duke siguruar staf të specializuar dhe shërbime cilësore për të gjithë përfituesit”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Ulqinit.
Qendra “Sirena” pritet të jetë një pikë referimi për kujdesin dhe përkushtimin institucional, duke sjellë shpresë dhe ndryshim pozitiv për shumë familje në Ulqin dhe më gjerë.

D. Teliqi

Hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të mbrojtjes së mjedisit

Memorandumi ka të bëjë me krijimin dhe formalizimin e një Trupi Këshillimor të shoqërisë civile për zonën e Plazhit të Madh dhe zonave të tjera me vlera të veçanta natyrore në territorin e komunës së Ulqinit

Ulqin – Komuna e Ulqinit ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me tetë organizata të shoqërisë civile, të njohura në fushën e ekologjisë: OJQ “Green Home”, OJQ Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve, Asociacioni “Dr. Martin Schneider-Jacoby”, OJQ Shoqata Malazeze e Ekologëve, OJQ KANA, ENVPRO, OJQ Parqet e Dinarideve dhe OJQ MogUL.
Ceremonia e nënshkrimit është zhvilluar të enjten (2 prill 2026), në kuadër të programit të shënimit të Ditës së Komunës së Ulqinit.
Memorandumi ka të bëjë me krijimin dhe formalizimin e një Trupi Këshillimor të shoqërisë civile për zonën e Plazhit të Madh dhe zonave të tjera me vlera të veçanta natyrore në territorin e komunës së Ulqinit.
“Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mbrojtjes së mjedisit, menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet pushtetit lokal dhe sektorit civil”, kanë vlerësuar nga Komuna e Ulqinit.
Memorandumi i bashkëpunimit është nënshkruar me nismën e OJQ “Green Home” në kuadër të projektit “Forcimi i mbrojtjes dhe avancimit të menaxhimit të Deltës së Bunës në Mal të Zi”, i cili është mbështetur nga Fondi për Ekosisteme Kritike.
Projekti ka për qëllim vazhdimin dhe intensifikimin e përpjekjeve për të përmirësuar mbrojtjen dhe menaxhimin e zonës kyçe të biodiversitetit të Deltës së Bunës në Mal të Zi, me fokus të veçantë në Plazhin e Madh dhe ligatinat bregdetare.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat