(vijon nga numri i kaluar)
Në serinë fotografike 85360, Lisa Nimanbegu i afrohet trashëgimisë kulturore përmes një perspektive intime dhe të përqendruar në detaj. Fotografia dokumenton momentet e punës së duarve që qëndisin dhe prekin stolitë tradicionale, duke e shndërruar këtë akt në një gjest simbolik të transmetimit të kujtesës kulturore. Objektet e arta dhe ornamentet tradicionale luajnë rolin e bartëseve të historisë, të identitetit dhe kulturës, e jo vetëm si paraqitje e thjeshtë e elementeve estetike. Vetë titulli i veprës në numra nuk është një praktikë e përditshme. Por çfarë janë këto numra? Numri 85360, si kod postar i thjeshtë që koordinon lokacionin e qytetit të Ulqinit në botë dhe shërben vetëm për orientimin gjeografik, në këtë vepër luan rolin e një dimensioni tjetër – një dimensioni më të thellë konceptual që synon lidhjen intime mes hapësirës, traditës, identitetit dhe përvojës personale. Në këtë mënyrë, fotografitë e Lisës nuk dokumentojnë vetëm një traditë artizanale të Ulqinit, por edhe një proces të vazhdueshëm të ruajtjes dhe të riinterpretimit të identitetit kulturor.
Në diptikun Vis Vitae, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq ndërton një strukturë vizuale që lëviz mes abstraksionit dhe simbolikës figurative. Kompozimi vertikal dhe kontrastet e ngjyrave krijojnë një ndjenjë tensioni dhe lëvizjeje. Forma qendrore, në anën tjetër, duket sikur shfaqet dhe zhduket brenda sipërfaqes së pikturës. Që nga titulli latin kemi të bëjmë me dy fjalë mjaft të mëdha dhe të gjera në domethënie. “Vis” – që do të thotë energji, forcë, pushtet, dhe “vitae” – që do të thotë jetë. Vepra mbart një energji që pulson në brendësinë e saj. Ajo ka një frymëmarrje që lëviz nëpër shtresat e saj të ngjyrave. Elementet e kuqe dhe të bardha krijojnë një bërthamë energjike që sugjeron lëvizjen e vazhdueshme të jetës dhe transformimin e saj. Si diptik, vepra krijon një dialog mes dy pjesëve të kompozimit, duke sugjeruar idenë e dualitetit dhe të procesit të vazhdueshëm të ndryshimit të jetës së secilit prej nesh. Në këtë mënyrë, piktura shndërrohet në një reflektim mbi forcën e jetës. Ajo vezullon, ashtu sikur dhe individi, mes stabilitetit dhe transformimit. Pikërisht atë që e karakterizon ekzistencën njerëzore.
Artistja e re e skenës artistike të Malit të Zi, Teodora Mirdita, sjell pikturën Shoqe dhome. Ajo nëpërmjet akrilikut në kanavacë e shndërron hapësirën intime të përditshme të dhomës në një vend reflektimi mbi përvojën personale dhe mbi marrëdhëniet njerëzore. Ajo nxjerr intimitetin në publik, por jo vetëm atë të dhomës. Ambienti që i rrethon figurat femërore krijon narrativën e jetës së zakonshme, ndërsa figura femërore janë ato që vëzhguesin e tërheqin në intimitetin e tyre – në intimitetin e mendimeve, problemeve, ndjenjave dhe kompleksiteteve rinore të tyre. Përmes paletës kromatike dhe formave të thjeshtëzuara, momenti i zakonshëm i përditshmërisë shndërrohet në një reflektim mbi hapësirën personale dhe mbi dimensionin emocional të jetës moderne.
Vahida Nimanbegu, me veprën Kompozim, eksploron gjuhën e abstraksionit përmes një strukture të ndërtuar mbi ritmin e formave dhe ndërveprimin e ngjyrave, duke dëshmuar se arti nuk ka për detyrë të pasqyrojë realitetin, por të komunikojë ndjesi përmes elementeve të brendshme vizuale. Nuancat e ngjyrës së kaltër, si ngjyrë dominante në këtë vepër, krijojnë një hapësirë reflektimi dhe meditimi. Në këtë mënyrë formohet një përvojë perceptive që e tejkalon kuptimin e fjalëpërfjalshëm. Elementet e vogla të ngjyrave të tjera e gjallërojnë sipërfaqen pikturore, ku format e tyre krijojnë një ndjenjë lëvizjeje të ekuilibruar të spontanitetit dhe të strukturës së përfillur mirë në mendje. Ngjyrat nuk duhet të qëndrojnë të izoluara, ashtu siç nuk duhet të qëndrojë as femra e izoluar. Ashtu si një ngjyrë e vetmuar humb fuqinë e saj perceptive, ashtu edhe identiteti i femrës nuk duhet të paraqitet i burgosur, sepse ajo është si një dritë që merr kuptim vetëm kur reflektohet në hije dhe nuanca të tjera. Përmes kësaj qasjeje, piktura nuk përpiqet të përfaqësojë një realitet të caktuar, por të krijojë një hapësirë përjetimi ku ngjyra dhe forma bëhen elemente të një gjuhe vizuale që komunikojnë përmes ritmit dhe ndjesisë.
Brenda kontekstit lokal të Ulqinit paraqitet edhe vepra e Gjovana Dediqit, e cila përmes mediumit të tekstit e zgjeron fushën e përvojës artistike drejt reflektimit teorik dhe diskursit kritik mbi identitetin, kujtesën dhe përvojën kolektive shoqërore të femrës.
Nga kryeqyteti i Malit të Zi, Podgorica, artistja Ivanka Gjonoviq ekspozon veprën e saj Pa titull. Vepra përfshin një kompozim të pasur me elemente floreale dhe forma organike që ndërthuren në mënyrë ritmike brenda një hapësire të qetë piktorike. Ngjyrat e një palete harmonike dhe motivet bimore krijojnë një atmosferë poetike ku natyra shfaqet si një element qendror i përjetimit estetik. Artistja flet me një gjuhë lirike dhe organike ku nuancat e ngjyrës të gjelbër mbizotërojnë në kompozim. Natyra gjendet në qendër të mendjes. Kjo zhvendosje e fokusit nga individi në natyrë, në fakt, luan një rol të dyanshëm. Si balancë dhe disbalancë, si një thikë me dy tehe. Në këtë mënyrë, krijimtaria e saj ndërton një dialog drejt një reflektimi më të gjerë mbi ritmin dhe ekuilibrin e jetës.
Në veprën Së bashku, por jo të njëjtë, artistja Kaltrina Hoti nga fshati Hot i Plavës ndërton një kompozim figurativ ku marrin formë disa trupa njerëzorë të vendosur pranë njëri-tjetrit si figuracion i heshtësisë që bërtet në një melodi harmonike. Këto trupa e ndajnë një horizont, por e mbartin njëkohësisht edhe individualitetin e personit të tyre. Përmes përdorimit të teknikës së përzier në kanavacë dhe trajtimit të lirë të formës, krijohet një ritëm i qetë i kompozimit që synon bashkëjetesën e dallimeve ndërkulturore. Këto silueta të heshtura që ndajnë të njëjtën hapësirë mbartin frymën e tensionit midis afërsisë dhe dallimit. Një afërsi fizike por edhe dallim individual. Kjo vepër artikulon një reflektim të thellë mbi bashkëjetesën dhe temën e përkatësisë – përkatësisë gjinore, intelektuale dhe thjesht asaj njerëzore. Lindin pyetjet: “A përkas unë këtu?”, “A është e mundur të jemi së bashku, pa u bërë të njëjtë?” dhe “A mund të ndërtohet një komunitet ku individët i ruajnë dallimet e tyre pa u ndier të përjashtuar nga tjetri?” Pikërisht këtyre pyetjeve, vepra e Kaltrina Hotit u përgjigjet përmes një gjuhe dinamike dhe domethënëse vizuale. Kaltrina në mënyrën e saj artistike i shndërron figurat e thjeshta piktorike në një metaforë të fuqishme për solidaritetin, për respektin ndaj njëri-tjetrit dhe për mundësinë e një ekzistence të përbashkët që nuk kërkon njëtrajtshmëri, por mirëkuptim.
Nga këto vepra artistike mund të konkludojmë se veprat e artisteve nuk janë thjesht objekte vizuale në një hapësirë ekspozuese, por ura që lidhin. Ato kanë mundësi të lidhin kohën dhe hapësirën, të lidhin të kaluarën me të tashmen, si dhe individualen me shoqërinë. Kjo ekspozitë na vërteton se distanca gjeografike nuk luan rol në identitetin e tyre kolektiv, sepse veprat artistike nuk njohin kohë as kufi, edhe pse atë e dëshmojnë.
Si lumenj që rrjedhin nëpër male të ndryshme, veprat e grave dhe vajzave shqiptare i tejkalojnë kufijtë fizikë dhe perceptues, duke krijuar një rrjedhë të pandalshme të reflektimit, vetëdijes dhe afirmimit. Zëri i femrës, në gjithë shumëllojshmërinë e saj, nuk kërkon të dominojë. Ai kërkon të dëgjohet, të reflektohet dhe të bashkohet me të tjerët. Ai kërkon të ketë të njëjtën peshë që e ka dhe zëri i mashkullit. Ajo kërkon barazi. Hiç më shumë, hiç më pak. Këtë barazi dhe e meriton. E meriton, si gjënë më të paktë që mund dhe duhet t’i ofrohet. Sepse ajo luajti shumë role gjatë jetës së saj – rolin e bijës, rolin e gruas, rolin e nënës, rolin e intelektit në shoqëri, rolin e dëshmueses… në një skenar shumë të gjatë e të tepruar. Ku mbeti roli i saj me të vërtetë real? Roli i vetvetes dhe i identitetit të personit të saj? Kur një zëri i bashkohen edhe zëra të tjerë, gruaja qëndron si shkëmb që nuk lëkundet nga stuhitë e jetës. Veprimtaria dhe ekspozimi kolektiv i veprave artistike dëshmojnë për këtë shkëmb femëror. Në këtë moment, arti nuk flet më vetëm në emër të një gruaje apo vajze. Ai merr frymë si një organizëm i gjallë, ku zërat e tyre, dikur të shpërndarë dhe të heshtur, bashkohen në një hapësirë të përbashkët.
(Fund)
Vepra që itejkalojnë kufijtë fizikë dhe perceptues
Veprat e artisteve nuk janë thjesht objekte vizuale në një hapësirë ekspozuese, por ura që lidhin. Ato kanë mundësi të lidhin kohën dhe hapësirën, të lidhin të kaluarën me të tashmen, si dhe individualen me shoqërinë
