Kinemaja si risi

“Në veçanti do të kemi kujdes që ngjarjet t’i koordinojmë, në mënyrë që të mos bien ndesh me ndonjë ngjarje e cila mund të ketë interesim të publikut dhe në këtë mënyrë të mos na i ‘rrëmbejnë’ spektatorët tanë”, shprehet regjisori i programeve në QKI “Malësia”, Idriz Gjokaj

Qendra Kulturore-Informative “Malësia” ditë më parë njoftoi rihapjen e saj për publikun pas rreth një viti rikonstruksion.
Regjisori i programeve në QKI “Malësia”, Idriz Gjokaj, shprehet për gazetën “Koha javore” se kur bëhet fjalë për rikonstruksionin e institucionit, një dorë ndërhyrjeje ka qenë tejet e nevojshme.
“Çështja është sa kemi arritur t’i gjejmë pikat më kritike të ndërhyrjes? Them që ndërhyrja nuk është se ndryshon nga forma konceptuale. Ajo arrin që të ‘riparojë ose t’i shërojë qendrat nevralgjike’ të godinës, gjithsesi me kushte më të mira, qoftë të hollit, sallës apo edhe pjesëve tjera dhe besoj se do të jetë edhe prezenca më e madhe e qytetarëve për programet artistike”, thekson ai.
Gjokaj më tej shprehet se synimi i tyre është që përmes disa projekteve artistike të tërheqin spektatorin.
“Në veçanti do të kemi kujdes që ngjarjet t’i koordinojmë, në mënyrë që të mos bien ndesh me ndonjë ngjarje e cila mund të ketë interesim të publikut dhe në këtë mënyrë të mos na i ‘rrëmbejnë’ spektatorët tanë”, shprehet ai.
Sipas tij, ngjarjet artistike do të jenë të larmishme dhe të zhanreve të ndryshme.
“E veçanta do të jetë kinemaja, për të cilën jemi duke u bërë gati dhe do të ketë filma nga rajoni dhe më gjerë”, përfundon Gjokaj.
Për t’i ofruar lexuesit një pasqyrë më të plotë mbi ndërhyrjet dhe programin pas rihapjes, “Koha javore” tentoi të kontaktonte fillimisht drejtoreshën e QKI “Malësia”, por deri në përmbylljen e këtij numri nuk mori një përgjigje prej saj.
Kujtojmë se QKI “Malësia” në Tuz iu nënshtrua vitin e kaluar rikonstruksionit të parë, prej ndërtimit të saj para njëzet vitesh, që u konsiderua i rëndësishëm.
Në një prononcim të mëhershëm për “Koha javore” u tha se, nëse gjithçka do të shkonte sipas planit, rihapja e QKI “Malësia” qe parashikuar të ndodhte në fund të vitit 2025, por ajo u rihap për publikun me disa muaj vonesë, më 6 prill 2026.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat