
Në vendet e ish-kampit socialist, vetëm pas rënies së komunizmit si ideologji dhe socializmit si sistem shoqëror hulumtimet dhe studimet shkencore përjetuan rilindje. Kjo për shkak sepse ekzistonte censura ideologjike, që e ka kufizuar hulumtimin dhe penguar publikimin e studimeve të ndryshme shkencore. Në një situatë të tillë ishin edhe shqiptarët në Malin e Zi, të cilët kanë jetuar në rrethana të njëjta shoqërore, sepse çdo hulumtim e publikim kishte koston e vet.
Por, pas vitit 1990, me miratimin e pluralizmit, për hulumtuesit e studiuesit shqiptarë filloi një epokë e re kur për të parën herë filloi të shkruhet e vërteta e mohuar, pa pasoja ideologjike e shoqërore.
Në këtë aspekt, autorë të ndryshëm shqiptarë në Mal të Zi janë paraqitur me punime e botime të veçanta, duke shpalosur të kaluarën dhe sfidat e shqiptarëve në këtë mjedis, duke ofruar të dhëna me interes shkencor e kulturor për opinionin e gjerë.
Në fushën e hulumtimeve dhe botimeve shkencore, individë të ndryshëm paraqesin befasi, sepse janë veçuar jashtë profilit të tyre profesional. I tillë ishte pikërisht Hajrullah Hajdari i cili, ndonëse me profesion ishte jurist, në dekadën e fundit opinionit shkencor e kulturor i ka dhuruar pesë botime me rëndësi të veçantë, jo vetëm nga fusha e historisë:
- Shqiptarët në Mal të Zi – nga Kongresi i Berlinit deri më 1941, Art Club, Ulqin, 2016.
- Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915), Art Club, Ulqin, 2018.
- Pronat dypalëshe të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi, Art Club, Ulqin, 2019.
- Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga 1945-1990, Art Club, Ulqin, 2021.
- Balshajt dhe objektet kishtare në goricat e liqenit të Shkodrës, Fiorentia, Shkodër, 2025.
Hapësira shqiptare si çështje gjeopolitike
Nëse e përjashtojmë botimin kushtuar Balshajve, që i takon në aspektin kohor mesjetës, botimet tjera trajtojnë çështje nga pjesa e dytë e shekullit XIX, përkatësisht nga Kongresi i Berlinit (1878) deri në vitin 1990. Kemi të bëjmë me këtë periudhë kohore e cila ka qenë shumë dinamike, në aspektin historik, gjeopolitik e shoqëror në Evropën Juglindore.
Në këtë periudhë kohore kanë ndodhur ngjarje të mëdha lokale e regjionale, të cilat kanë përcaktuar krijimin e shteteve të pavarura që ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane, ku shqiptarët e kanë përjetuar sepse filloi dekompozimi i hapësirës etnogjeografike shqiptare. Pikërisht nga rrethanat e tilla gjeopolitike, në saje të dy konferencave ndërkombëtare të organizuara nga Fuqitë e Mëdha (Kongresit të Berlinit 1878 dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër 1912/1913) janë marrë vendime kundër shqiptarëve, duke mos marrë parasysh aspektin etnik, historik, demografik e territorial, duke iu dhuruar fqinjëve 2/3 e hapësirës etnogjeografike shqiptare. Nga vendimet e tilla të imponuara, shqiptarët u rrudhosën në aspektin territorial, ndërsa u zvogëluan në aspektin demografik, në saje të luftërave pushtuese dhe emigrimit të tyre të dhunshëm nga viset e tyre autoktone.
Shpalosja e dokumenteve arkivore
Botimet e Hajdarit trajtojnë çështje të hapësirës etnogjeografike shqiptare që janë në kuadër të Malit të Zi të sotëm. Përveç shfrytëzimit të literaturës së botuar, autori në mënyrë të veçantë ka përdorur burimet arkivore.
Në saje të rrethanave politike e shoqërore të shqiptarëve nga shekulli XIX e më pas, të dhëna me interes ofrojnë burimet arkivore malazeze, ku vendin kryesor e zë Arkivi Shtetëror në Cetinë. Në këtë arkiv nga shqiptarët deri më tash kanë hulumtuar: Gj. Nikprelaj (Gjergj Nikprelaj, Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, Gjonlekaj Publishing Company, New York, 2004), Z. Cana (Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (dokumente), IAP, Prishtinë, 1996), R. Rexha (Riza Rexha, Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912, Art Club, Ulqin, 2005) dhe së fundi Hajrullah Hajdari, të cilët kanë shpalosur e publikuar lëndë arkivore me interes për shqiptarët.
Pikërisht në saje të hulumtimeve në këtë arkiv, Hajdari ka botuar librin me titull “Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915)”, Art Club, Ulqin, 2018. Kemi të bëjmë me një botim të veçantë, ku përfshihen 302 dokumente për periudhën kohore 35-vjeçare, kur Ulqini në saje të presionit të Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane, më 26 nëntor 1880 iu dorëzua Malit të Zi.
Dokumentet e prezantuara dëshmojnë politikën e Malit të Zi ndaj Ulqinit në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi. Duke qenë recensent i këtij botimi, e them pa ngurrim se kemi të bëjmë me një vepër kapitale, e cila është burim i domosdoshëm për studime jo vetëm historike, për këtë periudhë kohore.
Nga viti 1990, në saje të ndryshimeve shoqërore politike e deri më sot, në mungesë të institucioneve autonome, shqiptarët në Malin e Zi janë pa mbështetje financiare për të mbuluar shpenzimet, jo vetëm të botimit. Prandaj ata janë të detyruar t’i mbulojnë ato vetë, apo në saje të formës së mecenatit, që është dëshmi transparente e kësaj dukurie.
Dhe atë që nuk e ka realizuar asnjë institucion shtetëror apo lokal, e ka realizuar një person, me pasion për të shpalosur të vërtetën në rrethanat e tilla shoqërore të kohës. (Në lidhje me rastin e mosmbështetjes së projektit të H. Hajdarit nga Fondi për Pakica, shih reagimin tim me titull “Fondi i Pakicave refuzon projekte me vlera shkencore të autorëve shqiptarë“, botuar në “Koha javore“, më 17 janar 2019, dhe publikuar në portale të ndryshme në vitin 2019, si dhe në librin “Koha e mediokrëve“, Art Club, Ulqin, 2023, ff. 127-132).
Në librin “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1941-1990” autori trajton në diakroni e sinkroni pozitën dhe statusin e shqiptarëve, nga koha e instalimit të komunizmit si ideologji e socializmit si sistem shoqëror, duke demaskuar politikën e pushtetit kundër shqiptarëve, çështje e cila fatkeqësisht, ndonëse me ndryshime kozmetike, është identike edhe tash në pluralizëm.
Pikërisht nga një qasje e tillë duhet analizuar pozitën kushtetuese-juridike dhe politike të shqiptarëve në Malin e Zi, gjatë viteve 1945-1990, nga del se shqiptarët si popullsi autoktone dhe e vetmja josllave, kanë qenë të pabarabartë me pjesëtarët e popujve të tjerë në Mal të Zi. Në rrethana të tilla shoqërore, ku hegjemonizmi ishte orientim i politikës shtetërore, shqiptarët nuk kishin të drejtë të kenë asnjë dokument në gjuhën shqipe, as përdorimin e shkrimit me alfabetin shqip në letërnjoftim e as në dëftesat e librezat shkollore, që ishte diskriminim klasik i pabarazisë kombëtare, që zgjati deri në vitin 1968.
Por, të drejtat e arritura nga viti 1968 e më pas, në saje të fushatës antishqiptare nga viti 1981, u eliminuan, sepse pushteti luftonte gjoja ”nacionalizmin“ te shqiptarët në Mal të Zi, që ishte një demagogji politike për të arsyetuar masat represive ndaj shqiptarëve.
Fushata antishqiptare
- mision i pushtetit
Një fushatë e tillë u realizua në veçanti në fushën e arsimit, ku përmes organizimit të seminarit për punjonjësit e arsimit në gjuhën shqipe, në shtator të vitit 1981, në Ulqin, u realizua në praktikë politika shtetërore antishqiptare. Pas këtij seminari u ndryshuan, përkatësisht u imponuan programet mësimore, u hoqën nga përdorimi tekstet shkollore të botuara në Kosovë, u ndalua përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar etj. Skenaristët dhe regjisorët e këtij seminari vendosën dhe përjashtuan një numër të konsideruar të punonjësve të arsimit, fillimisht nga partia, ndërsa një pjesë e larguan nga puna, por më keq e pësuan disa të cilët i burgosën e më pas i dënuan përmes gjyqeve të montuara politike.
Në lidhje me këto çështje autori ofron të dhëna arkivore që botohen për herë të parë, duke dëshmuar se nga policia politike përcillej çdo shqiptar me ndërgjegje e vetëdije kombëtare, i cili nuk ishte sipas shijes së pushtetit dhe ideologjisë së tyre politike. Ishte kjo koha e mbijetesës së shqiptarëve, që vazhdoi deri me dështimin e sistemit shoqëror të ideologjisë komuniste në vitin 1990.
Kemi të bëjmë me një periudhë kohore (1981-1990), ku jemi dëshmitarë okularë, sepse përcillej çdo shqiptar i dyshimtë për pushtetin, ku thirreshin në biseda informative, kërcënoheshin, paraburgoseshin, dënoheshin për kundërvajtje apo me burg, bastiseshin shtëpitë, ua merrnin librat në bibliotekat familjare, përcilleshin udhëtarët në autobus, bisedat në kafene, tubimet familjare, dasmat, kush cilat gazeta lexon, përcillej posta (letra, telefoni), cilat këngë këndohen e dëgjohen, kush përcjell programin e TVSH-së etj. Veprimet e tilla ishin në favor të arsyetimit për masat represive ndaj shqiptarëve, gjoja të luftimit të “nacionalizmit” shqiptar në Mal të Zi. Pasi për këtë përiudhë kohore ekziston lëndë e mjaftueshme, duhet të realizohet një botim i veçantë që do të ishte në favor të demaskimit të politikës antishqiptare, me pasoja në atë kohë e deri në ditët tona.
Të dhëna arkivore që publikohen për herë të parë
I vetëdijshëm se nuk kemi të bëjmë me çështje personale por me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Malin e Zi për periudhën kohore 1945-1990, autori ofron të dhëna me interes të cilat trajtohen, analizohen dhe publikohen për herë të parë. Ndërsa shfrytëzimi i lëndës arkivore, jo vetëm për nga forma, dëshmon për qasje profesionale për çështjet e trajtuara.
Pra, kemi të bëjmë me një botim me vlerë në fushën historiko-juridike, unë do të thoshja edhe nga sociologjia politike, që do të jetë nxitje për studiues të ndryshëm që t’i vazhdojnë hulumtimet bazuar në profilin e tyre profesional.
Si i tillë, ky botim është apologjia e shqiptarëve që dëshmon sfidat për të mbijetuar në mbrojtje të identitetit kombëtar në këtë mjedis, ndërsa për studiuesit do të jetë referencë e nevojshme për të gjithë ata që do të trajtojnë rrethanat shoqërore e politike për shqiptarët në këtë mjedis, për këtë periudhë kohore.
Përfundim
Të gjithë ata të cilët do t’i lexojnë botimet e Hajrullah Hajdarit kanë mundësi të njihen me pjesën veriperëndimore të hapësirës etnogjeografike shqiptare, duke filluar nga Kongresi i Berlinit e deri në vitin 1990. Kemi të bëjmë me një periudhë kohore dinamike, kur në këtë hapësirë territoriale kanë ndodhur ngjarje të mëdha që kanë qenë me pasoja për shqiptarët në aspektin territorial dhe demografik. Kemi të bëjmë kryesisht me viset e popullsisë shqiptare që janë në kuadër të Malit të Zi të sotëm.
Për çështjet e trajtuara autori ofron të dhëna arkivore me interes, jo vetëm për historianët por edhe për të tjerët që dëshirojnë t’i kompletojnë njohuritë e tyre. Autori nuk ka qenë vetëm hulumtues i dokumenteve, por edhe përkthyes i tyre në shqip, si dhe i ka analizuar e komentuar në kontekstin kohor.
Përveç dokumenteve arkivore, pjesa dërrmuese e të cilave janë nga Arkivi Shtetëror i Malit të Zi në Cetinë, autori ka konsultuar arkiva të tjera duke plotësuar mozaikun informativ të çështjeve të trajtuara.
Dhe në fund, e them pa ngurrim se për të gjithë ata të cilët në të ardhmen do të trajtojnë tema në lidhje me aspektin jo vetëm historik të shqiptarëve në viset e tyre autoktone në Malin e Zi të sotëm, këto botime janë referenca të obligueshme.
(Kumtesa është paraqitur në simpoziumin shkencor kushtuar jetës dhe veprës së Hajrullah Hajdarit, mbajtur në Ulqin, më 28 mars 2026)
