Rikthim pas 37 vitesh në vatrën e dijes

Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë rëndësinë e lidhjes ndërmjet brezave dhe kontributin e çmuar që individët mund të japin për zhvillimin e arsimit dhe promovimin e librit si vlerë themelore e shoqërisë

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, më 14 prill 2026, në ambientet e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” u zhvillua një aktivitet me rëndësi të veçantë arsimore dhe kulturore: vizita e autorit Gjekë Gjonaj dhe dhurimi i librave për bibliotekën e shkollës.
Kjo vizitë mori një dimension të veçantë, pasi autori u rikthye në vendin ku kishte nisur rrugëtimin e tij drejt dijes dhe ku më vonë kishte shërbyer edhe si mësimdhënës. Rikthimi pas dekadash u shoqërua me ndjenja mirënjohjeje dhe respekti për institucionin që ka ndikuar në formimin e tij intelektual dhe njerëzor.
Në kuadër të aktivitetit, Gjonaj i dhuroi shkollës një fond nga librat e tij, me synimin që këto botime të shërbejnë si burim dijeje dhe frymëzimi për nxënësit. Librat pritet të pasurojnë bibliotekën e shkollës dhe të nxisin kulturën e leximit te brezat e rinj.
Në fjalën e tij, autori Gjekë Gjonaj ka thënë mes tjerash se rikthimi pas 37 vitesh në këtë vatër të dijes, ku dikur ishte nxënës dhe më pas pati nderin të jetë edhe mësimdhënës, është një ndjesi që vështirë përshkruhet me fjalë.
“Me shumë përulësi dhe mirënjohje, po i dhuroj këtij kolektivi librat e mi, si një shenjë e vogël falënderimi për gjithçka që kjo vatër dijeje më ka dhënë ndër vite. Uroj që këta libra të shërbejnë si burim frymëzimi, dijeje dhe dashurie për fjalën e shkruar. Ky nuk është thjesht një akt simbolik, por një përpjekje e sinqertë për të kthyer sadopak nga ajo që kam marrë prej kësaj shkolle. Është një shenjë lidhjeje shpirtërore me këtë institucion, një dëshmi se rrënjët tona nuk harrohen kurrë”, është shprehur ai.
Gjonaj ka thënë se shpreson që këta libra të gjejnë vend në duart e nxënësve dhe mësimdhënësve, të lexohen me kureshtje, të shërbejnë si nxitje për të menduar, për të ëndërruar dhe për të krijuar.
“Në ta ndoshta dikush do të gjejë një ide të re, një rrugë të re, apo një motivim për të ecur përpara në jetë”, ka theksuar ai.
Nga ana tjetër, drejtori i shkollës Tomë Lucaj shprehu mirënjohje të sinqertë për vizitën dhe dhurimin e librave, duke e vlerësuar këtë gjest si një kontribut të çmuar për pasurimin e bibliotekës dhe ngritjen e nivelit arsimor në shkollë. Ai theksoi se iniciativa të tilla janë shembull i mirë për bashkëpunim dhe përkushtim ndaj dijes.
Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë rëndësinë e lidhjes ndërmjet brezave dhe kontributin e çmuar që individët mund të japin për zhvillimin e arsimit dhe promovimin e librit si vlerë themelore e shoqërisë.

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat