
Arti nuk krijohet në izolim, as në kufizim. Arti krijohet në hapësirat që takohen dhe krijojnë. Ajo gjendet në universin e individit dhe kolektivit, midis përvojës personale dhe kujtesës shoqërore, midis atij vendi që i përkasim dhe atyre vendeve që i imagjinojmë.
Kur flasim për përvojat artistike të femrave, ajo hapësirë takimi fiton një identitet më të mirëfilltë. Përmes veprave artistike të femrave hapen dimensionet e kujtesës, identitetit dhe pranisë në strukturat shoqërore dhe kulturore që shpesh i margjinalizojnë ato. Një liri dhe realitet që vetë krijohet dhe nga vetvetja merr formë në botë. Aty gruaja dhe zëri i saj jehojnë në një gjuhë të veçantë, që jo gjithkush mund ta kuptojë, por nuk lë askënd indiferent.
Një vepër artistike vlen mjaftueshëm në vetvete, por një vepër artistike nga një femër vlen aq sa ka vlerën një zë që gjen guximin të dalë nga heshtja. Vlen sa një dritë e vogël që përçan errësirën e një heshtjeje kolektive dhe një mburrje mashkullore. Ajo është një rrëfim që flet më shumë sesa fjalët mund të thonë. Ajo është një puls i brendshëm që rreh në formë, në ngjyrë, në vija, në materie…
Por çfarë jehone merr një zë femëror kur bashkohet me zëra të tjerë femërorë? Çfarë peshe ka një ekspozitë e përbashkët ku vetëm gratë dhe vajzat marrin pjesë? Ku lëviz ky rrëfim dhe si shkëlqen ajo dritë?
Përgjigjen na e jep ekspozita “Përtej kufijve, brenda shpirtit”, që u mbajt më 8 mars të këtij viti në hapësirat ekspozuese në Imanje Knjaz – Podgoricë. Në këtë ekspozitë figuronin veprat artistike me të cilat gratë dhe vajzat artiste shqiptare të trevave shqipfolëse të Ballkanit argumentonin dhe zërat e tyre nuk qëndruan të izoluar, por u ndërthuren në një kor shumëzërësh përvojash, ëndrrash, ndjenjash dhe kujtimesh. Secila vepër nga vetja mbart një histori personale, por së bashku ato krijuan një hapësirë ku rrëfimet individuale u shndërruan në një narrativë kolektive.
Kur përmendet hapësira kulturore shqiptare është e domosdoshme të dimë se ajo u formua përtej territoreve politike e historike, duke patur faktorë të ndryshëm që ndikuan në zhvillimin e saj. Duke pasur parasysh vetëm disa ngjarje të shekullit të kaluar, siç ishin: copëtimi politik i territoreve shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), bashkëjetesa e shqiptarëve brenda shtetit të ish-Jugosllavisë, konfliktet e shumta ndërshtetërore që rezultuan me migrimin e shqiptarëve në diasporë, por edhe hapja e institucioneve të para arsimore e kulturore, si: hapja e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë në vitin 1954, hapja e Universitetit të Prishtinës në vitin 1969 dhe hapja e Galerisë Kombëtare të Kosovës në vitin 1979… Të gjitha këto ndikuan në zhvillimin e hapësirës shoqërore, kulturore dhe artistike për të gjithë shqiptarët, e posaçërisht për artistet që në këtë frymë mund të merrnin pjesë vetëm gradualisht, sepse një proces i tillë ishte shpesh i vështirë.
Brenda këtij konteksti të fragmentuar gjeografikisht dhe kësaj prapashtese historike u krijua një terren ku identiteti nuk paraqitet si kategori e fiksuar, por si një proces i vazhdueshëm interpretimi dhe rikonfigurimi. Në këtë bazament, hapësira kulturore shqiptare në Mal të Zi u formësua ndërmjet traditave lokale, realiteteve institucionale të shtetit, lidhjeve kulturore dhe me hapësirën më të gjerë shqiptare. Kjo sferë kulturore formon një fushë ku përvojat artistike marrin forma të ndryshme shprehjeje.
Brenda këtij horizonti krijues veprojnë edhe artistet shqiptare nga qytetet e ndryshme të Malit të Zi, emra të njohur për artin bashkëkohor të siujdhesës së Ballkanit (por edhe më gjerë) dhe emra të artisteve të reja. Në mesin e tyre, në këtë ekspozitë morën pjesë Anamaria Gjonaj dhe Arlinda Dushaj nga Tuzi, Arijeta Luceviq nga Rozhaja, Brigita Antoni, Emina Nimanbegu, Jetmira Hoxha, Lisa Nimanbegu, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, Teodora Mirdita, Vahida Nimanbegu dhe Gjovana Dediq nga Ulqini, Ivanka Gjonoviq nga Podgorica dhe Kaltrina Hoti nga Hoti i Plavës. Veprat e tyre artistike përfshinin një spektër të gjerë teknikash krijuese, që nga piktura, grafika e deri te fotografia dhe teksti. Veprat e këtyre artisteve artikulojnë përvoja individuale, por njëkohësisht reflektojnë dimensione më të gjera të identitetit kulturor, kujtesës shoqërore dhe përkatësisë gjinore.
Anamaria Gjonaj dhe Arlinda Dushaj, dy artistet nga Tuzi, ekspozojnë dy koncepte të ndryshme. Në grafikën Flappers, të realizuar në teknikën e shtypit, serigrafisë, Anamaria Gjonaj ndërton një hapësirë figurative ku dy figura femërore vendosen brenda një mjedisi dekorativ, ku vijat janë të theksuara, deformimi i figurave është ekspresiv dhe përdorimi i elementeve grafike krijojnë një estetikë që i afrohet ilustrimit dhe karikaturës bashkëkohore me një esencë avangarde. Figurat femërore të paraqitura në vepër bashkekzistojnë në mënyrë harmonike me mjedisin ku gjenden, por edhe njëkohësisht reflektojnë një pakënaqësi intime. Kjo figuron në qëndrimet trupore dhe me artikulimet e tyre të përditshme, gjë që sugjeron një reflektim mbi identitetin dhe rolin shoqëror të gruas në hapësirën urbane moderne.
Në anën tjetër, në veprën Bashkim përmes vallëzimit Arlinda Dushaj përdor një qasje ekspresive dhe abstrakte për të artikuluar idenë e lidhjes dhe komunikimit njerëzor. Në një sfond të hapur dhe të zbehtë, del në pah një prekje domethënëse. Një bashkim, por jo i atij të llojit të një gruaje dhe mashkulli. Në fakt është një bashkim femëror. Një kontakt fizik që thotë “jemi këtu për njëra-tjetrën”. Motivet e veshjeve tradicionale dhe fryma e traditës shqiptare dëshmon një lidhje të fortë historike me kohën e tashme dhe atë të së kaluarës. Përmes kësaj gjuhe ekspresive, vallëzimi paraqitet jo vetëm si një akt fizik, por edhe si metaforë e bashkimit dhe e komunikimit.
Artistja Arijeta Luceviq nga Rozhaja me veprën e saj Bjeshkët e Nemuna paraqet një peizazh malor të theksuar në reliev me një tonalitet dhe paletë ngjyrash të ngrohta që theksojnë madhështinë dhe dramatizmin e natyrës së Bjeshkëve të Nemuna. Vepra shndërrohet në një metaforë kulturore ngaqë ajo simbolizon qëndrueshmërinë, krenarinë dhe lidhshmërinë për atdheun dhe identitetin. Vargmali i Alpeve Dinarike, duke vënë theksin te Bjeshkët e Nemuna që edhe pse ishin shumë të thepisura e të thella në reliev dhe të ashpra në klimë, shërbyen si vend i strehimit nga konfliktet e shumta dhe mbrojtjes së kulturës e traditës të popullit shqiptar. Në këtë mënyrë Arijeta e paraqet natyrën si një element të pandashëm të historisë dhe kulturës së komuniteteve që kanë jetuar në këto treva.
Nga qyteti më jugor i Malit të Zi marrin pjesë një grup artistesh që përmes praktikave të ndryshme vizuale artikulojnë përvoja estetike dhe kulturore të lidhura ngushtë me hapësirën bregdetare dhe me historinë shekullore dhe shumështresore të këtij qyteti. Në veprat e tyre reflektohen njëkohësisht dimensione të ndryshme të kujtesës, identitetit dhe përditshmërisë, duke krijuar një dialog të ndjeshëm mes traditës dhe shprehjes bashkëkohore artistike.
Artistja Brigita Antoni, me rapitograf në fletë sjell veprën Pa titull. Kompozimi i saj ndërtohet mbi një ritëm të dendur linear ku format bimore ndërthuren në një strukturë organike të vazhdueshme. Simbolika e vitalitetit, ciklit jetësor dhe vetë kalimit të kohës karakterizohet nga elementet bimore me motive dhe lëvizje dekorative. Nga vijat e zeza që janë vendosur me siguri të dorës dhe qartësi të syrit krijohet një dialog mes disiplinës grafike dhe spontanitetit organik, duke e vendosur natyrën si një strukturë të gjallë dhe dinamike që vazhdimisht formësohet dhe transformohet.
Emina Nimanbegu sjell pikturën Arcanum dhe krijon një hapësirë vizuale të mbushur me energji dhe tension kromatik, ku ngjyra bëhet elementi kryesor i komunikimit mes veprës, artistes dhe publikut. Kompozimi abstrakt organizohet rreth një qendre të ndritshme që tërheq vëmendjen e shikuesit. Qendra hapësinore simbolitikisht vlen si një portë që të çon drejt një dimensioni tjetër – një dimension imagjinar, surrealist dhe larg prekjes njerëzore. Në këtë mënyrë formohet një ndjenjë gravitacioni vizual – një gravitacion që falë ngjyrave të ndezura jep një ndjenjë ekuilibrimi mes kaosit dhe harmonisë. Në këtë vepër forma dhe ngjyra bashkëveprojnë dhe mbartin procesin e lindjes së emocionit dhe intelektit personal.
Në veprën Seascaper, Jetmira Hoxha ndërton një peizazh detar që tejkalon përshkrimin realist dhe lëviz drejt një interpretimi ekspresiv të hapësirës bregdetare. Një motiv karakteristik dhe i lidhur ngushtë me Ulqinin. Ritmi vertikal i fuqishëm brenda kompozimit të anijeve të grumbulluara ndërtojnë një strukturë që duket sikur është në lëvizje të vazhdueshme. Deti nuk paraqitet si një element natyror, por si një personifikim i lëvizjes, ritmit dhe kujtesës. Kontrastet e theksuara mes toneve të ndritshme dhe të errëta që reflektohen në ujë dëshmojnë rrjedhën e jetës së njeriut. Artistja në këtë mënyrë e lidh njeriun me detin me një pe të padukshëm. Njeriu personifikohet me anijet, kurse deti bëhet vetë jeta. Po përse gjenden më shumë se një anije? Sepse njeriu edhe pse është individ, ai nuk është kurrë vetëm.
(vazhdon)
