Ulqini ka hedhur një hap vendimtar drejt zgjidhjes së një prej problemeve më të mëdha mjedisore që e ka shoqëruar për dekada. Në një ceremoni zyrtare, të mërkurën e kaluar (18 mars 2026) në ambientet e Komunës së Ulqinit është nënshkruar kontrata për shërbime konsulence, që i hap rrugë hartimit të projektit kryesor për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe infrastrukturës përkatëse.
Marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësues të kompanisë gjermane “GOPA” dhe kompanisë “Vodacom”, në prani të kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu. Ky i fundit e cilësoi këtë moment si një kthesë historike për Ulqinin, duke theksuar se projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve mjedisore dhe cilësisë së jetesës.
Sipas Nimanbegut, Komuna do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme logjistike për realizimin e projektit brenda afatit të paraparë prej 12 muajsh.
Ai rikujtoi se vjeshtën e kaluar, Ulqini ka siguruar një grant prej mbi 30 milionë euro nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), mjete që janë të destinuara për ndërtimin e këtij impianti.
“Ky nuk është vetëm një investim infrastrukturor, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe natyrës. Me ndërtimin e këtij sistemi modern, synojmë të eliminojmë derdhjen e ujërave të papërpunuara dhe të krijojmë një mjedis më të pastër, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e turizmit”, deklaroi ai.
Kryetari Nimanbegu theksoi gjithashtu se projekti është kompleks, duke marrë parasysh fluksin e madh sezonal të turistëve, që gjatë verës e shumëfishon numrin e banorëve në qytet. Ai shprehu besimin se kompania “GOPA”, me përvojën e saj ndërkombëtare, do të arrijë të realizojë me sukses këtë projekt dhe të kontribuojë në zgjidhjen e rreth 80 për qind të problemeve aktuale.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i projektit, Dragan Roganoviq, nënvizoi përkushtimin për përmbushjen e të gjitha detyrimeve brenda afateve të caktuara.
Ai bëri të ditur se procesi do të zhvillohet në disa faza kryesore, duke përfshirë hartimin e zgjidhjeve teknike, përgatitjen e dokumentacionit të plotë dhe shpalljen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e impiantit.
Ky investim konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për Ulqinin dhe një hap i rëndësishëm në përmbushjen e standardeve evropiane për mbrojtjen e mjedisit, në kuadër të procesit të integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për bashkëpunim të plotë nga të gjitha palët e përfshira, duke garantuar angazhim të vazhdueshëm për realizimin me sukses të këtij projekti jetik për qytetin dhe rajonin.
D. Teliqi
