U diskutua për turizmin rajonal dhe sfidat e menaxhimit në sektorin e shërbimeve

Ulqin – Komuna e Ulqinit ka qenë mikpritëse e mbledhjes së Asamblesë së Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, që është mbajtur të mërkurën (17 prill 2024) në Hotelin “Mediteran”.
Në këtë takim, ku kanë marrë pjesë të gjitha komunat dhe bashkitë anëtare të UBSHR-së, është diskutuar për punën e deritashme dhe se çfarë mund të bëhet më mirë në të ardhmen.
Tema e këtij takimi ka qenë turizmi rajonal, oferta turistike që komunat dhe bashkitë anëtare paraqesin këtë sezon turistik dhe sfidat e menaxhimit në sektorin e shërbimeve.
Në deklaratën për media pas mbledhjes së Asamblesë së UBSHR-së, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari ka thënë se kjo komunë do të përkrahë gjithmonë nismat e karakterit rajonal të cilat forcojnë lidhjet me komunat dhe bashkitë e tjera në rajon.
“Ne shohim si partnerë potencialë për zhvillimin e turizmit të qytetit tonë të gjitha komunat të cilat janë të interesuara për bashkëpunim. Turizmi rajonal është një pjesë e konsiderueshme e turizmit tonë, ku një pjesë e madhe e turizmit tonë vjen nga Republika e Kosovës. Po ashtu ne ofrojmë shërbimet tona turistike edhe për bashkitë e tjera në Republikën e Shqipërisë në mënyrë që të zgjerojmë tregun tonë dhe të krijojmë partnerë të rinj potencialë për projekte të ndryshme”, ka thënë ai.
Tri komuna dhe bashki – Durrës (Shqipëri), Haraçinë (Maqedoni e Veriut) dhe Vushtrri (Kosovë) janë anëtare të reja të UBSHR-së.
Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon është një shoqatë jofitimprurëse dhe një bashkim vullnetar dhe i pavarur i bashkive dhe komunave të trevave shqiptare, e themeluar në vitin 2016 në Tiranë nga përfaqësuesit e pesë bashkive e komunave shqiptare: Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës. Në takimet përgjatë viteve, UBSHR-së i janë bashkëngjitur edhe komuna e bashki të tjera shqiptare.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat