Konvertimi me dhunë i popullatës së Plavës dhe Gucisë

Presioni (ndaj popullatës katolike të Plavës dhe Gucisë) gjithsesi ekzistonte dhe mund të dokumentohet lehtë me veprimet e ushtrisë malazeze në terren. Vrasja e priftit katolik, patër Luigj Palajt, paraqet rastin më tragjik të presionit pasi kur një komuniteti, pa asnjë arsye, i pushkatohet prijësi shpirtëror, presioni është edhe më i madh dhe shndërrohet në frikë

Hajrullah Hajdari

(vijon nga numri i kaluar)
Edhe popullata katolike e krahinës së Plavës dhe Gucisë ishte detyruar që pa dëshirën e saj të konvertohej në fenë ortodokse. Gjithsesi, pushteti i Malit të Zi ishte i kujdesshëm dhe nuk dëshironte që me veprimet e tij të linte të kuptohet se po bënte presion mbi katolikët. Për këtë dëshmon telegrami nr. 974, i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Cetinë (DACG, MUD, 1913, tel. 974 / 14 mars 1913) dërguar më 1/14 mars 1913 krahinarit të Gjakovës, z. Jovan Pllamenac, në të cilin thuhej:
T E L E G R A M
Nr. 974 1 mars 1913
Nga Gjakova në Cetinë
“Sa i përket kalimit të familjeve katolike në fenë ortodokse, së pari le të plotësohen formalitetet e nevojshme, që të mos mendohet se u bëhet ndonjë presion”.
Presioni gjithsesi ekzistonte dhe mund të dokumentohet lehtë me veprimet e ushtrisë malazeze në terren. Vrasja e priftit katolik, patër Luigj Palajt, paraqet rastin më tragjik të presionit pasi kur një komuniteti, pa asnjë arsye, i pushkatohet prijësi shpirtëror, presioni është edhe më i madh dhe shndërrohet në frikë.
Në lidhje me ndërrimin e fesë me dhunë të katolikëve, Ministria Fuqiplote e Austro-Hungarisë, më 22 mars 1913, i dërgoi një notë verbale Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi, në të cilën ndër të tjera thuhej: “Pas raporteve të komunikuara për ndërrimin e fesë me dhunë nga autoritetet malazeze në Gjakovë dhe në rrethinën e tij, imzot Mjeda (Lazër) dhe administratori i Konsullatës Perandorake në Prizren, zoti Pecel, do të shkojnë së bashku në Gjakovë kur autoritetet tuaja da të na lejojnë. Qëllimi i këtij udhëtimi është që të rivendoset status-kuoja konfesionale, jo vetëm për katolikët e dërguar në kishat ortodokse nga malazezët, më 15 të këtij muaji, por edhe për të gjitha konvertimet e tjera me dhunë, për të cilat administratori perandorak dhe mbretëror e bën përgjegjës adminstratorin RL (të Malit të Zi)”. (DACG, MV – Kabinet, 1913, f. 7).
Paritë e Plavës, Gucisë e Podgoricës i dërguan telegramin nr. 1894, më 22 qershor 1913, Lartëmadhërisë së Tij, Mbretit në Cetinë, për largimin nga ky qark të administratës dhe policisë së Vasojeviqëve, sepse janë ata që e kanë vrarë këtë popull pa drejtësinë e Zotit, janë ata që kanë shkelur fenë tonë dhe e kanë ndërruar me dhunë. Të nënshkruar në emër të Qarkut të Plavë-Gucisë: Myftiu i Gucisë, Smajl efendiu, Adem Aga, Shaban beg Plava, Emrullah beg Rexhepagiqi, bajraktari i Martinajve, Mustafa Kuçi i Vuthajve, Mulla Aso Çekiqi, Sheqo Alil Radonçiqi. (DACG, MUD, 1913, tel. 1894 / 29 qershor 1913) Ushtria malazeze vazhdonte me sjellje arrogante ndaj shqiptarëve të pafajshëm. Kështu kapiteni Gj. Vujosheviq, më 20 gusht 1913, me telegramin nr. 917, lajmëron ministrin e Brendshëm, z. Gojniq, se dje (19 gusht, v. j. H.H.) rreth orës 11:30, ushtarët e garnizonit të Gucisë vranë tre kolendarë e pesë vuthjanë, pa treguar motivin e vrasjes.
Po i njëjti zyrtar, më 21 gusht 1913, me telegram, të shënuar si urgjent, njofton ministrin e Brendshëm, se përveç tetë turqve të vrarë, edhe mbrëmë në orën 9:00, kur turqit hynë në xhami për t’u falur, dikush nga tanët i gjuajti me gurë. Populli është shumë i indinjuar, vazhdonte ai, dhe në qoftë se nuk urdhëroni që të mënjanohen ata që veprojnë kështu, heq nga vetja çdo përgjegjësi.
Letra e kapitenit të Gucisë, nr. 1140, 29 gusht 1913, dërguar ministrit të Punëve të Brendshme në Cetinë, z. Labud Gojniq, vërteton padrejtësitë ndaj muhamedanëve që u bëhet nga ana e serbëve vendas, disave nga kufiri i vjetër dhe më së shumti nga ana e ushtarëve të trupës së këtushme. Ndër të tjera shkruan: “Zoti Ministër, duke e quajtur betimin ndaj Mbretit si të shenjtë dhe duke dashur ta përmbush këtë për aq sa mundem, Ju them: popullata e këtushme muhamedane nuk gëzon kurrfarë të drejtash dhe lirie, madje as lirinë e jetës. Ja pse: sepse i nxjerrin natën nga shtëpitë e veta dhe i rrahin për vdekje me pushkë e bajoneta nëpër rrugët e fshatrave; sepse ua zënë rrugën dhe duke shtënë me pushkë mbi kokat e tyre, i plaçkisin dhe i grabisin; sepse natën gjuhen shtëpitë dhe faltoret e tyre (xhamitë); sepse, nga ana e ushtarëve të trupës së këtushme u bëhen dëme në drithë, sanë, pemë dhe bagëti; sepse jo vetëm që nuk mund të flasin lirisht, por edhe kërcënohen, u mbillet frika gjithnjë më e fortë dhe u bëhen padrejtësi gjithnjë më të mëdha.” (Po aty, telegram nr. 1140 / 29 gusht 1913)
Nga procesverbali nr. 499, datë 11/24 mars 1913, i mbajtur në zyrën e kapetanisë së Gucisë, në lidhje me lutjen e Alil Hysenbegoviqit dhe shokëve të tij nga Plava, dërguar Lartëmadhërisë së Tij Krajlit, ku thuhet se ata po pësojnë zullume dhe padrejtësi nga disa autoritete zyrtare të Plavës, del se ai ishte konvertuar në ortodoks dhe e kishte marrë emrin Danillo. Pra, Emrullah Begu ishte bërë Ivan beg Rexhepagiq, Mulla Cana ishte bërë Jovan Ivanoviq dhe hoxhë Rexhepagiqi ishte bërë Urosh Rexhepagiq. Në emër të tyre, deklaratat në procesverbalin i nënshkroi Millovan Raiçeviqi, i cili ishte edhe sekretar i kapetanisë. Procesverbali u përfundua dhe u nënshkrua nga kapiteni Milivoje Dragoviq dhe sekretari Raiçeviq (DACG, fondi IKPL, 1913, procesverbal nr. 499), sipas parimit “vetë shkruaj e vetë vulos”.
Duke parë se aktiviteti i konvertimit në fenë ortodokse po i del nga kontrolli dhe se i gjithë ky veprim mund të hasë në kundërshtimin e autoriteteve evropiane, Krajl Nikolla urdhëroi që të njoftohet populli i krahinës së Plavës dhe Gucisë se janë të lirë të zgjedhin besimin e tyre. Në lidhje me këtë, komandant Bozhoviqi i dërgoi Ministrisë së Punëve të Brendshme telegramin nr. 4051/841, datë 8 shkurt 1913, në të cilin ndër të tjerat thuhet: “Dje, sipas urdhëresës suaj nr. 2792, i kam mbledhur të gjithë guciasit e pastaj edhe të gjithë plavjanët e u kam thënë se janë të lirë të zgjedhin besimin e tyre dhe se janë të lirë të shkojnë në cilëndo xhami apo kishë. Vërehet se shumë pak kanë mbetur pa shkuar në xhami”, çka pa dyshim e fundos tezën e konvertimit të myslimanëve dhe shqiptarëve në fenë ortodokse me vullnet.
Se konvertimi nuk ishte me vullnet, por i imponuar dhe i dhunshëm, vërtetohet edhe me faktin se popullata, të ikurit dhe të tjerët, pas deklarimit të pushtetit se çdokush mund të predikojë lirisht fenë e vet, po ktheheshin në shtëpitë e tyre për të vazhduar jetën. Mashan Bozhoviqi, komandant i Qarkut Ushtarak të Plavës dhe Gucisë, më 23 maj 1913, duke njoftuar kryetarin e Qeverisë dhe ministrin e Luftës, Janko Vukotiqin, për qëndrimin e myslimanëve të cilët me “vullnet” kishin kaluar në fenë ortodokse, ndër të tjera theksonte: “Sot u vërtetova se shumë pak do të mbesin në fenë ortodokse, pasi në mëngjes, pashë në masë njerëz që dilnin nga xhamia duke thirrur rroftë krajli që na dha lirinë. I njëjti rast është edhe në Plavë dhe krejt rrethinën dhe menjëherë do të kalojnë në muhamedanë dhe se gjithkund thirret rroftë krajli. Në përgjithësi këtu mbretëron qetësia dhe rendi dhe populli me kënaqësi ka filluar të punojë punët e veta. Tre vetë që kishin ikur në Valbonë, sot janë kthyer dhe thonë se të gjithë të ikurit presin me padurim të kthehen. Ata thonë se në Curaj të Valbonës dhe në Krasniqe ka dy deri në tri mijë të ikur, që aty janë grumbulluar nga të gjitha vendet përreth”. (DACG, MUD, 1913, Raporti i komandantit të Zonës Ushtarake të Plavës dhe Gucisë, dërguar kryetarit të qeverisë Janko Vukotiqit.

(vijon)

Të fundit

më të lexuarat