Nostalgji për të kaluarën

Gani Karamanaga

Rrëfimi 1
Regjistrimi në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd

Viti 1964. Kryeqytetin e ish-Jugosllavisë, Beogradin, e njihja pak, sepse kemi qenë në ekskursion si nxënës të klasës së katërt të Shkollës së Mesme për Infermieri nga Cetina.
Po atë vit nga Mali i Zi në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd u regjistruam: Milo Jankoviq, Zharko Martinoviq (Cetinë), Anto Martinoviq ( Tivar), Gani Karamanaga (Ulqin). Ishim gjithsej 450 studentë të regjistruar, të gjithë nxënës të shkëlqyer. Për ushtrime praktike kemi qenë të ndarë në grupe. Unë qëllova sipas alfabetit në grupin ku dominonin studentët nga Beogradi. Ndërmjet tyre dallohej një vajzë e gjatë, e bukur, bjonde, kryelartë. Gjatë vitit të parë vetëm një herë më tha:
“ Gani, ti je kimisti (kimia) më i mirë në grupin tonë…”
Viti 2014. Me idenë e prof. Zharko Martinoviqit, neuropsikiatër i njohur u organizua tubimi i studentëve të cilët në vitin 1964 kishin regjistruar Fakultetin e Mjekësisë në Beograd. Gjithnjë mendoja:
“ Si duket sot Ana M.”
U takuam. Disa prej shokëve i njoha, disa edhe i kisha harruar. Para Dekanatit të Fakultetit u fotografuam. Mandej manifestimi në sallën e madhe në katin e dytë. Foli së pari dekani aktual i Fakultetit. Mandej edhe prof. Zharko Martinoviq.
Filloi të lexojë për disa prej nesh, mandej në fund i përmendi edhe ata që nuk jetonin më.
Ana M. kishte ndërruar jetë para 10 vjetëve.

Rrëfimi 2
Sirenë mitologjike

Hyra në agjenci. Prapa tavolinës ishte një grua e moshuar. Edhe tash ishte bjonde, e përkulur, e lodhur nga hallet e jeta.
Kujtimet
Fundi i qershorit të vitit 1966. Kemi ardhur nga studimet : Rexhep Spuzha edhe unë nga Beogradi, Hajdar Axhemi nga Sarajeva, student në Akademinë e Muzikës.
Në Plazhin e Qytetit ka pasur turistë dhe vendasi. Shëtisnim bregut të detit.
Gjiro e parë:
Kemi ecur ngadalë prej fillimit të plazhit në afërsi të Shkallëve të Peshkatarëve deri te Mendreqi. Te shkallët e treta –hyrja në plazh, në breg ishte e ulur: bjonde me flokë të gjata, lëkura pak e skuqur prej diellit, me syza për diell.
Gjiro i dytë:
U afruam te vendi ku ishte vajza e bukur. Ajo ishte duke hyrë për t’u larë në det. Trupin siluetë, si ta kishte krijuar ndonjë piktor, pas 100 metrave u hedh në ujë, filloi të notonte.
Gjiro e tretë:
Vajza po i afrohej bregut. Flokët e gjata deri në gjysmë të shpinës, pikëzat e ujit ndriçonin fytyrën e saj, shikonte drejt…
“ Sirenë mitologjike”-mendova.

Rrëfimi 3
“Edhe nusja ime ka qenë e bukur”

Isha te sporteli për të bërë pagesën e dritave. Më foli një zonjë sipër 50 vjeçare:
“ Unë jam vajza e Mano Ftejës, ke qenë shumë herë me i pa prindërit e mi…”
Këto ditë isha në servis për automobila te Basri Markashi. Biseduam për dy gjyshërit e tij Nezir Markashin dhe Mano Ftejan.
“Nana jeme ishtë vajza e Mano dhe Meleqe Fteja. Edhe unë disa herë të kam çue me automobil për t’i vizitue gjyshin edhe gjyshen”, tha Basriu.
Kodrat e Ulqinit dikur ishin periferia e qytetit. Sot është pjesë e gjerë me shtëpi të bukura. Në maje të kodrave, në anën e djathtë gjendet shtëpia e vjetër e Mano Ftejas. Prej këtij vendi është pamje fantastike në fushën e Ulqinit me ndërtime të reja, në Gjerana dhe Pinjesh si edhe në pjesën e lartë të Plazhit të Madh. Gjithashtu, shihet poshtë Meraja.
Disa herë isha për t’i vizituar Mano dhe Meleqe Ftejan. Një herë pas vizitës Mani më tha duke treguar fotografinë e vjetër në cilën ishte Meleqja nuse e re:
“Doktor, edhe nusja ime ka qenë e bukur…”

Rrëfimi 4
Martesa në Kala

Viti 1973. Martesa e shokut nga fëmijëria. Martesë si dikur.
Të hënën ishte dita e “hallesës së sarailisë”.
Të enjten “dita e dhuntisë”. Prej shtëpisë së djalit që martohet është çuar dhuntia deri te shtëpia e vajzës.
Dita e shtunë ka qenë “dita e pajës”. Të afërmit e djalit kanë shkuar për të marrë pajën nga shtëpia e vajzës, nuses.
Dita e diel ishte “dita e martesës”. Krushqit kanë shkuar për ta marrë nusen.
Prej të hënës ka filluar gëzimi, dyzeni e ahengu te shtëpia e djalit. Çdo mbrëmje janë mbledhur të afërmit e komshinjtë për të kënduar me dajre, qemane, ndonjëherë edhe me harmonikë. Kërcim e vallëzim.
Martesa ishte në shtëpi. Oda e madhe me çardak. Për nuse kemi shkuar në lagjen Meraja. Të gjithë nuset janë të bukura. Kjo ishte me të vërtet e gjatë, e bukur. Nusja e mbështetur për muri. Ia kishin hequr duvakun e kuq. Këngë, kërcim.
Dallohej një nuse e re e cila ishte nga ana e vëllait të madh. Me veshje të bardhë nga dy pjesë: fund e xhaketë. Fytyra e bardhë, me buzëqeshje, flokët të kapur mbi krye, mbrapa. Kërceu me motrën e dhëndrit të ri. Shkëlqente. Bukuri karakteristike ulqinake. Kam pasur bindje që gjithë sytë ishin në drejtim të saj.
E kam parë edhe dy tri herë më vonë. Një herë isha për të vizituar plakën e tyre-nënën e burrit. Ishte e ulur me duar në miell.
Foli me buzëqeshje:
” Jam duke gatuar pite…E. shkon herët në punë. E dan me qenë pitja gati në dhjetë sahati”
Viti 2023. Isha duke ecur në rrugën kryesore në afërsi të Pazarit të qytetit. U ndal . E mbledhur, fytyra me rrudha, me buzëqeshje të paktë, më pyeti:
“A po më njeh , a e din se kush jam”?

Rrëfimi 5
Çifti-dy mjekë të rinj Fundi i dekadës së tetë

U kthyen nga specializimi në Beograd Andrija edhe Gordana. Andrija ishte anesteziolog, , Gordana otorinolaringologe( specialiste për hundë, vesh edhe grykë). Ishin të veçantë: Andrija i gjatë, kishte pamjen e një atleti, Gordana, bjonde, flokët e gjata, bukuri e rrallë, jo e çdoditshme.
Filluan punën në Spitalin e Tivarit. Pas disa vjetësh Andrija ndërroi jetë. Sëmundja e pashërueshme.
Gordana mbeti me dy fëmijë. Vazhdoi punën. Mbas disa viteve çeli ordinancë private.
Viti 2022
I telefonova Dr. Gordanës R. Bashkëshortja ka pasur nevojë për vizitë. Pas pritjes së vogël hyrja në ordinancë:
Dr. Gordana ishte e ulur, përshëndetje. Gjithçka kishte ndryshuar në pamjen e saj: fytyra me rrudha të pakta, pamja e dikurshme kishte ikur.
Puna profesionale, korrekte. Kur erdhi koha e pagesës tha:
„ Unë kolegëve të mi nuk i marr të holla..“
Shikonte diku larg…
Nostalgji për të kaluarën.

Rrëfimi 6
„Si do Zoti“

E premte, ditë Pazari në Ulqin. Ishte duke ecur përpara meje; ngadalë i lodhur, Ramo Haxhibeti (1935),. U ndala dhe e pyeta për shëndet.
Ai filloi të fliste
„Kam ble qepë të njoma, një bukë”. Pushoi pak, mandej vazhdoi shkurt:
„Si do Zoti“
„Ai, na ka në dorë të gjithëve“.
Ishte përgjigja ime.
Në vitin 2021 ndërroi jetë në moshën 51 vjeçare si pasojë e infeksionit me Covid 19 Dr.Mervan Haxhibeti, stomatolog, specialist i protetikës .
Samija Haxhibeti, e lindur Resulbegu ishte nxënëse e shkëlqyer. Kemi mësuar në një klasë, VIII2 në shkollën fillore. Ajo mandej kreu Shkollën Ekonomike në Titograd. U punësua në kontabilitetin e Elektrodistribucionit në Ulqin .
Largimin nga jeta të djalit Mervanit e përballoi shumë vështirë.
Para tre muajve vdiq nga insulti cerebrovascular.

Të fundit

më të lexuarat