Intervistë me fotografen, Iden Temali

Koha Javore: Kur ishin hapat tuaj të parë në fotografi, përkatësisht kur ishte momenti që ju kuptuat se do të merreni me fotografinë?
I.Temali: Kur e mendoj sot, fotografia më rikthen në vitet e fëmijërisë. Aparati njëpërdorimësh i viteve 90, ose fujifilmi i vogël. Kur shkonim me motrën time në kampin e fëmijëve, nëna ime kujdesej që unë të kisha një aparat me vete, mundësisht edhe një film rezerve. Atëherë ishte si një mjet i domosdoshëm. Dhe kurrsesi nuk e dija se sa i rëndësishëm dhe se çfarë mundësie kisha në dorë. Pra, në mënyrë të natyrshme në shtëpinë time jetohej me art, për shkak se edhe babai pikturonte, e kështu lindi edhe pasioni për artin dhe imazhin.

Koha Javore: Çfarë është fotografia për ju?
I.Temali:
Është një mjet i rëndësishëm komunikimi, shprehjeje, vokacioni, dashuri e cila në mënyrë reciproke më ka dashur dhe më ka shpërblyer. Fotografia është edhe një marrëdhënie dashurie dhe urrejtjeje, ajo mund të jetë edhe një dhimbje në vetvete. Dua të përmend këtu një ndër fotot më të njohura në botë foton “ The Vulture and the little Girl” (Shkaba dhe Vajza e vogël) nga fotografi Kevin Karter.

Koha Javore: Sa realisht ju vinë në ndihmë rrjetet sociale juve si fotografe?
I.Temali:
Rrjetet sociale sot e bëjnë më të lehtë njohjen, reklamimin dhe shitjen, por duhet pasur kujdes të mos biem në grackën e mediave sociale, ku pa e kuptuar të punojmë për to më shumë, se sa ato për ne.

Koha Javore: Çfarë mesazhi përcjell fotografia juaj?
I.Temali:
Fotografia është padyshim zgjatim i brendësisë. Shkrepja bëhet aty ku shkon mendimi, aty ku shkon syri, zemra, shqetësimi, ndjeshmëria. Është inspirim, është etje për të bukurën, është ndjenjë dhe emocion. Krijimi i një mesazhi të përjetshëm. Është ndalimi i kohës, të pasurit një imazh të një njeriu që duam ta kemi përgjithmonë.

Koha Javore: Cila është gjëja që do kishit dëshiruar të dini, kur filluat të shkrepnit foto?
I.Temali:
Të gjitha gjërat që më morën kohë dhe shumë përkushtim për t’i mësuar. Ja kështu si me magji do të doja t’i dija pa filluar.

Koha Javore: Fotografinë me ngjyrë apo bardh e zi, cilën preferoni më shumë dhe pse?
I.Temali:
I dua shumë të dyja opsionet, BW (bardhë e zi) thekson subjektin duke e çuar vëmendjen tek ai dhe duke e kthyer në imazh shumë dinamik, ku mund të luajmë me kontrastet, hijet duke kërkuar për të shkuar drejt bukurisë absolute. Nga ana tjetër, kemi imazhe të cilat për t’u dukur sa më efektive, duhen ngjyrat, si p.sh., për rrobat, tekstilet ,natyrë etj.. Zgjedhja e njërës nga këto bëhet në varësi të projektit dhe synimit artistik.

Koha Javore: Nëse do të shkrepnit fotografi për disa vite dhe nuk do të merrnit një reagim pozitiv të audiencës, a do t’i shkrepnit ende ato?
I.Temali:
Vivian Mayer fotografoi për gjithë jetën, filmat u gjetën rastësisht të hedhura diku në një cep dhe sot është ndër emrat që ngjallin shumë kuriozitet…pastaj thonë që çdo njeri duhet të ushtrojë një art në jetën e tij, kjo jo për vlerësimin, por për ta kuptuar me shumë jetën, të kuptuarit se çfarë të inspiron. Unë kisha fatin e reagimeve pozitive, në qoftë se nuk do t’i merrja s’e di…rëndësi ka të besosh te vetja, por edhe të përmirësohesh ndoshta edhe nga kritikat ose reagimet negative.

Koha Javore: Ekspozita juaj e fotografisë dhe emocionet që përjetuat?
I.Temali:
Gjithmonë përjetoj emocione, sidomos kur shoh nga larg njerëz që nuk i njoh që komentojnë, fotografojnë, pëlqejnë punën time. Këto janë momente domethënëse.

Koha Javore: Projektet tuaja të fundit?
I.Temali:
Sekret…

Bisedoi: Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat