Mjet i pastrimit etnik të trojeve shqiptare

Politika e konvertimit me dhunë të shqiptarëve, Malit të Zi i shërbeu si mjet i spastrimit etnik të trojeve shqiptare ose, së paku për ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë në favor të malazezëve

Hajrullah Hajdari

(vijon nga numri i kaluar)

II. 4. Në vend të përfundimit
Nga përmbajtja e dokumenteve arkivore në lidhje me kryqëzimin e shqiptarëve, punës së komisionit hetimor për veprimet e paligjshme të organeve shtetërore, qendrore, lokale, të individëve si përfaqësues të pushtetit dhe të popullsisë vendase pravosllave në lidhje me këtë çështje, del qartë se shqiptarët (myslimanë dhe katolikë) u konvertuan në fenë pravosllave pa dëshirën e tyre, gjegjësisht me dhunë dhe me dijen e plotë të pushtetit dhe vetë krajl Nikollës. Fakti se shqiptarët kërkuan vetë të kalonin në fenë pravosllave është i papranueshëm, së paku për këto arsye:

  • Nën presionin e përhershëm të pushtetit dhe ushtrisë malazeze dhe premtimit të tyre se ata që kalojnë në fenë pravosllave do të gëzojnë privilegje të ndryshme, do të trajtohen mirë nga pushteti, aty-këtu ndonjëri edhe do të punësohej në administratë, do t’u ulej tatimi, do të marrin ndihma të ndryshme materiale etj., disa nga shqiptarët, të udhëhequr nga dëshira që t’i shmangen dhunës ushtarako-policore malazeze, u lajmëruan për të ndërruar fenë e tyre me fenë pravosllave. Lajmërimi vullnetar i tyre në asnjë rast nuk është shoqëruar me nënshkrimin e tyre, madje as në gjuhën osmane, që pa dyshim shumë nga qytetarët dinin shkrim e lexim në atë gjuhë, veçse kërkesat në çdo rast janë nënshkruar nga vetë zyrtarët malazezë;
  • Kundër atyre që nuk pranuan të ndërrojnë fenë e tyre të cilët nuk kishin arritur të ikin, pushteti ushtarako-policor merrte masa nga më të egrat, rrihte, plaçkiste, burgoste e pushkatonte, veprime të cilat i shtynin shqiptarët të lajmëroheshin për ndërrimin e fesë, por gjithsesi nën kërcënime, me forcë dhe dhunë e në asnjë mënyrë me dëshirën e tyre;
  • Gjatë procesit të kryqëzimit me dhunë, për të mos pranuar kryqëzimin, një numër i madh i shqiptarëve të krahinës së Plavës dhe Gucisë i lëshuan shtëpitë e veta stërgjyshore;
  • Pas proklamatës së Krajlit, se çdokush është i lirë të predikojë fenë e vet, pothuaj të gjithë të konvertuarit u kthyen në fenë e tyre të mëparshme – muhamedane apo katolike, veprim i cili në themel e shfuqizon mendimin e kujtdo se shqiptarët e kishin pranuar konvertimin në fenë pravosllave (ortodokse) me vullnetin e tyre;
  • Kryqëzimi, në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si incident apo rastësi e kryer nga disa njerëz pa dijeninë e qeverisë dhe Krajl Nikollës. Fakti se me fillimin e kryqëzimit “vullnetar” u njoftuan Ministria e Punëve të Brëndshme, Ministria e Arsimit, institucioni fetar dhe pushteti lokal dhe ata komunikuan ndërmjet vete, dhanë udhëzime për veprim dhe i dhanë ndihmë financiare të gjithë atyre që shpenzonin të holla për këtë çështje, ashtu siç e dokumentuam me dokumente konkrete, po ashtu hedh poshtë të gjitha tezat e historiografisë malazeze se konvertimi në fenë pravosllave ka qenë incident i përkohshëm dhe është kryer pa dijeninë e pushtetit dhe Krajl Nikollës.
    Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, të vitit 1905, e cila në kohën e kryqëzimit ishte në fuqi, Knjazi është kreu i shtetit dhe, si i tillë ka të gjitha të drejtat e pushtetit shtetëror (neni 2), është urdhëruesi suprem i të gjitha forcave ushtarake të shtetit (neni 5), emëron të gjithë zyrtarët qeveritarë dhe nën kontrollin e tij suprem, ata ushtrojnë autoritetin e tyre në të gjithë vendin (neni 8, al.2), Këshilli Ministror qëndron drejtpërsëdrejti nën urdhrat dhe kontrollin e Knjazit (neni 105), ministrat janë përgjegjës ndaj Knjazit për aktet e shërbimit dhe veprimet e tyre zyrtare (neni 108). Në fund, ministrat, në afatin prej 5 vjetëve nga dita e kryerjes së veprës, mund të akuzohen nga Knjazi apo Kuvendi Popullor (neni 111, al. 1, pika 5 dhe 113). Atëherë shtrohet pyetja, a ka qenë Krajl Nikolla në dijeni për fillimin dhe ecurinë e kryqëzimit? Edhe po të ishte e vërtetë se ministrat nuk e kanë njoftuar me kohë, atëhërë pse asnjëherë, për pesë vjet, nuk e shfrytëzoi të drejtën për denoncimin e ministrave, madje atë s’e bëri as Kuvendi Popullor. Faktet e prezentuara vërtetojnë se Krajl Nikolla ka qenë në dijeni të veprimit poshtërues ndaj shqiptarëve, përndryshe është dashur t’i denoncojë dhe dënojë ministrat qeveritarë, por këtë s’e bëri! Fakti se krajli formoi komisionet hetuese për hetimin e veprimeve të organeve shtetërore apo individëve ndaj shqiptarëve, nuk e liron Krajlin nga përgjegjësia, aq më tepër kur dihet se të procesuarit janë dënuar me dënime të lehta, madje disa nga ata janë kthyer edhe në punë!
  • Nëse në relacionin Këshilli ministror – Krajl Nikolla vërtet ka pasur çarje ose mosbashkërendim të punëve, po ashtu Krajl Nikollën nuk e liron nga përgjegjësia sepse dokumentet e paraqitura dëshmojnë për pasojat e rënda dhe vuajtjet e popullit shqiptar të këtyre trojeve, kryesisht nga organet shtetërore.
  • Në krye të të gjitha veprimeve johumane ndaj shqiptarëve kanë qenë brigadierë e komandantë të ushtrisë malazeze, komandant suprem i të cilëve ishte Krajl Nikolla, dhe më i theksuari ndër ta Avro Cemoviqi. Nëse Cemoviqi, brigadier i nisur për të qetësuar situatën në krahinën e Plavës dhe Gucisë nga vetë komandanti suprem, ka qenë bartës i të gjitha veprimeve barbare ndaj shqiptarëve, atëherë shtrohet pyetja: Kush ishte iniciatori dhe me urdhër të kujt veproi Cemoviqi? Në rregullimin shtetëror monarkist, ku monarku i ka të gjitha të drejtat e komandimit civil dhe ushtarak, është e pamundur që ai të punonte krye në vete, përndryshe ai do të burgosej që në fillimin e veprimeve e jo të pritej deri kur Komisioni Hetimor t’i mbarojë hetimet.
  • Nëse i shikojmë të gjitha dokumentet arkivore një nga një e të gjitha së bashku dhe pasojat të cilat kanë prodhuar veprimet jonjerëzore ndaj shqiptarëve dhe nëse i referohemi Kushtetutës në fuqi, e gjithë përgjegjësia bie mbi komandantin suprem dhe mund të përfundojmë se iniciatori i kësaj masakre ishte vetë Krajl Nikolla.
  • Të gjitha veprimet e paligjshme, si çarmatimi dhe kryqëzimi, pushkatimet e të moshuarve por edhe të fëmijëve, plaçkitjet, djegia e shtëpive dhe objekteve fetare, të marra një nga një e të shqyrtuara si një tërësi dokumentesh e veprimesh, përmbajnë elemente të gjenocidit ndaj njerëzimit dhe në rastin konkret ndaj shqiptarëve në përgjithësi e ndaj shqiptarëve myslimanë e katolikë, të krahinës së Plavës dhe Gucisë, në veçanti.
    Gjithsesi politika e konvertimit me dhunë të shqiptarëve, Malit të Zi i shërbeu si mjet i pastrimit etnik të trojeve shqiptare ose, së paku për ndryshimin e strukturës së popullsisë në favor të malazezëve.
    Në fund, dua të shtoj se konstatimi për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Krajl Nikollës dhe zyrtarëve të tij shtetërorë për krimet e bëra ndaj shqiptarëve dhe cilësimi i tij si përgjegjës dhe iniciator është krejtësisht i bazuar në dokumentet arkivore të shtetit, prijës i të cilit ishte ai vetë. Këtë nuk e bëra për ta denoncuar personalitetin e tij, sepse është shumë vonë, por e bëra për të mësuar të kaluarën tonë me qëllim që të mësojmë nga ajo, sepse ka ardhur koha që gjërat të thuhen ashtu siç janë, për ne e në veçanti për gjeneratat e reja. (Fund)

(Kumtesa është paraqitur në Konferencën vjetore të Arkivistikës Shqiptare, mbajtur në Tuz, më 5 qershor 2021)

Të fundit

më të lexuarat