Kundërshtimi i çarmatimit nga shqiptarët

Hajrullah Hajdari

Hyrje
Publikimi i dokumenteve arkivore me rëndësi për të kaluarën e një populli, në veçanti të popullit shqiptar, me qëllim të zbardhjes së të kaluarës së popullit tonë, ka qenë, është dhe duhet të jetë detyrë e rëndësishme dhe obligim për çdo hulumtues apo studiues. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi, të ndarë padrejtësisht e pa vullnetin e tyre nga trungu amë e të lënë në mëshirën e një populli me të cilin nuk i lidhte asgjë e përbashkët – as historia, as gjuha, as kultura apo etnografia.
Historiografia shqiptare, ajo malazeze jo se jo, deri më tani nuk ka treguar interesim apo kujdes të veçantë për zbardhjen e ngjarjeve apo dukurive të ndryshme të cilat mund të kenë ndikuar dukshëm në jetën dhe zhvillimin e tyre arsimor, kulturor apo social-ekonomik.
Me rastin e përcaktimit të kësaj teme pata parasysh se çarmatimi dhe kalimi me dhunë i shqiptarëve të rrethit të Plavës e Gucisë në fenë ortodokse – pravosllave paraqet një nga vuajtjet më të mëdha të kësaj popullate në vargun e madh të vuajtjeve të shkaktuara nga okupuesit serbo-malazezë, siç janë djegia e shtëpive apo fshatrave të tëra, rrahjet, keqtrajtimet, burgosjet, bartja e kapicës (kësulës malazeze) me dhunë e shumë vuajtje të tjera.
Për punimin e kësaj teme kam përdorur kryesisht fondet e Arkivit Shtetëror të Malit të Zi në Cetinë e sidomos fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUD), Dhomës Administrative (UO), Ministrisë së Ushtrisë (MV) dhe pjesërisht të Gjyqit Ushtarak (VS). Ngjarjet të cilave i kushtohet kjo temë janë pasqyruar edhe në shtypin serbo-malazez të kohës, në libra të autorëve të ndryshëm, si Branko Babiq, Zhivko Andrijasheviq dhe Zoran Stanojeviq, Mustafa Memiq etj. Punimi më i kompletuar i autorëve shqiptarë është libri i Zekeria Canës „Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913“, të cilin po ashtu e kam shfrytëzuar si literaturë.
Çarmatimi, në veçanti kryqëzimi apo kalimi me dhunë në fenë ortodokse i shqiptarëve myslimanë dhe katolikë në territorin e Plavës dhe Gucisë, ka qenë temë e disa punimeve historiografike, ndonëse të pakëta, por në të gjitha ato punime është trajtuar si një segment i hulumtimit sipërfaqësor, me kundërthënie të ndryshme, por asnjëherë deri më tani këto hulumtime apo studime nuk kanë dhënë përgjigje për disa çështje shumë të rëndësishme.
Së pari, në asnjë punim shkencor nuk është definuar politika e çarmatosjes së popullit shqiptar. Së dyti, nuk është sqaruar se a ishte kryqëzimi një incident apo ishte si rrjedhojë e strategjisë dhe politikës zyrtare shtetërore, e planifikuar dhe e mënduar mirë. Së treti, nuk janë sqaruar sa duhet as marrëdhëniet e qeverisë malazeze me Krajl Nikollën, si pasojë e së cilës kemi veprimin e pakontrolluar dhe mizor të organeve shtetërore ndaj popullatës shqiptare dhe, së katërti, nuk është sqaruar kush ka qenë iniciatori kryesor i këtij veprimi dhe cili ka qenë qëllimi e, mbi të gjitha a është ky veprim gjenocidal ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë, Zekeria Cana, në punimin e tij “Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913

”, të gjitha veprimet së bashku, pra çarmatimin, kryqëzimin, burgosjen dhe likuidimin e shqiptarëve nga shteti i Malit të Zi, i ka quajtur gjenocid, por nuk u ndal në nxjerrjen e mendimit apo përfundimeve të cilat mund të japin përgjigje në pyetjet e shtruara më lart.

I. Çarmatimi i popullsisë
Qëllimi i Malit të Zi dhe Serbisë gjatë luftërave ballkanike ishte spastrimi etnik i territoreve të “çliruara” me qëllim të ndryshimit të strukturës nacionale të popullsisë. Për të arritur këtë qëllim ushtria malazeze dhe serbe gjatë rrugëtimit të saj nëpër territoret shqiptare, ua vuri zjarrin shumë fshatrave e së bashku edhe fshatarëve të tyre, pasi qëllimi përfundimtar i tyre nuk ishte vetëm dëbimi i ushtrisë turke, por zaptimi i territorit shqiptar deri në Durrës.
Çarmatimi i popullatës shqiptare është proces të cilin ushtria malazeze e ushtroi gjatë okupimit dhe aneksimit të trojeve shqiptare. Natyrisht, me fillimin e zaptimit të trojeve shqiptare, veçanërisht në krahinën e Plavës dhe Gucisë, edhe intensiteti i çarmatimit ishte më i madh dhe vazhdoi deri në prill të vitit 1913, ndonëse popullsia shfaqte pakënaqësi për shkak të çarmatosjes. Në fazën fillestare për bashkëngjitjen e këtyre territoreve shtetit malazez, çarmatimi i popullsisë ishte parakusht i vendosjes së rendit dhe qetësisë, sigurisë politike dhe ushtarake. Një pjesë e Ushtrisë Malazeze iu përmbajt proklamatës së Krajl Nikollës dhe urdhëresave të komandave ushtarake mbi disiplinën, humanizmin dhe sjelljen e drejtë ndaj popullatës së territoreve të zaptuara, mirëpo, pjesa tjetër e ushtrisë, madje edhe disa komandantë të saj, pavarësisht proklamatës dhe urdhëresave, vazhdonin vrasjet, plaçkitjet, vënien e zjarreve dhe rrëmbimin e qytetarëve.
Çarmatimin e popullsisë së Plavës e Gucisë fillimisht e ka bërë brigada e Vasojeviqëve dhe e Kollashinit, por në këtë proces janë përfshirë edhe njësitet vullnetare, veprimet e të cilave shpeshherë ishin të pakontrolluara.
Më 14 tetor 1912, komandanti Veshoviq nga Krusheva, me telegram e lajmëroi njërin nga komandantët e Ushtrisë Malazeze Janko Vukotiqin se “me rastin e pushtimit të djeshëm të fshatit Nokshiq, komandanti Milija Nikoliq ua vuri zjarrin të gjitha shtëpive të fshatit dhe ndoshta u bë shkaktar që ata nuk erdhën të dorëzohen”. (Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913, Prishtinë, 1966, fq. 94) Përveç Nokshiqit, u dogjën dhe u shkatërruan edhe fshatrat Rzhanicë dhe Pepaj. (DACG, MUD, 1913, dok. 44)
Në dimrin e vitit 1912-1913 u mblodhën një numër i madh armësh (DACG, MUD – UO, 1912, dok. 2979). Ndaj atyre që ua morën armët apo të dyshuarve pushteti malazez mori masa të ashpra dhe të gjitha i arsyetonte si mjete legale për të vendosur pushtetin. Popullata e vendeve të okupuara, etnikisht në numër më shumë se serbët e malazezët, në mënyrë të organizuar e kanë kundërshtuar okupimin dhe vendosjen e pushtetit malazez, kështu që edhe pse të okupuar gjendja e luftës në këto treva vazhdoi së paku edhe gjashtë muaj. Vetëm deri në fund të nëntorit, në territorin e Plavës dhe Gucisë u mblodhën 1.303 armë të tipave të ndryshme (DACG, MV, 1912, telegram i M. Radonjiqit më 24 dhe 26 nëntor 1912). Ky proces në rrethana lufte dhe aspiratat territoriale të Malit të Zi, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër procesi i krijimit të një Shqipërie të lirë do ta bënte këtë proces të kundërshtueshëm. Për këtë arsye Krajli i Malit të Zi e urdhëroi Janko Vukotiqin që “pa asnjë konsideratë, në vendet e okupuara, hollësisht dhe saktë të çarmatosen turqit, ashtu që asnjë brisk nuk guxon t’ua lësh atyre. Ndryshe, nëse nuk e bën, atëherë për okupimin e atyre vendeve do të na duhen shumë njerëz”. (Branko Babiq, Politika Crne Gore u novo oslobodjenim krajevima 1912-1914, “Obod” Cetinje, “Pobjeda” Titograd, 1984, fq. 170).Nga kjo urdhëresë më së miri shihet motivi i çarmatimit të shqiptarëve. Në të vërtetë Mali i Zi nuk kishte proklamuar apo definuar ndonjë politikë zyrtare të çarmatimit të popullatës. I gjithë aksioni i çarmatimit kryhej në bazë të disa urdhërave telegrafike të Krajlit dhe Qeverisë që ua jepnin kryesisht komandave ushtarake ose drejtorive krahinore. Pa dyshim, qëllimi i Qeverisë së Malit të Zi dhe vetë Krajl Nikollës ka qenë që së pari të bëhet çarmatimi i shqiptarëve myslimanë, pastaj edhe i myslimanëve në territoret e okupuara.
Për procesin e çarmatimit dhe masat e metodat e përdorura rregullisht janë informuar organet në Cetinë. Shpallja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 27 nëntor 1912, mbi përndjekjen dhe dënimin e kundërshtarëve, e vërteton dhe e nxitë procesin e filluar të çarmatimit. Vërtet, Janko Vukotiqi, nëpërmes agjutantit kujdestar kishte urdhëruar: “Për më pak faj mos i myshketoni njerëzit, por ata çoni menjëherë në entin e ndëshkimit”. (DACG, MUD, 1912, IK II, dosja 2). Nga kjo del se për keqtrajtimet, plaçkitjet e pushkatimet e Ushtrisë Malazeze dhe vullnetarëve të tyre vetë Krajli dhe Qeveria e Malit të Zi ishin në dijeni të plotë dhe të gjitha veprimet bëheshin në koordinim.
Çarmatimi, që në fillim, u kundërshtua nga shqiptarët. Për t’u ikur masave ndëshkuese, ata dilnin në mal dhe kështu filluan përndjekjet, vrasjet dhe pushkatimet individuale ose në grup. Megjithatë, me përdorimin e dhunës u arrit që ushtria të grumbullojë një numër të konsiderueshëm të armëve.

(vijon)

Të fundit

më të lexuarat