Nostalgji e pafund për detin

Deti ishte edhe është jeta e tij, thotë ai, dhe kurrë nuk është i penduar, sepse përveç vështirësive dhe “bukës me gjak”, siç thonë detarët ulqinakë, deti ka atë bukurinë magjike të jashtëzakonshme që të tërheq dhe të cilën e vërejnë vetëm ata që e njohin dhe e duan detin, e respektojnë dhe shpeshherë i frikësohen fuqisë së tij

Ismet Karamanaga

“Davori, Varadero, Havana, Santo Domingo, Kuba, Brazili, La bamba” dhe e gjithë Amerika Latine në përgjithësi janë sinonimet e përbashkëta për Xhavid Vogliqin, njërin nga detarët më të “fortë” nga Rana e Ulqinit. Si ta përshkruash një njeri i cili më se 30 vjet ka lundruar me anije të ndryshme nëpër dete dhe oqeane? Ta përshkruash një fizionomi të rrallë, gjithmonë të qeshur, të butë dhe të mirë e të mos gabosh është vështirë.
Ndonëse sot është afër 80 vjeç, Davori për çdo ditë del në Ranë, shkon deri te Mendreqi dhe pastaj kafja e parë e mëngjesit në kafenenë “Timoni”. Rrin me ne, dëgjon, por edhe na bisedon për lundrime të shumta. Unë, Mustafa Canka, Gazmend Çitaku, Jusuf – Cufo Lika dhe disa të tjerë e dëgjojmë me vëmendje. Tavolina jonë gjendet në fund të kafenesë, me pamje në det, në horizontin e largët dhe në Kala. Lundrimet nëpër dete dhe oqeane, vendet dhe portet e Amerikës Latine ishin dhe kanë mbetur dashuria më e madhe e këtij njeriu të mirë nga Rana e Ulqinit. Xhavid Vogliqi është një burrë nga Rana (Përroni), me trup i vogël por me zemër të madhe, guximtar dhe trim në det dhe në lundrime. Është djali më i vogël i Cufo Vogliqit, kapedanit me nam nga Rana e Ulqinit. Peshkimin dhe lundrimin në det i ka filluar qysh si i ri. Kujton peshkimin me rrjeta në Bunë dhe flugën e bukur me katër rrema të Ndërmarrjes “Ribarsko” të Ulqinit, pastaj kthimin me rrema nga Buna deri në Mol, te Shkallat e Peshkaxhive.
Xhaviti ka rremuar shpeshherë në rremin e parë në bash, kurse në rremin e kiçit shoku i tij nga Rana – Berhan Kahari “Macani”. Që nga fëmijëria të gjithë ne ranacakët dhe kalalinjtë, me një durim të pafund kemi qëndruar në mol duke i pritur barkat që vinin aty, por edhe flugat plot me peshk nga peshkimi në Bunë. Më kujtohen dy lundrat: “Zhablaku” dhe në veçanti më e njohura ”Carev Laz”, në të cilën ishte kapedan Cufo Vogliqi, babai i tij, i cili më pas ka punuar edhe në jahtin “Nimet Allah” të mbretit Faruk të Egjiptit, ku ishin të punësuar disa detarë ulqinakë me nam.
“Koha kalon, por kujtimet mbesin përgjithmonë”, shprehet Davori me një nostalgji të madhe. Ende në zhargonin e tij tingëllon dhe përmendet shprehja e mësuar në Dalmaci, ku më së shumti ka punuar: “Bilo je ça je bilo, lipo je bilo dok je bilo, idemo za Santo Domingo”. Kjo shprehje, të cilën ne e përsërisim për çdo ditë, ka mbetur thellë në zemrën e tij nga lundrimet e rinisë në Dalmaci e më vonë në Amerikën Latine. Sot Davori është në pensionin e merituar. Ne që rrimë me të i themi shpesh në lojë se një pjesë e ka prej Tugjmanit e një pjesë prej Gjukanit.
Gjatë ndejave me të, bisedën e fillojmë me thënien e tij të njohur dhe pastaj shpeshherë na tregon ngjarje nga lundrimet e shumta kur ai ka lundruar në shumë anije tejoqeanike nëpër pothuajse tërë detet e botës. Flet me nostalgji të madhe për detarë dhe kapedanë. Edhe pse në moshë, është vital dhe vrapon shpeshherë deri te Mendreqi, kurse në stinët e pranverës dhe verës e përgatit sanallin dhe bashkë me dhëndrin apo me Fejzi Bushatin shkojnë në peshkim me rrjeta. Nuk mundet pa det dhe sanall!
“Prapë do të shkonte të navigonte. Ende jam i fortë, por nuk më lejon bashkëshortja ime Milihaja, as djali Safeti, kurse tash më ka frenuar fare edhe ’Davori’ i vogël, nipi im“, shprehet ai.
Davori ka edhe dy vajza të martuara për kalalinj. Mallin për det dhe lundrime e heq sadopak kur është moti i mirë. Del në det me sanall dhe shkon çdo mbrëmje dhe i lëshon rrjetat te “Guri i Madh”, te “Ponta e Blazhos” dhe pak më gjatë deri te Valdanosi. Në mëngjes i nxjerrë herë me peshk e herë pa gjë. Ashtu e ka peshku! “Ka bisht“, themi ne.
Jeta e këtij detari nuk ndryshon shumë nga ajo e detarëve të tjerë ulqinakë. Pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare, kërkon punë dhe përpiqet të barkohet. Përpos peshkimit në Bunë, në fillim ka punuar me Halit Selitën, pastaj me Rexhep Becin, me trabakullat e tyre.
“Kemi ngarku bastan në Bunë, prej Shtojit dhe e kemi çu në Bokë dhe Dubrovnik“, tregon Davori, dhe vazhdon më gjatë për fillimet e navigimit të detarëve ulqinakë.
“Kemi qenë të varur nga prodhimi i vajit, sepse nëse ka pasur vaj ose bostan, shpeshherë edhe dru për transport, atëherë kemi pasur edhe punë. Kam filluar në ‘Ribarsko’ të Ulqinit, pastaj në ‘Ribarsko preduzeqe Budva’ kemi shku disa ulqinakë. Në Budvë, në vitet ’60 të shekullit të kaluar kemi pasur kapedanin ulqinak, Musa Kaharin”, kujton ai.
Fillimet e vërteta të punësimit të organizuar gjenden në matrikullën e tij në “Dalmatinska plovidba – Vela-Luka”, “otok” Korçula, ku ka punuar 10 vjet. Qeshemi. E përkujtojmë që nga aty e ka pjesën e pensionit të “Tugjmanit”, kurse pjesën tjetër e ka prej “Millos” nga punësimet këtu në Mal të Zi. Një gjë që të bie në sy është fakti se në matrikullën e tij për të parën herë ndeshim që nacionaliteti të shënohet “shiptar”!
Ka punuar edhe në barka të huaja, prej vitit 1969 deri më 1975, dhe në fund kthehet në “Prekookeanska plovidba“ të Tivarit si timonier. Në kujtesën e tij përgjithmonë kanë mbetur emrat e kapedanëve të njohur ulqinakë – Musa Kahari, Rexhep Beci, Halit Sulejmani.
Në mesin e shumë lundrimeve i kujtohet sidomos qëndrimi në spirancë për afër pesë muaj në afërsi të Casablankës së Marokos, ku kapedan anijeje ishte ulqinaku i famshëm Rajko Razhnatoviqi, për të cilin Davori ka fjalët më të mira si komandant por edhe si njeri. Pastaj u kthye në Rijekë dhe Ulqin, ku edhe përfundon lundrimi i tij mbi 30 vite nëpër dete të ndryshme. Në vitin 1998 Xhaviti u punësua në hotelin “Galeb”. Me lejen e drejtorit shkoi edhe një herë shkurt në det dhe përsëri kthehet në “Galeb”, kur hoteli ishte i mbyllur, pa mysafirë, pa rroga.

  • Rri se pa rrimë! Pasa tempo!, – e përsërit edhe sot për çdo ditë, duke pirë kafen e parë, me sy dhe mendje nga Kalaja dhe horizonti i largët, ku dikur kalonin barkat dhe anijet e mëdha. Një nostalgji e pafund. Nuk mundet pa det, pa barka, pa sanalla!
    Davori nuk ankohet kurrë, por gjithmonë është në disponim. Në qëndrimin e tij nuk vërehen vështirësitë e jetës, brengat nga lundrimet e gjata, sepse këtë e ka kuptuar se është pjesë e jetës, si fat të cilit nuk ka mundur t’i iki. Deti ishte edhe është jeta e tij, thotë ai, dhe kurrë nuk është i penduar, sepse përveç vështirësive dhe “bukës me gjak”, siç thonë detarët ulqinakë, deti ka atë bukurinë magjike të jashtëzakonshme që të tërheq dhe të cilën e vërejnë vetëm ata që e njohin dhe e duan detin, e respektojnë dhe shpeshherë i frikësohen fuqisë së tij. Ka një të ecur karakteristike për të gjithë ata që kanë lundruar me anije.
    Nganjëherë e dëshmon veten edhe si sportist pasi që ende vrapon. Fotot që i mban me vete tregojnë qartë për aftësitë e tij, por edhe një nostalgji të madhe. Ka peshë të vogël, është i lehtë, themi këtu në Ulqin.
    Ai i takon asaj plejade të madhe detarësh të njohur, të cilët është mirë të përmenden dhe t’i kujtojmë duke i nxjerrë nga harresa dhe kthyer borxhin duke përkujtuar veprën dhe trashëgiminë tonë të lavdishme detare.
    Në librat e mi “Ulqini – monumente, portrete, ngjarje” dhe “Kalaja, legjendë dhe art” si dhe në revista të ndryshme kam shkruar për këto figura që kanë lënë gjurmë në jetën, kulturën dhe trashëgiminë tonë. Në mesin e tyre gjendet edhe Xhavit Vogliqi, alias Varadero, Davori…
    Ai ka qenë gjithmonë i pashëm, i bukur, i qeshur, i veshur elegant. Fotot tregojnë qartë “Marlon Brandon”, prandaj fotografia e tij në kohën kur ishte ushtar është për Gines, si dhe fotografia në majën e direkut duke u mbajtur me një dorë si atlet, në ndonjë trapez të ndonjë filmi me Burt Lankaster.
    Kemi kënaqësi të rrimë dhe të bisedojmë me Davorin, i cili në lojë shpesh na thotë: “Deri kur të ju mësoj më”? Pasa tempo!
    Pavarësisht vështirësive, ai thotë se në det ka pasur fat dhe i ka përballuar të gjitha.
    “Për të fituar bukën për familje kam shkuar në det, jam dashuruar në të dhe kurrë nuk e kisha ndërruar profesionin. Deti ka qenë jeta jonë. Shumë anëtarë të familjes Vogliqi nga Rana kanë lundruar me barka të ndryshme nëpër dete dhe oqeane. Të gjithë ne kemi qenë dhe jemi krenarë për këtë”, shprehet Davori.
    Flet me nostalgji për vëllezërit Ismetin, Omerin dhe Himin. Thotë se sikur ta linin, prapë do të lundronte. E ka të vështirë të pajtohet me faktin se jeta kalon dhe dikur i vjen fundi çdo gjëje.
    I dëshiroj jetë të gjatë dhe të lumtur, të dalë sa më tepër në Ranë, buzë detit, të shkojë në peshkim edhe shumë vite të tjera dhe të mos plaket kurrë.
    Davori na nevojitet, është i papërsëritshëm, unik dhe i rrallë.

Të fundit

më të lexuarat