Fadil Kroma

Pas sëmundjes së shkurtër ndërroi jetë Fadil Kroma. Bibliotekist, pensionist i vjetër.
Lindi në Ulqin në vitin 1941.

Kulla e vrojtimit në Pinjesh
Prejardhja e Familjes Kroma

Ne atë kohë, në anën e Pinjeshit e cila shikon në Mahallë të re dhe në Mezgjahun e vjetër, sunduesi turk ndërton kullë vrojtimi e cila ka qenë e banuar më ushtarë dhe ka pasur rolin edhe si pikë vrojtimi. Ky objekt i vjetër historik me siguri ishte ndër të parët mbas ardhjes të sunduesit turk. Pozita e këtij objekti kishte pamje në tri anë: në fushën e Ulqinit, deri në kufirin me Shqipëri, në Mal të Bardhë dhe në Pazarin e vjetër. Sipas studiuesit Fadil Kroma i cili ma dërgoi fotografinë e vjetër ndërmjet tjerave thotë:
“Me largimin e Turqisë në vitin 1880 Kulla e Vrojtimit kalon në pronësi të familjes Kroma.
I pari jonë. Tul Kroma ishte i punësuar në Kullë.
Kulla në Pinjesh ka qenë shtëpia e shtatë gjeneratave të familjes Kroma.
Të parët tanë vijnë nga rrethi i Krujës.”
Arsimimi
Fadil Kroma shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e Mësuesisë do ta përfundojë në Nikshiq. Kjo shkollë ka pasur një renome të veçantë. Nxënësit e saj prej Ulqinit ishin: Aleksanadar Aco Janinoviq, Jovanka Vujanoviq Kovaçeviq, Agim Qiqri, Ibrahim Ibroçi, Shyqyri Pelinku, Mehmet Aloja , Ruzhdi Karamanaga. Të gjithë këta kanë lënë gjurmë në arsimimin e Ulqinit në të dy gjuhët.
Fadili fillimisht punësohet në Shkollën fillore në Shtoj, mandej vazhdon në Shkollën fillore nën Kala-konkretisht në paralelen e saj në Braticë-viti 1965.
Punësimi në bibliotekë
Prej vitit 1967 fillon punën në Bibliotekën e Ulqinit. Më përpara aty punonte bibliotekistja e vjetër Natasha Gazivoda.
Biblioteka ka qenë fillimisht në Qendrën për Kulturë në Ranë. Kur ky objekt në vitin 1959 shndërrohet në ekspres restorant, biblioteka do të kalojnë në ndërtesën e cila ka qenë në afërsi të Pazarit të gjelbër ( sot Pazari i Suvenirëve). Biblioteka do të vendoset definitivisht në lokacionin e sotëm pas tërmetit më 1979.
Me ardhjen e Fadil Kromës ky institucion kulturor, arsimor, më së pari edukativ pajiset me libra të shumtë në të dy gjuhët: serbo-kroaten (sot malazeze). Normalisht, edhe në gjuhën shqipe. Fadili ishte qysh në fillim i angazhuar për ndërrimin e përmbajtjes së bibliotekës. Deri atëherë librat në gjuhën shqipe kanë qenë të paktë. Fadil Kroma luftoi që gjuha shqipe ta ketë vendin e vet.
Për këtë gjë ishte “në sy” dhe në “mbikëqyrje” të pushtetit të atëhershëm. Ishin ato kohëra të vështira pas vitit 1981. Për t’i tejkaluar këto probleme do t’i ndihmojë shoku i tij Aco Janinoviqi.
Krijues-publicist
Në dhjetë vitet e fundit duke u shoqëruar me Fadilin , mësova prej tij.
Jam krenar që i ndihmova ta publikojë monografinë lidhur me 100 vjetorin e bibliotekës në Ulqin. Dy-tri herë i fola:
“Fadil, ty të takon që të shkruash për zhvillimin, ecurinë, historikun e bibliotekës në Ulqin…Mjaft e ke të punosh nga dy orë në ditë: 1 orë para dhe një orë pasdite. Për tre muaj ti e ke gati “..
Dhe, Fadili filloi punën. Materiale ka pasur mjaft.
Doli monografia në dy gjuhë.
Në përurimin e kësaj vepre madhështore biblioteka ishte plot e mbushur me adhuruesit e kulturës, publicistikës. Moderator ishte shoku i tij Aleksandar-Aco Janinoviq.
Po e them lirisht:
Kjo monografi paraqet jetën, zhvillimin dhe historikun 100 vjeçar të bibliotekarisë në Ulqin. Punë e madhe, e vlefshme për kohën e tashme dhe gjeneratat e ardhshme.
Njëkohësisht:
Kurora e punës shumëvjeçare e tij.
Fadil Kroma ka botuar vetëm këtë monografi.
Ai zë vend të posaçëm në publicistikën dhe kulturën shqiptare.
Angazhimet në ruajtjen e folklorit
Në hapjen e Shkollës së Muzikës

Jo më pak i rëndësishëm ishte edhe kontributi i tij në ruajtjen e vlerave të folklorit. Po edhe mbështetja dhe puna e tij në hapjen e Shkollës së Muzikës në Ulqin.
Fadili, edhe pas daljes në pension ishte shpesh në hapësirat e bibliotekës. Punonjësit e saj e kanë pritur gjithmonë me respekt. Mendimet dhe sugjerimet e tij ishin të mirëseardhura.
Largimi nga jeta i Fadil Kromës është humbje për familjen e tij. Por, edhe për bibliotekën dhe gjithë kulturën e Ulqinit.

Të fundit

më të lexuarat