A ka ardhur koha për një Institut të Studimeve Shqiptare në Mal të Zi?

Lind pyetja se, përse nevojitet një institucion i tillë? E para, sepse shqiptarëve në Malin e Zi u mungon një institucion i tillë. Kushdo që e viziton Malin e Zi dhe e njeh realitetin aty, e di mjaft mirë se janë grupe individësh apo shoqata të ngritura në bazë vullnetare ato që përpiqen me mish e shpirt për të kujtuar dhe mbajtur gjallë traditat kulturore, historike e gjuhësore të kësaj gjeografie. Thënë ndryshe, fatkeqësisht, atë punë që duhet ta bëjnë institucionet shtetërore, këtu e bëjnë njerëz apo grupe të caktuara, në mënyrë vullnetare

Eduart Caka

Me gjithë tkurrjen demografike, emigrimin por edhe procesin asimilues që kanë kaluar prej dekadash, shqiptarët në Malin e Zi ende përbëjnë një faktor të rëndësishëm në kompozimin politik, ekonomik e kulturor të këtij shteti. Një rol, i cili ka ardhur vazhdimisht duke u rritur pas referendumit për pavarësi të vitit 2006. Prej kësaj kohe, pesha e shqiptarëve si në politikën qendrore ashtu edhe atë të nivelit lokal, ka ardhur duke u zhvilluar, element i cili nxjerr në pah dëshirën dhe vullnetin konstruktiv të kësaj bashkësie për një shtet me prosperitet dhe i integruar në proceset evropianizuese. Në sajë të këtij kohezioni social e politik, por edhe të një strategjie zhvillimore, sot Mali i Zi është edhe shteti me përparimin më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Mirëpo, megjithë kontributin konstruktiv në shtetndërtim e zhvillim, popullsia shqiptare në Mal të Zi ende përballet me probleme bazike në raport me atë që shteti ka për detyrë t’u sigurojë qytetarëve dhe bashkësive etnike që janë pjesë e tij, sikurse janë çështjet e pronësisë, të shpërndarjes në mënyrë të barabartë të të ardhurave për komunat, të planeve të investimit dhe infrastrukturës si dhe të garantimit të mbrojtjes së të drejtave etnokulturore e shpirtërore, elemente thelbësore të shoqërive të zhvilluara. Pikërisht në këtë prizëm mendoj se duhet parë edhe një nismë e ndërmarrë së fundi, ndonëse tejet e vonuar, por më e nevojshme se kurrë më parë: atë të hapjes së një institucioni të mirëfilltë shkencor që do të ketë si qëllim hulumtimin, konservimin dhe lidhjen ndërmjet së shkuarës, së sotmes e së nesërmes, të faktorit shqiptar në këtë hapësirë gjeografike.
Lind pyetja se, përse nevojitet një institucion i tillë?
E para, sepse shqiptarëve në Malin e Zi u mungon një institucion i tillë. Kushdo që e viziton Malin e Zi dhe e njeh realitetin aty, e di mjaft mirë se janë grupe individësh apo shoqata të ngritura në bazë vullnetare ato që përpiqen me mish e shpirt për të kujtuar dhe mbajtur gjallë traditat kulturore, historike e gjuhësore të kësaj gjeografie. Thënë ndryshe, fatkeqësisht, atë punë që duhet ta bëjnë institucionet shtetërore, këtu e bëjnë njerëz apo grupe të caktuara, në mënyrë vullnetare.
Mungesa e një institucioni të arsimit të lartë, ku e shkuara historike, gjuhësore e kulturore do të studiohet sipas metodave të mirëfillta shkencore, pikësëpari pengon nisjen e një tradite në këtë aspekt.
Së dyti, kjo mungesë pengon ngritjen e një klase intelektuale te shqiptarët, element që vërtetohet prej faktit se shumë profesionistë shqiptarë të këtushëm janë të angazhuar në botën universitare të Shqipërisë a Kosovës, në vend që të punonin në vendin e tyre.
Së treti, mungesa e këtij institucioni do të shuante plotësisht gjurmët historike shqiptare në Mal të Zi. Kjo, pasi monumente të vjetra të klerit, tradita e praktika të gjuhësisë dhe folklorit, gjurmë të toponimisë, mbishkrime e monumente, të cilat rrezikojnë ekzistencën si rrjedhojë e vjetërsimit apo mungesës së mirëmbajtjes, nëse nuk dokumentohen e studiohen, do të jenë të harruara për brezat pasardhës.
Sigurisht, nevoja për një institucion të tillë, nuk lidhet vetëm me ruajtjen dhe studimin e së shkuarës, por edhe me panoramën aktuale të demografisë, kulturës e gjuhës që paraqesin hapësirat shqiptare në këtë shtet. Studimi i realiteteve si emigrimi e diaspora, proceset evropianizuese dhe ndikimi i tyre në dinamikat sociale që paraqesin komunat shqiptare këtu, do të shërbejnë gjithashtu edhe si pika orientuese për politikat sociale e ekonomike që duhet të ndërmarrë pushteti qendror e lokal.
Jo vetëm kaq, por askush më mirë se studiuesit vendas nuk e njohin gjuhën, historinë, toponiminë, traditat dhe elementet lokale, gjë e cila nënkupton faktin se, krijimi i një institucioni të tillë shkencor do të ndihmonte edhe zhvillimin e albanologjisë në përgjithësi, pasi korpusit të saj i bashkëngjitet edhe një anë e njohur dhe e studiuar jo në nivelin e duhur.
Këto janë sipërfaqësisht dhe shkurtimisht disa prej nevojave që e bëjnë të detyrueshëm ngritjen e një institucioni shkencor të studimeve shqiptare në Mal të Zi, duke bërë që, fillimisht shqiptarët e këtushëm të kenë mundësinë e studimit në shtetin e tyre të historisë dhe kulturës së tyre dhe për më shumë, duke e futur edhe këtë vend në hartën e studimeve shqiptare bashkë me Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë e Veriut.
A kemi shembuj të ngjashëm?
Kjo është pyetja e radhës kur e shtron për diskutim një çështje të tillë. Dhe, përgjigjja është, po. Elitat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, dhe veçanërisht i ndjeri Arbën Xhaferi e projektuan Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni pikërisht si një institucion të nivelit të një akademie shkencash, përmes të cilit shqiptarët e këtushëm do ta studionin historinë dhe kulturën e tyre në të njëjtat nivele e cilësi si Akademia zyrtare e këtij vendi. Vitet e shkuara treguan se, fatkeqësisht, ky institucion i ngritur me kaq shpresa, nuk arriti t’i përmbushë pritshmëritë, dhe niveli i studimeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut lë për të dëshiruar.
Çfarë duhet pasur kujdes?
Përfshirja e politikës, krahinarizmi apo prevalimi i një religjioni apo grupacioni krahasuar me të tjerët, do të ishin edhe faktorët kryesorë që e çojnë në dështim funksionimin e një institucioni të tillë. Një frymë e tillë nuk do t’i shkonte për shtat mundit dhe sakrificës që shqiptarët kanë bërë në këtë hapësirë për më shumë se një shekull.
Pyetja e fundit: çfarë duhet bërë?
Puna kryesore i përket diplomacisë së dy shteteve shqiptare, përkatësisht asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat duhet ta mbështesin përmes kanaleve zyrtare këtë nismë të politikanëve dhe elitave shqiptare në Mal të Zi. Kjo, pasi një institucion i tillë, jo vetëm që është një e drejtë kushtetuese e kësaj popullsie, por edhe i shërben zhvillimit të shtetit në fjalë.
Ndërsa pjesën e dytë të përgjegjësisë, duhet ta ndajnë elitat kulturore dhe intelektuale shqiptare, të cilat e kanë detyrim moral, jo vetëm ta mbështesin një nismë të tillë, por të kontribuojnë me kapacitetet e tyre intelektuale si në themelimin e pikave orientuese të një institucioni të tillë, ashtu edhe në rritjen e cilësisë së tij me anë të mbështetjes institucionale dhe shkëmbimeve të botimeve dhe kërkuesve shkencorë.

Të fundit

më të lexuarat