
Atë ditë që u nisa për në Prishtinë, ishte ndër ditët më të gëzueshme në jetën time, sepse po nisesha drejt ëndrrës sime, të bëhesha student, të ulesha në bibliotekë prej vërteti, të lexoja, të studioja e të merrja dituri. Kisha mbaruar shkollimin e mesëm në gjimnazin tonë, në tempullin e gjuhës shqipe e të përgatitjes së gjeneratave malësore, pra në Gjimnazin “25 Maji” në Tuz. Për katër vite, kisha pasur një kujdestar dhe mbi njëzet profesorë, të cilët na kishin përgatitur, kush më shumë e kush më pak. Ata që na lironin nga orët e mësimit e na linin të shkonim për kafe i donim më shumë, sepse mosha e bën të veten, kurse profesorët të cilët na i kishin treguar rregullat, na shpjegonin, shkruanin me shkumësa me ngjyra në tabelë, sillnin mjete nga shtëpia për të na shpjeguar më mirë lëndët e tyre, nuk i donim edhe aq shumë. Por mbaj mend mirë se kujdestari ynë na thoshte se nuk mund t’i shtynte profesorët të na shpjegonin, ata që nuk donin e nuk dinin, porse neve, nxënësve, na e ndaloi të kërkuarit leje dhe pirjen e kafeve gjatë orarit të mësimit. Ne filluam të mos kërkonim leje dhe, në ato çaste, disa profesorë na ofronin orë “të lira”, siç i quanin ata, leje për kafe, “sepse jeni të rinj”, na thonin, porse ne nuk guxonim t’i thyenim rregullat e profesorit kujdestar. Klasa jonë dhe kujdestari ynë ishim dëshmi se si duhet të punohet me nxënësit, sepse për një gjysmëvjetor, ne kishim gjashtë mungesa me arsye e asnjë pa arsye. Edhe gjatë kohës që ne mësonim aty, na e kërcënonin profesorin kujdestar me largim, por edhe disa profesorë të tjerë që ishin punëtorë. Por, ato probleme në klasë ne nxënësve na i sillnin profesorët e dobët, ata që në vend se të zhvillonin mësimin sipas planprogramit, vinin për të na folur për kolegët e tyre, për politikën e për çdo gjë tjetër përveç mësimit.
Në bazë të të gjitha gjeneratave që kanë kaluar nëpër këtë gjimnaz, e kemi kuptuar se gjatë gjithë kohës ky gjimnaz është sulmuar vazhdimisht nga politika e kohës, është tentuar manipulimi i rinisë dhe, ç’është më kryesorja, shkatërrimi i vetëbesimit të nxënësve shqiptarë që shkollohen aty. Punësime partiake ka pasur prej kohës së komunizmit e deri në ditët e sotme dhe ky trend nuk është ndalur asnjëherë, përveç nëse këtë do ta ndalojë era e re dhe hyrja në familjen e madhe evropiane. Ne nuk i dinim lojërat politike që ngjanin, por, si të rinj, në shkollë ishim të ndarë në dy fronte: ata që mësojnë shqip dhe ata që mësojnë serbisht, ku, në zhargonin e nxënësve të shkollës sonë, ndaheshim në shqiptarë dhe shkije. Të gjithë që kanë mësuar aty e dinë këtë gjë. Se në paralelet ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe kishte edhe malësorë të të dyja konfesioneve, këtë e mësuam në vitin e parë të gjimnazit, pas një përballjeje frontale me grushta me një moshatar. Edhe përleshja mes nesh erdhi për fajin e profesorëve që nuk ishin të përgjegjshëm, sepse në orën e edukatës fizike ku ne po luanim futboll, një nxënës nga një paralele tjetër, hyri brenda sallës dhe pasi e gjuajti topin e basketbollit, e goditi shoqen time të klasës drejt e në fytyrë. Profesori ynë po pinte kafe në zyrën e vet, ndërsa ne u përleshëm për vetëmbrojtje.
Pasi erdhën prindërit tanë, ne u pajtuam dhe djali me të cilin ishim kacafytur ishte pikërisht nga Tuzi. Të dy i kërkuam falje njëri-tjetrit në shqip. Prej asaj dite, kam filluar të mendoj se përse shqiptarët e shkelnin gjuhën e vet, kulturën e vet, shkollën e historinë e vet, duke mësuar në një gjuhë tjetër pa pasur nevojë. Por kam kuptuar se sa dëme shkakton një mësimdhënës i cili vjen në punë për të marrë një rrogë, ose edhe më keq, vjen me qëllim për të shkatërruar një rini të tërë.
Kështu, nga ky gjimnaz, u nisa për në Prishtinë. Ishte një mrekulli ta prekja fizikisht e emocionalisht objektin më të shenjtë të kombit shqiptar – universitetin, fakultetet, profesorët, asistentët e madje edhe rojen e godinës. Ne ishim komb që kishte institucione. Ajo që do të kuptoja më pas ishte se, ne nuk duam t’i ruajmë institucionet, sepse ne nuk dimë të qeverisim. Më vonë, kuptova se kishte edhe institucione që ecnin rrugës, njerëz të dijes, shkencës e kulturës, që jetonin e vepronin për atdheun e tyre. Vërtet u ula në ulëset e bujshme të katedrës. Lexova nëpër bibliotekat e Prishtinës. Njoha se puna dhe përkushtimi ndaj kulturës së vet e bën vendin më të mirë, më të pasur e më të zhvilluar. Akoma pa diplomuar, u riktheva pa asnjë mëdyshje, siç kishin bërë gjeneratat më parë, në Malësi. U riktheva në Gjimnazin tonë, kësaj here si mësimdhënës, për të zëvendësuar profesorin tim të gjuhës, i cili shkonte në një detyrë të re. E doja mësimdhënien, arsimin, letërsinë, edukimin e brezave të rinj. Menjëherë pas kthimit dhe fillimit të punës, u bë zëvendësimi i drejtorit të shkollës. Nuk e kuptoja se përse drejtor ishte zgjedhur një mësimdhënës të cilin askush nga kolegët nuk e donte. Fillova të kuptoj se kolektivin, prindërit, nxënësit dhe vetë Ministrinë e Arsimit nuk i pyeste njeri për zgjedhjen e drejtorëve dhe se ata vinin nga radhët e politikës. Pra, nuk kishte një sistem i cili e vlerësonte punën, idenë, mendimin e kolektivit e të këshillave, por drejtorin e një institucioni shkollor e emëronte një, dy apo disa persona si një marrëveshje politike.
Malësia ishte në një tollovi politike. Kërkohej komuna e plotë, siç thuhej atëherë. Malësorët ishin të ndarë në shumë kampe, në shumë parti. Gjendja në shkollë ishte tejet alarmante, sepse nxënësit e jetonin në lëkurë të tyre presionin e politikës. Protestat për komunë dhe ngritja e zërit nga politika për të drejtat e shqiptarëve e sillnin këtë frymë edhe në shkollë. Incidentet mes paraleleve në dy gjuhë ishin të përditshme. Drejtorët në atë kohë vinin nga radhët e PDS-së e po ashtu edhe punësimet.
Por puna ime me nxënësit ishte një mrekulli më vete. Ata ishin të etur për dije, për të mësuar e për të nxënë. Kështu, pa u mbushur dy vite, pas orës së katërt, ditën e martë, teksa po shpjegoja realizmin magjik të Gabriel Garsia Markezit, drejtori më tha se nuk mund të më mbante në punë dhe se të nesërmen isha i lirë, pra të mos paraqitesha në shkollë. Ishte e rëndë, e vështirë dhe një goditje e cila më bëri të kuptoj shumë gjëra në jetë. Vërtet isha konfrontuar me drejtorin për shkak të problemeve që ai i kishte shkaktuar disa nxënësve. Unë iu kisha dalë në krah nxënësve dhe kisha luftuar me gjithë pasionin tim për arsimin, porse inspektori i arsimit në atë kohë, pasi kishte ardhur, i kishte thënë drejtorit që, për të tretur vëmendjen nga skandali që kishte shkaktuar ai vetë në ekskursionin e famshëm, të më largonte pikërisht mua, ngase unë isha person i papërshtatshëm, duke mos qenë anëtar i partisë së tyre, e as nuk kisha një vendim pune. Me një fjalë, isha një kafshatë e lehtë.
Pas largimit tim, nxënësit protestuan me muaj, për çka ka edhe incizime në YouTube. Televizioni Top Channel e trajtoi këtë problem, por vetëm aq. Unë ngela pa punë. Ky ishte momenti kur unë hyra në politikë, hyra në njërën parti shqiptare, emri i së cilës nuk ekziston sot, sepse është shkrirë në bashkimin me partitë e tjera shqiptare, dhe me tërë forcën u përfshiva në kërkimin e të drejtave tona, në të drejtën e vetëqeverisjes lokale. Ishte një punë e madhe, një përpjekje e madhe politike, e cila vazhdon edhe sot, por nuk u dorëzova përballë shtypjes. Shumë të rinj largoheshin nga Malësia dhe kishin të drejtë. Nuk kishte të ardhme, nuk kishte asnjë lloj mundësie për jetesë, përveç largimit. Me net të tëra kam qëndruar pa gjumë, duke menduar të largohesha, por, në vend të largimit, vendosa të bëja edhe master, pas fakultetit katërvjeçar për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi dhe studimeve trivjeçare që kisha ndjekur për Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Prishtinë. Me shumë vështirësi, u riktheva në mësimdhënie, në shkollën fillore në Tuz. Normën e plotësoja në Skorraq, në Sukruq e në Vuksanlekaj. Punova pothuajse katërmbëdhjetë vite në arsim, pa fituar vendimin e përhershëm për punë në arsim. Në shtatorin e vitit 2018, ngela edhe pa normë, ngase tuzjanët bënë një peticion që ora e Gjuhës shqipe, si lëndë fakultative, pa notë, por vetëm si kurs, të hiqej nga planprogrami. Nuk donin fare të dëgjonin për gjuhën shqipe, dhe ia dolën falë politikës. Kjo ishte një iniciativë e boshnjakëve në komunat ku mësimi zhvillohej në dy gjuhë, edhe pse politika do të bënte mirë të merrej me zgjidhjet ligjore të këtyre problemeve, deri më sot nuk e ka bërë. Por, me arritjen e statusit të Komunës së Tuzit, u punësova përfundimisht, por jo në sektorin për të cilin isha përgatitur e të cilin e kisha dashur me shpirt, pra arsimin.
E rrëfeva përvojën time me arsimin për të treguar në origjinal se me çfarë përballet arsimi në Malësi. Gjendja e sotme është e mjerueshme dhe, njëkohësisht, e pakuptueshme për mua si ish-mësimdhënës dhe si prind. Kafenetë në Tuz, në çdo orë të ditës, janë përplot me nxënës. Kur i pyes se përse janë jashtë, sepse njihemi, se Malësia një grusht njerëz është, nxënësit na thonë se profesorët i lëshojnë që të dalin jashtë, për të mos mbajtur orë. Habia ime më e madhe qëndron te mosreagimi i prindërve, të cilët e dinë gjithë situatën dhe heshtin. Si për çudi, për ta mjafton që fëmijët e tyre t’i kenë notat e mira dhe për dituri e shkollim nuk japin pesë lekë. Kështu është për një shumicë dërrmuese, sepse ka edhe prindër që vërtet janë shumë të interesuar dhe, do të thoja, të përgjegjshëm.
Ka edhe një problem akoma më të madh – sistemi arsimor është totalisht i politizuar, por rreziku më i madh është kur politika çon në poste të tilla njerëz që për arsimin, mësimdhënien, kurrikulën e për çdo gjë që ka të bëjë me edukimin arsimor, emëron njerëz të papërshtatshëm. Pastaj, heshtja e tyre dhe mosveprimi ose moskryerja e detyrës për çka janë emëruar, çon në ndihmesë direkte të shkatërrimit të arsimit, pra shkatërrimit të të rinjve.
E prej këtu fillon programimi i rinisë sonë për të marrë një diplomë, e jo për të marrë njohuri. Fillon përgatitja e brezit të ri përmes lidhjeve të ndryshme e njohjeve, e jo përmes meritës. Këtu, pikërisht në gjimnazin tonë, fillon degradimi i kulturës sonë. Në këtë lloj katrahure, përfiton vetëm asimilimi ynë – gjuhësor, kulturor dhe moral. Ai nxënës që e do diturinë dhe do të shkollohet rregullisht, ka një rrugë shumë të vështirë për të ndjekur dhe, megjithatë, ia kanë dalë mjaft që të bëhen kuadro të shkëlqyera.
Zhvillimet e fundit në Gjimnazin e Tuzit dhe gjendja në këtë institucion tregojnë se ne nuk kemi dalë nga ky qorrsokak ku kemi qenë dhe se vazhdojmë me po të njëjtën frymë. Për fat të keq, nuk kemi bërë progres, por kemi ngelur aty ku na ka lënë sistemi i mëparshëm, të cilin e kemi trashëguar pikë për pikë. E ky sistem është sistem shkatërrues për nxënësit. Këtu duhet të ndërhyjë politika, që njëherë e mirë, në postet e në detyrat e ndryshme arsimore, prej Ministrie e deri në mësimdhënie, të emërohen njerëz të profilit, e jo kombinatorika politike, kalkulime fetare, rajonale e ngjashëm.
Po si dreqin nuk e bëmë një plan për të përgatitur kuadrot tona deficitare dhe një plan për t’i mbajtur kuadrot tona ekzistuese, por po i largojmë e po mundohemi t’i shkatërrojmë edhe ata që i kemi?
Përse kuadrot që i kemi nuk mund të punojnë, e më pas t’i angazhojmë nga vendet tjera shqiptare në Mal të Zi, por kemi pranuar të tjerë dhe kuadrot tona janë pa punë?
Përse i favorizojmë ata që nuk duhet, që nuk kanë përgatitje adekuate, ata që kanë diploma të blera dhe, përmes tyre, pra me punësimin, avancimin dhe dhënien e pushtetit këtyre individëve, ne vrasim shpresat e të rinjve?
A mendoni se rinia jonë nuk i sheh këto anomali e këto probleme?
A mendoni se Bashkimi Evropian do t’i zgjidhë hallet tona? Unë shpresoj se po, por në Bashkim Evropian nuk shkohet me ligje e sisteme të kapura. Demokracia dhe sundimi i ligjit është vlera kryesore e Bashkimit Evropian.
E po, për të dalë nga ky asimilim e vetasimilim ku kemi hyrë me të madhe, duhet ndaluar dhe korrigjuar gabimi i parë, e që është – njerëzit e fushës në vendin e vet. Për të gjithë ka vend dhe të gjithë i duhen Malësisë, por politika duhet të fillojë korrigjimin e gabimeve që po e shkatërrojnë Malësinë. Kemi mjaft njerëz nëpër pozita të cilët nuk plotësojnë asnjë kriter për të qenë aty ku janë. Koha e emërimit të njerëzve sipas dëshirës e vullnetit politik të një përsoni ka mbaruar.
Dihet se Medreseja “Mehmed Fatih” merr shumicën e malësorëve të konfesionit islam. Dihet se një numër i malësorëve të të dy konfesioneve shkojnë në shkolla shtetërore në Podgoricë e gjetiu, për shkak të kësaj gjendjeje që ka ekzistuar dhe ne po vazhdojmë ta mbajmë me fanatizëm deri në rrënimin përfundimtar të këtij tempulli që do të duhej të ishte i shenjtë. Treguesi më i mirë është rënia e numrit të nxënësve prej viti në vit.
Unë po shkruaj, sepse i kam fëmijët duke u rritur dhe, me këtë sistem, ata nuk do ta gëzojnë jetën në Malësinë që po ua lëmë pas, por do të shkojnë atje ku ligji është ligj dhe politika i vlerëson njerëzit që duan dhe që dinë.
Gjeneratat e reja i kanë sytë e hapur por edhe mendjen. Ata ecin pa frikë, dhe, po ju them me gjithë zemer: ecni përpara dhe ndiqni rrugën e zhvillimit, sepse ju jeni ata që meritojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian. Ju mund ta shpëtoni Malësinë!
