Prishtinë – Artistja dhe akademikja Zake Prelvukaj hapi të hënën mbrëma, më 26 tetor 2026, ekspozitën e saj personale “Futurama”, në Galerinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), në Prishtinë. Ekspozita, e cila përfshin 14 piktura dhe 12 vizatime të realizuara gjatë periudhës së fundit të krijimtarisë së saj, sjell një udhëtim artistik përmes kohës, duke vënë në diskutim marrëdhënien mes njeriut, teknologjisë dhe së ardhmes.
Hapja solemne u zhvillua në praninë e figurave të larta institucionale, përfshirë Presidenten e Republikës së Kosovës, si dhe akademikëve, ambasadorëve, profesorëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe medieve.
E kuruar nga Arta Agani, me tekst kritik të shkrimtarit dhe akademikut Eqrem Basha, “Futurama” ndërtohet mbi moton “E djeshmja më tregoi të ardhmen për ta jetuar të sotmen”. Kjo ide përmbledh konceptin e ekspozitës, në të cilën kujtesa, përvoja dhe e kaluara shndërrohen në pikënisje për të përfytyruar të ardhmen.
Përmes pikturave dhe vizatimeve, Prelvukaj trajton transformimet e shoqërisë bashkëkohore, ndikimin e inteligjencës artificiale dhe mundësinë e ndryshimit të vetë qenies njerëzore në një botë ku kufijtë mes biologjikes dhe teknologjikes po bëhen gjithnjë e më të paqartë.
Tri faza të transformimit
Kuratorja e ekspozitës, Arta Agani, theksoi se njohja dhe bashkëpunimi i saj me Zake Prelvukajn, që zgjat prej rreth 30 vitesh, i ka mundësuar ta ndjekë nga afër zhvillimin artistik, intensitetin dhe përkushtimin e saj krijues. Ajo vuri në pah se vepra e Prelvukajt ka qenë vazhdimisht e ndërlidhur me zhvillimet shoqërore dhe politike, duke trajtuar tema si barazia gjinore dhe sociale, të drejtat e njeriut dhe raportet e pushtetit.
Duke folur për konceptin kuratorial të “Futurama”-s, Agani shpjegoi se ekspozita e fton publikun në një udhëtim nga e tashmja drejt së ardhmes, përmes një vështrimi kritik mbi transformimet që po përjeton shoqëria, veçanërisht revolucionin e inteligjencës artificiale dhe marrëdhënien gjithnjë e më të ndërlikuar mes njeriut dhe teknologjisë.
Sipas saj, rrëfimi i ekspozitës zhvillohet në tri faza: nga format organike dhe harmonike, që simbolizojnë zanafillën dhe ripërtëritjen, përmes një gjendjeje pezullimi e pasigurie, deri te transformimi i formave dhe ndërthurja e organikes me artificialen. “Organikja i lë vendin artificiales”, u theksua në prezantimin kuratorial, duke hapur pyetje mbi të ardhmen e qenies njerëzore, mundësitë që sjell zhvillimi teknologjik dhe rreziqet që mund të shoqërojnë këtë proces.
Përmes kësaj ekspozite, Agani e paraqiti krijimtarinë e Prelvukajt si një ftesë për të reflektuar mbi të ardhmen, mbi ndryshimet që po ndodhin dhe mbi vlerat njerëzore që duhet të ruhen në një botë gjithnjë e më të transformuar.
Kodet e pikturuara dhe lidhja me epokën digjitale
Një element dallues i ekspozitës është prania e kodeve të pikturuara në shumë prej veprave, të cilat ndërthuren me citate të lidhura me konceptin dhe përmbajtjen e pikturave. Ky element krijon një urë simbolike mes pikturës si medium tradicional dhe gjuhës teknologjike të kohës sonë. Veprat nuk kufizohen vetëm tek ajo që shfaqet në sipërfaqen e tablosë, por e ftojnë publikun të kërkojë lidhje mes imazhit, shenjës dhe idesë.
Në këtë mënyrë, “Futurama” shndërrohet në një hapësirë reflektimi mbi mënyrën se si teknologjia po ndikon në perceptimin dhe përvojën njerëzore.
Një krijimtari që sfidon tabutë
Zake Prelvukaj është një nga emrat e njohur të artit bashkëkohor në Kosovë. Përveç veprimtarisë së saj si artiste, ajo është anëtare korrespondente e ASHAK-ut dhe profesoreshë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Krijimtaria e saj është prezantuar në ekspozita personale dhe kolektive, brenda dhe jashtë vendit.
Në fillim të fjalës së saj, artistja dhe akademikja Zake Prelvukaj kërkoi një minutë heshtje në nderim të Arlinda Zekajt. Ky moment solemn u lidh edhe me angazhimin e vazhdueshëm të artistes për çështjet që lidhen me gratë, të drejtat e tyre dhe pozitën e tyre në shoqëri. Përmes veprimtarisë së saj artistike, Prelvukaj ka trajtuar vazhdimisht tema të ndjeshme shoqërore, duke e përdorur artin si mjet për të ngritur zërin kundër padrejtësive dhe për të nxitur reflektim.
Ekspozita nuk ofron një përgjigje të vetme për të ardhmen, por e fton publikun të mendojë për mundësitë, dilemat dhe përgjegjësitë që sjell transformimi teknologjik. Mesazhi i saj mbetet i lidhur ngushtë me moton që e përshkon të gjithë ekspozitën: e kaluara ndihmon në përfytyrimin e së ardhmes, ndërsa e tashmja është hapësira ku vendoset se si do të jetohet ajo.
Intuita, kreativiteti dhe përfytyrimi i së ardhmes
Duke folur për gazetën “Koha javore”, për burimin e brendshëm të krijimtarisë së saj, Prelvukaj e lidh procesin artistik me intuitën, kreativitetin dhe aftësinë për të përfytyruar forma të tjera të ekzistencës.
“Jep intuitën. Intuita është më e fuqishme se intelekti. Jep gjithçka, jep kreativitetin tënd, jep edhe mundësinë që gjërat të mund të jenë ndryshe”, shprehet artistja në përgjigjen e saj për atë që sjell nga vetja në këtë ekspozitë.
Ajo e sheh krijimtarinë si një proces të brendshëm, përmes të cilit artisti përpiqet të imagjinojë edhe transformimet që mund të pësojë njeriu në të ardhmen.
“Është njëfarë monologu: si do të jetë Zake në të ardhmen, si mund të shndërrohemi, si mund të jemi”, shpjegon Prelvukaj, duke e lidhur këtë pyetje personale me një dilemë më të gjerë mbi të ardhmen e njerëzimit.
Artistja dhe akademikja Zake Prelvukaj foli edhe për lidhjen e saj me Malin e Zi dhe Kosovën.
“Unë mundohem t’i bashkoj të gjithë shqiptarët përmes artit tim. Ju e dini që një këmbë e kam në Mal të Zi e një këmbë në Kosovë. Gjaku im është atje, por lëkura ime është Kosova”, u shpreh Prelvukaj për “Koha javore”.
Përmes këtij mesazhi, ajo vuri në pah lidhjen e saj të veçantë me të dyja hapësirat shqiptare, duke e konsideruar artin si një urë që i afron njerëzit, ruan identitetin e përbashkët dhe kapërcen kufijtë gjeografikë.
Dafina Teliqi – Rexha
