Donacion për pikën kufitare Vërmosh – Guci

Donacioni i vuthjanit Kelmend Ahmetaj dëshmon se kontributi për vendlindjen nuk matet vetëm me madhësinë e investimit, por edhe me vullnetin dhe përkushtimin për të bërë diçka të dobishme për komunitetin

Një gjest domethënës i Kelmend Ahmetajt nga Vuthajt ka tërhequr vëmendjen në pikën kufitare “Bashkimi”, në Vërmosh – Guci, ku është vendosur një barrierë e re elektrike, falë donacionit të tij, thuhet në faqen e portalit “Plava e Gucia sot”.
Këtë veprim fisnik e ka bërë të ditur bashkëvendësi i Kelmendit, Naser Vuçetaj, i cili gjatë kthimit të tij përmes kësaj pike kufitare, ka vërejtur ndryshimin dhe ka ndarë me publikun një përjetim të veçantë.
Në rrëfimin e vet të rastit, Vuçetaj shprehet:
“Sonte, gjatë kthimit, në pikën kufitare ‘Bashkimi’ në Vërmosh – Guci, më ra në sy barriera e re elektrike, e cila i ka dhënë një pamje më të rregullt kësaj pike kufitare. Nga kureshtja pyeta një nga policët kufitarë se kur ishte vendosur. Përgjigjja e tij më befasoi dhe, njëkohësisht, më bëri të ndiej një krenari të veçantë: ‘Është donacion i Kelmend Ahmetajt nga Vuthajt.’
Nuk është vetëm një barrierë elektrike. Është një gjest i vogël në dukje, por i madh në kuptim. Vepra të tilla janë shembulli më i bukur se si dashuria për vendlindjen mund të shprehet jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.” Shembull ky konkret i dashurisë për vendlindjen.
Donacioni i vuthjanit Kelmend Ahmetaj dëshmon se kontributi për vendlindjen nuk matet vetëm me madhësinë e investimit, por edhe me vullnetin dhe përkushtimin për të bërë diçka të dobishme për komunitetin.
Pika kufitare Vërmosh – Guci ka një rëndësi të veçantë për banorët e Kelmendit, Plavës e Gucisë, si dhe për të gjithë ata që udhëtojnë ndërmjet dy anëve të kufirit.
Gjesti human dhe fisnik i Kelmend Ahmetajt nga Vuthajt është vërtet një shembull pozitiv i përgjegjësisë qytetare dhe i dashurisë për vendlindjen. Sepse atdhedashuria nuk dëshmohet vetëm me fjalë të bukura, por mbi të gjitha me vepra konkrete.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat