
Media, në të gjitha format dhe dimensionet e saj, prej kohësh është cilësuar si “pushteti i katërt”, pas atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ky cilësim i është atribuuar për shkak të rolit të jashtëzakonshëm që ka në mbikëqyrjen e pushtetit, mbrojtjen e interesit publik dhe kërkimin e llogaridhënies.
Po sot, a po e ruan ende këtë funksion dhe mision, apo është distancuar nga roli për të cilin e mori këtë emërtim? Është kjo një pyetje që shtrohet herë pas here.
Fatkeqësisht, në shumë raste, përgjigjja nuk është inkurajuese. Një pjesë e medias sot duket sikur i shërben më shumë interesave të ngushta politike, ekonomike apo personale sesa interesit të përgjithshëm publik.
Në vend që të jetë zëri i qytetarëve përballë institucioneve dhe mbrojtësi kryesor i interesave të tyre, ajo shpesh u jep përparësi deklaratave zyrtare, promovimit të aktiviteteve dhe një qasjeje lavdëruese ndaj atyre që ushtrojnë funksione publike, më shumë sesa trajtimit kritik të çështjeve që i prekin qytetarët.
Një prirje e tillë e dobëson rolin mbikëqyrës të medias, sepse në vend që të kërkojë përgjigje dhe përgjegjësi, ajo rrezikon të mbetet vetëm një përcjellëse e informacionit të prodhuar nga vetë institucionet.
Në këtë realitet, në plan të dytë apo edhe të tretë mbeten pikërisht ato çështje për të cilat qytetarët kanë më së shumti nevojë të dëgjohen – problemet e tyre të përditshme, hallet, shqetësimet, kërkesat dhe nevojat për një përgjigje nga institucionet.
Media, me të gjithë vektorët që e përbëjnë atë, përtej rolit informativ për të përçuar atë që ndodh në shoqëri, ka edhe detyrimin për të pyetur, verifikuar, hulumtuar dhe kërkuar përgjegjësi. Pikërisht ky është funksioni primar dhe themelor që duhet ta dallojë gazetarinë profesionale nga thjesht transmetimi i informacionit. Pasi një media që nuk ngre pyetje, që nuk kërkon përgjigje dhe që nuk i trajton problemet reale të shoqërisë, gradualisht largohet nga misioni i saj parësor, duke e humbur funksionin që i takon ta përmbushë.
Por, për ta kuptuar këtë realitet, duhet parë edhe gjendja në të cilën ndodhen vetë mediat dhe njerëzit që punojnë brenda tyre.
Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet gazetaria sot, krahas vështirësive të tjera që lidhen me mungesën e kushteve optimale të punës dhe faktorëve të tjerë, është censura dhe vetëcensura. Në shumë raste, gazetarët përballen me presione të ndryshme, qofshin ato politike, ekonomike apo të natyrave të tjera.
Dhe kjo ndikon pa dyshim drejtpërdrejt në lirinë e tyre për të trajtuar tema të ndjeshme, për të ngritur çështje që prekin interesin publik dhe për të bërë pyetjet që duhet të bëjnë.
Vetëcensura madje është një nga format më të dëmshme për gazetarinë, sepse, edhe pse nuk shihet nga syri i publikut, pasojat e saj ndihen nga vetë ata që janë pjesë e redaksive. Kur një gazetar shmang një temë për shkak të pasojave që mund të ketë, atëherë nuk dëmtohet vetëm puna e tij, por në mënyrë indirekte dëmtohet edhe e drejta e publikut për t’u informuar.
Në këtë prizëm, një rol të rëndësishëm kanë edhe vetë drejtuesit e mediave – redaktorët dhe kryeredaktorët, të cilët duhet të mbajnë një përgjegjësi të veçantë për orientimin editorial të një mediumi, por edhe për të siguruar që redaksitë që menaxhojnë të kenë mirëqenie dhe kushte adekuate për të funksionuar. Përtej statusit dhe privilegjeve që u sjell pozita e tyre drejtuese, nga ata pritet të jenë njerëzit që i mbrojnë standardet profesionale, pavarësinë editoriale dhe interesin publik.
Në jo pak raste, mënyra e drejtimit të disa mediave ka ndikuar që gazetaria kritike të zëvendësohet me një gazetari më shumë afirmuese, ku hapësirë më e madhe u jepet promovimit dhe paraqitjes pozitive të individëve apo aktorëve të caktuar publikë, sesa analizës, pyetjeve dhe trajtimit të problemeve reale të shoqërisë. Dhe një praktikë e tillë e largon median nga roli i saj dhe e dobëson besimin e publikut tek ajo.
Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe pozita e vetë gazetarëve. Nuk mund të kërkohet të bëhet gazetari cilësore, profesionale dhe e pavarur nga gazetarë që punojnë në kushte të pafavorshme, pa siguri të mjaftueshme profesionale dhe pa vlerësimin që meritojnë për punën, përgatitjen profesionale dhe statusin që kanë.
Gazetarët janë ata që çdo ditë përballen me terrenin, me kërkesat e profesionit dhe me përgjegjësinë për të informuar publikun. Prandaj, respektimi i tyre, krijimi i kushteve më të mira të punës dhe garantimi i pavarësisë së tyre profesionale, janë elemente themelore dhe të domosdoshme për një media serioze dhe në shërbim të publikut të gjerë.
Ka edhe nga ata që ushtrojnë funksione të rëndësishme vendimmarrëse, të cilët, në përpjekje për të fituar simpati, pikë politikë dhe publicitet, trumbetojnë angazhimin e tyre herë në rrjete sociale e herë në ndonjë media që u jep hapësirë, duke u përpjekur ta paraqesin veten si dëshmi të përmirësimit të gjendjes së disa mediave.
Përmes këtyre paraqitjeve shpesh ata përpiqen të krijojnë përshtypjen në opinionin publik se janë bërë vërtet hapa konkretë dhe të rëndësishëm për mirëqenien e këtyre mediave dhe për përmirësimin e kushteve të funksionimit, duke u zotuar dhe duke proklamuar se situata në to do të shënojë progres të dukshëm.
Por, në realitet, përtej këtyre premtimeve dhe “angazhimeve” të deklaruara, gjendja me të cilën përballen redaksitë dhe punonjësit e tyre nuk korrespondon gjithmonë me atë që paraqitet publikisht, pasi në shumë raste realiteti tregon një pamje tjetër.
Sepse kush e njeh nga afër realitetin e një redaksie, e di se mirëqenia e një medieje nuk fillon dhe nuk përfundon me deklarata publike, por me kushtet reale në të cilat punojnë njerëzit që mbajnë mbi supe misionin e saj, ndërsa përparimi matet me veprime konkrete dhe të realizueshme.
Në thelb të misionit të saj, media ekziston për t’i shërbyer publikut të gjerë dhe asnjëherë nuk duhet të jetë zëdhënëse e interesave të ngushta. Ajo duhet të jetë një urë lidhëse mes qytetarit dhe institucioneve, ku çdo qytetar mund të gjejë informacion dhe kritikë që nuk synon sulmin ndaj askujt, por ndërgjegjësimin e atyre që janë të ngarkuar dhe të zgjedhur për t’i trajtuar me përgjegjësi çështjet dhe nevojat që prekin drejtpërdrejt qytetarët që përfaqësojnë.
Prandaj, pyetja nëse media po e ruan sot funksionin e saj si “pushtet i katërt” mbetet një pyetje që duhet t’ia bëjë vetes jo vetëm çdo gazetar i përgjegjshëm, por e gjithë shoqëria.
Një medie që e humb pavarësinë, zërin kritik dhe lidhjen me qytetarin, humb edhe një pjesë të rëndësishme të rolit që ka në një shoqëri demokratike.
