Në komunën e Plavës është në vazhdë edicioni i 26-të i manifestimit tradicional bujqësor, kulturor, letrar, artistik, teatror, muzikor dhe sportiv “Ditët e Boronicës”, i cili ka filluar më 12 korrik dhe do të zgjasë deri më 4 gusht 2026.
Ky edicion edhe këtë vit mbahet në organizimin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” dhe me mbështetjen e Komunës së Plavës, Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” dhe Organizatës Turistike të Plavës.
Edhe këtë verë, Plava sërish hap dyert e veta të manifestimit të madh, i cili për më se një çerekshekulli formëson identitetin e vet kulturor. “Ditët e Boronicës” sjellin program përmbajtësor dhe të larmishëm, i konceptuar me kujdes që të lidhë artin, muzikën, letërsinë, sportin, turizmin, traditën, krijimtarinë vendore dhe bukuritë natyrore të kësaj treve.
Rol të veçantë në zhvillimin bashkëkohor të manifestimit pa dyshim ka drejtori i Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, Vlladimir – Vllado Knezheviq, njëri prej arkitektëve më të njohur dhe përfaqësues të kulturës së Plavës. Energjia, përkushtimi dhe aftësia e tij që të tubojë institucionet, artistët, qytetarët, mysafirët dhe miqtë e qytetit, i kanë kontribuuar asaj që “Ditët e Boronicës” prej vitit në vit të fitojnë shprehje të fuqishme programore, publik më të gjerë dhe vend gjithnjë më të dukshëm në skenën kulturore të Malit të Zi.
Duke folur mbi rëndësinë e manifestimit të sivjetmë, me rastin e hapjes së tij më 12 korrik, drejtori Knezheviq theksoi se 26 vjet të qëndresës së manifestimit, i obligojnë të ruajnë ato që gjeneratat kanë krijuar para tyre, por edhe që çdo edicioni të ri t’i dhurojnë aktivitete më bashkëkohore, energji të re dhe përmbajtje që i përgjigjet sot Plavës.
“’Ditët e Boronicës’ u takojnë të gjithë qytetarëve, diasporës sonë, mysafirëve, artistëve, sportistëve dhe të rinjve. Dëshira jonë është që Plava gjatë kohëzgjatjes së manifestimit të bëhet skenë e madhe e hapur në të cilën do të prezantohen e tërë bukuria e kësaj treve, por edhe forca e njerëzve të tij”, është shprehur ai.
Mbështetje të madhe për mbajtjen e këtij manifestimi ofron Komuna e Plavës, në krye me kryetarin e saj Nihad Canoviq, duke njohur rëndësinë e tij për jetën kulturore, promovimin turistik dhe zhvillimin e tërësishëm të qytetit.
Gjatë 23 ditëve sa do të zgjasë manifestimi është përpiluar programi si pasqyrë e Plavës bashkëkohore. Në ambientin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Shtëpisë së Kulturës në Murinë, sheshit të qytetit në Plavë dhe hapësirave të parapara të natyrës në nënqiellin e hapur, do të organizohen dhe mbahen aktivitete shumëpërfshirëse me rëndësi, peshë dhe vlerë të lartë. Publikun e presin koncerte të interpretuesve të njohur nga rajoni, promovime të veprave letrare, ekspozita, filma dokumentarë, mbrëmje të poezisë dhe muzikës, rivista folklorike, programe teatrore dhe për fëmijë, gara sportive, marshime bjeshkatare, rafting, gara çiklistike dhe motoçiklistike, turne tenisi dhe shahu, foto safari, vozitje me barra dhe kinema nën qiellin e hapur. Vend të rëndësishëm kanë programet kushtuar boronicës, ushqimit vendor, prodhimeve bujqësore, punëdoreve dhe sofrës tradicionale të Plavës, me çka lidhet kultura, turizmi dhe ekonomia lokale. Manifestimi njëkohësisht hap hapësirë për të rinjtë, artistët, sportistët, krijuesit kulturorë, diaspora dhe të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë të kontribuojnë për mbarëvajtjen e tij.
Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet vjeljes së frytit të boronicës, këtë verë në liqenin e Hridit në Bogiqevicë, ku do të kyçen shumë vjelës, kryesisht vashëza nga treva e komunës së Plavës.
Manifestimi tradicional “Ditët e Boronicës” ka filluar të dielën, më 12 korrik 2026, me garën çiklistike mountain bike dhe në orët e mbrëmjes me koncertin e këngëtarit të njohur të këngëve zbavitëse, Pegja Jovanoviq, kurse në mbrëmjen e ditës së tretë të manifestimit, në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” është promovuar libri monografik “Plavsko-Gusinjske Planine” (Bjeshkët e Plavë-Gucisë) të autorit plavjan Mr. Halil Markishiq, për të cilin folën Prof. Dr. Ibro Skenderoviq, Sallko Lluboder dhe vetë autori.
Në kuadër të këtij manifestimi, të premten e fundit të këtij muaji, më 31 korrik 2026, solemnisht do të shënohet Dita e Komunës së Plavës.
Në ditën e fundit të manifestimit, të martën më 4 gusht 2026, këshilli organizativ në mënyrë solemne do të shpallë Miss-in (Bukuroshen) e boronicës, vjelësen më të re dhe atë më të shpejtë të frytit të boronicës, me ç’rast do të ndahen fletëfalënderime dhe plaketa për pjesëmarrësit e suksesshëm, nën përcjelljen e programit të larmishëm argëtues muzikor në ambientin e hapësirës së sheshit të qytetit.
“Ditët e Boronicës” janë më tepër se festival. Ato janë dëshmi e dashurisë sonë ndaj natyrës, vendit tonë dhe ndaj njëri-tjetrit. Ato po ashtu janë rast që të gjithë së bashku të gëzohen, mësojnë dhe krijojnë kujtime të cilat do të mbeten të paharruara gjatë tërë jetës. Ky manifestim tradicional i komunës së Plavës pa mëdyshje është panoramë shpirtërore e një rajoni. Ai është kremte që tubon gjenerata, zhvendos kufij, zgjon kujtime dhe krijon miqësi të reja.
Shaban Hasangjekaj
