Humanistët më të zellshëm të njerëzimit ndër shekuj

Toni Ujkaj

Roli dhe kontributi që ka mjeku në shoqëri, jo vetëm sot, por ndër vite, dhe në tërësi i personelit mjekësor, zë vend jashtëzakonisht të rëndësishëm në shoqëri.
Imagjinojeni se si do të ishte bota vetëm për një ditë pa mjekët, pa personelin mjekësor e pa institucione të shëndetësisë. Paramendojeni sa të sëmurë do të vdisnin, sa të tjerë me probleme kronike shëndetësore dhe të sëmurë të çastit, do të mbesnin në mëshirën e Zotit, dhe jeta e tyre ndoshta do të mbaronte për disa sekonda, apo orë.
Duke e imagjinuar një skenar të tillë i cili do të kishte pasoja kolosale, lind një arsye logjike, morale e njerëzore që të ndalemi për një çast dhe të reflektojmë thellë, e të mendojmë se sa i çmuar, i domosdoshëm dhe jetik, është roli i mjekut në shoqërinë njerëzore.
Mjekët duhen konsideruar dhe personifikuar si individë me virtytet më larta humane dhe njerëzore, duke u nisur nga lloji i veprimtarisë që ushtrojnë në shoqëri.
Kontributi i tyre në shoqëri, nuk mund të matet apo krahasohet me asnjë profesion tjetër në morinë e profesioneve që ka shoqëria njerëzore. Mjekët nuk duhet shikuar si dikë që kryen punën sepse për të paguhet, merr rrogë. Jo, profesioni i mjekut duhet parë në një këndvështrim shumë më të gjerë se kaq. Fusha e mjekësisë nuk duhet shikuar asnjëherë vetëm si një profesion, por është shumë më tepër se kaq. Mjekësia është një mision human, fisnik e njerëzor që tejkalon çdo profesion tjetër në shoqëri për nga përgjegjësia e kompetenca që ka, por edhe nga rëndësia e pazëvendësueshme me asnjë fushë tjetër të shoqërisë.
Njeriu, që foshnjë, por edhe më vonë në të gjitha fazat e jetës, ka nevojë permanente dhe të pashmangshme për mjekët, për institucionet shëndetësore dhe në tërësi për personelin mjekësor.
Një dhimbje, kudo dhe sado e vogël ta ketë në trup, ai menjëherë ndihmën e parë dhe personi i parë që i bie ndërmend ta kontaktojë dhe vizitojë, është mjeku- shtëpia e shëndetit apo spitali. Dhe menjëherë pas marrjes së ndihmës nga mjeku dhe me të lehtësuar të dhimbjeve, individi ndjehet sikur u lind për së dyti, pra, është mjeku ai i cili bënë të ndjehemi më mirë, më pozitiv dhe i cili na rikthen shpresat për të vazhduar jetën e mëtejshme.
Dhe kur bëjmë më mirë apo shërohemi plotësisht, qoftë nga sëmundje të ndryshme, qoftë nga aksidente apo fatkeqësi të tjera që janë pjesë e paevitueshme e jetës së gjithsecilit, ndalemi dhe reflektojmë. E shohim figurën e mjekut si diçka hyjnore, pas Zotit. Pse si diçka hyjnore? Sepse është pikërisht mjeku ai i cili na gjendet më afër se askush tjetër, për çdo trazim dhe shqetësim që mund të kemi në çdo periudhë të jetës, deri në vdekje.
Pra mjekët duhen konsideruar dhe vlerësuar si heronj të vërtetë për gjithë kontributin e tyre të paçmuar që i japin shoqërisë njerëzore nga dita në ditë, nga muaji në muaj e nga viti në vit. Kontributi i tyre sublim, duhet çmuar dhe vlerësuar nga e gjithë shoqëria, që nga njerëzit e zakonshëm e deri tek institucionet qeveritare dhe joqeveritare.
Ndonëse shpeshherë veprimtaria aq humane e mjekut dhe në tërësi e personalit mjekësor, nuk është e vlerësuar sa duhet, është koha e vetëdijesimit dhe nderimit në çdo aspekt ndaj punës dhe misionit të mjekut. Ata duhet çmuar dhe vlerësuar me të gjitha mundësitë e mundshme, dhe të tregohet dashuri, kujdes dhe respekt për të gjithë mantelbardhët nga e gjithë shoqëria. Po ashtu ndaj tyre, duhet treguar edhe mbështetje materiale dhe financiare nga institucionet relevante, për përmirësimin dhe avancimin e statusit të tyre në shoqëri, për një status më të mire që ata do të duhej ta gëzonin në shoqëri, si “shpëtimtarë” të njerëzimit.
Mund të thuhet se mjekët ende nuk gëzojnë vëmendjen e merituar nga shoqëria apo nga institucionet, për veprimtarinë e tyre që kryejnë. Vlerësim ndaj punës së mjekut nuk mund të jetë vetëm një falënderim dhe mbështetje morale. Atyre u nevojitet edhe mbështetje financiare për përmirësimin e kushteve në vendet e punës dhe në tërësi për një mirëqenie më të favorshme, ndër të cilat do të hynte padiskutim edhe paga më e kënaqshme për llojin e punës që kryejnë në shoqëri.
Nisur nga një sërë arsyesh të pafundme, se pse duhet nderuar dhe vlerësuar pa asnjë rezervë kontributi i mjekut në shoqëri, marr shkas të konkludoj se ata janë njerëzit që duhet ngritur në piedestalin më të lartë të nderimeve dhe vlerësimeve për misionin e tyre të shenjtë që ushtrojnë ndër shekuj.
Për të gjithë ata që nuk e kanë njohur sa duhet angazhimin, bamirësinë, mundin, sakrificën dhe atributet shumëdimensionale të mjekut në shoqëri, paten rastin që t’i njohin ato më së miri në kohën e pandemisë së koronavirusit (nga fundi i vitit 2019), gjatë një situate dramatike e cila gjunjëzoi botën e njëkohësisht, mobilizoi gjithë personelin dhe institucionet mjekësore botërore në shërbim të njerëzimit. Veprimtaria e tyre humane dhe njerëzore nuk kishte orar të caktuar, por ndihma dhe nevoja e tyre i duhej më shumë se kurdoherë tjetër botës mbarë, në çdo orë të ditës dhe natës. Ata ishin kujdestarët më të mëdhenj të të prekurve nga kjo sëmundje, me një objektiv të qartë dhe të vetëm, atë të shpëtimit të jetës së njerëzve, edhe pse duke shpëtuar të tjerët e duke vënë në dispozicion të tyre të gjithë potencialin intelektual dhe teknik, shumë mjekë e humbën edhe jetën e vetë.
Nisur nga skenari më i trishtë që përjetoi njerëzimi që nga koha e gripit spanjoll (1918-1920), ne duhet të dimë të gjykojmë në mënyrën më të arsyeshme të mundshme ndaj figurës, rolit, rëndësisë, sakrificës, përpjekjes, këmbënguljes, kontributit të pareshtur dhe vetëflijimit që kanë dhënë mjekët në të gjitha etapat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore.
Ne si individë, të gjithë së bashku, të cilitdo profesion qofshim, duhet të dimë t’i çmojmë dhe t’ u japim mjekëve respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të sinqertë për gjithçka që ata i japin shoqërisë njerëzore, në shpëtimin e jetëve, shërimin e të sëmurëve, në avancim e sistemit shëndetësor në shkallë globale, dhe për gjithë angazhimin e tyre konsistent dhe të palodhshëm në fushën e mjekësisë.
Prandaj, duhet thënë, nderim dhe lavdi të përjetshme ndaj gjithë mjekëve të përkushtuar të cilët jetën e vetë e vendosin në shërbim të humanizmit, e që Betimi i Hipokratit mbetet gjithnjë, udhërrëfyesi i misionit të tyre për të shpëtuar jetë njerëzish.

Të fundit

më të lexuarat