Tallava muzika dhe politika shqiptare

Fjala “tallava” është një fjalë e pakuptimtë, një fjalë që çuditërisht lehtë depërtoi në të folmen shqipe. Kjo fjalë përdoret në “artin muzikor”, në muzikën popullore sentimentale, të cilën, në anën tjetër, sllavët e kishin quajtur “turbo-folk”! Një melodi me nota muzikore serbe, me ritëm grek, me instrumente turko-arabe, me formën e këndimit rom, me tekste të përkthyera nga indishtja, e kënduar nga një pseudo-këngëtar shqiptar! Kjo është tallava!

Qani Osmani

Fenomeni “tallava” shpreh tendencën “e globalizimit” allaserbçe të muzikës që kultivohet në Ballkan, shtrirjen e bastardimit të muzikës popullore deri në përmasat e imponimit të një lloj vlere që mund të jetë e pranueshme vetëm për shpirtin zombie.
Fatkeqësisht, plagjiatura, kompilimi muzikor si dhe përpjekja për imitim janë karakteristikë e tallavasë, ndërsa piku i tragjedisë arrihet kur bartës të këtij fenomeni nisin të bëhen “vip”-at, d.m.th estrada kombëtare (ne paskemi estradë?!) dhe kur tërë kjo fatkeqësi kombëtare nis dhe emetohet nga televizionet kombëtare.
Pra, pa dyshim, ky fenomen tashmë ka gjetur edhe përkrahje institucionale shtetërore! Kësisoj, pa fije hamendësimi mund të konstatojmë se, sot, kemi një shtresë të gjerë të popullatës me shije të topitur muzikore, me nevojë shpirtërore për t’u dëfryer me “muzikën” pleh, për t’u identifikuar me krenari kombëtare me një “muzikë” që ta mbyt ngadalë identitetin muzikor, që të hedh pikë gjigante të helmit në botën e madhe kulturore kombëtare.
Në botën perëndimore, sidomos në Evropë, kah fillimi i rrymave të reja të artit (“neo…”), u shfaqën edhe dy dukuri me të cilat sot emërtohen antivlerat: shund-i, “arti pleh”, që në gjuhën më të butë i themi “limonadë”, si dhe kiç-i, “arti” i bazuar në kopje, në imitim inferior, në ndrydhjen e shijes deri ne pikën e bezdisë, por që u karakterizua me një hov komercial.
Në momentin kur bota perëndimore ndjeu rrezikun nga këto dy dukuri që po imponoheshin për t’u pranuar si kategori arti me një filozofi të re të neolëvizjeve artistike, ndërsa në mendimin politik po përpiqej ta ngjizë tezën se edhe politika duhet të jetë imitim, ndaj dhe çdo gjë duhet të jetë integruese dhe e integruar në natyrë sipas Ligjit të “Më të Madhit”, atëherë, si kiç-i ashtu edhe shund-i u përfshinë në lëndët adekuate si materie studimore me qëllim që të sinjalizohen rreziqet që i kanosen artit, estetikës, mendimit të mirëfilltë kombëtar.
Pa dyshim, tallava-tendenca duhet të studiohet, të kapet në rrënjë dhe edhe qimet rrënjore t’i shkurtohen nëse dëshirojmë të shpëtojmë nga projektet e huaja për integrime shpirtërore!
Sot asnjë televizion nacional shqiptar nuk e emiton një këngë të Nexhmie Pagarushës! Ish- presidenti i shtetit shqiptar dekoron me medalje Bujar Qamilin, ndërsa kurrë nuk ka dëgjuar për Qamilin e Vogël!
Vlerë konsiderohet ritmi, ai ritëm që mundëson lëvizje apo hapa ritmike, karakteristikë për të gjitha llojet e muzikës ballkanike e lindore. Dikush mendon se kjo politikë kulturore asimiluese është në harmoni me përpjekjet integruese! Kjo filozofi e prodhon edhe konceptin politik i cili rëndë e cenon kontekstin kombëtar. Integrimi nënkupton asimilim!
Le ta lokalizojmë problemin dhe për këtë fenomen të flasim vetëm ndër ne, ndër shqiptarët e Malit të Zi! Nuk kemi kritikë, nuk kemi eseistë, nuk kemi vlerësues, ndërsa kemi një masë të gjerë shqiptarësh të cilët konsumojnë “art”, të cilët e prodhojnë “artin” (kemi shumë “këngëtarë”, “shkrimtarë”, “piktorë”, “shoqata shkrimtarësh”, “shoqata botuesish” etj.); kemi një popull që merret me “politikë”!
Cila është shija e kësaj mase konsumuesish e prodhuesish? Pëlqehet çdo gjë që është e huaj! Kjo tendencë e integrimit të gjithanshëm, apo e asimilimit të mirëfilltë sot kumbon në radio, në televizione lokale e nacionale, madje me të madhe subvencionohet edhe nga institucionet e ndryshme shtetërore.
Kjo shtresë e popullatës më lehtë e ka të turqëzohet, të arabizohet, të shkinizohet, të integrohet, se sa të shndërrohet në pararoje e kështjellës gjigante të vlerave tona të mirëfillta kombëtare. Kur të kaplon antivlera edhe tradhtia dhe asimilimi mund të konsiderohet “art” që ushtrohet nën petkun e porosive fetare apo edhe të integrimeve të gjithmbarshme.
“Tallava” politika, që janë duke bërë partitë politike shqiptare, është veprimtaria më e parapëlqyer në shoqërinë shqiptare e veçmas në Mal të Zi. Kjo ndodh mbase, te ne që moti nuk vlerësohen vlerat intelektuale, morale, kombëtare dhe përgatitja shkollore, por libreza partiake që individi ka në xhep, librezë që ia mundëson të mos jetë e rëndësishme çka ke në kokë, por cilës parti i përket dhe cilën emblemë partiake e ke si shenjë njohëse! Pra, kjo ndodh mbase politika edhe të pavlerin, nga “askushi” e bën të jetë “dikushi” dhe nga anonimi, të ngre në rrafshin e të famshmit të fisit, mëhallës, fshatit, qytetit etj..
S’ka dyshim se “tallava” politika që e praktikojnë partitë shqiptare, ka edhe një të mirë shumë të rëndësishme: nga njeri batakxhi dhe barkëthatë, të shndërron në politikan të llojit të vet, ngutshëm të shndërron në më të pasurin e fisit dhe mëhallës. Pra, atyre të cilëve dikur iu kërcisnin zorrët e uritura, nuk e kanë më problem si të ngopen me një byrek, por preokupim të vetëm ta kenë si t’u takojë një copë sa më e madhe e kulaçit të pushtetit.
Andaj, duke jetuar në një shoqëri ku veprimtaria më e preferuar e më fitimprurëse mbetet ajo që të siguron famë dhe pasuri të shpejtë, nuk është e rastit që të parapëlqyerit e partive politike shqiptare janë “trutrashërit, servilët, dhe sahanlëpirësit” të cilët posa bëhen të fortë e të famshëm, gjënë e parë që duan ta bëjnë, është të përbuzin dhe të nënçmojnë shokët dhe popullin që i kanë ndihmuar të bëhen politikan si dhe, ta marrin në duar, e të mos ndajnë me askënd, partinë e cila i ka lindur. Këta politikanë partitë politike i kanë shndërruar në kompani private dhe grupe ekskluzive të interesit në emër të demokracisë dhe patriotizmit. Këta oligarkë partiakë mendojnë se partia është vetëm e tyre dhe bazën e kanë në teorinë Staliniste “Ke pushtet, ke gjithçka”.
Shpjegimi i këtij fenomeni nuk është i komplikuar, kur dihet fakti se partitë politike shqiptare kryesisht janë shndërruar në strehimore të individëve të pasukseshëm në profesionet e tyre, kuptohet me ndonjë përjashtim të vogël. Këto parti politike kanë marrë trajtën e strehimores të njerëzve që ngutazi i kompensojnë të gjitha humbjet jetësore dhe ku nga “askushi” mund të bëhen “dikushi”. Andaj, jo rastësisht partitë politike shqiptare në Mal të Zi, janë shndërruar në shtabe, që pjellin patriotë të rrejshëm. Këtë fenomen e dëshmon edhe vet fakti se si po bëhen ashtu edhe zhbëhen.
Sidoqoftë, patriotët tonë politikë, politikën e konsiderojnë si veprimtari më të lehtë, me të cilën mund të merret cilido individ. Shembull konkret për këtë janë parti të panumërta të ndara në pjesën “me vulë” dhe atë “pa vulë”. Gjë që popullit ia pasqyron të vërtetën se drejtuesit e tyre partiakë, së bashku me vulën e partisë në xhep, në ballë e kanë të vulosur edhe njollën e paturpësisë, që u takon atyre që harrojnë se pa votën e mbështetësve partiakë, vështirë se dikush do e dinte se edhe ata jetojnë në mjediset tona.
Prandaj, lehtësia me të cilën themelohen partitë politike shqiptare, si dhe lehtësia me të cilin lindin dhe zhbëhen “heronjtë” tanë politikë dhe liderët partiakë, shpalos të vërtetën se politikën e konsiderojnë si veprimtari me të lehtë. Në të njëjtën kohë, kjo shpjegon edhe faktin se edhe ne votuesit jemi të papërgjegjshëm ndaj vetvetes dhe i mbështesim edhe ata politikanë të cilët mendojnë se nuk ka gjë më të lehtë sesa të merresh me fatin e popullit tënd. Politikanë të cilët na sollën në situatën në të cilën ndodhemi: që shumë nga këto parti iu afrohet fundi i turpshëm dhe do të përfundojnë si lehona që i lindin “kopilët” e vet, ata të cilët kur ditën kur partia nuk do ua përmbush ambiciet e tyre individuale, janë në gjendje ta shkatërrojnë atë.
Pra, kështu do të jetë, përderisa politika shqiptare do të udhëhiqet me patriotë të rrejshëm, pse jo, edhe për derisa kultura politike dhe mentaliteti i votuesve të papërgjegjshëm gjen vend në vetveten e tyre! Po pra, politika dhe “tallava” muzika shqiptare janë veprimtari që me shpejtësi të bëjnë të pasur e të famshëm. Dhe përderisa tallava këngëtarët nuk dëmtojnë askënd, por ua shtojnë humorin dëgjuesve të vet, “tallava” politikanët e marrin në qafë popullin dhe votuesit. Ata madje i shkatërrojnë edhe partitë që i kanë themeluar, vetëm pse ato më nuk mund t’ua realizojnë ambiciet karrieriste dhe interesat personale. Me çka shihet qartë pse partitë shqiptare themelohen lehtë, por edhe lehtë copëtohen e shkatërrohen: Sepse themeluesit dhe oligarkia e tyre partiake nuk kanë për qëllim realizimin e asaj që ua premtojnë votuesve, por atë që ua thotë xhepi dhe atë që ua thonë patronët.

Të fundit

më të lexuarat