Vokacioni i tij është arti, muzika dhe piktura

Ai nuk pikturon atë që sheh, por atë që ndjen, atë që i thotë vetes për atë që ka parë. Në kohën e fundit, nëpër hapësirë duket ndonjë pjesë portreti e copëzuar me elemente dhe forma, jo lehtësisht të kuptueshme (identifikueshme). Aty-këtu duken portrete heronjsh kombëtar, të gërshetuar me forma të çrregullta nëpër fytyrë dhe rreth saj. Nëpër piktura shpesh hasim në trashësi të ndryshme që janë kryesisht me ngjyrë të errët, deri krejtësisht të zezë. Arti modern i Nikollës, në format e tij futuristike, ka aftësinë të kapërcejë kufijtë e jetës sonë të përditshme, duke ofruar një vështrim ndryshe në botë

Tuz – Në prani të një numri të madh të miqve, adhuruesve të artit pamor, të kolegëve (këngëtarë dhe artistë), të personaliteteve të jetës politike e shtetërore (deputetëve, ambasadorëve), dhe të fushave të tjera jetësore nga Malësia, Ulqini, Kraja, Rozhaja, Plavë-Gucia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të enjten mbrëma (14 mars 2024) në hollin e QKI-së “Malësia” në Tuz, u hap ekspozita personale e piktorit, njëherësh këngëtarit të mirënjohur, Nikollë Nikprelaj.
Në fillim të këtij aktiviteti kulturor, mbi ekspozitën në fjalë dhe për kontributin që ka dhënë artisti Nikollë Nikprelaj ndër vite përmes këngës, drejtori i QKI-së “Malësia”, Vasel Berishaj tha se Nikolla si këngëtar, përmes këngës lartëson vlerat malësore dhe kombëtare.
“Ky artist në këngët e veta i shpalosi edhe elementet lirike. Sonte po bindeni se jo vetëm që shpalos me zë e tingull të veçantë, por edhe me vizionin e krijuesit dhe artistit nëpërmjet koloritit të ngjyrave dhe formave”, u shpreh Berishaj.
Ai më tej tha se, artisti i madh me krijimtarinë e tij, nuk na kënaqi vetëm shpirtin me tingull, por sonte, tha ai, na ofroi ushqim vizual për shqisat e të të parit.
“Si artist i njohur dhe i respektuar në të gjithë botën shqiptare, sonte na bashkoi që ta shijojmë edhe anën tjetër krijuese, e që e kompleton tërësisht personalitetin e tij si krijues”, u shpreh ndër të tjera Berishaj.
Ai duke vlerësuar lart kontributin që artisti Nikollë Nikprelaj e ka dhënë ndër vite përmes këngës epike, lirike, dhe të zhanreve të tjera, vlerësoi lart edhe krijimtarinë e tij në fushën e artit pamor.
“Kjo dhunti e veçantë artistike, u gdhend në Akademinë e Arteve të bukura në Prishtinë, por dashuria dhe talenti i tij për muzikën i ka rrënjët në trashëgiminë familjare. Ky këmbim i natyrshëm përmes formës, koloritit dhe tingullit, e bën të veçantë dhe e kompleton personalitetin artistik të tij”, theksoi Berishaj.
Drejtori i QKI-së Malësia, Vasel Berishaj tha se piktori Nikollë Nikprelaj na përcjell luftën e tij të brendshme, vuajtjet në periudha të ndryshme dhe nevojën e tij për mjedisin. Idhull dhe frymëzim i Nikollës, theksoi ai, ishte dhe mbeti piktori ynë nga Malësia me famë evropiane, Gjelosh Gjokaj.
Ndërkohë, ekspozitën në fjalë e shpalli të hapur kolegu i artistit Nikprelaj si në fushën e muzikës ashtu edhe të artit vizual, Ziko Beqaj, i cili tha se përmes kësaj ekspozite po prezantohen veprat e një artisti të talentuar, i cili me shprehjet, emocionet dhe teknikën e tij pasuron përditshmërinë tonë.
Ai më tej dha një vështrim më të detajuar mbi pikturat dhe krijimtarinë në fushën e artit vizual të piktorit, Nikollë Nikprelaj.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Malësia e Madhe andej kufiri, Tonin Marinaj, i akordoi artistit, Nikollë Nikprelaj Certifikatë Mirënjohjeje, me motivacionin: “Për vlerat e larta në fushën e artit dhe kulturës malësore dhe shqiptare në përgjithësi, dhe për kontributin e tij atdhetar në lartësimin e trevës sonë, Malësi e Madhe e më gjerë”.
Sakaq, tenori i mirënjohur nga Tirana, Kastriot Tusha tha se me Nikollën nuk krenohet vetëm Tuzi dhe Malësia, por e gjithë shqiptaria.
“Të lumtë Ju që e keni, të lumtë ne që e kemi”, u shpreh Tusha.
Ndërkaq, të ndodhur në mesin e të pranishmëve të kësaj ekspozite, këngëtarët e mëdhenj, Selami Kolonja, Kastriot Tusha dhe Enkelejda Arifi, së bashku me Nikollë Nikprelajn, interpretuan për të pranishmit këngën “Në një flamur të pandarë” të cilën artistët në fjalë, së bashku edhe me Ilir Shaqirin, e kishin realizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Emrin e Nikollës si këngëtar dhe artist të përmasave kombëtare e vlerësoi edhe këngëtarja e mirënjohur Enkelejda Arifi.
“Sepse për hir të tij sot këtu është e gjithë Shqipëria” theksoi Arifi.
Ekspozita në fjalë qëndroi e hapur deri sot, (21 mars 2024), nga e hëna në të premte nga ora 8 deri në orën 15. Kjo ekspozitë do të vazhdojë rrugëtimin e saj edhe në qytete të tjera shqiptare, si në Ulqin, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Kjo është ekspozita e dytë e piktorit dhe këngëtarit Nikollë Nikprelaj organizuar nga Qendra Kulturore- Informative “Malësia” në Tuz.
Nikollë Nikprelaj u lind më 12 prill 1961, në fshatin Bekaj, Triesh, zona e Malësise së Mbishkodrës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tuz, dhe me pas studimet e larta në Prishtinë, në Akademinë e Arteve – drejtimi pikturë. Diplomoi në vitin 1988, te mentori, akademik, prof. Dr. Rexhep Ferri. Pas studimeve punoi si profesor i artit figurativ në gjimnazin e Tuzit për katër vjet. Teknika e preferuar e tij është vaj dhe akryl në pëlhurë. Në vitin 2012, këndon himnin për njëqind vjetorin e Pavarësisë, në Kuvendin e Shqipërisë, së bashku me pesë këngëtarët nga pesë trevat shqiptare. Në vitin 2019 u dekorua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me Çmimin “Mjeshtër i Merituar”.
Në vitin 2022 nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Vokacioni i tij është arti, muzika dhe piktura. Materialet qe ai përdor janë kryesisht vaj në pëlhurë, por edhe akryl. Pëlqen ngjyrën e kuqe, të kaltër dhe të gjelbër. Kontrasti i ngjyrave por edhe dritëhijeve është mjaft i shprehur te pikturat e tij.
Ai nuk pikturon atë që sheh, por atë që ndjen, atë që i thotë vetes për atë që ka parë. Në kohën e fundit, nëpër hapësirë duket ndonjë pjesë portreti e copëzuar me elemente dhe forma, jo lehtësisht të kuptueshme (identifikueshme). Aty-këtu duken portrete heronjsh kombëtar, të gërshetuar me forma të çrregullta nëpër fytyrë dhe rreth saj. Nëpër piktura shpesh hasim në trashësi të ndryshme që janë kryesisht me ngjyrë të errët, deri krejtësisht të zezë.
Arti modern i Nikollës, në format e tij futuristike, ka aftësinë të kapërcejë kufijtë e jetës sonë të përditshme, duke ofruar një vështrim ndryshe në botë. Në pikturat e tij gjejmë një kuptim më të thellë të vetes dhe botës përreth nesh.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat