Vajza syshkruar e Gjeranave

E lindur në një qytet ballkanik në kohën së luftës së fundit nga një nënë që ishte përdhunuar në një kamp ndalimi, më pas e rritur nga prindër birësues në periferi të Dublinit të Irlandës. Në fakt, edhe e pagëzuan me emrin simbolik Aida Irlanda. Pasi festoi ditëlindjen e 20-të, u nis për të kërkuar të vërtetën rreth origjinës së saj. Prindërit që e rriten vdiqën edhe gjithë pasurinë e paluajtshme dhe thesaret ia nënshkruan Aida Irlandës. Ai kapital : vila, kopshte me pemë ekzotike, madje, pishina, palestra, parkingje, shtigje atletike edhe një fermë e vogël pëllumbash. Kishte madje edhe dhjetë kuaj kalërimi, të cilët nuk i zinte syri të ngjashëm në rruzullin tokësor. Asaj i dukeshin hiçgjë. “Unë jam fëmijë i një nëne të përdhunuar “, thoshte Aida Irlanda. Ky rast sa nuk e tmerronte këtë vajzë të pashme, sikur ishte dritë e diellit. Shpesh në ballkonin e vilës meditonte se cilën rrugë ta ndjekë për ta takuar atë nënë biologjike që e kishte lindur. Dëshironte ta njohë edhe ta falë që e kishte braktisur një javë pasi e kishte lindur. “Sa fjalë e madhe dhe e shenjtë është fjala nënë !”- dëneste syshkruara. Nënë e baba kishte përqafuar edhe dashur deri tani. Por, në moshën shtatë vjeçare prindërit e saj birësues i treguan se ajo ishte birësuar nga zona e luftës në një vend të Ballkanit ku zjarri i luftës së viteve të fundshekullit të kaluar u bë hi dhe gjak. Si në ëndërr mësoi në një homazh viktimash, se Aida Irlanda kishte lindur në ditën e Krishtlindjes së vitit 1992. Nëna e saj ishte përdhunuar në një kamp paraburgimi nga paramilitarë edhe arriti disi t’ia mbathte në qytet, ku solli në jetë foshnjën e saj në spitalin e improvizuar më të afërm. Dy veprimtarë, një gocë edhe një çun, nga një organizatë humanitare që ndiqnin pasojat e luftës, arritën të intervistojnë gruan e përdhunuar. Ishte e traumatizuar edhe thoshte se foshnjën disa ditësh druhej se mund «ta mbyste» sepse fëmija mund të rritej dhe mund të bëhej si burrat që e përdhunuan atë. Dy humanitarët ndërkombëtarë, Petro dhe Iren, panë skena të tmerrshme në jetimore. Ndjenin dhembje të thellë duke e shikuar foshnjën e braktisur nga nëna biologjike. ”Nuk mund ta lëmë këtë foshnje të vogël shtatë ditësh në këtë gjendje lemeritëse”, thanë ata. Me lejen e zyrtarëve , dy shtetasit irlandezë morën dokumentet e evakuimit emergjent dhe ikën me Aida Irlandën në një shtet fqinj, duke shtegtuar në një tjetër ku nuk ishte zjarr lufte. Ata u kthyen me të në Irlandë, ku vajza e vogël syshkruar pati një fëmijëri të mirë larg nga lufta që përfundoi në vitin 1998, pasojat e konfliktit të armatosur ishin të tmerrshme dhe vuajtjet emocionale të nënës biologjike të vogëlushes thelloheshin gjithnjë e më shumë. “Do të më dënojë Zoti, por më shumë ata që shkelen mbi trupin tim”, shprehet nëna e përdhunuar. Por, kur Aida Irlanda arriti moshën e adoleshencës, kureshtja po e gërryente në zemër çdo sekondë. Gati për çdo pasdite shkonte në bibliotekën e lagjes, ose shfletonte gazetat ditore që blinte gjyshi. Lexonte artikuj mbi gjërat që ndodhën në shtetin nga supozonte se e kishte prejardhjen. Me një vëmendje të përqendruar lexonte emrat e grave të përdhunuara në kampet e përqendrimit. Se harroja dot kur prindërit e mi më ulën dhe më thanë: ‘Mamaja jote biologjike u përdhunua në një kamp përqendrimi’. Kjo i solli një tronditje të madhe shpirtërore. U gjunjëzova dhe u mbyta nga lotët. Sipas mediave të shkruara ballkanike, thuhej se në Irlandë, Britani të Madhe, Beneluks jetojnë mbi 15 mijë gra të përdhunuara të përkatësive të ndryshme kombëtare dhe fetare të Ballkanit të zhuritur nga lufta. Një numër i konsiderueshëm i të cilëve kanë humbur familjen ose miqtë ,vuajtën vetë gjatë luftës. Por teksa rritej, Aida Irlanda nuk njihte asnjë prej tyre, ndonëse nuk kishte shumë të dhëna biografike të viktimave. Në periferi të Dublinit , ajo bënte një jetë plot brenga, shumë të izoluar edhe pse moshatarët e saj adoleshentë nuk ishin të vetëdijshëm përse syshkruara preferonte të rrinte e vetmuar. Nuk dinin ata çfarë e dridhte shpirtin e saj, nuk dinin asgjë për konfliktin famëkeq. Madje, nuk reagonte fare kur Maks ia shkelte syrin edhe i dërgonte një puthje ajrore. Ndërkohë, në të njëjtën periudhë ajo ndiente se «një tjetër pjesë e jetës sime vazhdonte atje…». Nuk e dinte se në cilin vend të hirit të luftës e kishte vendlindjen: në Bosnjë, në Kosovë, në Mal të Zi, në Kroaci, në Shqipëri, në Maqedoni, në Luginë…Kishte vendosur që ta gjente nënën e saj biologjike. Kur ishte 18 vjeçe, Aida shkoi tri javë me pushime në një vend për të cilin mendonte se mund të jetë shteti i lindjes së saj. «Në atë kohë isha më e vetëdijshme në një nivel femëror, mendoj, sepse isha në fillimet e viteve të mia të rinisë dhe kisha filluar të mendoja se ç’kuptim mund të kishte kjo», thotë ajo. Në një ëmbëltore, ku kishte gatime të mrekullueshme : bakllava, treleqe, byrekë shumë të shijshëm… Ato i servonte një çun i pashëm dhe nisi ta ngacmonte syshkruarën. Iu prezantua, ”unë jam Iliri”, tha ai edhe shtoi se është nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut. U morëm vesh që të takohemi në mbrëmje edhe isha e sigurt se Iliri do të kishte dëgjuar për nënat e përdhunuara, mbase ishte njohur pikërisht për rastin tim sepse “gazetarët pa kufij”, kishin bërë fejtone xhirime, meqë në atë kohë kishte bërë shumë jehonë refuzimi kokëfortë i nënës sime që të më braktisë se mund tu ngjaj atyre që e kishin përdhunuar! Ia tregova Ilirit gjerë e gjatë këtë histori edhe hetova se në atë çast u pozicionua më në distancë se kishte më parë edhe pretendonte ta takonte supin e djathtë të trupit tim. “Çuni, ndërkombëtarët duhet të bëjnë më shumë që të zbardhen ato padrejtësi brutale. Dikush do ti ketë arkivuar ato ngjarje tragjike që kanë ndodhur në fund të qindvjetëshit të kaluar”, tha Iliri. Gjyshi im, rahmet pastë, më ka treguar se ditë e natë ka pjekur bukë edhe fshehurazi ka ushqyet të përdhunuarat në kampin e përqendrimit. Nuk ka dalluar asnjërën sipas moshës, përkatësisë kombëtare apo fetare. Kështu më ka treguar gjyshi, i cili ka vdekur tash pesë vjet. Këto tmerre ,besoj, se nuk i ka harruar as nëna ime, meqë ishte refugjate edhe ajo ka përjetuar skena dhe kërcënime antinjerëzore nëpër pyjet e minuara të Dardanisë. Pas81- shit është martuar me babanë edhe me aeroplan nëpërmjet aeroportit të Sofjes kanë lëvizur nëpër shumë vende të Evropës. Në fakt, janë vendosur në qytetet të stërmbushur nga azilkërkuesit e zonave të luftës së fundshekullit të kaluar, tha Iliri dhe tani ndjenja e simpatisë për Aidën e bukur u shndërrua në një detyrë humane shpirtërore për ta ndihmuar atë. Këto gjëra nxitën Aidën të ndërmerrte një aventurë për të gjetur nënën e saj. Tani kishte mbështetës edhe Ilirin nga Gostivari, nip i një bukëpjekësi të njohur në Evropë. Bridhnin prej një zyreje humanitare të shoqërisë civile në tjetrën. Gjetën disa raste përdhunimi të grave, por ato raste ishin nga Afrika e Jugut, Siria, Avganistani, asnjë nga hapësirat e ish- Jugosllavisë. Dy vjet më parë, në muajin gusht, një mikeshë që ajo kishte takuar në një nga udhëtimet e saj nëpër vendet e Ballkanit ,po ashtu një fëmijë përdhunimi i kohës së luftës, i pat premtuar se e njeh nënën e Aidës.
(Fragment romanit VAJZA SYSHKRUAR E GJERANAVE )

Ibrahim Berjashi

Të fundit

më të lexuarat