Tekst gjithëpërfshirës mësimor në Edukimin Fizik për nxënës meaftësi të kufizuara

Shaban Hasangjekaj

Në vitin 2023, doli nga shtypi teksti shkollor “Gjithëpërfshirja në edukimin fizik, në lojërat dhe sportet për nxënës me aftësi të kufizuara” të autorit Ahmet Mahmutaj, ekspert në edukimin e personave me nevoja të veçanta, profesor shumëvjeçar i edukimit fizik dhe drejtor i Shkollës Speciale – Qendrës Burimore “Xheladin Deda” në Pejë, udhëheqës i shumë detyrave në Divizionin për sport në Komunën e Pejës, prof. asistent në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë e Gjilan, këshilltar për punësim në HANDIKOS, trajner i ekipit kombëtar të futbollit për të verbër dhe anëtar i Bordit të KPK, si dhe autor e bashkautor në disa botime lidhur me personat me aftësi të kufizuara dhe gjithëpërfshirjen në arsim.
Tekstin mësimor në fjalë e botoi Komiteti Paralimpik i Kosovës, botimi i të cilit është bërë i mundur me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. Recensues të tekstit janë: Prof. dr. Naser Zabeli dhe Prof. dr. Bujar Turjaka, Redaktor shkencor dhe lektotor: Enver Ulaj, Ballina: Ariana Mikullovci, Skenat dhe fotografitë: Panoti Design, Pejë, U shtyp në Shtypshkronjën “Dukagjini” në Pejë dhe përbëhet prej 286 faqesh.
Autori Ahmet Mahmutaj parathënien e librit të vet e fillon me të dhënën se pas luftës së fundit në Kosovë, kushtet dhe rrethanat ndryshuan dukshëm, ndryshime këto që ndikuan edhe në fushën e arsimit. Fillimi i reformave në të gjitha nivelet e arsimit solli edhe nocione dhe koncepte të reja në trajtimin e arsimit special. Si mësimdhënës në ish-Shkollën Speciale në Pejë, autori Mahmutaj e ka kuptuar se veçimi i një pjese të nxënësve në shkolla speciale kishte efekte negative në jetën e tyre të mëtejme, por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Procesi i transformimit nga sistemi i segreguar në atë gjithëpërfshirës, filloi pikërisht në këtë shkollë speciale tash e shndërruar në qendër burimore.
Si mësimdhënës i edukimit fizik, si trajner, si ligjërues i programit të FSDEK dhe MASHT “Drejt një shkolle inkluzive për të gjithë”, apo si mësimdhënës udhëtues, autori Mahmutaj ka hulumtuar nëpër shumë shkolla në Kosovë dhe është ndeshur me qëndrime të ndryshme rreth gjithëpërfshirjes. Ka kuptuar se qëndrimet më refuzuese ndaj gjithëpërfshirjes vijnë nga fakti se mësimdhënësit e edukatës fizike në shkollat e rregullta nuk kanë njohuri të duhura në fushën e gjithëpërfshirjes së nxënësve me aftësi të kufizuara. Shumica e këtyre mësimdhënësve nuk kanë pasur fare kohë për të bashkëpunuar me ndonjë mësimdhënës udhëtues apo ekspertë të edukimit special. Përveç kësaj, veçanërisht në shkolla fillore dhe të mesme numri i nxënësve në klasa është i madh dhe mësimdhënësit e edukatës fizike ndjehen të mbingarkuar me marrjen e përgjegjësive shtesë gjatë orarit të tyre të punës. Autori Mahmutaj ka pasur rast të takojë mësimdhënës të edukatës fizike, të cilëve u mjaftonte që një nxënës me aftësi të kufizuara të posedonte një vërtetim të mjekut, që ai të jetë i liruar nga orët e edukatës fizike për gjithë vitin. Por, pas disa këshillave se si mund të përfshihet një nxënës me aftësi të kufizuara në një orë të edukimit fizik, me pak modifikime të pajisjeve, rregullave apo mjedisit, mësimdhënësit ndjeheshin kuriozë, kreativë dhe shumë të motivuar për përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara në orët e tyre. Këtu nisi edhe ideja për shkrimin e këtij libri, shprehet autori Ahmet Mahmutaj.
Teksti shkollor “Gjithëpërfshirja në Edukimin Fizik, lojërat dhe sportet 1 për nxënës me aftësi të kufizuara”, është një libër me udhëzime praktike për përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara në edukimin e përgjithshëm fizik i ilustruar, demonstruar dhe konkretizuar me një vistër fotografish, foto-portretesh, figurash, skicash, tabelash, grafikonesh e vizatimesh të tjera në teknikën bardhë zi. Libri në fjalë u dedikohet mësimdhënësve të edukatës fizike në Qendrat Burimore dhe shkollat e rregullta, studentëve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, studentëve të Fakultetit të Edukimit, edukatorëve apo prindërve, të cilët mund të gjejnë lehtë udhëzimet për përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara. Ndërsa trajnerët dhe sportistët e parasporteve dhe sporteve paralimpike do të gjejnë rregullat bazë të lojërave dhe sporteve, si dhe metoda të mësimit të teknikave të tyre. Autori Mahmutaj thekson se libri është shkruar në bazë të një përvoje praktike shumëvjeçare të punës me nxënës dhe sportistë me aftësi të kufizuara. Ka shfrytëzuar burime dhe materiale teorike bashkëkohore nga kjo fushë nga vende me sisteme të avancuara të arsimit gjithëpërfshirës në botë.
(Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)
Me qëllim që gjithëpërfshirja të jetë e suksesshme, mësimdhënësit duhet të kenë parasysh llojin e aftësisë së kufizuar dhe sa e theksuar është ajo, llojin e aktivitetit, modifikimin e mundshëm të pajisjeve dhe nevojën për mbështetje nga stafi tjetër i shkollës apo nga bashkëmoshatarët, shprehet autorit Mahmutaj. Qëllimi i tij në këtë libër është që t’i ofrojë strategjitë themelore dhe përshtatjet për t’u mundësuar të gjithë mësimdhënësve të edukatës fizike t’i përfshijnë nxënësit me aftësi të ndryshme të kufizuara. Në anën tjetër me zhvillimin e lëvizjes paralimpike dhe pranimin e Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar (IPC), janë hapur horizonte të reja në zhvillimin e sporteve paralimpike, jo vetëm si rekreacion por e edhe për garues të gatshëm të marrin pjesë në gara kombëtare e ndërkombëtare.
Autori Mahmutaj thekson se ky libër (tekst shkollor) nuk bazohet vetëm në teori apo në shkathtësi që do të mund të përdoren vetëm nga pak njerëz profesionistë. Përvojat në këtë fushë kanë treguar se duke bërë modifikime të thjeshta, çdo mësimdhënës mund t’i përfshijë nxënësit me aftësi të kufizuara në edukimin e përgjithshëm fizik. Më e rëndësishmja është që zbatimi i këtyre aktiviteteve do të promovojë rëndësinë e marrëdhënieve me bashkëmoshatarët në kuadër të një ambienti të sigurt të mësimit.
Autori Ahmet Mahmutaj librin (tekstin shkollor) e ka ndarë në katër pjesë të cilat i ka sistemuar në 16 kapituj:
Pjesa e parë (I) – kushtuar gjithëpërfshirjes në sistemin arsimor ka një kapitull.
Kapitulli 1: Gjithëpërfshirja. Përshkruan definimin, zbatimin dhe mbështetësit e gjithëpërfshirjes në arsim. Në këtë kapitull trajtohet roli dhe rëndësia e mësimdhënësit të edukimit fizik në procesin e gjithëpërfshrjes.
Pjesa ditë (II), është e ndarë dhe sistemuar në pesë kapituj sipas specifikave të aftësive të kufizuara:
Kapitulli 2: Gjithëpërfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara fizike. Karakteristikat psikomotorike të nxënësve që përdorin karrocën (karrigen me rrota). Përfshirja e nxënësve me paralizë cerebrale në orët e edukimit fizik me lojëra të modifikuara për nxënësit, me apo pa kontroll të pjesës së epërme të trupit.
Kapitulli 3: Gjithëpërfshirja e nxënësve me autizëm. Të kuptuarit e çrregullimeve të spektrit autik. Strategjitë e përfshirjes me mundësitë e strukturimit të aktiviteteve si dhe lojëra për përfshirjen e këtyre fëmijëve në orët e rregullta të edukimit fizik.
Kapitulli 4: Gjithëpërfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara intelektuale. Përfitimet e përfshirjes për nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale në aktivitete të përbashkëta. Ushtrime për zhvillimin motorik si dhe lojëra dhe aktivitete për përfshirje.
Kapitulli 5: Gjithëpërfshirja e nxënësve me dëmtime në të parë. Karakteristikat specifike psikomotorike të nxënësve me dëmtime në të parë. Mësimi i shkathtësive themelore motorike dhe i kontrollit. Modifikimet për nxënësit e verbër dhe me dëmtime në të parë. Disa sporte që praktikohen nga të verbërit me përshkrim të shkurtër të rregullave.
Kapitulli 6: Gjithëpërfshirja e nxënësve me dëmtime në të dëgjuar. Ky kapitull u qaset dëmtimeve në dëgjim si aftësi e kufizuar kryesore për sigurimin e modifikimeve, sportet për personat e shurdhër duke përshkruar kriteret e klasifikimit. I përzgjedhur futbolli për personat e shurdhër si një nga disiplinat më prestigjoze dhe më të njohura të sportit për personat e shurdhër.
Pjesa e tretë (III) – iu kushtohet lojërave paralimpike dhe shpjegon historikun e tyre, fillimet e tyre në Kosovë dhe disiplinat kryesore. Është e sistemuar në tetë (8) kapituj:
Kapitulli 7: Lojërat Paralimpike. Përshkruan një historik të shkurtë te lojërave paralimpike në botë, llojet dhe kategorizimi i sporteve paralimpike, duke përfshirë edhe lëvizjen paralimpike në Kosovë, nismat e kësaj lëvizje, lojërat dhe sportet që zbatohen dhe janë në zhvillim në Kosovë, shtrirja dhe struktura e zhvillimit që ato kanë në Kosovë.
Kapitulli 8: Bazat themelore të karrocës. Përshkruhet rëndësia që ka lëvizshmëria e karrocës në zbatimin e sporteve tek nxënësit që përdorin karroca. Shpjegohet teknika e lëvizshmërisë si thelb i suksesit për një lojtar konkurrues në sportet që luhen me karrocë.
Kapitulli 9: Basketbolli me karroca: Basketbolli me karroca si një ndër sportet më të organizuara dhe të njohura nga të gjitha sportet që luhen me karroca. Rregullat e veçanta të basketbollit me karroca. Teknika e lojës së basketbollit, si dhe shumë lojëra elementare për mësimin e teknikave dhe shkathtësive.
Kapitulli 10: Tenisi dhe karroca. Përshkrimi i sportit. Rregullat specifike të tenisit me karrocë. Teknikat e tenisit me karrocë. Profilet funksionale të nxënësit dhe modifikimet me disa lojëra për mësimin e teknikave të tenisit me karroca.
Kapitulli 11: Volejbolli ulur. Përshkrimi i volejbollit ulur si sport që mund të luhet bashkë pa dallim të aftësisë së kufizuar. Rregullat specifike të volejbollit dhe teknikat e sportit ulur. Disa lojëra për mësimin e teknikave të këtij sporti.
Kapitulli 12: Golbolli. Në këtë kapitull përshkruhet sporti i golbollit si një ndër dy sportet paralimpike që nuk ka homolog (i dyti është boça) në lojërat olimpike. Sporti më tipik dhe më masovik që luhat nga të verbrit. Rregullat, pajisjet, teknikat e sportit si dhe shumë lojëra për mësimin e teknikave.
Kapitulli 13: Boça. Një sport ku mund të luhet nga të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara fizike. Përshkruan rregullat, kriteret e klasifikimit, teknikat e hedhjes dhe lojëra për përvetësimin e teknikave.
Kapitulli 14: Futbolli për të verbër. Është sport i certifikuar nga IPC-ja përshkruhet me rregulla të përditësuar nga Federatat përkatëse ndërkombëtare, ofrohen sugjerime për modifikimet e përgjithshme dhe metodat për mësimin e teknikave të këtij sporti.
Pjesa e katërt (IV) – i kushtohet punës individuale dhe modifikimeve në punë me nxënës dhe është e sistemuar në dy kapituj:
Kapitulli 15: Modifikimi i aktiviteteve. Qëllimi i këtij kapitulli, sipas autorit të librit Mahmutaj, është të kuptuarit e filozofisë dhe parimeve bazë të modifikimit të lojërave dhe aktiviteteve këshilla mësimdhënësve se si t’i zbatojnë modifikimet e pajisjeve, rregullave dhe ambientit në shkolle, dhe
Kapitulli 16: Plani individual i arsimit (PIA) në edukimin fizik. Qëllimi i këtij kapitulli, shprehet autori, është që mësimdhënësit të kuptojnë se çfarë është një PIA dhe pse është e nevojshme për nxënësit me aftësi të kufizuara, të mësojnë komponentet e PIA-s dhe rolin e mësimdhënësve të edukimit fizik në procesin e PIA-s, në mënyrë që mësimdhënësit e edukimit fizik të mund të luajnë rolin e një anëtari të ekipit vlerësues, për të përfshirë qëllimet dhe objektivat e PIA-s në plan-programin e përgjithshëm të edukimit fizik.
Autori i tekstit mësimor vërtetë me peshë dhe vlerë të lartë “Gjithëpërfshirja në edukimin fizik, lojërat dhe sportet për nxënës me aftësi të kufizuara” shpreson dhe beson që ky libër do të plotësojë sadopak një boshllëk që ka sistemi arsimor në Kosovë në këtë fushë dhe do të sjellë një ndryshim pozitiv tek ata që dëshirojnë t’i përfshijnë nxënësit me aftësi të kufizuara në edukimin e rregullt fizik. Trajnerët dhe profesionistët tjerë që merren me sporte paralimpike do të gjejnë lehtë rregullat dhe teknikat se si mësohet një sport.
Recensuesi Prof.Dr. Naser Zabeli në recensionin e vet kushtuar librit, shprehet se autori Ahmet Mahmutaj, krahas përdorimit të një literature te gjerë dhe relevante, me kujdes ka gërshetuar përvojën e tij profesionale disa vjeçare në këtë fushë. Me botimin e këtij libri do të pasurohet literatura pedagogjike në gjuhën shqipe e cila është tejet e varfër në këtë drejtim. Për mes këtij libri mësimdhënësit dhe të gjithë të interesuarit në këtë fushë, do të kenë mundësi të marrin e zgjerojnë njohuri dhe të zhvillojnë shkathtësi për përdorim praktik të shumë aktiviteteve që e shoqërojnë në vazhdimësi këtë libër.
Ndërkaq recensuesi i dytë i librit Prof. Dr. Bujar Turjaka në recensionin e vet konciz dhe konstruktiv thotë se ky libër ka vlera të rëndësishme edukative dhe është ndihmesë e madhe për të gjithë profesionistët dhe mësimdhënësit që merren me edukimin special. Libri ofron materiale të bollshëm, të mbështetura në argumente shkencore që e bënë atë të qasshëm dhe të kuptueshëm për çdo lexues.
Në faqet e fundit të librit të vet, autori Ahmet Mahmutaj ka prezantuar literaturën e bollshme dhe shumëdimensionale që e ka përdorur dhe shfrytëzuar gjatë hartimit, koncipimit dhe shkrimit të librit.
Librin me admirim e dinjitet e përmbyll me falënderimin gjithë atyre që e kanë mbështetur, ndihmuar dhe përkrahur me shprehjen: “Të shkruash një libër për gjithëpërfshirjen në edukimin fizik dhe sportet, pa pasur pothuaj aspak arkiv as literaturë në gjuhën shqipe, ka qenë një ndërmarrje, e vështirë dhe sfiduese për të. Në këtë proces që ka zgjatur mbi 5 vjet, jam konsultuar dhe kam marrë ndihmë të pakursyer nga shumë kolegë, miq e bashkëpunëtorë. Ndihma dhe mbështetja e tyre ka qenë vendimtare për t’ia arritur qëllimit tim”.

Të fundit

më të lexuarat