Promovimi i romanit “Humbja‘’ në Belgjikë

Ditën e shtunë me 16 mars nën organizimin e shqipville –maison culturelle belgo-albanaise dhe Shoqatës ‘’Nëna Tereza’’ nën përkujdesjen e z. Arian Bajraktarit, u mbajt promovimi i romanit ‘’Humbja’’ i autorit nga Malësia Mark Pashku Lucgjonaj. Në moderimin e Znj.Ledja Canaj në këtë ngjarje shumë lexues, shkrimtarë, poetë, botues, artistë kishin mundësinë të debatonin dhe diskutonin me autorin mbi veprën. Në vijim po ju sjellim edhe kritikën letrare mbi veprën e Lucgjonaj të shkrimtares-poetës Znj. Leonora Canja.
“Humbja, kush mund ta shohë këtë titull dhe mos të bëj pyetjen : Çfarë vallë mund të shkruhet në një libër me një titull kaq pesimist? Kush është autori dhe çfarë do të tregojë për mijëra lexues që do ta kenë në duar librin? Këto pyetje më lindën edhe mua para dy ditësh kur në një ambient letrar me shumë artdashës nën organizimin e z.Ledia Canaj dhe z.Arjan Bajraktari, ndodhej autori z. Mark Pashku Lucgjonaj, një zotëri i ri (më i vogël në moshë se nxënësit që kam mësuar unë apo fëmijët e mi ). Mora librin në duar dhe të them të drejtën doja të bëja një analizë ku ta thosha me bindje se titulli duhej të ishte” Fitorja”. Por, që në faqet e para të librit ndjeva si një dorë e sprovuar shpalos një panoramë krenarie dhe dashurie për tokën e të parëve, një përmbledhje artistike e mbijetesës së një populli. Në pothuaj të gjithë librin ndihet dashuria e madhe për gratë, nënat heroike si shtylla të mbijetesës së popullit tonë, si bërthama të jetës. Libri ka një ndërtim të veçantë, mund të thuhet pa frikë se është një rrugë e re letrare për të dhënë idenë e ndryshimeve rrënjësore në momentet tragjike që po kalon një shoqëri tranzicioni që nuk di të shohë të ardhmen, nuk po di të orientohet në rrugën e virtyteve! Autori ka gjetur një paralelizëm të dy jetëve në epoka të ndryshme por me fate të njëjta, me humbje të njëjta. Të dy personazhet Mateo dhe Alberti, përfaqësues të të njëjtit popull janë të destinuar të përfundojnë në dhimbje, asnjëri nga të dy nuk i shërben dot shoqërisë, popullit që i përkasin. Një nga pjesët më të bukura është për gratë shqiptare në shekuj që i rrëmbejnë për të ndryshuar racat e pushtuesve dhe fëmijët për t’i bërë luftëtarë për interesa të të tjerëve. Në libër ka përshkrime të dashurisë, por asnjë moment ato nuk janë vulgare, larg stilit të degjeneruar që përfshin faqe të tëra në letërsinë e sotme shqiptare. Libri nuk ndërtohet mbi efektet artificiale në ndërtimin e ngjarjeve. Stili i tregimit është i shtruar dhe të rrëmben nga bukuria e frazës nga ndërthurja e ngjarjeve sa në fund të librit jepet “Humbja” si një titull i saktë i jetëve të paekuilibruara që rrëfehen në libër me mjeshtëri, shkurt dhe plot jetë. Idetë që e përshkruajnë librit japin idenë se autori e njeh jetën dhe di të japë bukurinë e saj. Midis ideve që shpalosen është edhe ajo e bashkëjetesës fetare në jetën e popullit tonë. Autori shkruan në gjuhën letrare shqipe me pak shprehje dialektore për të dhënë vendvendosjen e ngjarjeve. Fundi i librit është një befasi me një ide të rëndësishme – për atë të qëllimit dhe ndëshkimit të rrugës që zgjedhim! Kjo ide duket që në hyrje të librit në pyetjen: A keni menduar ndonjëherë se gjërat në jetë janë të paracaktuara? Dhe zgjidhjen autori e jep te: lëvizja . Lëvizja, jeta, krenaria e origjinës tonë, inteligjenca në përshtatjen me gjithçka të re që ndeshim në vende të reja, në kushte të reja dhe megjithatë një fat që na ndjek, një fat që na mallkon kur ndahemi nga trungu familjar, nga varret e stërgjyshërve… Ky libër është një sukses! Lexojeni dhe nxirrni të tjera vlera, të tjera ide të fuqishme që t’u shërbejnë ne dhe fëmijëve tanë! -Falënderoj autorin, kaq të ri në moshë dhe kaq të pjekur për bukurinë artistike që sjell me krijimtarinë e tij! Lexim të mbarë për të gjithë dashamirësit e letërsisë me vlerë!’’
Në fund z.Lucgjonaj iu falënderua organizatorëve të këtij promovimi dhe të pranishmëve.
Rikujtojmë se romani ‘’Humbja ‘’ është fitues i çmimit’’ Rexhai Surroi’’ për romanin e vitit 2021 në Kosovë.

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat