Në çfarë kohe jetojmë?

Gazmend Çitaku

Besoj se secili prej nesh një herë në jetë ka pasur rastin që dikush ta këshillojë që ta jetojë jetën ashtu siç është, ashtu si i vjen dhe në kohën e tashme. Duke shkruar këto rreshta më shkojnë nëpër mendje librat psikologjik motivues, të tipit Echard Tolle, me temën e të jetuarit në kohën e tanishme. Kështu fillova të ndjehem edhe kur fillova ta lexoj librin më të ri që doli nga shtypi me titull “Jetojmë në një kohë”.
Kemi të bëjmë me librin me poezi të autores Valbona Bajri, e cila para publikut vjen e çiltër, ballëhapur dhe plot mesazhe. Të jetosh në kohën e tanishme nuk do të thotë se nuk ke pasur të kaluar apo nuk bën plane për të ardhmen, kështu që Valbona, nuk ka frikë të japë këshilla sepse ajo e di se “… frika jeton atje përtej detit” (faqe 28) andaj edhe merr guximin e të flasë sepse “Fjala i takon kohës dhe heshtja përjetësisë” (faqe 25). Të jetosh duke “ëndërruar” për të kaluarën apo të ardhmen do të thotë se ju në të vërtetë jetoni vetëm në mendjen dhe në imagjinatën tuaj. Kësisoj autorja dëshiron të diskutojë, debatojë, shkëmbejë mendime. Ajo kërkon përgjigje nga lexuesi për çështje të ndryshme “Si ta mundim padrejtësinë?” për shembull apo “A ekziston e përkryera?”. Duke hapur debat me pyetjen se “kush jemi ne?” tërheq vëmendjen në “të pasur që nuk ngopen apo të varfër që qajnë në udhët e gjata…” (faqe 15).
Gjuha është formati bazë i komunikimit mes njerëzve. Përmes gjuhës transmetohen informacione, ndjenja, kulturë kurse Valbona me të njëjtën mënyrë porosit “edukata fillon nga gjuha e komunikimit, sepse është gjuha ajo e cila na bën të mundur raportin tonë…” (faqe 13).
Fëmijët zënë vendin më të rëndësishëm në jetën e çdo njeriu. Ata jo vetëm se janë projeksioni ynë për të ardhmen por pafajësia e tyre bën që ata shumë mirë dallojnë dhe bashkëpunojmë me ata që u shprehin respekt. Valbona si mësimdhënëse që është këto ndjenja i përjeton çdo ditë. Merr ngrohtësinë e nxënësve të vet, por gjithashtu edhe ajo tek ata transmeton dijen dhe edukatën, duke i përgatitur për jetë. Fëmijët me pafajësinë e tyre si engjëj që janë, jetojnë “Mes tokës dhe diellit”. Në tokë me prindër, shoqëri, mësimdhënës dhe mes diellit me ngrohtësi, dashuri, ëndrra dhe fantazi. Autorja fëmijët i konsideron “Lule të gjalla të tokës” dhe “… mesazhe të gjalla të jetës” (faqe 24) dhe pafajësinë e tyre e barazon me butësinë e zogut:
“Eh… moj dëshirë e bukur e fëmijës,
Bëhu realitet që zogu sërish të jetë i lirë
E ti o diell i ngrohtë bëj një mirësi…”
Ajo këshillon prindërit që të flasin sa më shumë me fëmijë sepse jetojmë në një kohë të vështirë. Jetojmë në një kohë ku bota ka zbritur në pëllëmbë të dorës. Ku realja e fantazia janë mbërthyer në njëra tjetrën, saqë është shumë vështirë të dallohen. “Asgjë nuk është e pamundur nëse ne duam … të ulemi dhe të flasim me këta margaritarë të vegjël, me këta fëmijë që e duan jetën…”
Kujtdo që i bie në dorë ky libër e këshilloj që të ndajë kohën dhe ta lexojë. Të marrë nektarin që ofron autorja e librit dhe ta shijojë melidiozitetin poetik.
Ky libër prej 94 faqesh, brenda kopertinave ofron një vistër prej gjashtëdhjetë poezish dhe dhjetë skicash. Botohet me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave i Malit të Zi. Redaktore e librit është Lumnije Metanoviq. Lektor Nail Bajri, redaktura teknike i nënshkruhet Gazmend Çitakut dhe është shtypur në shtypshkronjën Barlloviq.
Valbona Bajri u lind më 14.06.1986 në fshatin Çapraj – Ana e malit. Më krijimtari letrare u mor si nxënëse dhe studente. Kontribuoi me punimet e saj në prozë e poezi në revistat e shkollës ‘’Shkëndijat’’ dhe ‘’Fillimet’’. Si gjimnaziste botoi përmbledhjen më poezi ’’Dy sy’’, në vitin 2015 përmbledhjen më poezi ‘’Fol më gjuhën e zemrës’’. Në vitin 2020 botoi përmbledhjen më poezi ‘’Diell pranveror’’ dhe në vitin 2023 përmbledhjen më poezi “Në Horizont”. Mbaroi studimet në degën Gjuhë Shqipe e Letërsi në Universitetin ‘’Luigj Gurakuqi në Shkodër. Ky është libri i saj i pestë.

Të fundit

më të lexuarat