Letërsi e angazhuar mbi temën e pajtimit

“Ideja e konkursit për tregim të shkurtër ka lindur në një nga programet tona të edukimit për paqe, e kemi përpunuar më shumë dhe kemi menduar se do të ishte optimale që njerëzit të shkruajnë në gjuhët e tyre amtare, kurse ne t’i përkthejmë ato tregime”, ka theksuar Katarina Miliqeviq nga Qendra për Veprim të Padhunshëm

Ulqin – Në Librarinë “Ulqini” të enjten (4 prill 2024) është bërë prezantimi i konkursit shumëgjuhësh për tregime të shkurtra mbi temën e pajtimit Biber, i cili që prej disa vitesh organizohet nga Qendra për Veprim të Padhunshëm, një organizatë joqeveritare me seli në Sarajevë dhe Beograd.
Në këtë takim është folur për konkursin e gjashtë për tregime të shkurtra, i cili është i hapur, përmbledhjet që janë rezultat i konkurseve të mëparshme, rëndësinë e letërsisë dhe artit të angazhuar shoqëror në përgjithësi. Në bashkëbisedim me udhëheqësen e takimit Arlinda Osmanoviq, lidhur me këto çështje kanë folur autorët Aida Sheçiq – Nezireviq nga Travniku (Bosnja e Hercegovina), Srgjan Miliqeviq nga Beogradi (Serbia), Nikolla Nikoliq nga Podgorica (Mali i Zi) dhe përkthyesi Qerim Ondozi nga Prishtina (Kosovë).
Për idenë e këtij konkursi si dhe për atë se si ai është zhvilluar dhe ka ndryshuar përgjatë viteve, duke filluar nga viti 2016, kur për të parën herë është shpallur konkursi për tregim të shkurtër Biber, ka folur Katarina Miliqeviq nga ekipi Biber i Qendrës për Veprim të Padhunshëm.
Ajo ka treguar se Qendra për Veprim të Padhunshëm, si organizatë për paqe, e themeluar në vitin 1997 në Sarajevë, është e njohur për edukimin për paqe dhe se pjesën më të madhe të aktiviteteve i zhvillojnë për ndërtimin e paqes në tërë rajonin e ish-Jugosllavisë.
Miliqeviq ka thënë se ideja për konkursin Biber është fryt i frymëzimeve që ata kanë fituar duke punuar me njerëz që duan të merren me paqe.
“Ideja për konkursin për tregim të shkurtër ka lindur në një nga programet tona të edukimit për paqe, e kemi përpunuar më shumë dhe kemi menduar se do të ishte optimale që njerëzit të shkruajnë në gjuhët e tyre amtare, kurse ne t’i përkthejmë ato tregime”, ka theksuar ajo.
Autori Nikolla Nikoliq ka thënë se është i nderuar që tregimi i tij “Antifada”, ndonëse nuk bën fjalë për temën e pajtimit është përfshirë në përmbledhjen e Biberit.
“Kam dashur të tregoj jetën e një palestinezeje, e cila ka mbetur pa djalë, kështu që tregimi im, i shkruar që në vitin 2020, lidhet me konfliktin e izraelitëve dhe palestinezëve”, ka thënë ai.
Nikoliq ka folur edhe për ndikimin që letërsia dhe vetë shkrimtarët kanë në shoqëri.
“Shkrimtarët mund të jenë faktor korrigjues, t’i lidhin njerëzit dhe t’i tejkalojnë kufijtë. Duhen të jenë linja të bashkimit, jo të ndarjes”, është shprehur ai.
Autorja e tregimit “Pogaçja”, Aida Sheçiq – Nezireviq, ka thënë se tregimi i saj është 90 për qind i vërtetë.
Ajo ka prekur problemin e ndarjes së gjuhës në katër gjuhë të veçanta, duke theksuar se kemi të bëjmë me një gjuhë.
“Unë jam redaktore gjuhësore dhe më duhet të them se jam e detyruar që gjuhën tonë ta ndajë në katër gjuhë – boshnjake, kroate, serbe dhe malazeze, por ato nuk janë katër gjuhë, por një. Ndarja e tillë nuk ka kuptim. Ne shkrimtarët përpiqemi të mos largohemi nga njëri-tjetri”, ka thënë Sheçiq – Nezireviq.
Srgjan Miliqeviq është autor i tregimit “Lufta është fjalë e shëmtuar”.
“Tregimi im për luftën është nga prizmi i fëmijës, sepse fëmijët nuk e kuptojnë urrejtjen”, ka thënë ai.
Përkthyesi Qerim Ondozi ka folur mbi specifikat e konkursit Biber në nivel rajonal.
“Kujtimet tona nuk janë vetëm diçka që truri ynë prodhon në formën e imazheve që shohim, sepse ne zgjedhim t’i shohim ato. Shqisat tona të tjera regjistrojnë shumëçka që nuk ndodh me vullnetin tonë, kështu që kujtesa mund të jetë në formën e ndjenjës, apo edhe të aromës, që është përvojë shumë më e fuqishme”, ka thënë ai.
Përmbledhjet e prezantuara të tregimeve janë fryt i konkursit Biber për tregime të shkurtra me temën e pajtimit në kontekstin e trashëgimisë së luftërave dhe dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, si dhe të tregimeve që mund të kontribuojnë në mirëkuptimin më të mirë mes njerëzve, zvogëlimin e urrejtjes dhe çrrënjosjen e paragjykimeve, tregime kundër luftës, tregime që kanë të bëjnë me përballjen me të kaluarën, çrrënjosjen e imazhit të armiqve, dhembshurisë për të tjerët, tregime të guximshme që guxojnë të ecin në këpucët e “armikut”, tregime që i shtyjnë kufijtë dhe i hapin rrugët për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të lirë për të gjithë. Konkursi dhe të gjitha përmbledhjet e tregimeve janë shumëgjuhëshe dhe në to mund të marrin pjesë autorët që shkruajnë në gjuhën shqipe, boshnjake, malazeze, kroate, serbe dhe maqedonase.
Konkursi i gjashtë Biber është i hapur deri më 26 maj 2024, kurse tregimet fituese që do të shpërblehen dhe ato që do të botohen në përmbledhje përzgjidhen prej jurisë së përbërë nga Tanja Stupar – Trifunoviq, Almin Kapllan dhe Jasna Dimitrijeviq.
Gjatë takimit, autorët kanë lexuar pjesë të tregimeve të tyre.
Takimi është organizuar nga Qendra për Veprim të Padhunshëm në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat