Ftesë për meditim

“Këto janë poezi që të provokojnë mendimin. Sepse, në fund të fundit, me dy vargje njeriu mund të bëjë një ese fare të bukur, ose një interpretim shumë interesant. Ka figuracion shumë të pasur, ka zhdërvjelltësi. Figuracionin e pasur e takon në çdo varg që ka përdor autorja”, është shprehur kritiku Zija Vukaj

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në bashkëpunim me Organizatën Joqeveritare “Shtëpia e Trashëgimisë” shënuan të enjten (21 mars 2024) Ditën Botërore të Poezisë me një takim me poeten shkodrane Melita Vjerdha dhe orën poetike, të organizuar në Muzeun Etnografik – Draginë. Ky aktivitet ka bashkuar poetë dhe adhurues të poezisë dhe të letërsisë nga Ulqini, Kraja, Malësia, Shkodra dhe Lezha.
Për vëllimin poetik “n’teh” dhe krijimtarinë e poetes Melita Vjerdha kanë folur botuesi Frano Kulli nga Shtëpia Botuese “Botimet Fishta” dhe studiuesi i letërsisë dhe përkthyesi Zija Vukaj.
Kulli ka thënë se poetja Vjerdha ka ardhur në shtëpinë e tij botuese në njëfarë mënyre e përgatitur për botim, pas një përvoje publikuese prej një dekade.
Ai ka thënë se për dallim prej poetëve të tjerë, të cilët në fillimet e tyre, qoftë edhe për shkak të moshës, përpiqen të jenë sa më shpejt te lexuesi, sa më shpejt në piacë të leximit, Melita Vjerdha ka pasur dhuntinë që nuk i ka dhënë vetes me tepri në këtë aspekt.
“Ka pritur, ka krijuar, ka shkruar, ka ruajtur, ka marrë pjesë, e ka mirëtrajtuar përkujdesjen e miqve, qarqeve letrare të pjekura, siç është rasti i Shoqatës së Shkodrës dhe te shtëpia jonë botuese ka ardhur me këtë libër”, është shprehur Kulli.
Pedagogu i letërsisë dhe kritiku Zija Vukaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve – Shkodër, ka thënë se Melita Vjerdha si poete është shfaqur në festivalet letrare të poezive të pabotuara në Shkodër, disa prej të cilave ai ka pasur fatin t’i drejtojë.
Ai ka thënë se Vjerdha është një poete e heshtur, por me shumë vlera.
“Melita ka pasur poezi të mira në çdo festival dhe asnjëherë nuk shfaqej, nuk dukej se ku është. Edhe po të ishte në mes të njerëzve, nuk e dalloje se ku është”, ka thënë Vukaj.
Ndërsa duke folur për përmbledhjen me poezi “n’teh”, ai ka thënë se ky është një libër i bukur, elegant.
“Ky libër është esenca shpirtërore, deri tash, e poetes Melita Vjerdha. Esencën shpirtërore estetike kjo e shkarkon në dy arte: në artin e fjalës, pra në poezi, por edhe në pikturë. Pjesa e dytë e librit është esenca artistike e Melita Vjerdhës në pikturë”, është shprehur studiuesi i letërsisë.
Sipas tij, ky vëllim me poezi shquhet për pamje, për imazhe.
“Ai që s’din me ndërtu imazhe, mos të marrin për me shkru poezi hiç. Ky është sekreti i vogël këtu”, ka thënë Vukaj.
Ai ka thënë se poezitë e saj janë ftesë për meditim
“Këto janë poezi që të provokojnë mendimin. Sepse, në fund të fundit, me dy vargje njeriu mund të bëjë një ese fare të bukur, ose një interpretim shumë interesant. Ka figuracion shumë të pasur, ka zhdërvjelltësi. Figuracionin e pasur e takon në çdo varg që ka përdor autorja”, është shprehur kritiku.
Ndërsa vetë poetja ka lexuar disa poezi për të pranishmit dhe është përgjigjur në pyetjet e udhëheqësit të takimit, Ismet Kallaba.
Ajo ka shpjeguar se pse në librin “N’teh” ka ndërthurur poezinë dhe pikturën si dy pasione të saj.
“Është një ide, në bashkëpunim me një profesor tjetër, për me e sjellë librin në një formë më elegante në paraqitje. Pra, është një format katror, është i ndërthurur me piktura dhe pjesa e pikturave edhe në kopertinë janë punimet e mia. Kështu është menduar formati. Besoj duket interesant”, ka thënë Vjerdha.
Disa prej poezive të vëllimit poetik “N’teh” përbëhen vetëm prej dy vargjesh.
“Janë sentenca, janë diçka që mua më vijnë natyrshëm”, ka thënë poetja.
Në orën poetike vargje nga krijimtaria e tyre kanë lexuar poetët Ibrahim Berjashi, Merita Bërdica, Hekuran Koka, Sidorela Berishaj, Ali Gjeçbritaj, Fiqret Mujeziqi dhe Hajredin Kovaçi.
SHAI “Art Club” e shënon që prej disa vitesh Ditën Botërore të Poezisë me aktivitete të ndryshme, si prezantime të poetëve nëpër shkolla, përurime të vëllimeve poetike etj., kurse që nga viti 2018 me takime të krijuesve në Muzeun Etnografik – Draginë, me qëllimin për t’i dhënë peshën që meriton poezisë dhe krijimtarisë letrare në përgjithësi.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat