Udhëpërshkrimi si dëshmi – nga një zhanër anësor gjer te një gjenerator i teorive të reja letrare

Angazhimi i Jusuf Likës, i këtij njeriu prej eruditi, që sadopak të qëmtojë gjithandej nëpër arkivat rajonale dhe evropiane për të grumbulluar materiale për qytetin e tij është i jashtëzakonshëm. Ai zgjodhi të grumbullojë materialet nga ata persona që e kishin vizituar këtë vend, kishin shkelur mbi këtë tokë, mbi tokën e Ulqinit, ishin njohur me bukuritë e tij dhe kishin komunikuar drejtpërdrejt me njerëzit e tij të mrekullueshëm

Qazim Muja

Edhe pse është njëra nga gjinitë më të vjetra letrare, udhëpërshkrimi nuk ishte një temë studimi për një kohë të gjatë. Në literaturë zakonisht shihej si një nënspecie, një degë që konsiderohej si shoqëruese e llojeve të tjera letrare më domethënëse, si romanet apo tregimet, nga besimi se ky nuk kërkonte përpjekje të plotë krijuese. Kjo ndodhi edhe për shkak se autorët që merrnin aventurën e udhëtimit ishin të profileve të ndryshme, shumë prej të cilëve nuk mund të identifikoheshin apo mburreshin me një talent artistik letrar për t’iu pasur zili, dhe as që kishin pretendime letrare kur shkruanin.
Përshkrimet e vendeve, monumenteve varen para së gjithash nga shkalla e interesimit të atyre udhëpërshkruesve ndaj vendeve të gravituara, por edhe nga niveli i arsimimit të tyre. Megjithatë, sido që të jenë për nga niveli letrar, ato sigurisht që paraqesin një material historiografik shumë të vlefshëm, qoftë të kohës antike, qoftë të asaj mesjetare dhe më vonë. Në rastin konkret këtë e ka hetuar edhe autori Jusuf Lika, në librin që përurojmë sonte, e që reflekton dashuri të jashtëzakonshme jo vetëm për qytetin e Ulqinit por edhe më gjerë, duke ofruar materiale që studiuesit i përdorin edhe sot si dëshmi dokumentimi.
Libri “Udhëpërshkruesit për Ulqinin (Shënime, dokumente, fotografi…)” i autorit Jusuf Lika shqyrton jo problemin teorik të përkufizimit të udhëpërshkrimit si gjini letrare, por ai merr udhëpërshkrimin vetëm si dëshmi dhe si material përmbajtësor, që udhëtimet e përshkruara të jenë në lidhje me qytetin e Ulqinit dhe me banorët e tij, duke iu referuar realitetit ekzistues, ekstratekstual, të kohës, me një qasje dhe interpretim bashkëkohor të udhëpërshkrimit. Autori Lika është përcaktuar konkretisht për udhëpërshkruesit që gravituan arealin e Ulqinit, për rrëfimet dhe përshkrimet e tyre për vendin, për njerëzit që i hasën aty, për zakonet dhe mënyrën e tyre të jetesës dhe shpesh për pikat referuese me vlera të mëdha kulturore dhe artistike e që u japin vrull teorive të reja dhe që çojnë në aktivitete të reja kërkimore të shkencës, qoftë asaj letrare-artistike apo të disiplinave tjera shkencore, arkitekturale apo arkeologjike (Woodvilli, Wenzel – polka “Dulcigno”) etj.
Kështu autori Lika bëri një gjetje të qëlluar, për të bërë një përmbledhje të këtillë teorike që me ndihmën e udhëpërshkrimeve dhe autorëve të tyre të zbulojë pasurinë e strukturës shumëdimensionale të qytetit të Ulqinit, dhe të organizimit jetësor, me mundësitë e analizës që ofron kjo formë letrare, veçanërisht në fushën e studimeve imagologjike, e kam fjalën për udhëpërshkruesit që me fotografi dokumentare lanë një pasuri të paçmueshme për ne, e që autori i zbuloi dhe i përmblodhi në këtë botim (fotografitë e jashtëzakonshme me rëndësi dokumentare të Loxh apo Svatek).
Një njeri që ka për profesion artin e muzikës, pastaj artin e fotografisë dhe është dashamir i kulturës dhe traditës, që në zemër e shpirt mbart dashurinë ndaj vendlindjes së vet, gjegjësisht qytetit të vet – Ulqinit, e quaj njeri shumë të kompletuar dhe erudit në kuptimin e plotë të fjalës, njeri që tërë jetën ka investuar materialisht, moralisht edhe tërë potencialin intelektual për të plotësuar sadopak zbrazëtirat e krijuara, do thosha me plot guxim, të krijuara me qëllime të caktuara nga ata që asnjëherë nuk e deshën as Ulqinin, as popullatën e tij e sidomos të kaluarën e lavdishme historike të tij disa mijëvjeçare. Kur e them këtë, e kam fjalën për djegien me qëllim të arkivit të qytetit, veprim ky për të cilin askush as që dha përgjegjësi, por që u bë për të shlyer memorien e këtij populli, për të shlyer historinë e tij mijëravjeçare, e që nuk ka veprim më të tmerrshëm se ky përveç likuidimit fizik. Andaj dhe angazhimi i Jusuf Likës, i këtij njeriu prej eruditi, që sadopak të qëmtojë gjithandej nëpër arkivat rajonale dhe evropiane për të grumbulluar materiale për qytetin e tij është i jashtëzakonshëm. Ai zgjodhi të grumbullojë materialet nga ata persona që e kishin vizituar këtë vend, kishin shkelur mbi këtë tokë, mbi tokën e Ulqinit, ishin njohur me bukuritë e tij dhe kishin komunikuar drejtpërdrejt me njerëzit e tij të mrekullueshëm.
Shënimet e shumë udhëpërshkruesve, të cilët udhëtuan gjatë shekujve në zonën e Evropës Juglindore, që prekën edhe qytetin e Ulqinit, janë sigurisht ndër burimet e klasës së parë për të mësuar për të kaluarën tonë. Për studiuesit e sotëm, udhëtimet ofrojnë informacione të vlefshme për popujt dhe vendet në këtë pjesë të Evropës. Shkrime udhëtimi për jetën dhe zakonet e njerëzve, tekste për historinë dhe monumentet kulturore, për Kalanë e Ulqinit dhe zhvillimin e qytetit si qendër urbane, ose shkrime dhe përshkrime për fatin e këtij vendbanimi gjatë historisë, janë materiale të domosdoshme për studiuesit e trashëgimisë kulturore dhe civilizuese tonën. Këto shënime jashtëzakonisht domethënëse dhe interesante të udhëtarëve, në radhë të parë për Ulqinin, që Jusuf Lika i ka përmbledhur në librin e tij, mund të kompensojnë sadopak mungesën e burimeve vendase në epoka të caktuara të zhvillimit të qytetit tonë. Qëllimi i këtij botimi, gjegjësisht i autorit Jusuf Lika, është të hetohej në një mënyrë të re, bazuar në tekstet e të huajve që vizituan Ulqinin ose qëndruan në të për një kohë të gjatë. Para së gjithash, bëhet fjalë për udhëtime të të huajve, por edhe të njerëzve nga trojet tona. Këto janë njerëz që kaluan nëpër Ulqin dhe rrethinë, ose që kanë folur apo vetëm përmendur Ulqinin që nga mijëvjeçarët para epokës së re e këtej, dhe kanë lënë gjurmë të shkruara për të. Synimi i autorit ishte ta bënte këtë botim si një hap i parë që duhet ndërmarrë në vazhdimësi si një sipërmarrje të madhe shkencore të kërkimit, interpretimit dhe publikimit të literaturës së udhëtimit për Ulqinin, vendlindjen e tij që në shumë raste ka ekzistuar si një port apo pikë qëndrimi përgjatë rrugëve shtegtare të udhëpërshkruesve. Në këtë përmbledhje janë publikuar materialet që autori ka grumbulluar gjatë një çerek shekulli apo edhe më shumë.
Jusufi me librin e tij na bën me dije se udhëpërshkruesit që vizituan Ulqinin ishin të të gjitha llojeve ose profileve: nga parlamentarë ose sekretarë dhe mbajtës të shënimeve të tyre, pelegrinë, priftërinj, mjekë, oficerë, shkrimtarë, piktorë, fotografë, botanistë, por edhe skllevër apo aventurierë, dhe se të gjithë përpiqeshin, secili në mënyrën e vet, të regjistronin përvojat e tyre, vizionin e tyre për qytetin e Ulqinit. Do përmendi vetëm disa emra, që nga kohët më të vjetra si dhe disa thënie të tyre, pa koment. Këtu i lanë gjurmët e tyre, përveç të tjerëve, Plini i Vjetër, Straboni, Tit Livi, Al Idriz, Ptolomej, Haxhi Kallfa, Samuili, Arnold fon Harfi, Servantesi, Arnaut Mami, Evlia Çelebiu, Ulluxh Alia, Gad Nasi, Sabetai Zvi, por edhe piktorët e njohur Kolë Idromeno, Paja Jovanoviq, pastaj Rovinski, Mark Milani, Sami Frashëri, Marin Sirdani, Edit Durham çekët: Jozef jan Svatek, V. Çerni, V. Dvorski, L. Kuba, francezët Zherom dhe Zhan Taro, B. Nushiqi, Isidora Sekuliq etj.
Dhe në fund disa thënie që nuk duan koment:
Vojvoda Pllamenci: Është mëkat i madh t’u bëhet ndonjë e keqe ulqinakëve.
Vojvoda Simo Popoviq: Ulqini në vitin 1878 është djegur nga kënaqësia personale. (Unë pyes: Përse?)
Artur Evans (në Mançester Guardian): Ulqini është një qytet i pastër shqiptar.
Milioneri francez Zhak Lebodi: “Ulqini i ka të gjitha”… dhe deshi ta blejë dhe ta bëjë Monako i dytë, por nuk e lejon knjazi. (Përsëri pyes: Përse?)
Kuba: Rrallë ku mund të gjendet aq shumë bukuri dhe shëndet si në Ulqin.
Isidora Sekuliq: “Fryma e parajsës jeton në Ulqin…”, një shkrim letrar-poetik i jashtëzakonshëm.
Dr. Kujaçiq: Natyra i ka dhuruar Ulqinit çdo gjë, madje edhe më shumë seç i duhet.
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Bibliotekën e Qytetit – Ulqin, më 1 prill 2024)

Të fundit

më të lexuarat