Si u fundos anija “Skenderbeg” në liqenin e Shkodrës

Hajrullah Hajdari

Liqeni i Shkodrës në brendinë e tij ruan shumëçka nga historia e jetës së banorëve që jetojnë në brigjet e tij dhe jo vetëm të atyre. Fundliqeni i ruan ata të patrazuar nga hulumtues e njerëz të tjerë të interesuar për fatin e tyre. Hulumtimet janë të pakta e të varfra, sidomos nga pala shqiptare! Ekipi i Sektorit për Hidrografi në Lepetane i Entit Hidrometeorologjik të Malit të Zi, vite më parë, vetëm në relacionin 30 km Vir Pazar – Muriq, kanë zbuluar shumë objekte, jo vetëm lundruese, të fundosura.
Ndër të tjera në thellësi të liqenit të Shkodrës, sot e kësaj dite, plot 82 vjet pushon anija (avullorja) “Skenderbeg”! Fati i anijes në fjalë është i rëndësishëm për emrin që mban dhe faktin se pronari i parë ishte shqiptar.

  • Karakteristikat e anijes “Skenderbeg”
    Anija “Skenderbeg” u ndërtua në vitin 1916 nga kompania “Austrian Lloyd” në kantierin Triestino të Trieshtit (Trst) në Itali, me këto karakteristika: gjatësia 21,10 m, gjerësia 5,30 m , lartësia 1,30, fuqia bartëse 20 T, fuqia motorike 80 KF. Menjëherë pas daljes nga kantieri e bleu pronari i anijeve nga Shkodra Stefan Curani. Anija plot 25 vjet shërbeu për transportin e udhëtarëve dhe mallrave në linjën Shkodër-Planicë-Vir Pazar – Rijeka Crnojeviq dhe anasjelltas. Mendohet se anija “Skenderbeg” në vitin 1928 u ble nga kompania malazeze “Boka”, e cila në vitin 1934 shndërrohet në “Zetska Plovidba”. Ma ardhjen e Italisë fashiste anija u uzurpua nga ushtria italiane dhe shërbente për nevojat ushtarake të tyre.
    Ushtria italiane kryesisht anijen e përdorte për nevojat ushtarake (transportimi i mallrave për kazermat dhe stacionet policore, transportimi i pasagjerëve ushtarako-policorë dhe përfaqësuesve diplomatikë) por edhe për kontrollimin e liqenit. Në këtë mënyrë partizanët e ushtrisë jugosllave nuk kishin asnjë mundësi për lëvizje apo veprim nëpër liqen dhe rrethinat e tij. Për këtë arsye Shtabi i batalionit të ushtrisë jugosllave “Carev Laz” që vepronin në rajonin Vir Pazar – Rijeka Crnojeviq vendosën që ta sulmojnë anijen, ta shkatërrojnë ose ta bëjnë plaçkë të tyre.
  • Fundosja e anijes
    Kështu, më 12 qershor 1942 Shtabi partizan i këtij batalioni, duke menduar se anija aty do të kalojë prej orës 10-13 i vuri pritën anijes “Skenderbeg”. Anija gjatë lundrimit duhej të kalonte nëpër ngushticën Basa -Lisinj afër fshatit Karuç, vetëm 10-15 metra nga brigjet e kësaj ngushtice dhe konsiderohej vendi më i përshtatshëm për zhvillimin e aksionit. Mendohej se italianët në rast sulmi do ta mbrojnë anijen me forcë dhe për këtë arsye ata vendosën në dy anët e ngushticës afër 50 partizanë me 5-6 pushka mitraloz. Për çudi të Shtabit anija iu afrua ngushticës shumë më herët, në ora 7,40, kur të gjithë partizanët ende nuk kishin zërë pritën ashtu si planifikohej. Megjithatë, kur anija u afrua partizanët hapën zjarr në drejtim të anijes nga të dy drejtimet. Për çudi, pas të shtënave të para, nga anija u dha shenjë se do të dorëzohen, kështu që partizanët i ndaluan të shtënat. Por, vetëm pas pak minutash nga anija filluan të shtënë në drejtim të partizanëve të vendosur në brigjet e Lisinjit. Partizanët hapën përsëri zjarr në drejtim të anijes dhe e ftuan ekuipazhin të dorëzohej. Lufta zgjati disa dhjetëra minuta, kështu që ekuipazhi u detyrua ta sillte anijen në brigjet e ngushticës dhe kështu ajo, më të gjithë materialin u bë plaçkë e partizanëve. Meqenëse ushtria italiane mbante Gradinën (në rrugën Rijeka Crnojeviq-Vir Pazar) ekzistonte mundësia e sulmit të tyre ndaj partizanëve, të cilët sulmet e italianëve nuk do t’i përballonin dot. Për këtë arsye, pasi oficerët dhe ushtarët italianë i zbritën në tokë, anija me ekuipazh u nis në drejtim të urës që gjendej afër Zle Gorës, ku u bë shkarkimi i mallit. Me ndihmën e fshatarëve të Prevllakës malli u shkarkua shumë shpejt, kështu që anija u nis në drejtimin Ploçë – Rogana dhe mbërriti në vendin e quajtur Crna Gllavica. Partizanët të bindur se anijen e uzurpuar nuk do të mund ta shfrytëzonin vendosën ta fundosin ashtu si ishte, të padëmtuar. Anija pushon e zhytur në baltë të liqenit që 82 vjet, e paprekur e e patrazuar nga askush.
    Ekspedita e zhytësve hulumtues “Akvanaut” në vitin 1999, bëri hulumtimin e anijes “Skenderbeg” me ç’rast u konstatua se anija gjendet në vendin e fundosjes në një thellësi prej 11 metrave, e zhytur në baltë, e kthyer në krah, në drejtim të jugperëndimit dhe është në gjendje të mirë. Në muajin gusht apo shtator, kur niveli i ujit është në minimumin vjetor dhe i pastër anija mund të vrojtohet nga sipërfaqja e ujit.
    Ka pasur tentime të nxjerrjes së kësaj anije në vitin 1946 dhe 1952, por për shkak të pajisjeve jo adekuate nxjerrja dështoi. Nga kjo kohë nuk ka pasur asnjë tentim tjetër të nxjerrjes së kësaj anije, edhe pse tani ka pajisje me të cilat aksioni i nxjerrjes do të kishte sukses.
  • Anija “Skenderbeg” të shndërrohet në atraksion turistik në liqenin e Shkodrës
    Është e patolerueshme që një anije e tillë, me një histori të veçantë për faktin se i shërbeu popullatës së Shkodrës, Krajës, por edhe të zonës së Vir Pazarit, Rija Crnojeviqit dhe Cetinës, për gati tri dekada, por edhe emrit që mban, të mbetet i zhytur në thellësinë e liqenit, aq më tepër pasi është konstatuar se është në gjendje të mirë.
    Vërtetë Parku Nacional “Liqeni i Shkodrës” në vitin 2017 ka nisur procedurën që anijes së fundosur “Skenderbeg” “t’i jepet statusi i pronës së mbrojtur kulturore”. Deri me sot nuk ka njoftime se kjo procedurë ka përfunduar!
    Sidoqoftë, përfitimi nga nxjerrja e anijes “Skenderbeg” do të ishte e shumëfishtë. Anija e fundosur në fjalë mund të shfrytëzohen për shumë qëllime. Në rend të parë anija mund të shndërrohet në një ekspozitë për vizitorë vendas dhe të huaj dhe së dyti, pasi gjendet në gjendje të mirë, mund të rikthehet në funksionin e mëparshëm – anije lundruese si atraksion turistik në liqenin e Shkodrës. Varianti i dytë është më i pranueshëm për ne shqiptarët për faktin se, siç kemi cekur më lart, pronar i parë i kësaj anije ka qenë shqiptari nga Shkodra Zef Curani dhe që është më e rëndësishme, anija mban emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Rikthimi i funksionin lundrues të anijes “Skenderbeg” nëpërmes një projekti “Rivitalizimi i anijes së fundosur “Skenderbeg” do të përmirësonte dhe begatonte ofertën turistike edhe për trojet shqiptare, veçanërisht të atyre rajoneve në afërsi të liqenit të Shkodrës siç janë Shkodra, Ulqini dhe Kraja. Për realizimin e këtij projekti nevojiten mjete të konsiderueshme financiare. Një ndër mënyrat e thithjes së mjeteve financiare për këtë qëllim mund të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi. Mbetet të shpresojmë!

Të fundit

më të lexuarat