Kosova, një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Raporti është votuar me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Kundër raportit kanë votuar dy deputetë nga Serbia, deputeti nga Bosnja e Hercegovina dhe kryetarja e delegacionit malazez, deputetja Maja Vukiçeviq nga Partia Demokratike Popullore, e njohur si parti pro-ruse dhe pro-serbe, ndërkaq ka abstenuar deputeti grek Aleksis Cipras

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar të mërkurën (27 mars 2024) raportin e raportueses për Kosovën, shefes së diplomacisë greke Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti i Kosovës i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Raporti është votuar me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Kundër raportit kanë votuar dy deputetë nga Serbia, deputeti nga Bosnja e Hercegovina dhe kryetarja e delegacionit malazez, deputetja Maja Vukiçeviq nga Partia Demokratike Popullore, e njohur si parti pro-ruse dhe pro-serbe, ndërkaq ka abstenuar deputeti grek Aleksis Cipras.
Komiteti për Politikë dhe Demokraci ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”.
Në raportin e Bakoyannis kërkohet po ashtu edhe largimi i fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës, e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës dhe jo si vend sipas Nenit 5.
Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me humicë serbe, sipas Komitetit ky duhet të jetë një angazhim për Kosovën pas anëtarësimit të saj në KE që do të ndihmonte të sigurojë mbrojtje për të drejtat e serbëve në Kosovë, kurse sa i përket shpronësimit të pronave në veri, Komiteti ka thënë se ato duhet të kryhen “duke respektuar ligjin” dhe në përputhje të plotë me Planin e Ahtisarit.
Raporti pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës erdhi pas kërkesës së Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me ç’gjë është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Për Kosovën vendim historik, për Serbinë skandaloz
Kosova e ka përshëndetur vendimin e Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, kurse Serbia e ka quajtur atë të turpshëm dhe skandaloz.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar vendimin e Komitetit si një ditë historike për Kosovën, duke shtuar se ky është hapi i parë drejt anëtarësimit.
“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët në mënyrë që të sigurojmë që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje të drejtë ndaj instrumenteve të Këshillit të Evropës përmes anëtarësimit me të drejta të plota të Kosovës”, ka theksuar ajo.
Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se vendimi i Komitetit që të pranojë rekomandimin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është “i turpshëm dhe skandaloz” dhe se përbën “dëshmi të fundit të së drejtës ndërkombëtare”.
“Ai (vendimi) i shkatërron të gjitha parimet në të cilat bazohet Këshilli i Evropës, sepse për herë të parë propozohet pranimi i territorit i cili nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe nuk është i njohur ndërkombëtarisht”, ka theksuar ai.

Reagimet në Mal të Zi ndaj votës kundër pranimit të Kosovës në KE
Votimi kundër i deputetes nga Mali i Zi, Maja Vukiçeviq, ka ngjallur reagime të ndryshme në Mal të Zi, për shkak se kjo është kundër politikës zyrtare të Malit të Zi, i cili e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe kundër politikës së jashtme të qeverisë aktuale të Malit të Zi e cila është deklaruar se nuk do të ketë asnjë ndryshim të qëndrimit të saj në raport me Kosovën.
Opozita malazeze e ka cilësuar këtë veprim të deputetes Vukiçeviq si antievropian.
“Maja Vukiçeviq ka votuar sot në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sipas instruksioneve të Milan Knezheviqit e jo sipas asaj që është orientim strategjik i Malit të Zi. Udhëheqja shtetërore në krye me Millojko Spajiqin, e shantazhuar nga mbështetja e partive të Knezheviqit dhe Mandiqit, nuk guxon as të reagojë ndaj asnjë veprimi të këtyre dyve, me të cilët Mali i Zi në mënyrë tendencioze pengohet në procesin e integrimeve evropiane”, kanë deklaruar nga Partia Demokratike e Socialistëve.
Madje nënkryetari i PDS-së, Ivan Vukoviq, ka thënë se lidhur me këtë do të inicojë seancë dëgjimore në Këshillin për Integrime Evropiane të Kuvendit të Malit të Zi, të shefit të diplomacisë malazeze dhe ministres për Çështje Evropiane.
“Si kryetar i Këshillit për Integrime Evropiane do të inicoj seancë dëgjimore të ministrit të Punëve të Jashtme Filip Ivanoviq dhe ministres për Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviq, për shkak të shmangies së përfaqësueses së pushtetit nga politika e jashtme zyrtare e Malit të Zi dhe pasojave që kjo prodhon në procesin e integimeve evropiane”, ka shkruar ai në rrjetin shoqëror X.
Përfaqësuesit politikë shqiptarë në pushtet dhe në opozitë bashkohen në vlerësimin se qëndrimi i përfaqësueses së Malit të Zi është kundër marrëveshjes së koalicionit qeverisës, por megjithatë disa prej tyre e kanë relativizuar këtë.
Për kryetarin e Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, njëherësh zëvendëskryeministër i Malit të Zi, pozicioni i një deputeti, në rastin konkret i deputetes Vukiçeviq, nuk do të thotë se është politikë zyrtare e Qeverisë së Malit të Zi.
“Qeveria do të japë qëndrimin e saj zyrtar për anëtarësimin e Kosovës kur të votohet në Këshillin e Ministrave të KE-së. Ky është qëndrimi i Qeverisë dhe shtetit. Pjesa tjetër janë pikëpamjet e deputetëve që kanë të drejtë ta bëjnë këtë”, ka thënë ai në një përgjigje për BIRN.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ka thënë se votimi i deputetes Vuçiqeviq është në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit dhe se rrezikon fitimin e IBAR-it.
“Partia Demokratike dhe unë si lideri i saj dhe anëtar i koalicionit qeverisës e vlerësojmë këtë veprim të dëmshëm dhe që kërcënon integrimet evropiane të Malit të Zi. Pres që lidhur me këtë veprim të deklarohen qartë dhe anëtarët e tjerë të koalicionit dhe në përputhje me të do të deklarohemi edhe ne”, ka theksuar ai.
Sipas kryetarit të UDSH-së dhe deputetit Mehmed Zenka, votimi në Asamblenë Parlamentare kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është një veprim i paralajmëruar i përfaqësuesit tonë.
“Kjo dëshmon se Malin e Zi e përfaqësojnë njerëzit për të cilët më e rëndësishme është politika partiake sesa interesat shtetërore të Malit të Zi”, ka theksuar ai, duke shtuar se “edhe ky votim kundër pranimit në KiE është në frymën e politikës së Botës Serbe”.
Deputeti i Lëvizjes Qytetare URA dhe ish-kryeministri Dritan Abazoviq e ka komentuar votën e Malit të Zi kundër Kosovës duke thënë se kemi një realitet të ri.
“Gjatë mandatit tim, ne e mbështetëm tërësisht Kosovën. Por ky është realitet i ri. Kjo ndodh sepse shumica është krijuar me parti që nuk ndajnë të njëjtin vizion, programe dhe vlera. Ata mendojnë se kjo mund të funksionojë, unë them të kundërtën”, është shprehur ai.

Qeveria e Malit të Zi premton se në Asamblenë Parlamentare do të votojë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Pas votimit në Komitet, hapi i radhës do të jetë më 18 prill, kur raporti për Kosovën do të hidhet në votim para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në përbërjen e saj të plotë.
Nga Qeveria e Malit të Zi kanë paralajmëruar se këtu do të vërehet qëndrimi zyrtar për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Votimi do të zë vend në prill. Atëherë do të shihni pozicionin zyrtar të shtetit të Malit të Zi”, ka deklaruar kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.
Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe ministrja për Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviq, gjatë vizitës së saj në Prishtinë dhe takimit me zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.
“Votimi i disa deputetëve në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Europës nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe qëndrimin e Qeverisë. Në këtë rast nuk domethënë qëndrimin e Qeverisë së Malit të Zi. Ajo e ka nxjerrë qëndrimin e partisë së vet”, është shprehur ajo, duke nënvizuar se “Mali i Zi në Komitetin e Ministrave do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në këtë mënyrë pa dyshim që do t’ia japë përkrahjen Kosovës sa i përket të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me interesin në fushën e integrimeve evropiane”.
Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e cila është një prej organizatave ndërqeveritare më të vjetra politike në Evropë, por anëtarësimi i saj në këtë organizatë kundërshtohet nga Serbia. Megjithatë, përjashtimi i Rusisë nga kjo organizatë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, më 16 mars 2022, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, ka rritur gjasat për anëtarësimin e Kosovës.
Pranimi në këtë organizatë do t’i sillte Kosovës dhe qytetarëve të saj përfitime në disa fusha si atë politike, sociale dhe juridike. Kjo do të rriste mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme në vendet jashtë Kosovës e që janë anëtare të KE-së. Anëtarësimi në KE do t’u mundësonte kosovarëve t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe do të forconte subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Pas votimit të Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës çështja procedohet në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do ta mbajë në muajin maj.
Këshilli i Evropës, i cili është themeluar në vitit 1949, është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg, bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat