Ulqini në hartat e vjetra

Gazmend Çitaku

Pjesë përbërëse e historisë së njerëzimit që nga fillet e tij padyshim se është hartografia. Hartat më primitive për të cilat kemi informacione janë ato të vizatuara në muret e shpellave. Është interesante se harta e parë nuk paraqet konfiguracion terreni tokësor por hapësirë qiellore. Pikërisht, disa pika në murin e shpellës Lascaux në jugperëndim të Francës paraqesin pamje të qiellit në mbrëmje ku identifikohen tri yjet më të shndritshme Vega, Denebi dhe Altairi (Trekëndëshi Veror).
Pamja më e vjetër që i ngjan një harte është ajo që është zbuluar në muret e një shpelle në Çatalhoyuku të Turqisë. Kjo pamje paraqet një vendbanim primitiv të kohës së neolitit dhe daton diku rreth 7000 vjet p.e.re. Me kalimin e kohës saktësia në punimin e hartave rritet andaj edhe mund të themi se hartat e Babilonisë së vjetër njihen për saktësinë e vet të madhe referuar kohës kur janë përpiluar. Kështu harta më e vjetër e ruajtur deri në ditët tona është “Harta Bibilonase e botës” që daton rreth 600 vjet p.e.re.
Kur vijmë në periudhën e hershme të Greqisë antike, Straboni e konsideron Homerin si themelues apo “baba” të gjeografisë. Ç’është e vërteta Homeri nuk ka punuar kurrë harta, mirëpo dy veprat e tij “Iliada” dhe “Odisea” janë atllase të vërteta me shpjegime të detajuara të shtrirjeve jo vetëm të popujve por edhe të vendndodhjeve të qyteteve, lumenjve, kodrave, llojeve të erërave dhe të gjitha elementeve që sot mund t’i hasim nëpër hartat moderne. Duhet theksuar se Homeri e ka paramenduar tokën të sheshtë, në formë të një disku dhe të rrethuar me oqean. Sikurse Homeri edhe shumë filozofë tjerë grekë, të asaj kohe, mendonin se Greqia ndodhej në qendër të botës, kurse fundi i botës është i rrethuar me vegjetacion të egër, krijesa të frikshme dhe me njerëz barbarë. Formën sferike të tokës i pari që e argumentoi ishte Aristoteli (384 – 322 p.e.re). Kurse Ptolomeu (90-168 e.r) konsideronte se harta e botës shumë lehtë mund të punohet me ndihmën e matematikës dhe astronomisë.
Nga periudha e Perandorisë Romake, prej hartave, më e njohura është Tabula Peutingeriana e shek.V e cila u ripunua në shek. XII dhe sot është nën mbrojtjen e UNESCO-s. Mesjeta avancon traditën e punimit të hartave. Veçohen dijetarët islamë, të cilët përdorin metodat e Ptolemeut, por të pasuruara me të dhënat e mbledhura nga eksperiencat dhe njohuritë e detarëve, tregtarëve dhe hulumtuesve të ndryshëm që kanë lundruar anembanë botës, që nga Spanja e deri në Indi, Afrikë e Kinë. Ndër më të njohurit janë Muhammed ai-Idriz, Piri Reis etj.. Hartografët më të njohur evropianë të periudhës së zbulimeve të mëdha gjeografike janë: Nicholas Germanus, Pedro Reinel, Juan de la Cosa, Gerardus Mercator, Abraham Ortelius, Pietro Visconte etj..
Pas gjithë kësaj uverture lidhur me historikun e hartave dëshiroj të sjell në vëmendje Ulqinin si një ndër qytetet më të vjetra të bregdetit lindor të Adriatikut. Dhe me të vërtetë Ulqini e mban me shumë krenari këtë epitet pasi që figuron pothuaj në të gjitha hartat e njohura deri më sot e që për tematikë shtjellojnë Evropën apo Mesdheun.
Nuk më kujtohet saktësisht se në cilin vit, mendoj se ishte viti 2000, nën organizimin e Qendrës për kulturë të Ulqinit, atëbotë drejtor ishte i ndjeri Sari Resulbegu, u mbajt një konferencë shkencore që për temë kishte Ulqinin dhe detarinë. Mes të pranishmëve me kumtesë u paraqit një studiuese nga Kotorri, konkretisht zonja Marija Mihaliçek. Kumtesa e saj për temë kishte Ulqinin në hartat e vjetra. Ajo çka prezantoi më mbeti në kujtesë për një kohë të gjatë. Vendosëm kontaktet duke u zotuar për një bashkëpunim në një të ardhme të afërme. Ajo duhej ta zgjeronte kumtesën e saj dhe ta pasuronte me ilustrime, kurse unë të angazhohesha rreth përgatitjeve për botimin në të dy gjuhët. Punimi u zgjerua pak, por kurrë nuk pati fatin të botohet sepse nuk gjendej mirëkuptimi dhe mbështetja financiare. Me kalimin e kohës kontaktet u zbehën, libri u harrua.
Atë që nuk arritëm ta bëjmë ne për Ulqinin lidhur me hartat e vjetra, Muzeu detar i Kotorrit bëri për Gjirin e Kotorrit. Pra, kohë më parë në Kotorr (nëntor 2023) u përurua një botim i veçantë i quajtur “Pesë shekuj të Gjirit të Kotorrit në hartografinë evropiane”. Ky botim unik dhe luksoz i formatit të madh përmban 185 harta duke filluar nga ajo e shekullit XV, deri të ajo e vitit 1928 që paraqet “Hartën hekurudhore të Italisë dhe linjat lundruese”. Ajo që e bën këtë botim shumë interesant për ne, është fakti se nga këto 185 harta ku kryefjala është Gjiri i Kotorrit, në 170 prej tyre figuron Ulqini. Nëpër këto harta hasim në këto emërtime Dulcigno, Dulsin, Dulchinium, Dolfin, Dulcin, Dolcigno etj.. Gjithashtu, për ne me shumë interes është edhe fakti se në hartat më të vjetra mesjetare gjithsesi, por edhe ato pak më të reja gjithmonë pranë Ulqinit figuron edhe vendbanimin Valdanos apo siç e shënojnë – Val di noce. Kjo do të thotë se Valdanosi si port natyror i Ulqinit gjithmonë ka pasur një rol të rëndësishëm, jo vetëm për detarinë ulqinake por edhe si vend i sigurt për çdo anije e cila lundron brigjeve të Ulqinit, andaj edhe figuron në shumicën e hartave.
Ilirët, e me ta edhe ilirët ulqinakë, kanë lundruar që në shek. VII p.e.re dhe i kanë rënë rreth e përqark Adriatikut e Mesdheut duke prekur brigjet italiane e ato greke, pastaj brigjet e Afrikës veriore dhe gjithë Mesdheun. Lundronin dhe i dinin të gjitha rrugët detare, njihnin shumë mirë brigjet dhe erërat. Mjetet e vjetra me të cilat janë shërbyer, ilirët nuk kanë arritur deri në ditët tona, por duke qenë detarë të mirë diçka edhe duhet të kenë pasur për orientim. Përveç si qendër e rëndësishme përgjatë rrugëve detare ku Ulqini paraqitet në të gjitha hartat, gjithashtu atë e hasim edhe në hartat ku paraqiten rrugët tokësore siç është Tabula Peutingeriana të shek.V ku Ulqini paraqitet në rrugën Epidaurus – Resinum -Vicinium -Batua. Pra, Ulqinin e gjejmë me emrin Vicinium. Nga mesjeta harta më e vjetër nautike që ka arritur deri në ditët tona është “Harta detare e Mesdheut” edhe këtu figuron Ulqini me ngjyrë të kuqe si port i rëndësishëm dhe Valdanosi si port natyror për strehimin e anijeve. Në periudhën e humanizmit dhe renesancës si dhe me zbulimet e mëdha gjeografike edhe hartografia zhvillohet. Tani edhe shkenca kishte ecur përpara, kështu që për punimin e hartave përveç atyre tradicionale tani ato mund të shumëfishoheshin pa problem sepse tashmë ishte zbuluar shtypi si dhe punoheshin në bakërgdhendje ose drugdhendje. Edhe Ulqini si qendër e rëndësishme gjendet në këto “veduta” apo pamje. Dallojmë vedutat e punuara nga Vincenzo Coronelli, Giuseppe Rosaccio, Giovanni Franco, Simone Pinargenti etj.. Veduta më e vjetër e Ulqinit që ne dimë deri më tani i nënshkruhet Giovanni Batista Franco-s dhe i përket periudhës së Republikës së Venedikut (1421-1571) me nënshkrimin DULCIGNO. Aty dallojmë: kalanë (citadela), tetë kulla, kishën e madhe me kupolë dhe pak më poshtë kishën me kambanarë. Në këtë periudhë Ulqini ishte pjesë e Albania Veneta por edhe me ardhjen e Perandorisë Osmane, Ulqini mban rëndësinë e vet portuale herë si qytet me rëndësi të veçantë për tregti detare e herë për kusari, veprimtari që në atë kohë ishte legale dhe e stimulonin shumë shtete.
Ulqini pra, në të gjitha periudhat kohore ka qenë një vend me rëndësi, andaj edhe e gjejmë në shumë harta, veduta dhe prodhime të ndryshme hartografike. Ulqinakët që janë detarë të lindur lundronin jo vetëm nëpër Mesdhe por edhe oqeaneve. Si “ujq deti që ishin” për t’u orientuar shërbeheshin me yje, erëra, ndonjë busull e rrallëherë (ndoshta në shek. XIX) me harta. Pra, edhe Ulqini meriton një botim luksoz të përmbledhur me harta e veduta të vjetra. Besoj se 200 sish do të mblidheshin në një vend, vetëm duhet punë dhe vullnet i mirë.

Të fundit

më të lexuarat