Mjeku i shquar humanistdhe veprimtari zemërzjarrtëpër shqiptarinë dhe përkulturën kombëtare

Doktor Simë Dobreci do të mbetet i gdhendur në kujtesën tonë si një personalitet i lartë i mjekësisë shqiptare dhe një veprimtar i shquar e i palodhur i jetës dhe lëvizjes kulturore e shkencore të popullit shqiptar në shkallë kombëtare

Prof. dr. Emil Lafe

Më 27 mars Prof. dr. Simë Gjon Dobreci do të mbushte 90 vjet. Mjerisht u nda nga jeta katër vjet më parë, më 16 qershor 2020. Ai ka ditur ta jetojë denjësisht jetën e vet: si mjek i përkushtuar me një ndjenjë të lartë e fisnike humanizmi në shërbim të njerëzve, si bashkëshort e prind shembullor, si profesor e shkencëtar në shërbim të rinisë universitare e të shkencës mjekësore, dhe si shqiptar idealist në shërbim të dijes, të kulturës e të çështjes kombëtare. Si rrallëkush ai ishte jo vetëm shembull për t’u ndjekur, por edhe frymëzues në rrugën e jetës së virtytshme, ku vetjakja, e përbashkëta dhe kombëtarja shkojnë përkrah në mënyrë të pandashme. Për këto merita e veti të larta Simë Dobreci ka marrë nderime e përgëzime të çiltra e të denja jo vetëm nga kolegët e fushës së vet të mjekësisë, por nga të gjithë ata që kanë pasur rastin ta njohin drejtpërdrejt ose nëpërmjet shkrimeve e punëve të tjera që ka bërë si veprimtar zemërzjarrtë për shqiptarinë dhe për kulturën kombëtare.
Emri i Simë Dobrecit është përfshirë me një artikull të veçantë edhe në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (vëll. 1, Tiranë, 2008, autor akademik Isuf Dedushaj). Prej asaj paraqitjeje të thukët mësojmë se Simë Gjon Dobreci kishte lindur në fshatin Braticë të Ulqinit më 27 mars 1934. Kreu gjimnazin në Tivar dhe studimet universitare për mjekësi në Beograd (1957-1963). Punoi katër vjet si mjek në Ulqin e në Tivar, më tej shërbeu në Spitalin e përgjithshëm të Prishtinës si mjek dermatolog, kreu specializimin në Zagreb dhe u emërua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ku atë vit ishte krijuar edhe klinika e dermatologjisë. Kreu një specializim të dytë në Kanada dhe dha një ndihmesë të gjithanshme për organizimin e shërbimit dermatologjik në Kosovë dhe për arritjet shkencore në atë fushë. Është autor i tekstit universitar “Dermatologjia” (1980, me disa ribotime); qe kryeredaktor i revistës shkencore “Praxis medica” (1994-2000).
Pasi doli në pension, u kthye në Braticën e tij të dashur dhe iu përkushtua kryesisht kulturës kombëtare popullore e të lëvruar, bashkimit dhe organizimit të shqiptarëve në veprimtari për ruajtjen dhe gjallërimin e traditave kulturore në kuptimin e gjerë të fjalës. Ishte krenar për kontributin e shqiptarëve të Tivarit e të Ulqinit në kulturën kombëtare. Më 2001 Simë Dobreci nis të botojë revistën “Buzuku” si organ informativ, kulturor e shoqëror të Shoqatës “Don Gjon Buzuku”, themeluar më 1995 në Ulqin. Si kryeredaktor i kësaj reviste Simë Dobrecit i është dashur të përballojë vështirësi të shumta, por, siç thotë një fjalë e urtë nga libri i proverbave i Sotir Kolesë (1944), “Ku ka zemër, ka dhe krahë”. Zemra e zjarrtë shqiptare i dha krahë Simë Dobrecit që t’i jepte jetë “Buzukut” të tij numër pas numri – fatmirësisht revista po del edhe pas ndarjes së tij nga jeta. Mbi 50 numra që kanë dalë deri sot përbëjnë një pasuri kulturore me vlerë të përhershme jo vetëm për shqiptarët në Malin e Zi, por për gjithë kulturën shqiptare. Sipas idesë së Simë Dobrecit në këtë revistë gërshetohen e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja shqiptare. Në faqet e revistës gjen informacione dhe trajtesa për jetën dhe zhvillimet jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e në mërgatën shqiptare anembanë rruzullit. Me kujdes të veçantë është pasqyruar dhe dokumentuar trashëgimia shpirtërore e shqiptarëve në anët e Ulqinit e të Tivarit dhe të Arbëneshit të Zarës (Kroaci), të themeluar prej këtyre në fillim të shek. XVIII. Në këtë vështrim kjo revistë përbën edhe një arkiv historiko-kulturor dhe gjuhësor për t’u hulumtuar. Duke u mbështetur kryesisht te lënda folklorike e botuar në revistë, Simë Dobreci përgatiti dhe botoi vëllimin “Krijime popullore shestanase” (Ulqin, 2017, 266 f.), ku janë përmbledhur këngë lirike: dashurie e të dasmave, këngë të barinjve, të kurbetit, elegji, këngë historike si edhe dëshmi për lashtësinë e shqiptarëve në fshatrat e Shestanit. Vëllimi ka edhe vlera gjuhësore si pasqyrë e veçorive krahinore të gjuhës shqipe dhe e pasurisë së fjalorit. Vetë autori ua kushton librin “njerëzve që e duan dhe e nderojnë gjuhën e shenjtë të të parëve të vet”.
Miqësia ime me prof. Simë Dobrecin zë fill nga një artikull me titull “Dita e madhe e 20 Marsit 1554”, që pata botuar në mars 2004 për të përkujtuar heroizmin intelektual dhe atdhetar të Don Gjon Buzukut. Pikërisht më 20 mars 1554 (ndë vjetët 1554 njëzet dit ndë mars), para 570 vjetësh, ky meshtar i thjeshtë, i frymëzuar nga dashuria për popullin e vet, kishte nisur punën për “Mesharin” e tij (e mbarova ndë vjetët 1555 ndë kallënduor 5 dit), që qëndron si një përmendore e lavdishme në themelet e shkrimit shqip e të kulturës shqiptare. Artikulli im atëherë tërhoqi vëmendjen e prof. Simës dhe ia di shumë për nder që e ribotoi te revista “Buzuku”. Shumë vite punë studimore mbi “Mesharin” e Buzukut më kanë bërë ta adhuroj autorin e tij, atë meshtar të thjeshtë, të cilit i dimë vetëm emrin, por i njohim pa dyshim dashurinë e thellë që ushqente për popullin e vet ndë Arbëni dhe që e frymëzoi për atë vepër madhore! Prof. Simë Dobreci ka pasur edhe më shumë arsye të krenohet për këtë prijatar të shkrimit shqip, sepse sipas gjithë gjasave i lavdishmi Gjon Buzuku do t’i ketë pasur rrënjët në ato anë, në krahinën e Krajës. Dhe pikërisht për këtë prof. Simë Dobrecin e brente një brengë: në kishat e katundeve shqiptare të trevës së Tivarit, me meshtarë shqiptarë, nuk po dëgjohej më shqip, dhe në shkollat e atyre katundeve nuk po mësohej as gjuha shqipe e as kultura shqiptare. Brenga e tij është edhe brenga jonë.
Revista “Buzuku”, e ideuar dhe e drejtuar nga prof. Simë Dobreci, ka nxjerrë nga harresa dhe ka sjellë në dritën e dijes së sotme vlera të mëdha të kulturës popullore shqiptare të trevës së Tivarit e më gjerë. Pas kësaj fjalët e Pashko Vasës: “Qysh prej Tivari…” mua më tingëllojnë edhe si një thirrje që gjuha shqipe dhe shqiptaria të mos birret kurrë në Tivar dhe në malësitë e tij, që janë treva më veriore e gjuhës shqipe në bregdetin adriatik. Këto troje prej nga na vijnë dëshmitë e lashtësisë së shkrimit shqip, kanë qenë në shekuj porta e lidhjeve të botës shqiptare me kulturën dhe qytetërimin europian.
Doktor Simë Dobreci do të mbetet i gdhendur në kujtesën tonë si një personalitet i lartë i mjekësisë shqiptare dhe një veprimtar i shquar e i palodhur i jetës dhe lëvizjes kulturore e shkencore të popullit shqiptar në shkallë kombëtare. Ai ishte krenar që i përkiste fisit shqiptar. Zemra e tij e zjarrtë rrihte gjithnjë për vlerat kulturore e historike të malësorëve të Krajës, Ljarjes e Shestanit, për gjuhën shqipe, për visaret e folklorit të atyre anëve, për gjithë popullin shqiptar në trevën e Ulqinit, të Tivarit e të Malësisë. Doktor Sima ishte një punëtor i pashembullt për mbrojtjen dhe këndelljen e traditave kombëtare. Revista “Buzuku” dhe botimet e tjera të tij janë një përmendore e qëndrueshme që do ta mbajë gjallë kujtimin e tij sa të jetë gjallë edhe fisi shqiptar.
Shqiptarët në Malin e Zi, ndonëse kanë ardhur duke u rrudhur si numër për shkak të mërgimit, kanë treguar dhe po tregojnë një gjallëri intelektuale dhe jetë letrare të admirueshme, që pasqyrohet edhe në botimet e shumta. Për fat të keq kjo veprimtari e tyre nuk njihet në mënyrë të mjaftueshme as në Tiranë, pa shkuar më tej. Në prill 2014 u organizua në Bibliotekën Kombëtare një veprimtari njohëse për kulturën dhe botimet e shqiptarëve në Malin e Zi. U paraqitën revistat kryesore të tyre, si “Lemba”, “Dija”, “Buzuku”, “Malësia” dhe botime të tjera. Ishte shpresa që veprimtari të tilla (edhe për botimet e Kosovës e të Maqedonisë) të përsëriteshin herë pas here edhe në mënyrë të ndërsjellë. Vërtet shqiptarët jetojnë në “kontekste të ndryshme shtetërore” (siç i quajnë politikanët), por kultura, shkolla, shkenca shqiptare kanë vetëm një “kontekst”: shtetin e përbashkët kulturor, arsimor, shkencor kombëtar, që duhet me këmbëngulje dhe vijimësi ta forcojmë e ta gjallërojmë (pa u kënaqur vetëm me një Abetare!), se është për të mirën tonë të përbashkët. Dhe fatmirësisht, sot gjithçka në këtë fushë varet nga mençuria, largpamësia dhe vullneti ynë. Për këtë nuk mjafton vetëm dëshira e mirë e disa personave dhe e ndonjë shoqate, por edhe angazhimi institucional i “konteksteve” tona shtetërore.

Të fundit

më të lexuarat