Pioniere e shtypit të pavarur shqiptar në Malin e Zi

Kryeredaktori i revistës “Fati”, Ibrahim Berjashi, ka thënë se botimi i një reviste të tillë në gjuhën shqipe, në kohën kur rreth e rrotull Ballkanit dhe më tej plasnin luftërat, ka qenë një guxim. Ai ka treguar se pasi që regjimi i Millosheviqit e mbylli gazetën “Rilindja”, korrespondent i së cilës ishte, ka menduar gjatë se si të veprojë dhe si reagim ndaj vetes ndërmori iniciativën për të botuar gazetën mujore ‘Fati’

Ulqin – Në Librarinë “Ulqini” të shtunën mbrëma (30 mars 2024) është shënuar 30-vjetori i daljes së numrit të parë të revistës së përmuajshme informative, kulturore dhe shoqërore “Fati”, e cila është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe konsiderohet pioniere e shtypit të pavarur shqiptar në Malin e Zi.
Ideja për botimin e “Fati”-t lindi nga gazetari Ibrahim Berjashi, korrespondent i gazetës së njohur “Rilindja”, i cili në atë kohë ishte kryetar i SHAI “Art Club”. Revista doli në një periudhë të vështirë për shqiptarët në Malin e Zi dhe për shqiptarët në përgjithësi. Për pak më shumë se dy vite (31 mars 1994 deri më 20 maj 1996) sa ekzistoi, u botuan gjithsej 15 numra, duke pësuar fatin e keq të shumë organeve të tjera jetëshkurtra.
Për idenë dhe nismën e botimit të kësaj reviste, problemet, vështirësitë e botimit, si dhe rolin e saj për informimin në gjuhën shqipe në Malin e Zi kanë folur gazetari dhe shkrimtari Ibrahim Berjashi, kryeredaktor i revistës “Fati”, redaktori teknik Qazim Muja, si dhe gazetari dhe pedagogu i gazetarisë Ismet Kallaba.
Kryeredaktori i revistës “Fati”, Ibrahim Berjashi, ka thënë se botimi i një reviste të tillë në gjuhën shqipe, në kohën kur rreth e rrotull Ballkanit dhe më tej plasnin luftërat, ka qenë një guxim.
Ai ka treguar se pasi që regjimi i Millosheviqit e mbylli gazetën “Rilindja”, më 8 gusht 1990, ka menduar gjatë se si të veprojë.
“Si reagim ndaj vetes ndërmora iniciativën për të botuar gazetën mujore ‘Fati’. Ka qenë ndoshta një aventurë, por isha shumë i vendosur. Të bëhet çka të bëhet, do të dalim”, është shprehur Berjashi.
Ai ka thënë se mungonin mjetet financiare fillestare për botimin e revistës, por megjithatë më 31 mars 1994 dolën në publik me këtë mujore (Fati) të fjalës së lirë.
Kryeredaktori Berjashi ka thënë se shtypjen e revistës e ka mbështetur zyra e Fondacionit Soros në Podgoricë.
Krahas problemeve të shumta, problemi më i madh, sipas tij, ka qenë shpërndarja e revistës. Ai ka treguar për peripecitë me rastin e transportit të revistës “Fati” nga Podgorica në Ulqin.
Sipas tij, revista nuk është pritur mirë as nga partitë politike shqiptare të kohës.
Berjashi ka thënë se janë munduar që të trajtojnë tema që prekin problemet më aktuale dhe të depërtojnë sa më larg, duke e gërshetuar me copa të ndryshme, qoftë politike, shoqërore, kulturore etj.
“Unë do të thosha që ende mund të jetë model i një gazete javore ose mujore”, ka theksuar ai.
Redaktori teknik i revistës “Fati”, Qazim Muja, ka sjellë në vëmendjen e të pranishmëve faktin se të mbaje gjallë një revistë si “Fati” në atë kohë nuk ishte aspak e lehtë.
“Nga njëra anë mungonin mjetet teknike dhe faqosja e saj duhej të bëhej në Podgoricë, nga ana tjetër mungonin mjetet financiare. Pastaj distribuimi ishte edhe më i vështirë. Jam dëshmitar kur policia deshi të na e konfiskonte, edhe pse revista ishte legale, e regjistruar në ministrinë përkatëse, pastaj mbajtja e përhershme nën vëzhgim nga qarqet e ndryshme politiko-policore lidhur me përmbajtjen e saj e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Lidhur me politikën redaktuese, Muja ka thënë se vend parësor ka pasur kultura e shqiptarëve në Malin e Zi dhe se faqet e revistës “Fati” kanë qenë të hapura për të gjithë njerëzit, qofshin ata të kulturës, të shkencës, të jetës publike, “duke u marrë në mënyrë kritike me të gjitha fushat në përgjithësi, dhe me realitetin politik në veçanti, duke sjellë analiza, artikuj hulumtues, komente dhe opinione me theks të veçantë në prirje të caktuara shoqërore të kohës, dhe në të njëjtën kohë duke mos mbajtur anën e asnjë subjekti politik të kohës, që dëshmon për paanshmërinë dhe rolin e paangazhuar të saj në favor të njërës apo tjetrës palë”.
Ai ka potencuar sidomos mesazhin që kanë përçuar ballinat e revistës “Fati”.
“Këtu dua të përmend përgatitjen e ballinës së numrit të parë. Duhej menduar një ide që pak a shumë do paraqiste në një mënyrë simbolike integrimin ndërshqiptar, rënien e kufijve apo mureve ndarëse ndërshqiptare, në një kohë kur gjithandej kishte luftë e kërcënime. Më lindi një ide që këtë ta bëj përmes artit, që do e ketë domethënien, por që nuk do manifestonte agresivitet. Dhe pikërisht mora një reproduksion të një pikture të Van Gogut, me trëndafila të bardha, (piktura ishte hapësira gjithëkombëtare) dhe e vendosa në një kornizë të thyer, që në një formë simbolizonte fillimin e shpërbërjes së kufijve”, ka thënë Muja.
Për ndihmesën e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në botimin e organeve të shtypit si dhe rolin dhe vendin e revistës “Fati” në shtypin shqiptar në Malin e Zi ka folur gazetari Ismet Kallaba.
Ai ka thënë se në kuadër të veprimtarisë botuese të SHAI “Art Club”, një vend të rëndësishëm zënë gazetat dhe revistat që janë botuar apo botohen nga kjo shoqatë, duke filluar nga revista informative, kulturore dhe shoqërore “Fati”, si revista e parë e pavarur në gjuhën shqipe në Malin e Zi, pastaj revista “Zana”, gazeta “Shpresa” dhe revista “Lemba”.
Sipas tij, “revista ‘Fati’ paraqet organin e parë të pavarur të shtypit shqiptar në Malin e Zi dhe është një revistë me mision të theksuar kombëtar. Megjithëse u botuan vetëm 15 numra, për kohën që doli revista ‘Fati’ zë një vend të veçantë në shtypin shqiptar në Mal të Zi. Ajo ndikoi në krijimin e traditës së shtypit të shkruar ndër shqiptarët në Malin e Zi.”
Kallaba ka thënë më tej se kjo revistë arriti të tubojë të gjitha penat më të njohura të kohës të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare në Malin e Zi, shumica e të cilëve ishin edhe anëtarë të “Art Club”-it.
“Revista ishte një dritare e hapur për të gjithë krijuesit, duke u shndërruar në një tribunë të mendimit të lirë… ‘Fati’ është një revistë me profil gjeneralist duke synuar të tërheqë lexues të të gjitha fushave dhe shtresave. Ajo çfarë është e natyrshme për revista të këtilla, ‘Fati’ është një revistë ku mbizotëron gazetaria opinioniste që veçohet për qasjen kritike ndaj fenomeneve të shoqërisë e sidomos të atyre që lidhen me shqiptarët (në Malin e Zi)”, ka theksuar ai.
Aktiviteti është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat