Simbol i pedagoges së mirëfilltë në IPSHF “Bedri Elezaga”- Katërkollë

Luljeta Avdiu – Cura

Razije Maxharri u lind më 03.05.1960 në qytetin e Nikshiqit, qytet në të cilin jetonin e punonin prindërit e saj. Shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm e përfundoi në qytetin e lindjes në gjuhën joamtare në shkollën “Braqa Ribar”. Shkollimin e mesëm e ka vazhduar në gjimnazin e përgjithshëm “Stojan Ceroviq” dhe për rezultatet e treguara në mësim është shpërblyer me diplomën – Lluça.
Pas përfundimit të gjimnazit, regjistrohet në SHLP në Nikshiq, dega Gjuhë dhe Letërsi angleze. Pas përfundimit të studimeve arsimtarja Razije Maxharri fillimisht punësohet në shkollën fillore “Marshall Tito”- Ulqin në vitin 1981. Aty punoi dy vjet dhe më pas nga viti 1984 punësohet në shkollën fillore “Bedri Elezaga”, shkollë në të cilën punoi deri në vitin 2017, vit në të cilin pensionohet dhe e përfundon karrierën si arsimtare e gjuhës angleze me plot 33 vjet përvojë pune.

Roli i gjuhës angleze në të kaluarën dhe kushtet e punës të edukatorëve me resurse të kufizuara
Nëpërmjet shekujve, gjuha angleze ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin shoqëror, kulturor dhe ekonomik të popujve të ndryshëm. Derisa mësimi i gjuhës angleze ka qenë një sfidë e vazhdueshme për arsimtarët, ka pasuar edhe periudha kur kushtet e punës ishin të kufizuara dhe mjetet mësimore ishin të pakta dhe të thjeshta. Gjuha angleze ka shërbyer si një burim i pasur i njohurive dhe mundësive për të pasuruar komunikimin ndërkombëtar. Në shekullin e 20-të, përdorimi i kësaj gjuhe nisi të përhapej gjithnjë e më gjerë në fusha të ndryshme, duke e bërë të nevojshme për njerëzit të mësojnë dhe ta praktikojnë atë. Në periudhat kur kushtet e arsimit ishin të vështira dhe resurset ishin të pakta, arsimtarët u përballën me sfidën e të mësuarit të gjuhës angleze me mjete të kufizuara.
Në shumicën e kohës, arsimtarët përdornin librin, tabelën, një mjet të thjeshtë por efektiv për të prezantuar alfabetin, fjalë të ndryshme dhe shprehje. Shkumësi ishte një tjetër mjet i rëndësishëm që ndihmonte në krijimin e fjalëve dhe shprehjeve në mënyrë interaktive. Përmes këtyre mjeteve, arsimtarët zhvillonin aftësitë themelore të dëgjimit dhe leximit në gjuhën angleze.
Në këto kushte të vështira, magnetofoni ishte një teknologji e cila ofronte një mënyrë të re dhe inovative për të pasuruar mësimin. Kjo teknologji gjithashtu shërbeu si një mjet i fuqishëm për të përmirësuar aftësitë e dëgjimit dhe për të mësuar theksin.
Kushtet e kufizuara të punës dhe mjetet e thjeshta nuk mund të ndalnin vullnetin e nxënësve për të mësuar një gjuhë të huaj. Arsimtarët duhet të ishin të aftë të përdornin kreativitetin dhe inovacionin për të përmirësuar mësimin dhe për të bërë të mundur një përvojë mësimore sa më të pasur.
Në kushte të vështira të punës, arsimtarët janë ballafaquar me sfida të mëdha, por kanë arritur të zhvillojnë aftësi themelore të gjuhës angleze përmes mjeteve të thjeshta si libri, fletorja, tabela, shkumësi, dhe magnetofoni.

Arsimtarja Razije Maxharri: Mësuesja e mrekullueshme dhe mentore e paharruar
Në vitin 2006, unë një arsimtare e re, hapa kapitullin si arsimtare në botën e gjuhës angleze nën kujdesin dhe mentorimin e arsimtares Razije Maxharri. Arsimtarja Maxharri shërbeu si një udhëheqëse e paharrueshme dhe frymëzuese gjatë kohës që edhe punoja edhe kryeja praktikën në shkollën fillore “Bedri Elezaga”. Ajo u bë një udhërrëfyese e ngrohtë dhe e përkushtuar. Me ndihmën e saj pata një fillim të suksesshëm në rrugën e re dhe plot sfida të mësimdhënies.
Me aftësinë e saj për të frymëzuar dhe udhëhequr orën, ajo e bëri mësimin një udhëtim emocionues dhe të pasur me njohuri për gjuhën angleze për të gjithë nxënësit e saj.
Razije Maxharri mbetet një figurë e shquar në mësimin e gjuhës angleze në shkollën fillore “Bedri Elezaga”. Emocionuese për mua mbetet dita e fundit e saj në shkollë kur u përshëndetëm dhe më dorëzoi çelësat e kabinetit. Ai veprim i saj për mua ishte më shumë se sa një gjest, ishte mirëbesimi për një mision që duhej vazhduar. Në një anë qëndronte ndjenja e melankolisë për largimin e një pedagogeje të përkushtuar, e cila ka kultivuar dashurinë për gjuhën angleze në shpirtin tonë. Në anën tjetër, gëzimi dhe krenaria për sukseset dhe arritjet e koleges janë ndjenjë e veçantë. Pensionimi përfaqëson një fazë të re në jetën e individit. Nostalgjia për momentet e kaluara na bën të ndihemi të lidhur me një kohë të kaluar bukur.
Ulur nga e djathta arsimtaret e gjuhës angleze Razije Maxharri dhe majtas Luljeta Avdiu Cura me kolegë në kremtimin e festës Kombëtare të Arsimit Shqip, mars 2016.
Çifti Razije dhe Selatin Maxharri rritën dhe edukuan dy fëmijë, Liben dhe Blendin. Ata përfunduan me sukses fakultetet dhe sot janë të punësuar dhe kanë krijuar familjet e veta.
Sot arsimtare Razije Maxharri gëzon pensionin dhe i gëzohet jetës me kënaqësinë më të madhe, kënaqësinë që dhurojnë nipat e mbesat.

Të fundit

më të lexuarat