Studentja e mjekësisë me nota dyshifrore, 10-tëshe

Rexhep Llesshi

Duke lexuar artikuj gazetaresk e publikime tjera me përmbajtje biografike të ashtuquajturve njerëz të mëdhenj; liderë politikë, udhëheqës shtetërorë e ushtarakë, heronj populli, akademikë, shkrimtarë, shkencëtarë, artistë, sportistë etj., të cilët me të arritura shënojnë epokën e vet, shpeshherë pyetemi, pse autorët e tillë publicistë, rrallë dhe shumë rrallë shkruajnë për njerëzit e vegjël – të rinj. Mbi këto fakte bëhet edhe më e madhe kur mësojmë se përmbajte të tilla shkruhen edhe për njerëzit përgjegjës për dëmtime masovike apo prerjen e hartave të botës dhe caktimin e fatit të njerëzve sipas shijes së tyre.
Me arsye shtrohet pyetja, përse vetëm për ata, të mëdhenjtë të shkruhen biografi?
Andaj, a nuk do jetë interesante të lexojmë edhe për njerëzit e vegjël – të rinj dhe të mësojmë si shquhen ata në veprimtaritë e tyre dhe si dëgjohen në botën e të mëdhenjve?
Në rrjedhën e kohës aktuale unë mora guximin të hyj në botën e lirë e krejt të pafajshme rinore dhe nga ajo të veçoj përfaqësuesen e denjë të pajisur me vlera të shumta të cilat e tejkalojnë moshën gjegjëse.
Nga shumë të tillë, kësaj radhe me arsye të plotë dhe referenca të vërteta, me këtë artikull, u përcaktova të portretizoj një të re, bijë e Anës së Malit, Ulqin, Mali i Zi e cila në rrugën e shkollimit institucional, lart e çoi dhe po e çon flamurin në përvetësimin e njohurive të përgjithshme dhe profesionale.
Ajo është,
ZAHIDE LLESHI
zonjushë, 24 vjeçe,
nga Brajsha, Ana e Malit – Ulqin,
studente në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë, viti V, në Vitin Akademik 2023/2024.
Zahidja ka lindur më 11. dhjetor 1999. në Tivar, Mali i Zi. Rrjedh nga familja e ndershme dhe bujare Lleshi, në Brajshë, Ana e Malit, Ulqin. Aty kaloi fëmijërinë dhe ditët e para të rinisë.
Është fëmija i parë i prindërve: babës Vesel Lleshi, auto-mekanik dhe nënës Naxhije, e lindur Islami, Millë – Ulqin, amvise. Ka vëlla Vedatin 20 vjeç, me shkollë të mesme të kryer.
Emrin e bukur, Zahide, ia kanë zgjedhë e vënë gjyshja Sania dhe gjyshi Hyseni.
Emri Zahide është kompleks, domethënës i shumë vlerave mirë të njohura në jetën e përgjithshme dhe të përditshme të njeriut si: E përkushtuar ndaj Zotit, aktive, bujare, kompetente, krijuese, moderne, serioze, e vëmendshme, etj..
Është rritur në vendbanimin piktoresk Brajshë, treva Ana e Malit – Ulqin, ku bëri hapat e parë dhe foli gjuhën e bukur të nënës, shqipen e pastër të trevës së vet. Ditët e fëmijërisë i kaloi në shtëpi nën mbikëqyrjen e prindërve, babë Veselit e nënë Naxhijes dhe kujdesin e madh të gjyshit Hysenit dhe gjyshes Sanije, të cilët e shikonin dhe e ruanin nga çfarëdo lëndimi apo infektimi fëmijëror, e udhëzonin dhe i dëshironin jetë të mbarë e të lumtur, urime të cilat, siç duket, mirëfilli ranë në vesh të Perëndisë, e cila vajzën e re që nga ditët e para e qiti në rrugë të hajrit, jo veç për vete, por dhe mjedisin e gjerë.
Në Vitin shkollor 2005/2006. moshë 6 vjeç, prindërit e regjistrojnë në Paralelen parashkollore të edukimit, Kopshti i fëmijëve “Solidariteti“, Ulqin, Paralelja e ndarë në Katërkollë, në grupin e edukatores Ganimete Tagani.
Në Vitin shkollor 2006/2007. Zahidja regjistrohet në klasë I në Shkollën Fillore
“Bedri Elezaga“ në Katërkollë. Ishte ajo koha e fillimit të reformës së re shkollore në mbarë Malin e Zi. Ajo i takoi gjeneratës së dytë të nxënësve të regjistruar në shkollën e re të reformuar nëntë-klasëshe/vjeçare.
Shkollën nga shtëpia e kishte larg 2,5 km. Për shkuarje – nisje e kthim, u kujdesën prindërit duke i ofruar udhëtimin me furgon të nxënësve. I njëjti shërbim do ta përcillte deri në fund të shkollimit fillor, me dallim që disa vite në shpenzime do të merrte pjesë organi shtetëror, Ministria e Arsimit të Malit të Zi.
Në ciklin I fillor, (klasa e I, II, III) Zahida rregullisht i vijoi mësimet dhe tregoi sukses , veçanërisht të dalluar në të gjitha lëndët mësimore. Me dallim nga notimi tradicional numerik, në shkollën e re të reformuar, në ciklin I suksesi shënohej me nota përshkruese, që i Zahides ishte analog me suksesin numerik shkëlqyeshëm.
Në ciklin III (klasa e VII, VIII dhe IX), nxënësja entuziaste tregohet shumë e rregullt në sjellje dhe mësime dhe nga të gjitha lëndët arrin sukses superior dhe ashtu në vitin shkollor 2014/2015/ e kryen shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm dhe me Vendimin e Këshillit të Arsimtarëve të Shkollës shpallet Nxënësja e Gjeneratës (më e mirë) për vitin gjegjës shkollor dhe në ceremoninë festive të Ditës së Shkollës, më 15. maj 2015. solemnisht i ndahet shpërblimi modest, një libër lekturë nga Shkolla Fillore “Bedri Elezaga“, Katërkollë dhe 100 euro nga NLB banka, Filiala Ulqin.
Ajo ditë festive e shkollës fillore, për Zahiden do jetë fatbardhë edhe për shkollimin e mëtejmë. Duke dëgjuar njoftimin dhe arsyetimin për shpalljen e nxënës-es/it së gjeneratës, miku dhe mysafiri i rregullt i shkollës tonë, bamirësi multidimensional dhe shumëvjeçar, ndër të tjera edhe themeluesi dhe pronari i shkollës së parë private – Gjimnazi “DRITA“ në ULQIN, zotëri profesor Hysein Bisha, me kënaqësi shprehu bamirësinë tjetër me propozim dhe ftesë që nxënësja e gjeneratës 2014/2015 Zahide Lleshi, të regjistrohet në Gjimnazin privat “DRITA në Ulqin, me premtim që të gjitha shërbimet që ajo shkollë për nxënësit e vetë i ofron me kompensim, për Zahiden, në katër klasat e mësimit të rregullt do jenë gratis.
Për entuziazmin e madh në mësime dhe punët jashtëmësimore në shkollë, sukses dhe sjellje të treguar në shkollimin fillor e tutje, u udhëhoqa me idenë që për nxënësen Zahide Lleshi, të flasin kompetentët, pedagogët, ata të cilët e përcollën nga afër punën e saj dhe e njohën më së miri. Me qëllim njoftimi të asaj kërkese për bisedë regjistrova: kujdestarin e klasës IX, të shkollës fillore dhe të klasës IV të shkollës së mesme.
Mësimdhënësja shumëvjeçare në mësimin lëndor fillor dhe kujdestarja e klasave: VI1, VII1, VIII1 dhe IX1, në të cilat vijoi Zahidja, profesoresha e shkencave natyrore, zonja Rita
Avdiu, pas nëntë vjetëve të kaluara për ish-nxënësen e vetë, me krenari shprehet:
– Zahide Lleshi ka qenë nxënëse e dalluar në shkollën tonë fillore. E shquar si në mësime, ashtu edhe në aktivitete të lira jashtë mësimore dhe sjellje. Ishte shembull për disiplinën e saj të jashtëzakonshme në çdo aspekt të jetës shkollore si edhe për bashkëpunim
me shokët e shoqet dhe vazhdon:
– Për përkushtimin e saj, disiplinën e palëkundur dhe sjelljen shembullore, për mua
si kujdestare e klasës dhe mësimdhënëse, në shumë vite shkollore, Zahide Lleshi do mbetet në kujtesë si një nga nxënëset më të mira të gjeneratave të kaluara. Ndër vite do të vazhdoj ta mbaj kujtimin e saj si shembull frymëzimi për të gjithë nxënësit tjerë.
– Afiniteti i përkryer punues dhe marrja e diturisë bazë premtojnë dhe janë garanci e sigurt në korrjen e fitoreve në të gjitha betejat e ardhshme shkollore të saja, të cilat janë e mbesin besimi dhe urimi im profesional e njerëzor.
Krahas mësimeve të artit dhe shkencës që i ofron shkolla fillore publike, prindërit e Zahides shprehin dëshirën që fëmija i tyre të pajiset edhe me dituritë elementare të mësim- besimit përkatës të tyre. Me atë dëshirë të prindërve u pajtua edhe vajza Zahidja. Falë asaj marrëveshjeje reciproke, vajzën në moshë 9 vjeç, prindërit e regjistrojnë në Mejtep – Shkollën e Besimit Islam. Për ecurinë e punës dhe të arriturat e saj, Imami i xhamisë së Brajshës dhe udhëheqësi i mejtepit, Jetmir Ef. Sella, shpjegon:
– Mejtepi në Brahshë ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e mësim-besimit Islam ndër breza, ku nxënësit vendas mësonin: alfabetin, shkrim-leximin e Kuranit, Hadithet profetike, ritualet, moralin, tregime për fëmijë etj. dhe merrnin dituritë paraprake fetare.
– Unë me shërbim si imam kam ardhur në Xhami të Brajshës në vitin 2010. Njëkohësisht vazhdova edhe punën në Mejtep, ku në atë vit e vijonin 27 nxënës, ndër ta edhe vogëlushja Zahide Vesel Lleshi, e regjistruar në vitin 2008, në moshën 9 vjeçe. Në përgjithësi nxënësit i kishin përvetësuar mirë mësimet mirëpo, çdo herë nxënësi më i aftë dhe me të arritura të plota dallohej dhe nga viti 2010-2015, më e dalluara – shembullore ka qenë Zaide Vesel Lleshi.
– Zahidja ka qenë e rregullt në vijimin e mësim-besimit, dhe çdo herë dallohej nga të gjithë nxënësit tjerë si në: mbajtjen mend të sureve, shpjegimin e tematikave nga Ilmihali, alfabeti dhe leximi fillestar i Kuranit me shkronja arabe. Për ato të arritura në vitin 2015, Zahiden e dalluar e nderova me mirënjohje dhe dhuratë, libër “Rrëfime për të dërguarit e Allahut”, si nxënësja më e dalluar me të gjitha tiparet vlerësuese nga sjellja, përkushtimi dhe aftësitë e arritura gjatë mësimit në Mejtep.
– Me plot bindje deklaroj se në Mejtep në Brajshë deri më sot ende s’ka dalë vijues tjetër i suksesshëm si Zaide Vesel Lleshi. Allahu e ruajt dhe i ndihmoftë në çdo hap te jetës, dhe Allahu dhashtë që të shtohen vijuesit siç ishte nxënësja Zahidja, e cila e përfundoi imami i nderuar i Brajshës, Jetmir Ef. Sella.
Në vitin shkollor 2015/2016. kjo vajzë, me ftesën e pronarit të shkollës dhe me pëlqimin e prindërve me shumë kënaqësi regjistrohet në klasë I të Gjimnazit privat “DRITA“ në Ulqin. Aty, nga dita e parë njoftohet me rregullat e shkollës, të drejtat dhe obligimet e nxënësve dhe shërbimet që iu ofron Shkolla, si: taksë pagesa për shkollë-mësim, tekstet dhe materiali tjetër shkollor i nxënësit, udhëtimi me mjete trafiku rruga shtëpi-shkollë dhe anasjelltas, ushqimi një racion – dreka, veshja-uniforma etj., që për Zahiden do jenë krejt falas.
Nxënësja tashmë e rritur dhe e kujdesshme për punë, po ashtu nga ditët e para mësimet i vijon me rregull, dëgjon ligjëratat dhe i përvetëson ato për të qenë e gatshme të përgjigjet në çdo kohë e çfarëdo pyetje. Fal përkushtimit të madh në përgatitjen sistematike
notohet rregullisht me nota më të larta nga klasa në klasë dhe gjimnazin e kryen në vitin shkollor 2018/2019. me sukses të shkëlqyeshëm.

(Vijon nga numri i kaluar)
Çfarë mbresash ka lënë dhe si e kujton maturanten e talentuar, Zahide Lleshi, shprehet profesori i matematikës dhe kujdestari i kl. I. II, III dhe IV, në gjimnazin privat “DRITA“, në Ulqin, zotëri Mirsad Markashi, që me shumë kënaqësi dhe krenari veçon:
– Nxënësja ime Zahide Lleshi, në klasë të I, II, III, dhe IV, në Gjimnazin privat „DRITA“, në Ulqin, ka qenë rast i kompletuar në çdo kuptim të fjalës. Si nxënëse e shkollës së mesme është cilësuar me talent të padiskutueshëm, ku la përshtypjen e një punëtore të palodhur në rrugën e zgjedhur dhe arritjen e qëllimeve të caktuara.
– Për katër vjet punë si kujdestar klase në Gjimnaz mbaj në kujtesë kulturën e saj si produkt i edukatës së mirëfilltë familjare. Ka disponuar me nivel të lartë respekti ndaj të gjithë atyre me të cilët ka pas kontakt pune – mësimi. Mendoj se ajo është një shpirt i kultivuar me kujdes dhe i pajisur me të gjitha vlerat e mundshme të një njeriu.
– Duke e vërejtur afinitetin e saj ndaj shkencave natyrore, të cilat edhe i ka adhuruar shumë kemi këmbye mendime edhe për rrugën e studimit me synim matematikën. Mirëpo, së fundi ka mbizotëruar dëshira me u bë mjeke, zgjedhje ajo poashtu për çdo respekt e për te kurdoherë e hijshme.
– Në klasën e IV, Viti shkollor 2018/2019. me vendimin e Këshillit të mësimdhënësve të Gjimnazit, Zahide Lleshi për të gjitha meritat e përmendura njëzëri shpallet nxënësja e gjeneratës së kësaj shkolle.
– Dëgjoj se Zahidja është mjaftë e suksesshme në studime, çka më jep me kuptuar se ambiciet e punës si nxënëse i ka çuar edhe atje, larg e lartë, në fakultet, fakt ai që mua si njeri, mësimdhënës dhe kujdestar klase më gëzon pa masë dhe uroj që ai entuziazëm ta përcjell deri në përfundim të studimit e më tutje.
– Vendi ynë ka shumë nevojë për njerëz të ditur në çdo lëmi, e si të tillë kësaj vajze me aftësi të veçanta shtesë i dëshiroj suksese. Ideali i saj qoftë shembull frymëzimi i të rinjve dhe të rejave në rrugën fisnike të diturisë në vendin tonë të bukur dhe të dashur.
– Fakti që si punëtor i arsimit për katër vite radhazi në klasë pata Zahide Lleshin, nxënësen e pashembullt në kërkimin dhe përvetësimin e diturive të reja përherë më jep të kuptoj rrolin dhe rëndësinë e punës arsimore, më shton fuqinë dhe pa masë më bënë krenar e përfundoi opinionin shumë domethënës pedagogu Mirsad Markashi.
Gjatë bisedës time me këtë studente, mirë të udhëzuar dhe përkryer të formuar e pashmangshme ishte pyetja lidhur me zgjedhjen e profesionit dhe konkret:
– Çka të shtyri të studiosh mjekësinë dhe pse dëshirove me u bërë mjeke?
Në këtë pyetje Zahidja nuk u mundua fare dhe shpejt e qartë sqaroi:
– Duke qenë nxënëse e dalluar e kam pasur të vështirë të orientohem në një drejtim të caktuar. Kisha preferenca te shkencat natyrore sidomos shumë më pëlqenin matematika, biologjia dhe kimia. Edhe pse mendoja për të ardhmen deri në fund të vitit – klasës IV të Gjimnazit isha e pavendosur kah të ia mbajë në studime, çka të regjistroj. Vetiu më pëlqeu shumë fakti i të qenurit mjeke, të iu vij në dispozicion dhe vihem në ndihmë të tjerëve dhe ta ushtroj artin e mjekësisë në ofrimin e ndihmës njerëzve të mi, të vendbanimit tim. Normalisht si në çdo vendim të jetës sime nga më parë edhe asaj radhe pata përkrahjen e parezervë të prindërve dhe të afërmve të mi që të regjistroj dhe studioj mjekësinë dhe
dëshira ime u bë realitet.
Ashtu e udhëhequr me atë ide dhe dëshirë të zjarrtë në vitin akademik 2019/2020. Zahidja pajiset me indeksin e Fakultetit të Mjekësisë, në Universitetin shtetëror, Tiranë, ku fillon studimin në semestrin – vitin I. Për të bërë atë hap pati dhe përkrahjen e Këshillit Nacional Shqiptar në Mal të Zi, i cili, si shumë vite më parë edhe atë vit u kujdes për sigurimin e kuotave të nevojshme të studentëve jashtë shtetit Amë.
Në pamundësi të strehohet në konvikt të studentëve, e ndihmuar nga babai, me një shoqe bashkëvendëse vendoset në banesë private në afërsi të fakultetit.
– Ditët e para, thotë Zahidja, në vendqëndrimin e ri, ishin të vështira, plot mundime e mërzi. Ato kalonin nën barrën e madhe të nostalgjisë për prindërit, të afërmit dhe vendin, në njërën anë dhe përpjekjeve për adaptim në rrethana të reja të mjedisit të madh, në anën tjetër. Jo që më dukej, por në fakt ishte i madh ndryshimi në mes dy vendeve, atij nga ku vija dhe ku u vendosa. Por, me kalimin e kohës dhe kujdes të posaçëm të gjitha ato i përballova.
– Filluan mësimet. Ligjëratat, ushtrimet praktike e seminaret i vijoja me rregull. Me punë e angazhim të sinqertë dhe aty vura gurthemelin e suksesit i cili do të jetë konstant dhe i patundur nga viti në vit e deri më tash. Në katër vitet e kaluar jam provuar në të gjitha lëndët e në të fundit – të katërtin në – 12 lëndë dhe kam kaluar me sukses. Nga ato të fundit, në 10 lëndë profesorët ordinarë më kanë notuar me notë maksimale 10-tëshe ndërsa dy më kanë vlerësuar me notë 6 dhe 9.
Ky vlerësim dëshmohet me vërtetim institucional me notë të nxjerrë mesatare 9,33.
Krahas mësimit të rregullt aty, fillova të merrem edhe me aktivitete jashtë mësimore në kuadër të profesionit e pikërisht ne mars 2023 kam marrë pjese ne trajnimin intensiv dy ditor “Surgical Skills” te organizuar nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë Tiranë, ne bashkëpunim me profesorët dhe studentët gjermanë që ndanë eksperiencën e tyre me ne.
Mandej kam marrë pjesë ne Konferencën Kombëtare te Shkencave Mjekësore të organizuar, me 12-13-14 maj 2022 në Tiranë, ku prezantova projektin me titull Teratoma apo “Tumori mrekulli”, nga lënda e Anatomisë Patologjike në vitin III të studimit.
– Edhe pse dalëngadalë po i vjen fundi rrugëtimit tim gjashtëvjeçar në fushën e madhe të shkencës së medicinës dhe disiplinave tërheqëse të saj ende nuk kam bërë zgjedhje përfundimtare se ku të orientohem. Nëse do jetë e thënë që edhe për te të bëhet përcaktimi para kohe, atëherë si e re dhe e pavendosur definitivisht, le të më lejohet propozimi dhe paraprakisht të më pranohet falja nëse ai nuk do përmbushet me realitet që unë nga fusha e madhe e mjekësisë si drejtim të përshtatshëm në të cilin më tepër dua ta shoh të ardhmen time profesionale synoj kardiologjinë.
Në kërkim sigurimi dhe forcimi të bazës materiale për vajzën e vet studente me
sukses të dalluar në fillim të vitit vijues akademik, 2023/2024, baba Vesel Lleshi interesohet te Komuna e Ulqinit, për mundësinë e ndarjes së bursës vijuesve të rregullt të shkollës.
Lidhur me atë aktivitet njoftoi nënkryetari i Komunës së Ulqinit, zotëri Beqir Sella:
– Si çdo herë më parë edhe në ketë vit shkollor pati të interesuar prindër të nxënësve dhe studentëve për t’i ndihmuar materialisht. Ndër to dhe Vesel Lleshi, baba i Zahide Lleshit,
studente e Fakultetit të Mjekësisë, të Universitetit Shtetëror, në Tiranë dhe u njoftua me kushtet. Në vazhdim vajza e tij, Zahidja u paraqit në konkursin e Vetëqeverisjes lokale Ulqin, për ndarjen e bursës, si studente e rregullt, në vitin akademik 2023/2024. Lutjes i bashkëngjiti dokumentacionin e duhur për vlerësim, ndër to certifikatën e provimeve të dhënë dhe atë të dhënies së të gjithë provimeve të vitit paraprak të studimit. Organi për realizimin e konkursit, duke vërejtur suksesin e studentes, respektivisht notat e lëndëve në provimet e dhënë gjegjës, nuk e pati të vështirë të konstatojë plotësimin e kushtit dhe të bie vendimi me të cilin Zahide Lleshit, studente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, për sukses të treguar dhe notë mesatare të arritur 9,33, për herë të parë i ndahet bursa komunale Ulqin, për vitin akademik 2023/2024. në shumë prej 120 € në muaj.

– Ky aktivitet i komunës së Ulqinit, investimi në arsimim të rinjve vendas përcillet në vazhdimësi dhe me kënaqësi kultivohet për qëllim përfitimi të kuadrove profesionist të rinj të të gjitha lëmive, ndër to dhe të mjekësisë, të cilës i takon e përmendura Zahide Lleshi, të cilës i urojmë suksese gjatë studimit dhe mbarësi në profesionin e zgjedhur dhe jetë, e përfundoi funksionari i lartë dhe aktivisti komunal Ulqin, bashkëfolësi, profesori Beqir Sella.
Për tre vjet radhazi Fondi Humanitar “Trojet Tona” bëri ndarjen e bursave për studentët e Anës Malit që studiojnë ne universitetet shqiptare. Për atë kohë edhe unë jam e shpërblyer me burse nga ky fond. Se fundi, me 24 shkurt të këtij viti mora ëprej 1000 euro, për çka i falënderoj dhe do të jem shumë mirënjohëse.
Edhe nga vetë titulli mund të kuptojmë dhe konkludojmë vlerat e mundshme të një vajze të re, respektivisht profilit moral të saj. Titulli STUDENTJA ME NOTA DYSHIFRORE …, nënkupton kompleksitetin ontologjik të vërtetë, gjegjësisht perceptimin e saj. Ai zbulon profilin e moralit të lartë dhe nxjerrë në dritë përkushtimin maksimal të saj ndaj punës së vetëzgjedhur, që është dhe vetë qëllimi i këtij artikulli. Të posedosh përgjegjësi morale ndaj punës dhe t’i shërbesh nismës së caktuar vërtetë është qëllim madhështor – i lartësuar që meriton kujdesin, vlerësimin dhe avancimin e duhur në përkrahje të gjithë strukturave njerëzore, familjare, shkollore, shoqërore dhe pushtetare.
Në përfundim të këtij jetëshkrimi modest të një qenieje të re të madhe, prindërit e Zahides, baba Vesel Lleshi me familje falënderojnë mësimdhënësit e vajzës Zahides, në të gjithë shkollimin, të cilët gjatë procesit arsimor dhe edukativ këtë nxënëse e udhëzuan drejtë dhe e inspiruan në rrugën e lakmueshme të diturisë dhe të nderit.
Ndërsa unë, posaçërisht falënderoj kujdestarët e klasave të kësaj nxënëse në shkollat gjegjëse, profesorët e nderuar, Rita Avdiun, Mirsad Markashin dhe Jetmir Ef. Sellën, të cilët pa hezitim u përgjigjen ftesës për të shpreh opinionet profesionale dhe me shumë kënaqësi dhe krenari rikujtuan nxënësen e vetë në shumë vite shkollore dhe si referues të gjallë këtij artikulli i dhanë argumente të fuqishme dhe të kënaqshme për lexuesin e nderuar.
Do të nder, kënaqësi dhe urim, jo vetëm i imi, që ky artikull të zbulojë dhe nga ky mjedis të inkuadrohet mjekja famëmadhe, DEBEJKI (M. DeBakey) i ri, ZAHIDE Vesel LLESHI.

Të fundit

më të lexuarat