Kur falënderojmë dikë…

Historitë që tregohen dhe thuren në përmbajtjen e të dy romaneve janë të ndryshme. Ato vijnë me gojën e personazheve, pas të cilave fshihet autorja, e cila, me një guxim të madh ka vendosur që t’i paraqesë, t’i rrisë dhe t’u japë jetë deri në fund, duke përligjur qëllimin apo dëshirën e mirë “që t’u dalë zot përballë padrejtësive shoqërore që u bëhen”

Ka kohë që në Ulqin jam një mysafir i shpeshtë. Nuk e them se jam i lodhur prej këtij veprimi, por është e pamundur t’i shmangesh një kërkese të tillë që të ofrohet për një pjesëmarrje në aktivitetet e shumta që organizojnë “Art Club”-i ose Biblioteka e Qytetit, ku të them të drejtën më shumë përfitoj prej tyre sesa kontribuoj.
Ndodhi kështu edhe para disa ditësh, kur në emër të Fondacionit “Studenti”, poeti Hajredin Kovaçi më propozoi të jem në Jurinë e konkursit të recituesve të rinj në Komunën e Ulqinit… I ndodhur mes dy shoqeve anëtare të jurisë, që i shihja për herë të parë, fillimisht mora përgjigjen se kush ishin dhe çfarë shkolle kishin mbaruar. Njëra u prezantua me modesti “Jam mjeke” dhe tjetra, – shkrimtare (kam botuar dy romane…?). Të them të drejtën m’u duk një zgjidhje serioze dhe e mirë e anëtarëve të Jurisë. Një njohje vetëm përmes sysh, se ishim nën “pushtetin e maskave”…, pavarësisht se kjo nuk na pengoi në përcaktimin e drejtë të fituesve të konkursit, për çfarë i falënderoj me meritë, si ato, ashtu edhe pjesëmarrësit e tjerë, nxënës e prindër.
Më erdhi mirë të mësoja se kish një autore të dy romaneve, të cilat më ranë në dorë dhe i prita me dashamirësi. Sapo e kam lexuar njërin prej tyre, i cili të tërheq me titullin mjaft intrigues “Gjurmë që mbesin” dhe i penduar se disa pjesë i kisha lexuar shpejt, iu ktheva përsëri. Disa herë i kam bërë pyetje vetes se prej nga kish aq shumë njohje autorja për familjen shqiptare të hershme dhe të vonshme, për rolin e gruas në sisteme të ndryshme, për trajtimin shoqëror dhe kanunor, për vështirësitë e shumta që jeta i dhuron etj.
Romani ka shumë linja, por kryesisht ajo vertikale në trajtimin e historisë së brezave të mëparshëm e deri te më të rinjtë, jep njohuri të shumta për kohën, për mënyrën e jetesës së familjeve e shtresave të ndryshme shoqërore. Por edhe në planin horizontal (gjallërinë e jetës dhe marrëdhënieve brenda familjes, por edhe tej mureve “ku ka nga një vrimë” …ku mbesin të pashlyera personazhe shumë të dashura që me jetën e tyre, mendësinë dhe veprimet bëhen shembull për gjithë zonën). I paharruar mbetet personazhi i Zanës, ku mishërohen vuajtje e sakrifica, por në fund ia del me sukses.
Me mendime të tilla lexova edhe romanin e dytë “Shtigjet e fatit”, që në fakt është romani i parë i saj. Pothuaj me të njëjtin stil të shkruari, me të njëjtën formë kompozimi, me digresione të shumta, aq sa të duket se është brenda të njëjtit areal, afër të njëjtëve njerëz, që kanë zakone e vese të njëjta, brenda një mjedisi njëkombësh, ku jetojnë pjesë të një popullate të nderuar, me tradita të hershme, me halle e telashe të shumta, por që kërkon të jetë e pranishme në përparimin bashkëkohor. Në të dy romanet, epilogu është i vendosur në fillim të librit, sikur ta shtron në fillim zgjidhjen dhe ti fillon të lexosh se çfarë të pret për të ardhur deri në atë përfundim.
Është interesant se subjektet që veprojnë janë kryesisht femra të moshave e breznive të ndryshme, që janë reale ose të imagjinuara nga autorja, por të realizuara bukur artistikisht.
Historitë që tregohen dhe thuren në përmbajtjen e të dy romaneve janë të ndryshme. Ato vijnë me gojën e personazheve, pas të cilave fshihet autorja, e cila, me një guxim të madh ka vendosur që t’i paraqesë, t’i rrisë dhe t’u japë jetë deri në fund, duke përligjur qëllimin apo dëshirën e mirë “që t’u dalë zot përballë padrejtësive shoqërore që u bëhen”. Ajo e ka zgjedhur edhe mënyrën, por edhe mjetin. Duke mos i fshehur, por paraqitur me vërtetësi, realisht ashtu siç janë, ajo i jep veprës vlera njohëse, dhe duke i kritikuar aty ku duhet e duke u dhënë rrugë për realizimin e triumfin e tyre, vepra fiton vlerat edukative.
Një shekull më parë, shkrimtari i madh Haki Stërmilli, do të na jepte një personazh të tillë siç i ka dhënë Edita në të dy romanet e saj. Dija, ky personazh femëror para 100 vitesh do të linte fjalët e pavdekshme: “Sikur t’isha djalë, do t’i tregoja botës mashkullore se dora që përkund djepin e foshnjës është dora që rrotullon boshtin e fatit të njerëzimit”. Shumë vite kanë kaluar që atëherë… Por shoqëria nuk e ka ndjerë si duhet peshën e këtyre fjalëve. Gjysma më e ndjeshme e popullatës e ka jetën jo në duart e veta, por të atyre burrave që me fanatizmin patriarkal dhe fodullëkun e vet veprojnë padrejtësisht mbi to.
Ja si shkruan në një rast: – Aty jetohej si urdhëronte plaku i shtëpisë, dhe të gjithë, i madh dhe i vogël, e dëgjonin atë pavarësisht ishin apo jo të një mendimi (fq. 56). Kjo është tabuja që e shqetëson autoren Nimanbegu dhe e bën motivin kryesor të romaneve të saj, se deri kur më do të bien mbi jetën e femrës paragjykime të tilla. Prandaj krijimi artistik i një personazhi të tillë shembullor si Zana dhe forca e mbështetja që i jep autorja, e zgjidhin si duhet shqetësimin moral të kohës për femrën dhe ankthin: “Përse duhet jeta ime t’i interesonte dikujt tjetër, përse duhej jetuar për popull duke dëmtuar veten dhe të afërmit e zemrës?!” (fq 100). Dhe kjo ndodhte në Ulqin, vendin e vogël ku merrej vesh çdo gjë… Dhe kjo në fund të shekullit të njëzet.
Romanet përcjellin shumë linja të tjera dashurie dhe lufta, se vetëm dashuritë që kanë lidhje me Amerikën përfundojnë mirë (dashuria e Jetës ose e Xhemes te “Shtigjet e fatit”) nuk janë rruga e vetme, që zgjidhen përmes një farë “Deus ex machina”, por lufta për të jetuar në vendin e vet, siç bën me guxim Sija, Hana apo edhe të tjerat.
Me mjaft interes lexohen skenat që paraqesin gjendjen shoqërore dhe materiale të familjeve, të cilat jetonin me mund e në varfëri, por thjesht e me nder.
“Të gjitha familjet e lumtura janë të ngjashme, kurse secila familje e brengosur është e brengosur në mënyrën e vet”. Këtë thënie të Tolstoit, autorja e ka realizuar mjaft mirë. Më çudit shumë se prej nga i vjen një njohje e tillë. Sigurisht ka lexuar shumë, ka dëgjuar shumë, ka mësuar shumë, çfarë i jep sukses jo vetëm në art, por edhe në biznesin e saj e të familjes.
Për të qenë sa më konkrete dhe për të bërë individualizimin koherent, Edita bën shumë bukur përdorimin e fjalëve të urta popullore dhe i sjell me origjinalitet në leximin tonë. Të krijohet përshtypja se po flet me një njeri që ka një përvojë të madhe jetësore dhe me ndërthurjen e mendimeve gëzohesh ose kënaqesh se si u jep rrugë arsyetimeve të pjekura e plot domethënie. Ja disa prej tyre:
Koha shëron plagët; gëzimi e hidhërimi janë motër e vëlla (fq. 66); kur njeriu humb diçka, atëherë ia di vlerën (fq. 58); kur thehet qerri, të gjithë trupat shkojnë pas (fq. 38); ia ka ënda maces peshkun (fq. 38); çka bën dekiku s’e bën motmoti e dhjetëra e dhjetëra fjalë të urta popullore.
Unë do të dëshiroja që në roman të kishte diçka dhe të shkruhej edhe për popullatat e tjera në Ulqin që kanë besimin ortodoks ose katolik dhe të krahasohej sa ishte i pranishëm ky qëndrim ndaj femrave të pjesës tjetër të popullatës. Por kjo ka qenë zgjidhja dhe trajtimi i saj.
Duke iu afruar fundit të këtij shkrimi, të cilin e kam bërë pasi kam lexuar me dashamirësi romanet e mësipërme, do të shpreh edhe ndonjë vërejtje me qëllim të mirë e mirëdashje. Nga ana gjuhësore i duhej treguar më shumë kujdes anës sintaksore e leksikut dhe sidomos kohëve të foljes. Më vjen keq. Nuk po zgjatem… Një roman i tillë duhet t’i kalojë kufijtë e Ulqinit dhe të folmes së tij. Kur e botojmë një libër në shqip, ata që e përgatisin duhet të lodhen pak më shumë për ta sjellë në gjuhën standarde, që libri të lexohet dhe të botohet edhe përtej kufijve, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut etj.
Krahas autores Nimanbegu, po përmend me respekt dhe mirënjohje edhe ata që kanë shkruar për të. Redaktori Jaho Kollari, si dhe Muzafer Çaushi e Adriana Hoxha janë shprehur me kompetencë dhe e kanë vlerësuar si duhet, ashtu siç e meriton kjo penë krijuese, të cilën e falënderoj për dhuratën dhe e përshëndes me dashamirësi, duke shpresuar se (Edita) do të gjejë kohë për të na gëzuar përsëri me vepra të tjera të rëndësishme.

(Autori është profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe)

Të fundit

më të lexuarat