Dino Murtezani, ikonë e muzikës instrumentale shqiptare

Artisti i mirënjohur Dino Murtezani, ka lindur në Tetovë, Maqedoni, në vitin 1970. Në moshën 15-vjeçare shpërngulet në Slloveni, ku jeton dhe punon tani. Njihet si artist i shquar i muzikës tradicionale-instrumentale në rajonin e Ballkanit. Disa nga performancat e tij më së fundit janë: Java Evropiane 2020 bashkë me grupin Slloven “Duo Artimija”, “Harmonia e Botës: Kuarteti Dino Murtezani” në Lubjanë, Slloveni (2019), Festivali “Zâ Fest” (2017), si dhe shumë evente të tjera kulturore-artistike. Dino Murtezani është një artist i cili ka kontribuar shumë për muzikën shqiptare ndër vite me veprimtari muzikore, duke e bërë traditën kulturore dhe artistike shqiptare të njohur për ballkanasit. Me shpirtin e tij artistik, dhe talentin e tij magjepsë, Dino Murtezani ka sjellë dhe interpretuar disa kryevepra, nëpërmjet tingujve instrumental të kavallit, dhe jo vetëm

Koha Javore: Na tregoni për veten tuaj si artist. Si mund ta përshkruani muzikën tuaj?
D. Murtezani: Unë nuk jam artist i shkolluar, por kam filluar si fëmijë nëpër shoqata kulturore- artistike në vendlindje, në Tetovën ku kam lindur. Pas moshës 15-vjeçare erdha të ndjek shkollën dhe të jetoj te babai në Slloveni. Dhe pas një kohe, pas 20 viteve abstinencë, iu bashkëngjita shoqatave kulturo- artistike në Slloveni dhe kemi krijuar muzikën e Ballkanit.
Nuk jam muzicient i arsimuar, por e bëj muzikën vetëm për shpirt dhe për dashuri. Kam pasur dëshirë të arsimohem, por ashtu jeta solli që të mos e kem atë mundësi. Kam arritur mjaft suksese duke ruajtur vlerën e artit, pa e komercializaur atë.

Koha Javore: Çfarë do të thotë arti për ju? Si është kultura muzikore në qytetin tuaj?
D. Murtezani: Arti është një krijimtari e çdo individi dhe krijimtari e njerëzisë që le shumë gjurma, na tregon për historinë dhe na dallon nga speciet e tjera. Jemi të veçantë në këtë aspekt. Zhvillimi i teknologjisë e ka mundësuar artin bashkë me krijimtaritë e tjera.
Në qytetin e Lubjanës ku unë edhe jetoj u takova edhe me muzikën xhaz. Kështu fillova me muzikën popullore, të bëj etno-xhaz. Xhazi më solli te Elina Duni, e cila më ka ngazëllyer dhe jam befasuar kur e zbulova si artiste. Pata fatin të performoj me Elidën në festivalin “Zâ Fest” 2017, kur shkova në Shqipëri për herë të parë dhe mund të them se jam shumë i lumtur.

Koha Javore: Me cilat projekte po merreni aktualisht?
D. Murtezani: Meqenëse artin nuk e komercializoj, nuk planifikoj projekte por ia lejoj spontivitetin. Kam shumë miq, shumë muzicientë që më ftojnë të bashkëpunoj me ta. Dhe nëse më lejojnë mundësitë, me shumë qejf e realizojmë, dhe kështu e bëj për qejfin dhe shpirtin tim, pasi jam betuar se artin nuk e komercializoj asnjëherë. Ekzistencën ma mundëson profesioni që bëj. Jam mjeshtër i byrekut edhe të dy gjërat i bëj me shumë dëshirë. Byrekun e bëj për ekzistencë, nuk kam strese. Muzikën kur e luaj, e luaj për shpirt edhe nuk ngarkohem me pagesa.

Koha Javore: Mund të na tregoni më tepër për performancën e fundit?
D. Murtezani: Performanca e fundit ka qenë në bregdetin e Sllovenisë, në Piran me disa miq me të cilët bëmë një projekt më të madh për “Europe House” (Shtëpinë Europiane) nga Tirana. Ambasada e Sllovenisë na angazhoi. Edhe ai ishte një projekt shumë i bukur që tashmë videot janë shfaqur edhe në facebook. Kënga “Baresha” më gëzoi shumë, sepse publiku e njeh si këngë dhe ka pasur shumë klikime. E parashikova këtë gjë. Kjo ka qenë një projekt më i rëndësishëm dhe besoj që do ketë edhe të tjerë në vijim.

Koha Javore: Na tregoni për disa nga projektet tuajat më të preferuarat.
D. Murtezani: Si e përmenda më lart, Festivali “Zâ Fest” 2017 që bashkëpunova me Elina Dunin, më thirri në Shqipëri. Kjo ka qenë një rrugëtim epik për mua, ku vizitova Shqipërinë për herë të parë. Kështu mu realizua ëndrra 35-vjeçare, atëherë prej kur isha i vogël nëna më përmendi se pas maleve të Bjeshkëve të Sharrit ka një shtet që quhet “Shqipni”. Por atëherë jetonim në kohërat jugosllave, të politizuara. Edhe nëna më hoqi vërejtjen mos fol shumë se daja Rexhep Munishi, që ka qenë arsimtar i gjuhës shqipe dhe veprimtar, ka qenë i burgosur për çështjen e Shqipërisë pas luftës së dytë botërore. Edhe mua si fëmijë atëherë imagjinata gjithmonë më ngacmonte, pse të ndodhin këto gjëra, ne jemi shqiptarë, jemi të gjithë të barabartë – nuk kuptoja si fëmijë.
Dhe kështu vizita e Shqipërisë dhe mikpritja që më bënë në festivalin “Zâ Fest” në Theth më ngazëlleu shumë. Edhe ajo do të mbetet performanca më e bukur, kulminacion i suksesit tim në art. Ashtu e kam pasur edhe ëndërr, dhe nuk pres më tepër.

Koha Javore: Çfarë instrumenti luani?
D. Murtezani: Si fëmijë kam filluar me fyell. Mandej daja, Rexhep Munishi që përmenda, më dhuroi mandolinën kur isha 9 vjeç. Nëpër shoqata kulturore e kisha ëndërr kavallin, por isha shumë i vogël edhe ata pleqtë që luanin në kavall më thanë: “eh mor çun, duhet shumë gjizë me hëngër t’i biesh kavallit!” Po më provokonin në njëfarë një mënyrë. Edhe mandej kavallin e realizova në moshën 35 vjeçare, kur m’u dha mundësia.
Jam stërvitur shumë, kam luajtur 3000 deri 4000 orë që i jam kushtuar stërvitjes së kavallit, që ta kem nën kontroll. Ai është instrumenti im i parë. Përndryshe përpiqem të luaj në të gjitha instrumentet që i njoh edhe me harqe edhe me tela edhe ato frymore. Por kavalli është ai instrument që më ka ngrohur shpirtin dhe më lidh me universin. Është shumë vështirë të sqaroj, është një instrument mistik.

Koha Javore: Cilët janë influencat tuajat muzikore? Çfarë ka ndihmuar në krijimin e identitetit tuaj artistik?
D. Murtezani: Nëse njeriu beson, ke një besim të pashmangshëm dhe një dashuri të sinqertë, gjithmonë është një parakusht të kesh sukses. Edhe artistët, njerëzit që merrem me art, e kanë vërejtur këtë gjë tek unë se e dua artin me shpirt dhe sinqeritet. Por, puna është ajo që të bën mjeshtër, të çon në një nivel të lartë. Dhe njerëzit që janë të arsimuar e vërejnë një gjë të tillë dhe normalisht që të ndihmojnë artistët. Jemi shumë njerëz të sinqertë. Dhe kjo për mua është formula e suksesit.

Koha Javore: Këshilla juaj për një person që dëshiron të ndjekë artin/muzikën si karrierë.
D. Murtezani: Rruga e suksesit në art është e shtruar plot me gjemba. Dhe për ato që merren profesionalisht duhet shumë punë, shumë sakrifica, sepse konkurrenca është e madhe. Dihet se normalisht kjo varet edhe se në çfarë pike gjeo-sociale jetojmë. Disa shtete e përmbajnë artin por për shembull në vendet jo në zhvillim nuk përmbahen artistët, talentet. Kështu që duhet shumë punë, duhet shumë dashuri, duhet shumë sinqeritet për të pasur sukses në art.

Koha Javore: Çfarë mund të presim nga ju vitin tjetër/planet?
D. Murtezani: Siç e përmenda dhe më lart, gjithçka ia lë spontanitetit, nuk bëj plane. Uroj të kalojë para së gjithash kjo kriza e pandemisë edhe besoj se do të vijnë shumë gjëra të bukura. Ashtu edhe unë me shumë qejf dhe dëshirë do t’i pranoj. Shpresoj se do të ndodhin shumë gjëra të bukura. Jam optimist gjithmonë.

Bisedoi: Nora Kraja

Të fundit

më të lexuarat