Bisedë me Mirsad Bashën, aktivist dhe drejtues i Eko Mendjes

,,Mësoni me dashtë çdo gja që sytë tuej shofin’’ , kështu tingëllon thirrja e aktivisteve të Eko Mendjes për t’ju bashkangjitur misionit të tyre

Koha Javore: Eko Mendje dhe misioni i saj?
M.Basha: Eko Mendje është një OJF e krijuar për qëllime ambientaliste dhe sociale. Vetë emri nënkupton:” Të mendojmë ekologjikisht mbi natyrën dhe njerëzit” . Lindi si nevojë për të krijuar një rini aktive, një frymë të re për të mirën e rinisë, qytetit, të mirës sonë të përbashkët. Donim të shpërndanim një frymë përkujdesjeje, altruizmi dhe motivuese duke pasur si shembull dhe frymëzim figurat e ndritura që krijuan këtë qytet dhe krejt kombin shqiptar. Ne jemi krenarë për atë që ishte Shkodra por duhet të jemi të fortë që çdo ditë tradita të vazhdohet nga ne, rinia.

Koha Javore: Aktiviteti i parë dhe i fundit i Ekos për momentin?
M.Basha: Me sa mbaj mend, aktivitetet tona të para ishin dhe pa u krijuar EKO Mendje, ishin pastrimet sensibilizuese, vullnetarizmi tek shtëpia e fëmijëve dhe udhëtimet me biçikleta. Aktiviteti i fundit ishte mbjellja e 1 mijë pishave në malin e Taraboshit, ku në momentin që flasim për 3 vite janë mbjellë 11.972 pisha nga nisma jonë “Me shumë frymë për Shkodrën”.

Koha Javore: Ku dhe sa herë mblidheni për të diskutuar çështje , problematika, ide që EKO mund të japë mbështetjen?
M.Basha: Idetë vijnë natyrshëm, duke ecur në qytet, duke parë problematika të ndryshme krijojmë dhe ide se ku mund të japim ndihmën dhe shërbimin tonë. Gjithashtu idetë jepen dhe nga personat që na ndjekin, ku na raportojnë për familje në nevojë apo për probleme të ndryshme. Është koha ku lidhjet online dhe rrjetet sociale dominojnë dhe normalisht që ne kemi dhe kontakte të shpeshta dhe me grupin tonë në Facebook , ku idetë për aktivitete diskutohen edhe aty. Si qendër kemi EKO Club, lokalin përballë Prefekturës. Aty mblidhemi për të diskutuar dhe për t’u përgatitur për çdo aktivitet. Aty dhe personat e shumtë mund të na takojnë, sugjerojnë dhe të na mbështesin për çdo gjë.

Koha Javore: Disa aktiviteteve u jeni rikthyer më shumë se një herë p.sh pastrimi i mbetjeve pranë lumit të Bunës, po institucionet shtetrore ku janë dhe a veprojnë sa duhet kur është fjala për ruajtjen e mjedisit?
M.Basha: Po, e vërtetë, rikthimet në Grykë derdhjen e lumit Buna në pastrimin e saj kanë qenë të shpeshta. Për fatin e keq, kjo për arsye sepse lumi Buna është kthyer në një kosh të madh mbeturinash ku dhjetëra fshatra por edhe në qytet, hedhin mbetje të ndryshme. Në çdo prurje ujore lumi mbledh mbetjet dhe i shkarkon në detin Adriatik, mes ishullit Ada dhe rezervatit natyrore të Velipojës. Institucionet mjedisore, bashkitë dhe ministritë duhen të krijojnë politika të posaçme për ndreqjen një herë e mirë të këtij problemi madhor, që nuk është veç mjedisore por edhe problem ndërshtetëror , ku po ndotim bregdetin e Malit te Zi dhe të Kroacisë . Nga Kroacia shteti ynë ka pasur dhe kritika nga ky problem. Ne si EKO, po mundohemi të japim shërbimin tonë në atë zonë dhe po ngremë zërin që në fshatra t’i jepet shërbimimi i pastrimit që ata banorë mos të përdorin lumin si kosh plehrash.

Koha Javore: Përveçse aktiviteteve ndaj mjedisit , natyrës , Eko Mendje u vjen në ndihmë edhe qytetareve dhe familjeve në nevojë. Veçoni një aktivitet dhe ndjesinë që ju ka përcjellë pasi është përfunduar me sukses?
M.Basha: Ne, si lëvizje, që në krijimin e saj kemi pasur si qëllim të japim sa më shumë ndihmë, për aq sa kemi pasur mundësi. Çdo javë ne dhurojmë ushqime, ilaçe dhe veshje për familjet në nevojë. Janë familje me probleme shëndetësore, sociale dhe ekonomike. Ato me sukses i quajmë ato kur krijojmë mundësinë që të gjejmë ilaçet që kanë nevojë apo kur mund t’u gjejmë një vend pune.

Koha Javore: Na flisni pak për “Festivalin e poezisë së pabotueme”?
M.Basha: “Festivali i Poezisë së Pabotueme” është një festival i krijuar që në fillimet e Ekos. Ideja lindi nga unë dhe një vajzë që ishte në grupin tonë, Elona Çuliq, një festival për të promovuar poetët e rinj dhe jo vetëm. Promovimin e poezive të pabotuara, poezi që ruhen në fundqoshe librash, në shënime kur frymëzohen apo në rrjete sociale. Festivali u organizua në një shtëpi të vjetër shkodrane dhe pas çdo festivali në shtëpi dhe monumente kulture të lëna në harresë. Pra, festivali mori ngjyra më të mëdha kulture, kjo për arsye për të evokuar për monumentet e kulturës dhe me poezinë për të motivuar sa më shumë art. Deri tani janë organizuar 9 edicione, ku në fillimin e saj ishin 60 poetë por më vonë kur festivali u rrit në cilësi përzgjodhëm në etapa konkuruese vetëm 21 poezi finaliste. Çmimet ishin të ndryshme, si: Çmimi i Poezisë më të mirë, çmimi Kritika Letrare, çmimi i Poezise Sociale, Çmimi Poezia Melodike, Interpretimi me i mirë etj. Çmime të dhëna nga kritikët letrar, gazetarë, aktorët, etj. Pjesëmarrës të këtij festivali kanë qenë nga gjithë trevat shqipfolëse dhe festivali njihet edhe nga Ministria e Kulturës.

Koha Javore: Situata me Covid-19 dihet që ka vështirësuar veprimtaritë e shumta në gjithë botën. Sa ka ndikuar Covid-19 në veprimtaritë e Ekos, duke pasur parasysh edhe rreziqet nga infektimi ?
M.Basha: Ne, si grup, jemi vullnetarë në shumë institucione sociale dhe shërbyese, si tek: zjarrfikësit dhe emergjencat civile. Situata nuk na ka ndaluar por kemi qenë aktivë si në sensibilizimin ndaj kësaj situate si në postime të ndryshme por dhe në ndarjen e fletushkave në terren. Gjithashtu nevoja për vullnetarizëm ishte e madhe sepse në kohën e izolimit ishim në terren për të shërbyer tek familjet në nevojë me ushqime, tek të sëmurët me blerjen e ilaçeve dhe kryerjen e nevojave që ato kërkonin apo tek gjyshërit që ishin vetëm në shtëpitë e tyre ku ne kemi çuar vakte të ngrohta dhe gjërat që kishin nevojë, duke e bërë sikur të ishim nipat dhe mbesat e tyre.

Koha Javore: A mendoni se vullnetarizmi kultivohet sa duhet në shoqëri?
M.Basha: Mendoj që vullnetarizmi i cili është një virtyt i dashurisë dhe i altruizmit është një pjesë e rëndësishme që duhet të ketë shoqëria në të cilën jetojmë. Ne mundohemi të japim sa më shumë këtë shembull, në aktivitetet tona apo në ftesat e shumta që na bëjnë shkollat për të diskutuar për atë qe ne bëjmë. Në shtetet e tjera vullnetarizmi njihet edhe ndër shkolla; këtu tek ne, akoma jo. Atje merren pikë dhe shërbejnë për rritje notash apo edhe për të siguruar një vend pune. Ndoshta dhe këtej kemi nevojë për këto motivime. Por tek ne, vullnetarizmi ka një emër të keq kujtimesh, meqenëse diktatura na ka lënë me pasoja sociale kujtimesh duke kujtuar që dikur vullnetarizmi bëhej me detyrim. Ndërsa ne po mundohemi të japim shembullin e mirë që të na bashkohet çdo moshë, me idenë që ne duhet të jemi të parët që duhet të kontribuojmë për vendin tonë dhe pastaj të veprojnë institucionet.

Koha Javore: Sipas jush, çfarë e dallon të bërit një veprim sa për dukje dhe të bërit një veprim se e ndiejmë?
M.Basha: Veprimet sa për dukje janë ato që bëhen një herë dhe ato që bëhen me zemër janë ato që bëhen shpesh. Ne si EKO Mendje aktivitetet tona i kemi kthyer ne traditë. Janë plot 6 vite! Aktivitetet tona janë shtuar gjithsej në 762 aktivitete (në momentin që po flasim). Janë bërë me dhjetëra dhurime, shërbime dhe sensibilizime të cilat na janë bashkuar me mijëra persona të cilët e kanë kuptuar rëndësinë dhe ndjeshmërinë e tyre. Kjo na gëzon sepse kemi arritur të nxjerrim anën e ndjeshme të shumë personave.

Koha Javore: Ju jeni shembulli më i mirë se si një njeri me vizione, e mbi të gjitha me ndjeshmëri për natyrën dhe mjedisin mund të kontribuojë për vendin e vet. Në vitin 2019, në Shkodër , Eko Mendje dhe ju si drejtues keni marrë çmimin si personazhi i vitit i shoqërisë më të mirë civile. Si e pritët këtë çmim?
M.Basha:Ju falënderoj për fjalët! Ndihem i lumtur që kjo ka arritur dhe tek ju që jetoni në një shtet tjetër. Kjo tregon që misioni im dhe i krejt grupit është realizuar!
Sa për çmimin, ishte një çmim i marrë jo thjesht nga unë por i krejt frymës të krijuar. Meritë e grupit dhe meritë e çdo personi që na mbështet. Të jem i sinqertë, jam gëzuar shumë për urimet e shumta që njerëzit na bënë në Teatrin Migjeni ku u dha çmimi, në rrjetet sociale dhe rrugës ku na takonin. Vura re që më shumë ishin gëzuar mbështetësit tanë se sa unë, sinqerisht! Kjo për arsye sepse ishte krijuar besimi dhe dashuria tek EKO Mendje dhe ku çdo ditë na përgëzojnë dhe mbështesin për çdo hap që marrim.

Koha Javore : Kush dhe si mund te bëhemi pjesë e Ekos?
M.Basha: Mund të na bashkohet çdo person që ka si qëllim dëshirën e mirë për të ndihmuar personat në nevojë dhe për t’i dhënë një shërbim qytetit. Por aktiviste mund të jenë edhe ata që na ndihmojnë nga larg. Nuk ka rëndësi mosha, gjinia, etnia dhe feja (besimi)! Për ne ka rëndësi të jenë të së njëjtës frymë dhe ide që kemi ne. Ne nuk pranojmë persona që kanë qëllime dhe aktivitete fetare e politike.

Bisedoi: Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat