Veprat e tij u shkruan në librin e përjetësisë

Qazim Muja

Të dielën, më 5 nëntor 2023, në Raushiq të Pejës ndërroi jetë pedagogu dhe profesori, veprimtari dhe intelektuali i mirënjohur Demë Mulliqi.
Ai u lind në fshatin Raushiq, Komuna e Pejës, më 5 janar 1946. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Për sukses të dalluar dhe interesim të jashtëzakonshëm për dije është avancuar prej klasës së gjashtë në klasë të tetë. Edhe në shkollën normale ”Ali Kelmendi” në Pejë u shpall nxënës i dalluar. Pas kryerjes së shkollës së mesme të mësuesisë, menjëherë u punësua në arsim ku vazhdoi deri në pension, duke kaluar në detyra avancuese me rëndësi në fushën e arsimit. Pas shkollës së mesme kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe Fakultetin Filozofik, degën e Pedagogjisë, në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 1968 njihet si veprimtar për kauzën kombëtare, si organizator dhe ngritës i flamurit në sheshin e Pejës në demonstratat e njohura të vitit 1968 për çka edhe u përjashtua nga mësimi i rregullt i shkollës normale.
Karrierën e punës e përfundoi në detyrat arsimore: mësues, arsimtar, pedagog në shkolla të mesme, zëvendësdrejtor, drejtor shkolle, këshilltar pedagogjik, zyrtar pranë Zyrës Zhvillimore të Arsimit, zyrtar i arsimit i Zyrës Rajonale të Arsimit për komunat e rajonit të Pejës dhe u pensionua në detyrën e udhëheqësit të Sektorit të Inspektoratit të Arsimit për Rajonin e Pejës. Në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, Dema ligjëroi në Kolegjin privat “Eurovizion” në Pejë dhe në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës në projektin AKM me seli në Gjakovë.
Në periudhën e mësimit të shkollave të mesme në opsionin shtëpi-shkollë, Dema ishte koordinator i organizimit dhe mirëvajtjes së mësimit. Prej vitit 1990 ishte kryetar i degës së Shoqatës së Pedagogëve të Rajonit të Pejës dhe anëtar i kryesisë së kësaj shoqate në nivel të Kosovës. Po ashtu në vitin 1998-1999 ishte koordinator për arsim, i caktuar nga komisioni parlamentar i Kosovës për nxënësit e përndjekur nga Kosova e të vendosur në Mal të Zi, ku bashkë me mësimdhënësit kosovarë e vendas arriti që ta realizojë vitin shkollor 1998-1999 për 2500 nxënës.
Në shenjë falënderimi për pritjen dhe interesimin për popullatën kosovare gjatë lufte nga Ulqini dhe rrethina, bashkë me dy shokë realizuan ngritjen e pllakës monumentale, falënderuese e përkujtimore para objektit të komunës në Ulqin.
Në vitin 2000 iu kishte dhënë nga akademik Pajazit Nushi, akademik Bedri Dedja dhe Dr. Riza Brada vlerësimi dhe përshtatshmëria për paraqitjen e temës së disertacionit në fushën e pedagogjisë, prej së cilës u tërhoq për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Që nga viti 1972 merrej me shkrime nga fusha e pedagogjisë dhe letërsisë, në gazeta dhe revista në gjuhën shqipe. Ka marrë pjesë me kumtesa në konferenca shkencore në Kosovë dhe jashtë saj, siç janë:

  1. Një vendbanim i lashtë i pazbuluar afër Pejës që kishte lidhje tregtare me Shkodrën, Raushiqi (antik), Shkodra në Shekuj IV, 2002, Shkodër.
  2. Mbijetesa e shkollës fillore shqipe për nxënësit e përndjekur nga Kosova e të vendosur në trojet shqiptare në Mal të Zi, Mbijetesa e popullit shqiptar, 2000 Prishtinë.
  3. Kontributi i kuadrit të Normales së Elbasanit në hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Pejës 1941-1945, Njëqindvjetori i Normales së Elbasanit, Elbasan.
  4. Tiparet karakteristike kombëtare të Skënderbeut, Gjashtëqindvjetori i lindjes së Skënderbeut, Istog (Burim).
  5. Përjetuesit e masakrës së Tivarit të Komunës së Pejës sipas pjesëmarrësve të gjallë, Masakra e Tivarit, Ulqin.
  6. Gegërishtja, thesar i trashëgimisë së gjuhës së të parëve, Gjuha standarde dhe dialektet, Istog 20017.
    Veprat e botuara:
  7. Skënderbeu, edukator i kombit shqiptar, Shkëndija, Pejë, 1995.
  8. Shkollat e mesme të Pejës nën okupim (1990-1998), Art Club, Ulqin, 1999.
  9. Rrugëtimi i shkollës dhe arsimit në komunën e Pejës deri në vitin 1945, Litografia, Gjakovë, 2004.
  10. Shkolla Fillore Kosovare ”Zilja e thyer” në Mal të Zi (1990-1998), Drini Graf, Klinë, 2009.
  11. Raushiqi mbi themelet e antikitetit (Monografi), Art Club, Ulqin, 2012.
  12. Përtej shprese (roman), Art Club, Ulqin, 2017.
  13. Rishfletim (vështrime dhe kumtesa), Art Club, Ulqin, 2022.
    Bashkëpunoi me të përjavshmen “Koha Javore” dhe me revistën “Lemba”. Në Ulqin gjeti vendlindjen e dytë, ndërsa tek anëtarët e SHAI “Art Club”, “miqtë e jetës”, siç shprehej ai.
    Për kontributin në fushën e arsimit dhe kauzës kombëtare, Demë Mulliqit i janë dhënë shumë mirënjohje nga institucionet arsimore e shtetërore.
    Shuarja e Demë Mulliqit paraqet një humbje të pariparueshme, jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë ata që e njohën.
    Ishte një njeri që mbante një zemër të madhe në gjoks, plot guxim, dashuri, mirësi… Dhe një zemër e tillë kërkon sfida dhe rreziqe, që jeta tokësore të jetë më e larmishme. Kërkoi sfida dhe rreziqe vetëm e vetëm për të realizuar idealet e tij të atdhedashurisë dhe të dashurisë ndaj shkencës, arsimit dhe edukimit.
    Ai la pas vepra të vlefshme dhe një emër të madh, të gdhendur në përjetësi për të sfiduar vdekjen dhe fatin. Jemi thellësisht të pikëlluar për largimin e tij, por edhe pafundësisht krenarë për jetën, emrin dhe veprën e tij.
    Bëri gjëra të mëdha dhe të vlefshme gjatë jetës, jetoi një jetë të denjë, andaj dhe veprat e tij u shkruan në librin e përjetësisë sa ishte ende gjallë…
    Një njeri si Demë Mulliqi, i mrekullueshëm dhe fisnik, do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë, sepse njerëzit e tillë pasurojnë jetën me vetë ekzistencën dhe veprimet e tyre.
    Lamtumirë shokut dhe mikut të madh.
    U preftë i qetë shpirti i tij fisnik në mbretërinë qiellore!

Të fundit

më të lexuarat