Kremtimi solemn i Ditës së Shkollës fillore “Bedri Elezaga”- Katërkollë

IP Shkolla Fillore “Bedri Elezaga”, në kohëra të ndryshme e cilësuar me emra të ndryshëm, është institucioni i parë shtetëror në hapësirën e gjërë të Anës së Malit. Ka traditë të gjatë në përhapjen e arsimit fillor të dhjetra gjenerata nxënësish dhe të rriturish, si edhe zhvillimin e jetës bashkëkohore në vend.
Shkolla fillore “Bedri Elezaga”, djepi i dijes dhe kulturës në qendër të Anës së Malit, mban emrin e djalit liridashës – atdhetarit Bedri Elezaga. Gjatë kohës së kaluar ka ndërruar emra me të cilët është përfaqësuar, dhe objekte pune në të cilat është mësuar. Nga themelimi i këtij institucioni kanë kaluar mijëra nxënës e qindra mësimdhënës që kanë lënë gjurmë në zhvillimin e arsimimit dhe nivelit kulturor.
Hapat e parë të nisur në mejtepe, kisha e shtëpia me ambiente të ngushta, puna me shumë nxënës por me mësues entuziastë, me kohë u rritën dhe u shëndrruan në fakte përmirësimi, zhvillimi dhe zgjerimi të sotëm, me çka kjo shkollë hyn në radhën e institucioneve të quajtura shkollë model. Secila gjeneratë me punën dhe përkushtimin e vet ka lënë gjurmë sipas mënyrës së vet.
Prej fillimit të punës, deri në vitin 1962, shkolla ka qenë institucion juridik me emërtim Shkolla Fillore Popullore në Katërkollë. Në shtator të vitit 1962 shkollat fillore popullore të kësaj treve përfshihen në kuadër të kësaj shkolle me status paralele të ndara.
Deri në vitin 1978, Dita e shkollës u kremtua më 13 qeshor. Trupi punues i shkollës me datë 3.3.1979 vendosi që nga ky vit Dita e shkollës të festohet me datën 15 maj.
Me vendim të drejtorisë këtë vit shkollor (2021/22) me rastin e shënimit të 153-vjetorit të themeliit të kësaj shkolle, Dita e Shkollës fillore “Bedri Elezaga” u festua dy ditë, me datat 15 dhe 16 maj. Me datën 15 maj në mbrëmje në prezencën e personaliteteve të ndryshme, përfaqësuesve të institucioneve, veteranëve të arsimit, si edhe të stafit të shkollës dhe gjysmë maturantëve, Dita e shkollës u kremtua me një program solemn madhështor.
Një pjesë e stafit të shkollës mirëpriti stafin tjerët të shkollës dhe mysafirët, me çka u dëshmua se këtij institucioni nuk i mungon tradita e mikpritjes.
Programi filloi me diçka madhështore siç ishte intonimi i hymneve të dy shteteve, atij amë dhe shtetit ku punojmë e japim kontribut. Hymnet janë thirrja për respekt, dinjitet dhe thirrja për përkushtim ndaj vendit, kombit dhe profesionit. Kishte vite që nuk dëgjoja intonimin e dy hymneve në mjediset e shkollës sonë, ashtu siç kishte vite që nuk shihja në oborr të shkollës valëvitjen e flamurit kombëtar përkrah atij shtetëror.
Imazhe të tilla janë të një rëndësie të veçantë, sepse edukojnë brezin e ri me këto vlera, frymëzojnë brezin e ri me respekt të ndërsjelltë për simbolet kombëtare dhe shtetërore.
Por, programet e shkollës nuk mund të imagjinohen pa pjesëmarrjen e korit të shkollës, të cilin me një seriozitet të madh dhe përkushtim e përgaditi arsimtari i muzikës Ardit Nika.
Fjala përshëndetëse e drejtorit Mustaf Bardhi, sigurisht nderoi mysafirët e shkollës sonë të cilët padyshim ishin të fushave të ndryshme.
Shfaqja e dokumentarit “Aktivitetet e shkollës gjatë vitit shkollor 2021/22”, punuar nga Luljeta Avdiu Cura dhe Jeti Çobaj, përmblodhi punën dhe aktivitetin që karakterizoi vitin shkollor përkatës.
Ndarja e mirënjohjeve për mësuesit veteran ishte një gjest për të shprehur falënderim për këtë brez që me përkushtim dhe pasion të veçantë edukuan dhe arsimuan gjenerata e gjenerata nxënësish, për vite me radhë.
Pikat muzikore me violinë nga Arenc Avdiu dhe Ledion Asllani, magjepsën të pranishmit me interpretimin e tyre.
Emocion të veçantë nuk mund të mos përcillnin gjysmë maturantët të veshur me veshjen e diplomimit, ku disa prej tyre iu drejtuan stafit të shkollës me mesazhe falënderimi.
Një kënd i shkollës përcolli një pasqyrë të së shkuarës. Ai ishte këndi tradicional i cili tërhoqi vemendjen e të pranishmëve.
Ekspozita me punimet nga lënda e artit figurativ, për të cilën u përkujdes profesor Jozo Koçaj, zbukuroi mjediset e shkollës sonë dhe shfaqi ngjyrat e shpirtit të nxënësve.
Për nder të Ditës së shkollës çdo vit botohet revista e shkollës “Shkëndijat”.

Luljeta Avdiu – Cura

Të fundit

më të lexuarat