GAZ NË ETER

RENDI I TETË
Kaherë dhe diku larg prej këndej
e lexova një shkrim, ku tregonte
se shpirti i çdo hebreu,
pa marrë parasysh vendin e vdekjes,
niset për në qiell prej Jerusalemit
po t’u kishte rënë në dorë një shkrim i tillë
rilindësve tanë
/edhe pse ata merreshin me jetën…rilindjen
apo “ ringjalljen”….
thjesht në atë kohë vdekjeje nuk ishte
zgjidhje të mendohej për vdekje /
si opsion
do të kishin shqyrtuar një vend të tillë
për shpirtrat shqiptar
/në veçanti sikur të kishin mundur të parashikonin
kompromisin e kohës me historinë
me atë pa histori…./
besoj se do ta kishin zgjedhur Lezhën
me dymbëdhjetë dyert e Kalasë së saj
/me këmbë në ujë deti e ballë në
maje të malit/
përballë kalvareve tona – Shkodrës…Krujës…
kuptohen do të ishte
një sfidë për shpirtrat
se për t’u nisur prej Lisusit të vjetër
do t’u duhej të mbesin me ”cum grano solis”
dukuri e njohur si “Ethet e maleve”
/për shkak se historia krijohej në male
pas largimit të popullit e pushtimit të qyteteve tona
dhe prurjes të të huajve në to/
filloi me karvanin e historianëve
/që “zbuluan” se historia te ne
është një minierë e alkimistëve/
edhe pse për hir të së vërtetës ishin të fundit..
dhe të manipuluar
por mëkati që për atë profesion nuk falet…,
e vazhdoi
me letrarë të “dalluar” e këngëtarë…
/për ” bukë të gojës”…/
gazetarë
/profesion i vetëm përveç atij të tifozit
me të cilin lindin njerëzit te ne…
„historikisht’’ i lidhur për nga rëndësia jetike
me rolin fillestar të bariut në fiset ilire…/
e deri te politikanët..
/dëshmi e gjallë
se mungesat dhe inferioriteti i çfarëdo lloji
vazhdon të funksionojë
madje edhe të lulëzojë…/
kështu erdhëm edhe te “meritoriumi”,
edhe pse me rrënjë në monizëm
/projekt jozyrtar shtetëror dhe kombëtar
kryekëput rrjedhë jashtë shtratit të rilindjes/
“zbulim” i demokracisë sonë për civilizimin perëndimor
/një ndër themeluesit historikë të cilin realisht jemi/
në praktikë-kompromis pa kufi…
/ i cili në esencë shkon deri në humbje të çfarëdo kuptimit…/
në teori
/vend “teologjik”
ku njerëzit prej purgatorit
logjikisht i detyruar për shqiptar
mund të kthehen…
por edhe prej parajsës e ferrit…/
për dokumentacion shtesë…
/”hajmalinë” e kombit/
ekonomikisht
/a nuk filluan kështu
të gjitha tradhtitë tona…
…puna në qiell e paga në tokë/
mund të jenë shpirtrat tonë edhe nisen prej Lezhës
/jo edhe për shkak të dëshirës apo meritës sonë/
si ndryshe të sqarojmë sjelljen e të huajve
/vinë me plotë dashuri “vëllazërore” e atëherë
na shajnë deri në bark të kalit/
pagesa për mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore të tyre
/që në të vërtet historikisht nuk është kurrgjë tjetër
vetëm vezë qyqe në folenë tonë /
fletë edhe për dallimin rrënjësor në perceptim
/ne mbajmë veten shqipe mali
e ata tërë kohën në besnikërinë e parimit të vet
mundohen të na bëjnë pulë furriku/
injoranca e tyre
vallëzon me sherr budallakun tonë
/gjendje e veçantë e vetëdijes edhe përkundrejt arsimimit/
përsëri pjesë e trashëgimisë së tyre kulturore
të mos flasim për kërkesën e turpshme
për revizionin e historisë….
që do t’i mbështillte edhe më shumë punët
në “meritoriumin” tonë
/që as do të mund ta menaxhonte asnjë popull i civilizuar evropian
përveç nesh…/

përsëri nuk mundet të e mos më kujtohet
ai teksti në gjuhën e huaj
për shpirtrat e hebrenjve
dhe ajo lehtësi madhështore
e të vajtjes së shpirtit në qiell
prej Jerusalemit
po pse edhe kaq komplikime
me shpirtrat tonë të vuajtur
dhe të vetë vuajtur shqiptarë….

GAZ NË ETER
Gazetari e leshtë
/në thelb lavdërim për interes të çfarëdo lloji/
drejtim i veçantë në gazetarinë tonë
/e quajtur kështu edhe për shkaqe të ushtrueseve
dhe vlerës që mban në vete…/
e në të vërtet është formë e politikës së mbijetesës personale
në gazetari
me binomin patriotizëm dhe honorar
/ku honorari është fjalë
për përdorim vetjak,
zbukurim për lëmoshë…e “emër”/
e për patriotizmin e tillë
u shpreh para afro treqind vitesh Samjuel Xhonson
“ patriotizmi është strehimi i fundit i horave”
filloi si mozaik artistik i teksteve të autorëve tjerë
duke iu përkushtuar me “zell” temave “jetike”
prej njeriut të parë e deri më sot…
me vazhdimësinë e sjelljes nëpër këmbë
figurave të kohës
/qëllim i formimit të galerisë personale të trofeve të gjahut/
me tregime më tepër se gjahtarësh….
e deri te hyrja e herëpashershme në thesarin e kombit
si miu i truam
/e prej miut s’pritet tjetër vetëm ndonjë dëm apo sëmurje/
‘’kuptohet’’ politikës së “mirëfilltë” i nevojitet kjo lloj gazetarie,
dëshmon fakti i auto gazetarisë
/nën drejtimin më të ri/
ku “politikani” pas shfrytëzimit të “rastit”
/ lutë që ti shtrëngoj dorën sa për fotografi/
vetë shkruan tekstin dhe ua shpërndan mediave si lajm,
duke harruar se nuk përputhet me të vërtetën
as me funksionin që kryen….
por nuk është hera e parë
që sindromi i gomarit të Buridanit
/madje edhe me histori të bagazhit gjenetik/
në këtë rast në mes emrit dhe përfitimit
të shkatërrojë “profesionin”…
kalimi në portretin gazetaresk
të gjithkujt që ka ecur
apo ecë mbi këtë tokë
shumë kënd e bënë të mendojë për një lidhje
me parajsën dhe Shën Pjetrin para derës së tij
edhe ata më skeptikët apo që dëshirojnë të mbahen ashtu,
do të mendojnë për një artikull
/në Ballkan njerëzit kur përgatitën për një rrugë të gjatë,
nuk i lë
në gjë rastit/
kjo pa tjetër ka gjasa
të zhvillojë turizmin gazetaresk tek ne
/është vetëm çështje e momentit kur prej oborrit të tyre
nëpër rrugët përreth do të shtrihen kolonat e gjata të njerëzve
që presin prej herët në mëngjes deri vonë në mbrëmje/
Kjo dhe është dëshmi më e mirë
dhe kryekëput patriotike
se fjala gaz(e)tar
i ka rrënjët
ne fjalinë shqipe gaz në etër

Të fundit

më të lexuarat