Histori, legjendë dhe fantazi fëmijësh

“Ky libër është një ftesë që të zgjohet shpirti hulumtues i çdo fëmije. Është një ftesë që të kultivojnë trashëgiminë kulturore. Është një ftesë që ta duan para së gjithash vendin e vet, ta ruajnë atë, sepse vend më të mirë se ky nuk ka”, u shpreh autori Gazmend Çitaku

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit, Shoqata “Penda” organizoi të enjten mbrëma, më 23 prill 2026, në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, promovimin e librit “Aventurat e Dorartit”, veprës së re të autorit nga Ulqini, Gazmend Çitaku, në prani të adhuruesve të fjalës së shkruar dhe të disa nxënësve.
Fillimisht, nga Shoqata “Penda” përshëndeti Anton Nucullaj, i cili vlerësoi veprat dhe kontributin e autorit Çitaku, duke shpalosur disa organizime dhe bashkëpunime që kjo shoqatë ka krijuar me disa institucione vendase, por edhe jashtë tij.
Qëllimi i shoqatës, shtoi ai, është që përmes aktiviteteve të tilla të promovojë kulturën, arsimin dhe shkencën.
Ndërkohë, në vështrimin e tij për librin “Aventurat e Dorartit”, mësuesi dhe krijuesi i njohur letrar, Ali Gjeçbritaj tha se autori i këtyre tregimeve në çdo kapitull e ka pasur parasysh dhe brenda në shpirt ka botën dhe fantazinë e fëmijëve.
Ai theksoi se përmbledhja me tregime për fëmijë “Aventurat e Dorartit”, e autorit Gazmend Çitaku, është një ftesë e hapur për të zbuluar shpirtin e pathyeshëm të Ulqinit, të Krajës, Shasit, Anës së Malit etj.
Sipas Gjeçbritajt, autori përmes pesëmbëdhjetë tregimeve, aventurave të grupit ‘Ilirët’, grup ky që në përbërje të tij ka Dorartin dhe shokët e tij, janë personazhe që flasin më së shumti me lexuesin e vegjël.
“Përmes aventurave të grupit ‘Ilirët’, shkrimtari na shpie në udhëtim magjik ku historia antike, arkeologjia dhe legjendat gërshetohen natyrshëm me botën e vrullshme të fëmijës”, tha Gjeçbritaj.
Ai më tej u shpreh se libri na mëson, mes tjerash, për disa toponime e mikrotoponime, por gjithashtu është një libër i cili ia vlen të lexohet edhe nga të rriturit, pasi siç tha, në brendësinë e kopertinave të tij ka shumë mesazhe të rëndësishme.
Gjeçbritaj iu bëri thirrje mësimdhënësve që libri “Aventurat e Dorartit” duhet të gjejë vend në programet mësimore të gjuhës amtare dhe letërsisë, së paku, siç tha ai, në pjesën e hapur të programit, në atë njëzet përqindëshin.
Ndërkaq, Sidorela Berishaj, nënkryetare e Shoqatës “Penda”, në vështrimin e saj mbi këtë vepër letrare, të titulluar “Një udhëtim nëpërmjet gjurmëve të së kaluarës”, theksoi se në libër ndërthuret bukur historia, arkeologjia, legjenda dhe aventura.
“Duke e mbajtur pezull lexuesin deri në fund, këto rrëfenja na çojnë drejt një udhëtimi magjik që zhvillon grupi i fëmijëve ‘Ilirët’ e vegjël, ku nxjerrin në pah lashtësinë dhe legjendat të cilat gërshetohen natyrshëm në botën plot entuziazëm të adoleshentëve eksplorues”, tha ajo.
Berishaj theksoi, mes tjerash, se autori në këtë libër ka përdorur një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, por edhe figurative dhe shprehje frazeologjike të zonës.
“Rrëfehen ngjarje dhe tradita të së kaluarës ulqinake në mënyrë lineare si një tregim historik. Kjo mënyrë e të shkruarit i jep tekstit karakter dokumentues por edhe letrar, sepse historia rrëfehet me plot gjallëri”, u shpreh ajo.
Sipas saj, e veçanta e kësaj vepre është gërshetimi i figurave historiko-reale me ato mitologjike “që i japin një dimension tjetër tregimeve, duke e zgjuar edhe më tepër kureshtjen”.
“Shkrimtari nxjerr në pah gjatë gjithë kohës shëtitjet dhe kureshtjet e grupit të fëmijëve për të eksploruar çdo gjë që kanë dëgjuar nga gojëdhënat e vjetra të stërgjysheve ulqinake dhe çdo rrëfim i tyre bën të besojë se krijesat mitologjike kanë ekzistuar vërtet dhe ata janë vënë në kërkim të fosileve të mbetura”, u shpreh Sidorela Berishaj.
Ndërkaq, të pranishmit patën mundësi të njihen më në detaje nga autori lidhur me idenë, sfidat që ka krijimtaria e letërsisë për fëmijë, mesazhet që përcjell ky libër etj.
Çitaku, mes tjerash, vuri në dukje se ky libër po promovohet për të tretën herë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.
Ai tha se personazhi në libër, Dorarti, është një djalë shumë kurioz, “por ai është secili prej jush. Ai është sa person imagjinar, po aq edhe real. Në librin tim ‘Dorarti’ është nga Ulqini, por ‘Dorarti’ është edhe nga Malësia, nga Rozhaja, por edhe nga Prishtina. ‘Aventurat e Dorartit’, të cilat ai i përjeton në Ulqin, ato aventura mund të ndodhin kudo. Pra, Dorarti nuk është vetëm i Ulqinit por është i secilit qytet”, tha Çitaku.
Autori theksoi po ashtu se ky libër përcjell disa mesazhe, mes tyre edhe ai për të ruajtur ambientin, trashëgiminë kulturore, historike, për të mësuar për arkeologjinë e për të dashur mbi të gjitha vendin e tyre.
“Ky libër është një ftesë që të zgjohet shpirti hulumtues i çdo fëmije. Është një ftesë që të kultivojnë trashëgiminë kulturore. Është një ftesë që ta duan para së gjithash vendin e vet, ta ruajnë atë, sepse vend më të mirë se ky nuk ka”, u shpreh Çitaku.
Ai apeloi gjithashtu te fëmijët që të lexojnë sa më shumë, ta krijojnë shprehinë e të lexuarit e kjo shprehi, sipas Çitakut, arrihet më së miri vetëm përmes një biblioteke.
Ndërsa, duke folur për rrugëtimin e këtij libri që deri tani ai e konsideroi shumë të suksesshëm, përveç promovimeve, ai tha se do të botohet së shpejti edhe në Prishtinë.
Në fund të këtij aktiviteti letrar, autori dhuroi kopje të librit për të gjithë të pranishmit.
Libri “Aventurat e Dorartit” u promovua një ditë më vonë (24 prill 2026) në Galerinë e Qendrës për Kulturë në Ulqin, organizuar nga Biblioteka Popullore e Ulqinit.
Më herët është promovuar në Ostros, më 10 mars 2026, në Ditën e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krajë dhe më 2 prill 2026 në shkollën fillore “Marshall Tito” – Ulqin, në Ditën Botërore të Poezisë për Fëmijë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat