Jeta dhe veprimtaria e ndritur mjekësore dhe humane e mjekut të njohur nga Malësia, dr. Lukë Gjokaj u pasqyrua përmes premierës së filmit dokumentar “Zemër e madhe në kohë të vështira” me autor Senad Gilajn dhe regji të Senad Shahmanoviqit, që u promovua të mërkurën mbrëma, më 29 prill 2026, në sallën e QKI “Malësia”, në prani të një publiku të madh.
Në fjalën përshëndetëse kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj u shpreh se dr. Lukë Gjokaj ishte një figurë e jashtëzakonshme e Malësisë i cili me punën, përkushtimin dhe humanizmin e tij la gjurmë të pashlyera në jetën e shumë njerëzve.
Ai tha se ky film dokumentar shënon një çast kujtese që rikthen vëmendjen, vlerën dhe fisnikërinë njerëzore dhe profesionale që përfaqësonte dr. Lukë Gjokaj.
“Figura e tij shkon përtej profesionit të mjekut. Ai ishte burim besimi për pacientët, shtyllë për familjen dhe shembull i përkushtimit dhe sakrificës”, theksoi Gjelaj.
Ndërkohë, regjisori i dokumentarit, Senad Shahmanoviq u shpreh se ka qenë kënaqësi, sfidë dhe përgjegjësi që të jetë pjesë e realizimit të këtij dokumentari dhe të tregojë një histori për njeriun i cili profesionin e ka përjetuar jo vetëm si punë por si mision jetësor.
“Kam pasur privilegjin t’i njoh miqtë dhe familjen e tij dhe të xhirojmë në Prishtinë, Ulqin, Podgoricë dhe Tuz, dhe besoj se kemi arritur që të paktën pjesërisht t’i afrohemi madhërisë së tij nëpërmjet këtyre xhirimeve që flasin dhe që janë dëshmi e një kohe”, u shpreh ai.
Ndërkaq si mik, koleg e bashkëpunëtor i ngushtë shumëvjeçar i dr. Lukë Gjokajt, dr. Halil Dukoviq u shpreh se çfarëdo që të thuhet për dr. Lukën, është thënë pak.
“Ai ka qenë njeri i popullit dhe i përkushtuar atij. Njeri i cili përherë kishte kohë për gjithçka dhe për të gjithë, pa marrë parasysh kush është, çfarë është dhe nga është. Njeri që ka pasur durim të mjaftueshëm që të dëgjojë problemet e të gjithëve, edhe pse ato shpeshherë nuk kanë qenë të fushës së mjekësisë”, theksoi ai.
Dukoviq tha se dr. Luka ka qenë mjek e humanist i cili ka mbetur dhe kujtohet si i tillë, dhe i tillë jeton mes nesh.
Ai ka përkujtuar se në mesin tonë ka pasur edhe figura të tjera të ndritura mjekësore dhe humane, siç ishte edhe dr. Abedin Axhoviq etj.
“Dhe për të gjithë këta mund të them veç një gjë: kam pasur nderin t’i njoh të gjithë dhe kënaqësi të punoj dhe të shoqërohem me ta. Të gjithë ata kanë treguar se profesioni dhe profesionalizmi, krahas humanizmit të madh, japin rezultatin më të mirë”, u shpreh dr. Halil Dukoviq.
Djali i të ndjerit dr. Lukë Gjokaj, Petrit Gjokaj falënderoi përzemërsisht të gjithë ata që janë përfshirë dhe që kanë ndërmarrë nismën për realizimin e këtij filmi dokumentar kushtuar figurës së atit të tij, duke thënë se nderimi më i madh është përkujtimi.
“Ne, familja e dr. Lukë Gjokajt, gëzojmë një privilegj në shoqëri. Gëzojmë në rrugë, në institucione. Kemi një reputacion të paparë në çdo anë e kënd. Dhe pas gjithë këtyre viteve, dita-ditës, pothuajse të gjithë banorët e Tuzit, nëpër Malësi, Podgoricë, Kosovë, Ulqin dhe kudo që ai ka jetuar dhe vepruar, na përkujtojnë dhe pakursyer shprehin fjalë nderimi që ne na nderojnë dhe na bëjnë krenarë çdo ditë e më shumë”, u shpreh ai.
Gjokaj tha më tej se nderimi, respekti dhe krenaria është pasuria më e madhe që ata si familje trashëgojnë.
Filmi dokumentar “Zemër e madhe në kohë të vështira”, përveç një rrëfim biografik i jetës dhe kontributit të madh human e profesional të dr. Lukë Gjokajt, u konsiderua edhe si një kujtesë dhe dëshmi se njeriu me zemër të madhe mund të lërë gjurmë të përjetshme.
Ky film dokumentar u realizua nga Radiotelevizioni i Malit të Zi në bashkëpunim me Komunën e Tuzit dhe Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”.
t. u.
